Një administratë që funksion mbi meritën garanci për shtetin

38 punonjës të rinj të administratës publike, fitues të konkursit për pranimet në administratë ndanë sot eksperiencat e tyre nga ky proces, gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama. Fjala e Kryeministrit Edi Rama. 23.12.2014

big_km_administrataJu faleminderit për fjalët inkurajuese, sepse është inkurajuese që në këtë proces shumë të vështirë, i cili është i minuar në themelin e vet nga një mosbesim historik, të mund të çelim një faqe tërësisht të re, të panjohur më parë për administratën, duke vendosur në themel të rekrutimit konkurrencën dhe meritën.

Sigurisht që procesi është larg së qeni i përsosur, por siç dëshmoni edhe ju është një proces që ka një potencial shumë të madh transformues për jo vetëm administratën, por edhe mendësinë në raport me shtetin dhe me punën në shërbimin civil.

Ligji që ka hyrë në fuqi është një ligj që i bie ndesh në mënyrë radikale, traditës, mendësisë dhe zakoneve tona. Është një ligj europian për një administratë europiane dhe është një nga ligjet e para që na sfidon të gjithëve, duke na vendosur përballë, konkretisht, domethënien e gjithë kësaj historie llafesh për Shqipërinë Europiane, sepse Europa dhe Shqipëria Europiane si pjesë e Europës janë të ëmbla për t’u thënë, por janë jo vetëm të vështira, por edhe me shije të hidhur për t’u arritur.

Ka një thënie shumë të bukur Aristoteli, që thotë: “Rrënjët e dijes janë të hidhura, frytet janë të ëmbla.” Që do të thotë që për të arritur deri tek frytet, procesi është me sakrifica dhe procesi është i hidhur.

Ndërkohë që ju jeni këtu në një numër kaq të kufizuar fituesish dhe ndërkohë që ju po flisnit, unë po mendoja se çfarë mendojnë 5200 të tjerët që nuk kanë fituar. E, duke qenë se ne shqiptarët nuk shquhemi si shumë të aftë për të pranuar dështimin dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi, sepse nuk kemi ditur kurrë t’i pranojmë dështimet dhe mbi dështimet të ndërtojmë suksesin, me siguri 99.99%, për të mos i rënë më qafë të gjithëve, mendojnë se kanë humbur padrejtësisht dhe padrejtësisht mendojnë se ju jeni ajka e militantizmit partiak dhe jeni këtu falë partisë, falë kushërinjve, falë parave që keni paguar për të fituar konkursin dhe njëmijë e një historia të tjera që, mos ju mbesë hatri, me siguri do t’i mendonit dhe ju, po të mos kishit fituar. Edhe ju, po të mos kishit fituar, do të thoshit të njëjtën gjë.

Dikush ndër ju, nuk e di nëse është prezent, më ka bërë një letër shumë domethënëse, mbasi kishte fituar në tentativën e 6-të. Kishte humbur 5 herë. Një vajzë. Më shkruante se “mu kthye në nevojë që t’i provoja vetes sa më shumë, sesa hipokritë dhe sa të korruptuar jeni ju që na thoni konkurroni, konkurroni, konkurroni”. “Dhe sot”, thoshte, “ndjehem krenare me veten dhe e detyruar t’ju kërkoj ndjesë se në këtë proces, edhe unë si gjithë të tjerët isha komplet e mbarsur me paragjykime”. Është normale, por nga ana tjetër është e domosdoshme që ne të ecim me kokëfortësi në këtë rrugë, me çdo kosto. Sepse nuk mund të ndërtojmë asgjë të qëndrueshme dhe aq më pak mund të mendojmë për një shtet që funksion në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht se kush fiton apo humbjet nëpër zgjedhje, në rast se nuk kemi një administratë që funksion.

Më kujtohet një bisedë me kryetarin e Partisë Socialiste të Belgjikës, Di Rupo, miku im, gjatë periudhës që partitë nuk merreshin vesh për të krijuar qeverinë, për shkak se nuk krijonin dot shumicë. Dhe ishte një periudhë që zgjati, mos gabohem, më shumë se një vit dhe më shumë se një vit, Belgjika nuk kishte qeveri. Di Rupo më thoshte se nga perceptimi i qytetarëve, Belgjika po funksionon më mirë tani që s’ka qeveri, sesa me qeveri se, ndërkohë që partitë po merren për krijimin e qeverisë dhe merren me punën e vet, shteti vazhdon funksionon sahat dhe njerëzit nuk e ndjejnë fare që s’ka qeveri. Gjithçka funksionon. Dhe pa asnjë dyshim, e njëjta gjë do të ndodhte në të gjitha ato vende ku administrata është makineri që funksionon sahat, ndërkohë që ndryshimet e qeverive sjellin sigurisht ndryshime politikash, me impakte pozitive ose negative në jetën ekonomike të njerëzve, por nuk sjellin tërmete apo lëkundje të atilla që ta destabilizojnë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit. Kjo është administrata.

Tani, parafytyroni për një moment sikur këtu mos ketë edhe qeveri, se çfarë mund të ndodhë! Me qeveri, e prapë se prapë jemi bërë si ata barinjtë që nuk arrijnë dot të numërojnë delet që ikin dhe delet që vijnë, kë ha ujku, kush ha ujkun, kush bashkë me ujkun ikën në drejtim të paditur dhe kush kthehet me dy ujq më shumë, për të ngrënë ç’ka lënë mbara. Një gjë që s’ka lidhje fare me Europën, që s’ka lidhje fare me çfarë propagandojmë ne, administrata jonë është kjo, sot.

Por, nga ana tjetër, sfida jonë është shumë më shumë se kaq, sepse unë jam i bindur që secili nga ju, duke qenë se është sot, i ulur në një karrige që e ka fituar me meritë, do të jetë shumë më i ndërgjegjshëm për të mbrojtur qytetarët që meritojnë të marrin atë që ju takon dhe është shumë më pak i prirur që t’u hyjë në hak të tjerëve.

Nga ana tjetër, ky është një proces që vazhdon, nuk është një proces që mbaron këtu, sepse problemi i madh që kemi ne me këtë strukturë të re ligjore dhe që e kemi adresuar me disa ndryshime të rakorduara, siç tha ministrja, edhe me Bashkimin Europian, është që ligji të garantojë konkurrencë, të garantojë përzgjedhje sipas meritës, por të mos kthehet në një jorgan nën të cilin pastaj, ai që hyn në administratë ia fut gjumit se nuk ka zot që e lëviz më nga vendi. Prandaj, ne kemi futur konceptin e testimit brendapërbrenda administratës. Pra, çdonjëri nga ju dhe çdonjëri nga ata që sot janë në administratë do të duhet të provojë në mënyrë sistematike, se është personi i duhur për atë vend pune. E ndërkohë, të tjerë të cilët janë pjesë e shërbimit dhe nuk janë aktivë në shërbim, sepse kanë humbur vendin e punës, e kanë fituar atë me vendim gjykate, ose nuk kanë mundur ta ruajnë vendin e punës për arsye nga më të ndryshmet, të kenë edhe ata të drejtën të testohen dhe të provojnë se “prit se jam unë, sot, më i mirë sesa është “x” apo “y” në atë vend pune”. Dhe këtë, ne kemi arritur ta kthejmë në një standard.

Gjëja ku unë do vija theksin është përshtypja që unë kam marrë nga ministrat për ju. Ju keni hyrë në administratë vetë, e dini mirë shumë. Mund të keni pasur njerëz të njohur, por nuk ju kanë hyrë në punë, sepse nuk kanë pasur mundësi dhe realisht, në kushtet e sotme, askush nuk ka mundësi ta ndikojë procesin, sepse siç e keni parë vetë, procesi është i pandikueshëm, s’ke si e ndikon. Aplikimet që bëhen janë të pandikueshme, provimet me shkrim janë të pandikueshme dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë se dhe provimi me gojë është shumë vështirësisht i ndikueshëm, por, ama, procesi që vjen deri aty e bën edhe provimin me gojë të pandikueshëm. Pra, që të bëhet një ndërhyrje për të ngrënë hakun e njërit dhe për t’i dhënë një hak që s’i takon tjetrit, duhet vërtet të lësh nam.

Megjithatë ka një element tjetër të rëndësishëm që duhet ta mbani parasysh, që është se ju duhet të punoni shumë fort me veten dhe ju duhet të mësoni shumë, për të qenë në lartësinë e detyrës që keni marrë. Ju të gjithë jeni, besoj, të vetëdijshëm dhe kjo është edhe përshtypja që unë kam marrë nga titullarët, që në këtë moment të parë, pavarësisht dijeve që keni teorike, në planin praktik jeni krejtësisht të papërgatitur për sfidën e momentit dhe sfida e momentit që vazhdon përditë kërkon që ju të përgatiteni një orë e më parë dhe kjo do të thotë që t’i nënshtroheni me shumë vullnet trajnimeve që bëhen në Shkollën e Administratës Publike dhe t’i nënshtroheni me shumë vullnet një pune individuale, që do t’ju kthejnë nga individë që keni hyrë me meritë në një punë, në shërbëtorë publikë që janë pika referimi në institucione, që dinë se çfarë bëjnë, që dinë se çfarë thotë dhe dinë sesi t’i japin zgjidhje problemeve.

Ne duam të adresojmë sot një problem tjetër. Një problem jashtëzakonisht të madh. Një problem që po shfaqet edhe në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në vendet rreth nesh, kuptohet. Se nuk është problem në Europën e Veriut ku gjaku i nxehtë nuk krijon shumë tërheqje pas festave dhe pas thyerjes së rregullit, siç është këtu, rreth e rrotull nesh, por po i referohemi Italisë, po i referohemi Greqisë, po i referohemi Portugalisë, po i referohemi Spanjës, vende të ngjashme për nga temperamenti dhe për nga një raport gjysmë mekanik dhe gjysme erotik me ligjin.

Problemi është ky: Kush mban përgjegjësi për vonesat dhe për dëmet që i shkaktohen qytetarit apo sipërmarrjes nga administrata që nuk përgjigjet në kohë reale dhe nuk përgjigjet në kohën e duhur? Kush e mban përgjegjësinë? Këtu, kush nga ju ka punuar në sektorin privat do të dëshmonte që sipërmarrësi nuk ta fal që për shkakun tënd të humbë një lek, nuk ta fal, të përcjell te dera dhe të thotë “ik” dhe të mban edhe çfarë ka mundësi të të mbajë, edhe rrobat e trupit, po të ketë mundësi t’i mbajë, t’i mban. Po në shtet, kush e mban përgjegjësinë që unë, qytetari, harxhoj shumë më tepër kohë, sesa ç’më jep si detyrim ligji për të harxhuar dhe në vend të shkoj 1 herë, shkoj 10 herë për të marr një shërbim, apo unë, sipërmarrësi, harxhoj shumë më tepër kohë dhe madje marr shpeshherë, edhe përgjigje që më dëmtojnë padrejtësisht? Atëherë, nëse verifikohet padrejtësia, kush e mban përgjegjësinë?

Përgjegjësia, për momentin, është “pa nënë e pa babë”. Shteti, një koncept abstrakt, por, ndërkohë, askush individualisht. Ne po punojmë që të fusim në ligj përgjegjësinë individuale apo përgjegjësinë e një strukture për dëmin që i shkaktohet një qytetari, apo që i shkaktohet një sipërmarrësi, apo për dëmin që i shkaktohet taksapaguesve, kur ky qytetar dhe ky sipërmarrës shkon në gjyq, fiton gjyqin dhe pastaj, të gjithë së bashku, shqiptarët duhet t’i paguajnë atij dëmin që i ka shkaktuar një individ apo një strukturë brenda administratës.

Synimi ynë, që është një ambicie e jashtëzakonshme, mbase shumë më e jashtëzakonshme sesa vetë guximi për të menduar se mund t’ia dalim në një hark kohe, aq sa e kemi harkun qeverisës, por që duhet jetë një ambicie e përbashkët e të gjithë atyre që janë përgjegjës për politkëbërje, duhet të jetë që shtetin ta kthejmë si një kompani që shërben dhe në administratë të fusim ndjenjën e korporatës publike që i shërben njerëzve dhe që është e orientuar e tëra si shërbim ndaj klientit.

Kush e fal në sektorin privat, një shërbim mizerabël ndaj klientit? Kush e fal? Cili është ai sipërmarrës, ose kush është ajo korporatë që harxhon para, investon, paguan rroga, bën plane shpenzimesh dhe i lejon vetes një shpërblim mizerabël? Askush! Ndërkohë që po të kthehemi nga shteti, përgjigja e parë, tamam si reagimi i qenit të Pavllovit është “hajde nesër”, “kalo nesër”, “flasim nga java”, “do ta shikojmë”, “po e studiojmë”, “po e shikojmë, pra…”. Kjo është një torturë në shkallë të gjerë, shkelje e hapur jo e lirive dhe të drejtave të njerëzve, por shkelje e hapur e dinjitetit të njerëzve në tërësi, si sens etik i raportit. “Po e shikojmë”, “hajde nga java”, “s’jam këtu”, “ta thash pra…”, “ja çova një letër”, “ja presim një letër”, kjo është një gjë e turpshme.

E, në këtë aspekt, ne, shumë shpejt, do t’i drejtohemi Parlamentit, përsëri, për të futur nocionin e marrjes së përgjegjësisë individuale apo të një strukture, nominalisht. Dhe për këtë, nëpunësit publikë do të pealizohen me penalitete të niveleve të ndryshme. Secili duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk është aty për të marrë rrogën e vet dhe për të qenë në rregull me ligjin, në kuptimin për të mos vjedhur, apo për të mos shkelur ligjin në mënyrë brutale, por është aty për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të qenë garanti i të drejtave kushtetuese të çdo individi dhe të çdo sipërmarrjeje. Është e drejtë kushtetuese e sipërmarrësit që të shërbehet me dinjitetin më të plotë. Administrata jonë, kurrë nuk e ka garantuar këtë dinjitet.

Së fundi, duke u kthyer edhe një herë tjetër te trajnimet, ne do të rrisim në mënyrë shumë gjeometrike nivelin dhe intensitetin e trajnimeve. Po bëjmë një bashkëbisedim intensiv, këto ditë, me Komisionin Europian, për të investuar shumë më tepër në këtë drejtim. Të gjitha të dhënat tregojnë se kompanitë që trajnojnë punonjësit e tyre rriten. Kompanitë që nuk trajnojnë punonjësit e tyre bien. Nga një anketë e një viti më parë, e bërë me një numër kompanish në rang global, rezulton se kompanitë që kanë investuar më shumë në trajnimin dhe rritjen e burimeve të tyre njerëzore janë rritur me 40% në shkallë globale, në të gjitha komponentët. Kompanitë që kanë investuar më pak, flasim për kompani globale, kanë rënë me 22%. Gjë që ne asnjëherë nuk e kemi vlerësuar në gjithë këto vite. Gjë që ne e kemi përbuzur se na e sollën shpirtin në majë të hundës me seminare, sidomos në dekadën e parë të tranzicionit, ku të gjithë harxhonin para për seminare dhe në fund të çdo seminari mbeteshin vetëm të huajt që flisnin anglisht me njëri-tjetrin, se shqiptarët ishin të gjithë nëpër qytet e nëpër kafene dhe i kishin thënë seminarit “mirupafshim”. Por këtu flasim për trajnime reale, të lidhura drejtpërdrejtë me punën.

Unë do t’ju kërkoja me shumë këmbëngulje, që atë mirënjohje që ju shprehët, që në fakt duhet t’ia shprehni prindërve tuaj, të cilët janë baza e kësaj arritje të parë në jetën tuaj për shumëkënd, apo që duhet t’ua shprehni familjeve tuaja, sepse duhet të kesh me siguri një burrë shumë të durueshëm që përballon sensin tuaj të protagonizmit, në këtë rast, edhe duhet t’i jesh mirënjohës, shpresoj që të paktën në shtëpi të mos ta bësh burrin që të ndjehet sikur është në konkurs gjithë kohës dhe këtë mirënjohje, në rast se doni ta shprehni edhe për qeverinë që ju dha mundësinë të ndjeheni mirë, sepse fituat diçka me meritën tuaj dhe patë vlerën që keni krijuar në kohë, ju lutem të na e shprehni duke e treguar sa më shumë eksperiencën tuaj; duke e ndarë sa më shumë më të tjerët eksperiencën tuaj; duke ju treguar sa më shumë njerëzve që ju ia dolët pa miq, pa ndërhyrje, pa kushërinj dhe pa lekë. Ia dolët falë investimit të bërë tek vetja dhe falë investimit të bërë nga familja tek ju, që u shpërblyet me një rezultat. Kjo do të ishte një gjë jashtëzakonisht e vlerësuar prej nesh, sepse kemi shumë nevojë që të luftojmë së bashku për ta thyer këtë mentalitet që asgjë s’bëhet dot, këtu në këtë vend, me meritë dhe se kush merr diçka, patjetër ka bërë ndonjë poshtërsi, ka paguar ndonjë ryshfet, apo ka pasur ndonjë kushëri të fortë. Kjo për ne është sfidë e përbashkët.

Edhe një herë shumë faleminderit për shembullin dhe shpresoj që të jeni në lartësinë e këtij shembulli, edhe në vijim. I ftoj të gjithë ata që duan t’ju bashkohen, që të lexojnë ligjin, të lexojnë me shumë vëmendje kërkesat e konkurseve, të studiojnë procesin ashtu si duhet, të bëjnë aplikimet ashtu siç duhet, siç e dëshmuat edhe ju dhe që të kenë shansin që të fitojnë me meritën e tyre.

Ne shqiptarët, prej shumë kohësh e duam shtetin, por jo kur vepron ndaj nesh; e duam ligjin, por jo kur na shtrëngon në marzhin e manovrës; e duam meritën, por jo kur vjen puna te ne. Dhe kur shteti, ligji dhe merita na shfaqen përballë duke na vënë në pozitë, ne menjëherë gjejmë 1001 justifikime pse kjo është diçka e padrejtë. Së bashku, dalëngadalë, por pa humbur kohë, jam i bindur që do ta ndryshojmë këtë gjë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan