3. A është demokracia përfaqësuese elitare?

Intervistën e plotë mund ta lexoni në: Fillimi 1 2 3 4 5 6

HL: Bernard Manin, ju flisni në librin tuaj për një proces të demokratizimit të qeverisjes përfaqësuese. Sipas jush kalohet prej demokracisë parlamentare të shekullit XVIII në demokracinë e partive të fundit të shekullit XIX dhe prej fillimit të shekullit XX në demokracinë e sotme të publikut. Por më në fund qeverisja përfaqësuese, madje edhe e demokratizuar, është gjithmonë një regjim pjesërisht elitar. Ky është një regjim i përzier. Për ju, Nadia Urbinati, modeli përfaqësues i demokracisë nuk e përmban këtë element elitar. Në këtë kuptim, demokracia përfaqësuese mund të jetë e kundërt në krahasim me modelin e demokracisë “elektorale”, e cila tregon sipas jush një dimension elitar. A është kjo e saktë?

Nadia Urbinati (duke qeshur): Bernard është më elitist se unë.

Manin: Sipas meje elitat luajnë një rol të rëndësishëm në qeverisjen përfaqësuese. Kjo ndodh për shkak se zgjedhjet domosdoshmërisht zgjedhin individë me disa karakteristika pak të zakonshme, të cilat vlerësohen pozitivisht nga votuesit. Një kandidat i cili nuk dallohet nga disa tipare që konsiderohen të favorshme nuk mund të fitojë një garë zgjedhore. Megjithatë, metoda zgjedhore nuk përcakton përmbajtjen e veçantë të tipareve dalluese dhe të vlerësuara pozitivisht, që përcaktojnë se cilët kandidatët do të zgjidhen. Këto tipare përcaktohen nga preferencat e votuesve. Votuesit zgjedhin cilësitë dalluese që ata duan të gjejnë tek përfaqësuesit e tyre. Këto cilësi mund të jenë të shumta, përfshirë edhe aftësinë e jashtëzakonshme për të shprehur dhe shpërndarë opinionet politike. Dhe në këtë rast, ne kemi të bëjmë me elitat, që do të thotë se këta njerëz, që janë jashtëzakonisht të aftë për të mbrojtur një opinion, kanë një talent që shumë njerëz nuk e ndajnë. Ky është kuptimi që unë i bashkëngjitem termit “elitar”.

Por unë nuk mendoj se argumentet që kam përdorur favorizojnë një pozicion elitar. Elitizmi si një pozicion normativ pohon se është e dëshirueshme që njerëzit, që janë objektivisht superiorë ndaj të tjerëve, të zënë pozita të larta. Teoria ime e përfaqësimit nuk e kërkon një pozicion të tillë. Së pari, unë nuk mbroj idenë se zgjedhjet selektojnë kandidatë objektivisht superiorë ndaj votuesve të tyre. Argumenti që unë theksoj është që zgjedhjet selektojnë kandidatët me tipare të vlerësuar subjektivisht, gabimisht ose me të drejtë, nga zgjedhësit e tyre. Së dyti, unë nuk mbroj argumentet mbi çështjen se a është apo nuk është e dëshirueshme që pozicionet e pushtetit të shkojnë në njerëzit me tipare të dallueshme dhe të vlerësuar nga qytetarët e tyre. Unë kryesisht vendos se një rezultat i tillë është një tipar i domosdoshëm i sistemeve përfaqësues. Unë e mbështes, është e vërtetë, idenë se këto sisteme janë koherente me parimin normativ sipas të cilit pushteti politik duhet të vijë nga pëlqimi i lirë i atyre mbi të cilët ai do të ushtrohet. Ky është rasti kur votuesit kanë mundësi efektive të zgjedhin përfaqësuesit e tyre me tipare dalluese. Por unë nuk shkoj përtej këtij argumenti të kufizuar. Një perspektivë normative më ambicioze do të kërkonte një argumentim të gjatë dhe kompleks meqënëse në realitet në procesin e përfaqësimit ballafaqohemi me një përzierje të dimensioneve egalitare dhe jo-egalitare. Një argument i tillë ishte përtej kufijve të projektit tim dhe të aftësive të mija. Pra, në përmbledhje, argumenti im për elitat është pozitiv, jo normativ. Mundet shumë mirë të njohim rëndësinë e elitave pa marrë anët elitizmit si një vlerë.

HL: Nadia, duke supozuar se Bernard ka arësye për faktin se qeverisja përfaqësuese është, sipas një pikpamje përshkruese dhe objektive, pjesërisht elitiste, madje sot, dhe duke supozuar që ju keni të drejtë për faktin se, nga një pikpamje normative, kjo nuk duhet të jetë rasti, kjo nuk do të thotë se ne asnjëherë nuk kemi përvojë të asaj se çfarë është demokracia e vërtetë përfaqësuese?

Nadia Urbinati: Jo tamam. Kur ju lexoni kapitullin e fundit të librit të Bernard Manin, ju lexoni se nuk mund të flitet për një krizë të përfaqësimit sepse përfaqësimi është ideuar qysh në fillim në mënyrë të tillë që të përmbajë më shumë demokraci se të realizojë demokracinë. Si mund të kërkojmë nga qeveritë tona për të vepruar në një mënyrë të caktuar (demokratike), në qoftë se ato nuk janë të krijuara për këtë? Në këtë kuptim është e kotë të flitet për një “krizë të përfaqësimit”. Megjithatë, ka momente kur ne ndjejmë një shkëputje mes nesh dhe përfaqësuesve tanë. Është ky preokupim pjesë e kuptimit të qeverisjes përfaqësuese? Është fakt se ka momente kur ne ndjejmë, ose mendojmë, ose shkruajmë që kjo shkëputje ekziston. Pse është kjo? Edhe në qoftë se ajo nuk mund të matet apo kuantifikohet, kjo ndjenjë e shkëputjes, ose e shkeljes, ose e mungesës së përfaqësimit, ajo është reale. Ajo që më intereson mua është qënia demokratike e përfaqësimit. Në mënyrë që të kemi një qeveri më demokratike, ju keni nevojë për më shumë se vetëm sistemet zgjedhore ose sistemet e partive. Kështu ne duhet të jemi të vëmëndshëm ndaj cilësisë së sistemeve të informacionit (sepse gjykohet se ajo karakterizon praninë e popullit në një qeverisje indirekte apo përfaqësuese). Në një sistem përfaqësimi ku aspekti i tërthortë dhe i ndërmjetësuar është aq i rëndësishëm, informacioni që marrim është shumë përcaktues. Të gjitha të dhënat që vijnë tek ne në formën e informacionit, janë të trajtuara paraprakisht dhe pothuaj asgjë nuk sigurohet drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi asnjë instrument për të bërë një gjykim kompetent në mënyrë të pavarur të medias. Pra, është e vërtetë se çështjet e parave private në fushata, të pavarësisë së medias dhe të pluralizmit janë probleme reale, sepse ata mund të sjellin një shkelje të barazisë të pjesëmarrjes në sistem. Për këtë qëllim shërbejnë reformat që trajtojnë këto çështje, synimi i të cilave është të jemi gjithmonë e më shumë në përputhje me një sistem përfaqësues.

Demokracia përfaqësuese sigurisht nuk është më pak demokratike se demokracia e drejtpërdrejtë. Paine kishte të drejtë kur thoshte që demokracia përfaqësuese tejkalon demokracinë e drejtpërdrejtë. Në demokracinë e drejtpërdrejtë çdo qytetar është atje për veten e vet, dhe është e vështirë të krijojë një lidhje midis individëve dhe institucioneve. Por në një qeverisje përfaqësuese, parlamenti dhe institucionet janë gjithmonë të lidhura me popullin në një mënyrë të ndërmjetësuar. Gjëja e dytë që përfaqësimi mundëson është stabiliteti i demokracisë. Paine thoshte se demokracia përfaqësuese është superiore ndaj demokracisë direkte në këtë aspekt gjithashtu. Në demokracitë direkte asambletë janë vendi i ballafaqimit të drejtpërdrejtë midis qytetarëve të veçantë. Kjo mund të çojë në konflikte apo situata ku vetëm shumica drejton pa asnjë detyrim, apo edhe situata që drejtohen nga fraksionet dhe pushtetet e forta. Ndërmjetësimi është ilaçi më i mirë. Por duhet të jetë i rregulluar.

Unë do të shtoja një gjë të fundit për natyrën demokratike të përfaqësimit. Përfaqësimi krijon një pushtet ku qytetarët mund të mbështeten për të çuar njëkohsisht përpara kërkesat e tyre dhe për t’u rezistuar tendencave të pushtetit në vend. Si një institucion që kryhen një funksion legjislativ (bërjen e ligjeve që duhet të zbatohen), përfaqësimi në një demokraci moderne është i lidhur thelbësisht me votimin, si një mjet për të ushtruar pushtetin dhe kontrollin (votat e qytetarëve dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur).

Në anën tjetër, në demokracinë përfaqësuese, përjashtimi politik për një individ paraqitet kryesisht me faktin kur ai nuk dëgjohet, kur zëri i tij nuk është i kontabilizuar proporcionalisht dhe / ose për shkak se individi nuk është mjaft i fortë për t’u konsideruar. Kjo është arsyeja pse përfshirja në demos në demokracinë përfaqësuese nuk është një garanci e mjaftueshme për të gjithë ata që janë të përfshirë, të kenë ndikim të njëjtë politik. Arsyeja është se në demokraci pjesmarrja, direkte apo indirekte, është strukturalisht vullnetare. Kjo pasqyron faktin se përfaqësuesit janë vendimmarrës politikë, që në dallim nga gjyqtarët, nuk janë as të paanshëm dhe as të detyruar për të dëgjuar të gjitha palët. Në të vërtetë, ata mund të injorojnë “zëra” të tjerë në asamble edhe pse kjo mund të shkaktojë një mosmiratim moral.

Demosthene mendonte se kjo ishte e vërtetë për qytetarët demokrat në përgjithësi dhe ankohej se një nga problemet kryesore të diskutimit politik ishte se athinasit “as nuk dëgjojnë të tjerët” në asamble. Dhe John Stuart Mill pranonte në mënyrë të qartë në fjalimet e tij parlamentare hendekun midis zërit politik (votimi) dhe ndikimit politik (aftësia për të dëgjuar); ai pranonte se për klasat e punëtorëve nuk do të ishte e mjaftueshme vetëm të paturit përfaqësues në asamble, nëse këta do të ishin të paktë në numër. Për këtë arsye, ai shihte nevojën për klasat e punëtorëve, që përveç të drejtës për votim, ato duhet të kishin një zë me ndikim, dhe në fakt më shumë vota, nëse është e mundur jo shumë të shpërndara ose të izoluara.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi