Demokracia përfaqësuese

Demokracia përfaqësuese, e quajtur edhe “demokracia deleguese” është një nga format e demokracisë, në të cilën qytetarët shprehin vullnetin e tyre përmes përfaqësuesve të zgjedhur, të cilëve ata u delegojnë kompetencat e tyre. Këta të zgjedhur, që përfaqësojnë vullnetin e përgjithshëm, votojnë ligjin dhe eventualisht kontrollojnë qeverinë.

Demokracia përfaqësues realizohet përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Janë të zgjedhurit në asamble që ushtrojnë sovranitetin. Të zgjedhurit janë legjitim në momentin kur ata formojnë asamblenë. Kjo spjegon rëndësinë e debatit deliberativ në gjirin e asamblesë, nga ku lindin zgjidhjet më të mira. Kjo justifikon rëndësinë e vendit të opozitës. Asambleja dhe të zgjedhurit duhet të përfaqësojnë jo vetëm zgjedhësit e tyre por tërësinë e qytetarëve.

Por, në fakt, në një rregjim përfaqësues, votimi është një mënyrë emërimi dhe jo një transferim i përgjegjësisë. Të zgjedhurit marrin legjitimitetin e tyre nga delegimi i sovranitetit prej zgjedhsve të tyre, ndërkohë që këta nuk kanë më asnjë mjet për të kontrolluar veprimet e mëvonshme të përfaqësuesve të tyre.

Sovraniteti i vërtetë tjetërsohet tek të zgjedhurit (kryesisht deputetë), të cilët zhvillojnë debatin dhe vendimmarrjen pa iu referuar zgjedhësve të tyre; pra, ata janë plotësisht të pavarur prej zgjedhsve, me përjashtim të momentit të zgjedhjes së tyre.

Elektorati nuk është një e drejtë, por një funksion. Kjo nuk është një shfaqje e vullnetit individual, por një funksion i ushtruar në emër të kombit. Historikisht, përfaqësuesit parë janë zgjedhur në votime censitare (në mesjetë, cens ishte një kuotë që duhej të paguhej për të qënë zgjedhës). Një individ mund të zgjidhej vetëm në funksion të taksës që ai paguante, pra, të kapacitetit të tij financiar. Votimi i përgjithshëm u zhvillua pas kësaj.

Një nga kushtet që regjimi të jetë demokratik është se me zgjedhjet që ndodhin në intervale të rregullta, mandati i përfaqësuesve është i kufizuar në kohë (nuk ka mandate të përjetshme apo të trashëguara). Asnjë qeveri nuk është e instaluar përgjithmonë. Opozita shihet si një forcë legjitime, që mund të shprehi dhe të paraqes të gjitha alternativat dhe opinionet e saj. Përveç kësaj, synohet që qeverisja të jetë e hapur për të gjithë.

Mandati përfaqësues është i parevokueshëm, që do të thotë, deputeti, një herë i zgjedhur, është i pavarur nga zgjedhësit e tij, mund të mos ndjek vullnetin e tyre. Megjithatë, duke qënë se periudha e mandatit është gjithmonë e kufizuar, i zgjedhuri, në shpresën për t’u rizgjedhur, mund të mendoj se ai duhet të veproj globalisht në kuptimin e interesave të zgjedhësve të tij

Demokracia përfaqësuese kundërshtohet prej demokracisë së drejtpërdrejtë, shumë më pak e përhapur, në të cilën është populli që vetë merr vendimet. Shumica demokracive aktuale kanë vendosur sistemin e përfaqësimit që në fillimet e tyre. Rreth gjysma e banorëve të planetit jetojnë në rregjimin e demokracisë përfaqësuese, përfshirë këtu Shtetet më të pasura dhe më të fuqishme.

Disa nga kufizimet e demokracisë përfaqësuese janë:

  • Pamjaftueshmëria e përfaqësimit. Përbërja e socio-profesionale e të zgjedhurve është shpesh shumë larg nga ajo e elektoratit (të ardhurat, arsimi, klasa shoqërore, origjina kulturore, gjinia …).
  • Interesat e të zgjedhurve nuk përkojnë domosdoshmërisht me ato të votuesve.
  • Përqendrimi i pushteteve që favorizon korrupsionin.
  • Është pothuaj e pamundur për t’u zgjedhur në qoftë se dikush nuk kandidon në emër të një partie. I zgjedhuri vepron në përputhje me vijën politike të partisë së tij dhe jo sipas bindjeve të veta.
  • Rreziku i abstenimit të zgjedhësve.
  • Tendenca për përqendrimin e forcave politike dhe vendosjen e një sistemi dy-partiak.

        -Paqëndrueshmëria. Ndryshimi i pushtetit nga një parti në një tjetër, ose i një përfaqësuesi në një tjetër, mund shkaktojë prishje thelbësore të qeverisjes dhe ndryshimin e ligjeve, që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.

  • Konflikti i interesit, etj.

Pra, në kushtet e këtyre kufizimeve për shumë studjues shtrohet pyetja:

A është demokracia përfaqësuese realisht demokratike?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi