Shqipëria dhe Kombet e Bashkuara në luftën e dytë botërore, nga Prof. Paskal Milo

Referat i Prof. Paskal Milo në konferencën shkencore  kushtuar 70 vjetorit të Çlirimit, 27.11.2014 

nenashqipMarrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore si ngjarje historike e historishkruarje ka qënë e ndërlikuar e komplekse. Ky raport si proces i shtrirë në kohë nga 7 prilli 1939 deri në 9 maj 1945 është ndërtuar dhe influencuar nga faktorë e arsye të ndryshme, shqiptare e të huaja. Kryesisht kanë qënë marrëdhënie jo të baraspeshuara, për shkaqe të njohura gjeostrategjike që aq shumë kanë peshuar në Luftën e Dytë Botërore, fuqia ekonomike, ushtarake si dhe madhësia e territorit e numuri i popullsisë. Ka ndikuar pozita e dobët ndërkombëtare e Shqipërisë, mungesa e mbështetjes nga Fuqitë e Mëdha demokratike perëndimore dhe pretendimet e përhershme territoriale ndaj saj nga ana e shteteve fqinje.

U shfrytëzua negativisht legjitimiteti i dyshimtë i autoritetit të vetëm përfaqësues të shqiptarëve jashtë vëndit, mbretit Zog për të mos thënë se u injorua plotësisht dhe nuk u njoh zyrtarisht as edhe ndonjë autoritet tjetër antifashist i krijuar gjatë Luftës brënda në Shqipëri.

Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara u futën në marrëdhënie de facto me shqiptarët antifashistë brënda dhe jashtë vëndit dhe përcaktuan një nivel interesimi, inkurajimi dhe influence mbi ta. Politika e tyre ndaj faktorit shqiptar u përpilua dhe u zbatua në atë masë e në atë formë që u lejonte atyre lirinë e mjaftueshme për të lënë të hapur çështje të rëndësishme për të ardhshmen e Shqipërisë e veçanërisht integritetin e saj territorial.

Kjo është korniza brënda të cilës u formatuan dhe u zhvilluan marrëdhëniet e shqiptarëve me Kombet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Për të njohur më konkretisht e më nga afër përmbajtjen dhe dinamikën e tyre, lipset të analizohen disa çështje si:qëndrimi ndaj pushtimit të Shqipërisë, ndaj kërkesës për t’u pranuar si anëtare e Kombeve të Bashkuara, ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të saj, ndaj forcave e individëve politikë brënda e jashtë vëndit, ndihma që ato u ofruan shqiptarëve në luftën antifashiste si dhe përgjegjësia e tyre për rrugën e zhvillimit të ngjarjeve në prag e pas çlirimit.

  1. Formalisht Lufta e Dytë Botërore filloi në 1 shtator 1939. Për Shqipërinë ajo kishte nisur disa muaj më parë, në 7 prill 1939. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia e Musolinit dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha demokratike, perëndimore dhe antifashiste ndaj këtij akti, është fillesa e çdo analize për të kuptuar thelbin dhe dinamikën e marrëdhënive midis shqiptarëve të shtetit shqiptar të kufijve të vitit 1913 me Kombet e Bashkuara gjatë Luftës.

PASKAL MILODihet se këto Fuqi bënë deklarata të vakëta diplomatike për pushtimin e Shqipërisë. Në Londër u çmua si “një episod i thjeshtë adriatik” dhe se, “situata shqiptare nuk mund të ishte shkaku i një lufte botërore”. Në Paris u deklarua se “Adriatiku nuk ka lidhje me Francën” dhe as që diskutohej se për çështjen shqiptare do të mund të shkohej në luftë. Në Uashington “pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë” u vlerësua si “një kërcënim tjetër për paqen në botë”, por në të njëjtën kohë u cilësua një “incident” krahas “incidenteve të tjera të ngjashme”. Në Moskë as edhe u bë fare një deklaratë zyrtare për pushtimin e Shqipërisë përveçse pati një njoftim të thatë në njërën nga gazetat kryesore të përditshme të saj. Vetëm një muaj e gjysëm më vonë, përfaqësuesi i qeverisë sovjetike në Lidhjen e Kombeve e konsideroi atë si agresion të padyshimtë të një fuqie të madhe kundër një fuqie të vogël.

Në prill 1939, Fuqitë e Mëdha demokratike evropiane nuk mund të shkonin në luftë për Shqipërinë, ashtu siç nuk kishin shkuar më parë për anshlusin e dhunshëm të Austrisë me Gjermaninë naziste e për pushtimin e Çekosllovakisë. Politika oportuniste e lëshimeve për të frenuar fuqitë fashiste, që u kurorëzua me marrëveshjen e Munihut në shtator 1938 nga ana e Fuqive perëndimore rezultoi fatale nga rrjedhojat që solli. Por pushtimi i Shqipërisë nuk ishte thjeshtë e vetëm rrjedhojë e kësaj politike. Ai ishte përfundimi i njohjes de jure që këto Fuqi u kishin bërë interesave strategjike italiane në Shqipëri në Konferencën e Ambasadorëve në Paris në nëntor 1921. Aty ishte vendosur që në çdo rast kur do të çmohej se cënimi i pavarësisë dhe i kufijve të Shqipërisë “mund të përbënte një kërcënim për sigurinë strategjike të Italisë”, Britania e Madhe dhe Franca do të ndërhynin në Këshillin e Lidhjes së Kombeve me qëllim që ai të rekomandonte “që rimëkëmbja e kufijve të Shqipërisë t’i besohet Italisë”.

Njohja e kësaj “të drejte” për të ndërhyrë ishte legjitimimi gradual i vendosjes së protektoratit italian mbi fqinjin e varfër e të dobët të përtej Adriatikut. Gati-gati, ishte pranuar si një “e drejtë historike” e Italisë që të bëhej “kujdestare” e Shqipërisë. Ishte diskutuar që ajo të përfshihej edhe në sistemin e mandateve, madje edhe të coptohej mes fqinjëve. Kjo qasje ndaj çështjes shqiptare i kishte rrënjët jo vetëm në natyrën imperialiste të vetë sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe në ekzistencën e një paragjykimi të kthyer në postulat, që shqiptarët nuk ishin të aftë për t’u vetëqeverisur, se u mungonte përvoja e organizimit shtetëror, etj. Në një farë mase, shqiptarët vetë kishin dhënë arsye për të ushqyer këtë paragjykim.

Kthesa dramatike që shënoi shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimi i ngjarjeve në rrjedhën e saj, i detyroi Fuqitë e Mëdha antifashiste që të rishikonin koncepte, strategji e taktika të tyre. Në një farë mënyre u rikthye një pjesë e vëmëndjes edhe ndaj shqiptarëve si një element potencial rajonal për tu organizuar e nxitur kundër Fuqive të Boshtit fashist. Britania e Madhe që ndër Fuqitë Antifashiste ishte më e interesuara për Mesdheun e Ballkanin tentoi t’i mobilizoj ata për të vështirësuar sundimin italian në Shqipëri dhe për të penguar zgjerimin e zonës italiane të pushtimit gjatë luftës italo-greke. Por mbeti përsëri peng i paragjykimeve të vjetra dhe i politikës klienteliste në Ballkan.

  1. Sulmi i Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik e ridimensionoi Luftën e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin hequr dorë nga politika tradicionale izolacioniste dhe ndonëse zyrtarisht ende nuk ishin në luftë i kishin ardhur në ndihmë Britanisë, e pas qershorit 1941 edhe Bashkimit Sovjetik. Rreziku i fashizmit fashiti të gjitha armiqësitë e kundërshtitë ideore e politike midis demokracive perëndimore e shtetit bolshevik. Në plan të parë doli nevoja e bashkimit të forcave kundër fuqive të Boshtit.

Nisma për të krijuar këtë bashkim është shënuar me nënshkrimin e një Deklarate parimesh nga Presidenti i SHBA-së, Franklin D. Ruzvelt dhe kryeministri i Britanisë së Madhe Uinston Çurçill, e njohur ndryshe si “ Karta e Atlantikut”, në 14 gusht 1941. Deklarata ftonte të gjithë popujt dhe vëndet antifashiste për tu bashkuar në një aleancë “për shkatërrimin përfundimtar të tiranisë naziste” dhe vendosjen e një paqeje e cila do tu jepte të gjithë kombeve mjetet për të jetuar në siguri brënda kufijve të tyre…”.

Thirrja për të krijuar Kombet e Bashkuara antifashiste iu drejtua edhe gjithë qeverive në emigracion ose përfaqësuesve të tjerë që gëzonin legjitimitet, mbretër, ish kryetarë shtetesh me qëndrimin në Londër ose gjetiu. Por ajo nuk iu dërgua as mbretit Zog, as edhe ndonjë ish përfaqësuesi tjetër zyrtar të mbretërisë shqiptare në emigracion. Brënda vëndit në vjeshtën e vitit 1941, nuk kishte asnjë lëvizje politike të organizuar antifashiste që të kishte mandat përfaqësimi popullor ose legjitimitet. Në këto rrethana i vetmi përfaqësues i shqiptarëve që kishte një legjitimitet të cunguar ishte Ahmet Zogu.

Mbreti shqiptar që ndiqte me vëmëndje zhvillimet politike e ushtarake në Londër e shfrytëzoi projektin amerikano-britanik si një moment të përshtatshëm për të thyer izolimin diplomatik e politik që i ishte imponuar nga qeveria britanike që në qershor 1940, kur kishte arritur në kryeqytetin britanik. Synimi kryesor i Zogut ishte të njihej legjitimiteti i tij si mbret e kryetar shteti e të gëzonte të gjitha të drejtat e statusin që kishin të gjithë monarkët, kryetarët e shteteve e të qeverive në emigracion. Nënshkrimin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara që ishte vendosur të bëhej në Uashington, në 1 janar 1942, ai e përdori si një pretekst për të arritur objektivin e tij, njohjen si i vetmi përfaqësues i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve antifashistë.

Nga pozita e kryetarit të shtetit, mbreti Zog iu drejtua Franklin Ruzveltit, Uinston Çurçillit dhe qeverive në emigracion në Londër me një notë. Aty, ai theksonte se jashtë Shqipërisë ekzistonin organe kushtetuese, të cilat ishin emëruar ligjërisht nga populli shqiptar e që ishin njohur ndërkombëtarisht, se ai ishte përfaqësuesi legal i Shqipërisë, se asaj duhej t’i jepej mundësia për të dhënë “kontributin e saj në luftën kundër armiqëve të përbashkët të demokracisë” dhe se ajo nuk duhej diferencuar nga ana e Fuqive Aleate.

Kërkesa e Zogut u prit me nervozizëm në Forin Ofis, aq sa ajo u bë shkak edhe për një lloj fërkimi midis sekretarit të jashtëm Entoni Iden dhe kryeministrit Çurçill për tonin dhe termat e ashpra me të cilat ishte hartuar projekti i përgjigjes për mbretin shqiptar. Ideni morri një pozicion ekstrem kundër Zogut dhe shprehu mendimin se ai duhej të merrte një përgjigje të prerë e kategorike. Këtu, i shkruante ai Çurçillit, “nuk ka qeveri shqiptare për tu njohur dhe as material për të formuar një qeveri të tillë, edhe sikur të ishte nuk do të përfaqësonte asgjë”. Sekretari i jashtëm në mënyrë të përsëritur i bëri të ditur kryeministrit britanik arsyen kryesore të këtij qëndrimi, faktin se “ ne kemi refuzuar gjithnjë që të tërhiqemi në çfardolloj angazhimi në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, për sa kohë që grekët dhe jugosllavët kanë synime të cilat, i kanë shprehur me forcë dhe që pa dyshim do të duhet të merren parasysh”. Në konsultim edhe me Departamentin e Shtetit, Zogut në emër të Çurçillit e Ruzveltit iu kthyen përgjigje të shkurtra kortezie prapa të cilave fshihej refuzimi për kërkesën e tij.

Përfaqësues të 26 kombeve antifashiste në 1 janar 1942 nënshkruan në Uashington Deklaratën e Kombeve të Bashkuara. Qeveritë nënshkruese të kësaj Deklarate angazhoheshin që të vinin në shërbim të luftës kundër anëtarëve të Paktit Tripalësh dhe përkrahësve të tyre të gjitha burimet ushtarake ose ekonomike, të bashkëpunonin midis tyre dhe të mos përfundonin me armikun as armëpushim, as edhe paqe të veçantë. Në Deklaratë mund të aderonin edhe kombe të tjerë që mund të sillnin ndihmë dhe kontribut material në luftën kundër nazizmit.

Zogu u kap pas frazës së fundit të Deklaratës. Në 6 janar 1942 ai i dërgoi një letër presidentit Ruzvelt në të cilën i kërkonte që Shqipëria të aderonte në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti amerikan ishte i prirur ta shikonte në mënyrë pozitive këtë çështje por ndeshi në hezitimin e Departamentit të Shtetit dhe në kundërshtimin e Çurçillit. Kryeministri britanik i shkroi Ruzveltit se pranimi i Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara do t’i mërziste britanikët “meqënëse Zogu ishte në Angli si një qytetar privat dhe meqënëse Shqipëria nuk llogaritej mes aleatëve”. Ruzvelti nuk mund t’i prishte qejfin aleatit të madh për hir të Shqipërisë së vogël.

Mënyra se si Londra dhe Uashingtoni e trajtuan çështjen e Shqipërisë ishte e padrejtë. Zogu, ishte figurë që nuk gëzonte simpatinë e qeverive britanike dhe amerikane, por në janar 1942, ai ishte i vetmi institucion legjitim jashtë Shqipërisë që mund të nënshkruante Deklaratën e Kombeve të Bashkuara. Britanikët nuk ia njihnin Zogut këtë status dhe kishin lejuar qëndrimin e tij në Angli vetëm në pozitën e një qytetari të thjeshtë e të huaj. Ky ishte preteksti. Arsyeja e vërtetë ishte tjetër. Aderimi i Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara i jepte asaj statusin e vëndit aleat, të gjitha detyrimet e të drejtat që ridhnin prej tij. Londra kishte shprehur rezerva në adresë të respektimit të integritetit territorial të Shqipërisë në përfundim të Luftës në favor të Greqisë e Jugosllavisë. Pranimi i Shqipërisë si anëtare e Kombeve të Bashkuara shkonte ndesh me këtë synim të saj.

  1. Britanikët kanë për të mbajtur një qëndrim konstant ndaj çështjes së integritetit territorial të Shqipërisë gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Elementi shqiptar ishte një faktor i dorës së dytë për strategjinë e tyre në Ballkan. Baza e saj ishte një aleancë greko – jugosllave si boshti i një federate apo konfederate ballkanike që synonte kontrollin britanik në rajon e përjashtimin e pranisë e të influencës sovjetike aty. Këtij synimi i shërbeu edhe nënshkrimi i Paktit të Bashkimit greko – jugosllav në Londër në 15 janar 1942.

Këto përpjekje britanike nuk i kishin shpëtuar vëmëndjes sovjetike. Stalini ndërhyri personalisht dhe u propozoi britanikëve një protokoll sekret prej 10 pikash për organizimin e kufijve evropianë pas lufte. Në një ndër këto pika thuhej se “Shqipëria mund të rimëkëmbet si shtet i pavarur nën garancinë e shteteve të tjera për pavarësinë e saj”. Ideni e Çurçilli u kapën në befasi nga kërkesa e Stalinit, nuk kthyen përgjigje për momentin por veç një muaj më vonë kur u shprehën se ishin për një Shqipëri të pavarur “por se do të kishte disa vështirësi në lidhje me çështjen e kufijve dhe kërkesat e pretendimet nga Jugosllavia e Greqia”.

Për aq sa i interesonte e në varësi të konjukturave, qeveria britanike synonte të mbante iniciativën për çështjen shqiptare. Por mbeti një konstante e pandryshuar qëndrimi i saj për të ardhmen e integritetit territorial të Shqipërisë. Politika britanike ishte e dyzuar, vuante nga një kundërthënie të brëndshme e të dukshme që erdhi duke u forcuar, midis deklaratave për pavarësinë e Shqipërisë e rezervave për integritetin e saj territorial.

Kjo kundërthënie u manifestua hapur në dhjetor 1942, në deklaratat e tre Fuqive të Mëdha aleate të Kombeve të Bashkuara, SHBA, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik për Shqipërinë. Iniciativën për këto deklarata e morri qeveria britanike me argumentin se “një deklaratë që do të njihte pavarësinë shqiptare do të çonte në një rritje të qëndresës ndaj italianëve në Shqipëri dhe do të rriste në këtë mënyrë angazhimet e forcave të Boshtit në Ballkan”.

Qeveritë amerikane dhe sovjetike ranë dakort me propozimin britanik e në mënyrë të pavarur e jo në një ditë, bënë deklaratat e tyre për Shqipërinë. Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në 10 dhjetor, sekretari i shtetit K. Hall në një konferencë shtypi lexoi deklaratën zyrtare për Shqipërinë. Deklarata amerikane vlerësonte qëndresën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër forcave italiane të pushtimit, nënvizonte se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e kishte njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga kurora italiane dhe se rivendosja e sovranitetit të Shqipërisë ishte e pandarë nga parimet e Kartës së Atlantikut.

Në 17 dhjetor E. Iden bëri në Dhomën e Komuneve në emër të qeverisë britanike deklaratën për Shqipërinë, në të cilën theksohej se ajo dëshironte ta shihte këtë vënd “ të lirë nga zgjedha italiane dhe të rivendosur pavarësinë”. Në fund të kësaj deklarate ishte vendosur fraza se “Qeveria e Madhërisë së tij e shikon çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas lufte si një çështje e cila do të shqyrtohet në Konferencën e paqes”.

Qeveria sovjetike e bëri deklaratën e saj zyrtare në 18 dhjetor. Aty nënvizohej dëshira “për ta parë Shqipërinë të lirë nga zgjedha e pushtuesve fashistë dhe pavarësinë e saj të rivendosur”.

Deklaratat e tri Fuqive të Mëdha për Shqipërinë kishin disa mesazhe, të përbashkëta e të veçanta. Të tri qeveritë shprehnin dëshirën që ta shihnin Shqipërinë të pavarur në përfundim të Luftës. Ky ishte dokumenti i parë dhe i qartë i Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara, qëndrimi zyrtar i tyre në një kohë kur qarkullonin opcione për coptimin e Shqipërisë midis vëndeve fqinje, për vendosjen e saj nën protektoratin e një Fuqie të madhe ose nën mandat ndërkombëtar. Të tri qeveritë ishin në një mëndje se forma e regjimit dhe e qeverisë në Shqipëri do të zgjidhej nga populli shqiptar në përfundim të Luftës, në respekt të vetëvendosjes së popujve, parim i paraparë në Kartën e Atlantikut.

Deklaratat kishin midis tyre dallime anësore, por edhe thelbësore. Në dallim nga deklarata britanike, ato amerikane e sovjetike nënvizonin se qeveritë përkatëse nuk e kishin njohur asnjëherë pushtimin dhe aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Britania e Madhe për fat të keq e njohu këtë pushtim. Qeveritë amerikane dhe sovjetike vlerësonin qëndresën dhe luftën antifashiste të shqiptarëve kundër pushtuesve dhe premtonin edhe mbështetje, ndërsa qeveria britanike në deklaratën e saj i linte në heshtje.

Ndryshimi thelbësor në deklarata qëndronte në çështjen e kufijve pas Lufte. Ndërsa në deklaratat amerikane e sovjetike ajo nuk prekej aspak, në deklaratën britanike ishte nënvizuar fort dhe e hartuar në një mënyrë tepër të nënkuptuar e të drejtuar kundër tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Deklaratat u pritën me shumë interes nga ana e shqiptarëve në Shqipëri. Për herë të parë ata panë të adresuar vëmëndjen e Fuqive të Mëdha aleate tek ata, vlerësimin dhe inkurajimin e luftës antifashiste. Deklaratat ngjallën shpresën për të rifituar lirinë e Shqipërisë në fund të Luftës. Mbreti Zog në emigracion shfrytëzoi rastin dhe dërgoi kabllograme dhe letra falenderimi për Ruzveltin, Çurçillin e Stalinin. Shqiptarët në SHBA, organizatat “Vatra” e “Shqipëria e Lirë” e vlerësuan deklaratën e Sekretarit të Shtetit të 10 dhjetorit, ndërsa Fan Noli e përshëndeti atë në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Shqiptarët kudo që ndodheshin, ndërsa mirëpritën në përgjithësi Deklaratat, vunë në dukje edhe rezervat që ato përmbanin veçanërisht, deklarata britanike për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë. Zëdhënësi më elokuent i tyre u bë Noli. Ai me logjikën e atdhetarit të sprovuar e të diplomatit me përvojë, paralajmëroi se përmes deklaratës së Idenit “ndarja e Shqipërisë është një rrezik real dhe jo imagjinar”, se sekretari i jashtëm britanik “na tha ne shumë qartë këto tri gjëra: së pari, se Shqipëria nuk ka kufij; se dyti, se fati i Shqipërisë do të përcaktohet nga Jugosllavia e Greqia; së treti, se Shqipëria nuk do të përfaqësohet në Konferencën e Paqes, e cila do të diskutojë këtë ndarje…Unë uroj me gjithë zemër që situata ndërkombëtare e Shqipërisë të mos jetë kaq e zezë sa unë e shoh atë…Vetëm njerëz që nuk janë në gjëndje të kuptojnë nënkuptimin e plotë të deklaratës së Idenit mund të jenë optimist”.

Ndryshe nga shumica e shqiptarëve që ndaj Deklaratave mbajti një qëndrim të kujdesshëm e me rezerva ndaj çështjes së kufijve, qeveria kolaboracioniste në Tiranë reagoi shumë ashpër. Mustafa Kruja i quajti ato “intriga aleate, deklarata false, propagandë përçarëse që synonte të turbullonte shpirtin e popullit shqiptar”.

Deklaratat e tri Fuqive të Mëdha aleate për Shqipërinë u ndoqën me shumë vëmëndje edhe nga qeveritë jugosllave e greke në emigracion. Qeveria jugosllave nuk reagoi në mënyrë publike dhe as shfaqi ndonjë pretendim. Të kundërtën bëri qeveria greke. Ajo vlerësoi deklaratën e qeverisë britanike që linte të hapur çështjen e rishikimit të kufijve të Shqipërisë pas Luftës. Por çfaqi pakënaqësi të plotë ndaj deklaratës amerikane dhe kërkoi nga Departamenti i Shtetit që të mbështeteshin në të ardhshmen pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut. Por përgjigja që ajo morri ishte se qeveria amerikane “nuk ka bërë e nuk do të bëjë asnjë marrëveshje sekrete në lidhje me ndryshimet territoriale të çfarëdo vëndi tjetër”.

  1. Deklaratat e dhjetorit 1942 për Shqipërinë shënuan një hap të rëndësishëm për statusin ndërkombëtar të Shqipërisë së pas Luftës. Por kishte çështje të tjera të hapura në marrëdhëniet e shqiptarëve me Fuqitë e Mëdha aleate që kërkonin zgjidhje. Një ndër to ishte edhe ajo e krijimit të një qeverie shqiptare në emigracion. Kjo temë ishte diskutuar në qarqet zyrtare britanike që në kohën e Luftës Italo – Greke, por ishte lënë mënjanë shpejt. Mbreti Zog iu rikthye asaj në vitin 1942 dhe e lidhi ngushtë me njohjen e tij prej Fuqive të Mëdha aleate si kryetar legjitim i shtetit shqiptar dhe vendosjen e tij në të njëjtën pozitë që kishin edhe mbretërit e Greqisë e të Jugosllavisë në Londër. Në këtë projekt të tij sa ambicioz aq edhe të justifikueshëm, ai kërkoi edhe mbështetjen e miqëve të tij britanikë por edhe të shqiptarëve më të njohur e më në zë në emigracion.

Zogu arriti që mes dyshimeve, rezervave e mospëlqimeve që ushqenin shumë shqiptarë në SHBA e Britani të Madhe të bind kundërshtarin e tij të madh politik të viteve të shkuara, Fan Nolin, po ashtu dhe “mikun – kritizer” të tij, Faik Konicën, që të viheshin në krye të përpjekjeve për të krijuar një qeveri shqiptare në emigracion. Megjithë vështirësitë mes shumicës së shqiptarëve në Amerikë e Britani të Madhe u krijua një mirëkuptim për nevojën e formimit të kësaj qeverie. Zogu i inkurajuar trokiti fort në verën e vitit 1942 në dyert e Forin Ofisit dhe kërkoi një njohje të shpejtë të saj nga qeveria britanike.

Reagimi i Londrës ishte i menjëhershëm e thellësisht kundërshtues. Zogut iu rikujtua se kishte thyer premtimin e tij për të mos u marrë me aktivitet politik gjatë kohës së qëndrimit të tij në Britani dhe u paralajmërua se qeveria britanike nuk do të lejonte një gjë të tillë. Mbreti shqiptar u tërhoq përkohësisht, por kjo ishte thjeshtë një lëvizje taktike për të ulur tensionin e krijuar në marrëdhëniet me Forin Ofisin.

Taktika e re e Zogut në vjeshtë 1942 ishte që të krijonte bindje e të fitonte mbështetjen e Departamentit të Shtetit për projektin e tij. Konica dhe Noli u spjeguan zyrtarëve amerikanë nevojën e krijimit të një fronti të bashkuar shqiptar me në krye mbretin Zog si personaliteti shqiptar më i rëndësishëm për të siguruar integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Vdekja e Faik Konicës e ligështoi Zogun, i cili të gjitha shpresat pas dhjetorit 1942 i mbështeti te Noli.

Peshkopi, i bindur dhe jo pa të drejtë se rruga më e mirë për të siguruar integritetin territorial të Shqipërisë në përfundim të Luftës ishte formimi i një qeverie në emigracion i shumëfishoi përpjekjet e tij pranë Departamentit të Shtetit. Ka arsye të mendohet se në qëndrimin e tij kanë ndikuar edhe dy faktorë të tjerë. Noli nuk kishte dijeni se çfarë po ndodhte në Shqipëri, për lindjen e forcave të reja politike e për organizimin e rritjen e luftës antifashiste. Jo pa influencë në sjelljen e Nolit kanë qënë edhe nevojat financiare të tij, të cilat në këtë kohë ia plotësonte Zogu. Në janar 1943, Noli i kërkoi Sekretarit të Shtetit, K. Hall që Kombet e Bashkuara të njihnin zyrtarisht mbretin Zog sepse ai “është i aftë të bëj për aleatët më shumë se çdo shqiptar tjetër ose çdo grup shqiptarësh…” dhe të pranohej qeveria shqiptare në emigracion si anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Qeveria amerikane hodhi hapa të kujdesshëm ndaj çështjes shqiptare. Ajo kishte krijuar në fillim përshtypjen e gabuar se qeveria britanike mbante iniciativën në çështjen e njohjes së një qeverie shqiptare në emigracion. Nga ana tjetër, në Londër ishte lënë të kuptohej se ishte qeveria amerikane që po shqyrtonte mundësinë e njohjes së kësaj qeverie. Këto moskuptime e moskordinime midis Londrës e Uashingtonit kishin edhe farën e dyshimeve por edhe vulën e interesave e të perceptimeve jo të njëjta ndaj çështjes shqiptare. Departamenti i Shtetit ishte më i prirur për t’i dëgjuar shqiptarët, por jo më tepër. Zogu u inkurajua nga ky qëndrim dhe u kërkoi amerikanëve zyrtarisht rivendosjen e marrëdhënieve normale midis Shteteve të Bashkuara e Shqipërisë.

Kontaktet dhe konsultimet amerikano – britanike të fillimit të vitit 1943 i shpërndanë keqkuptimet. Departamenti i Shtetit i dha siguri Forin Ofisit se nuk kishte asnjë synim nga ana e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara që të njihnin ndonjë individ ose organizatë dhe se qëndrimi amerikan ishte i njëjtë me atë britanik. Këtë pozicion e vulosi përgjigja që presidenti Ruzvelt i ktheu mbretit Zog në 30 prill 1943, se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike nënkuptonte njohjen e një qeverie shqiptare në emigracion, çështje që nuk ishte e përshtatshme të ngrihej në këtë kohë.

Përpjekjet e shqiptarëve në emigracion, veçanërisht e atyre të Amerikës për tu bashkuar rreth mbretit Zog, në pranverë – verë 1943 u shtuan dhe arritën progres. Në SHBA, organizatat “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”, hodhën hapa drejt bashkimit, krijuan edhe një komitet të përbashkët, i cili u kërkoi Fuqive të Mëdha aleate njohjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e Zogut si një anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Kërkesat e Zogut, të Nolit e të shqiptarëve të tjerë në emigracion nuk gjetën jehonë në Uashington e në Londër. Faktorë të rinj politikë e ushtarakë ishin shfaqur në Shqipëri e zhvillime të reja strategjike për rreth saj kishin çvendosur vëmëndjen dhe interesat britanike e amerikane. Operacionet ushtarake në Afrikën e Veriut e në Mesdhe kundër forcave të Boshtit fashist dhe perspektiva e zbarkimit në Itali e që këtej në Ballkan, kërkonin nxitjen e mëtejshme të lëvizjeve të rezistencës e të luftës antifashiste në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë qëllim në fund të prillit 1943 në Shqipëri erdhi misioni i parë ushtarak britanik që shumë shpejt u pasua nga të tjerë.

  1. Ardhja e misioneve të para ushtarake britanike në Shqipëri shënoi një etapë të re në marrëdhëniet e shqiptarëve me Kombet e Bashkuara. Pas Deklaratave të dhjetorit 1942, prania e tyre në territorin shqiptar ishte një mesazh i qartë se përparësi në projektet britanike kishin marrë forcat e brëndshme dhe vëmëndja do të përqëndrohej aty. Në vjeshtë në krye të tyre u vendos gjenerali Dejvis (“Trocki”).

Historia e misioneve ushtarake britanike është trajtuar gjatë e gjërë nga historiografia shqiptare dhe ajo britanike. Një numër kujtimesh të oficerëve britanikë të ndërlidhjes që kanë shërbyer në Shqipëri janë botuar. Dokumente të reja arkivore britanike janë bërë të njohura. Të gjitha këto burime dokumentare, bibliografike e memorialistike kanë krijuar një bazë për të arritur në disa përfundime:

* Misionet ushtarake britanike kanë dhënë një ndihmë të rëndësishme në organizimin, stërvitjen, furnizimin me armatime, veshmbathje e mjete financiare të forcave antifashiste në Shqipëri, veçanërisht të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për fat të keq kjo ndihmë ka qënë e mohuar nga regjimi komunist dhe nga historiografia e kohës ose ka qënë e keqinterpretuar.

* Marrëdhëniet e misioneve britanike me forcat politike e ushtarake antifashiste shqiptare nuk u shpëtuan influencave ideologjike e politike, sidomos ato me Shtabin e Përgjithshëm e Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Mosbesimi i ndërsjelltë dhe interesat me kahje të ndryshme për të ardhmen e vëndit erdhën duke u shtuar e u thelluar.

* Misionet britanike mbajtën peshën kryesore në ndihmën materiale midis Fuqive të Kombeve të Bashkuar në Shqipëri. Misioni ushtarak amerikan (OSS-i) dhe ai sovjetik erdhën vonë në Shqipëri, i pari në prill dhe i dyti në gusht 1944. Por dy të fundit, u trajtuan mirë e shumë mirë nga udhëheqja e Luftës Nacionalçlirimtare. Enver Hoxha nuk e fshihte ndjenjën e afrimit me amerikanët e cila binte në kontrast me qëndrimin ndaj britanikëve. Sa për misionin sovjetik, nuk kishte nevojë për komente. Ata edhe pa dhënë asnjë ndihmë direkte, u mjaftonte të qënurit si përfaqësues të Ushtrisë së Kuqe për të patur nderimet dhe mikpritjen e udhëheqjes komuniste të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

  1. Misionet e Fuqive Aleate në Shqipëri reflektonin politikën e qeverive të tyre. Ato raportonin në mënyrë të vazhdueshme por vendimet merreshin në shtabet aleate, në Kajro e më vonë në Bari e përfundimisht në kryeqytetet respektive. Në Londër e në Uashington ekipe ekspertësh gjatë Luftës kanë bërë studime e kanë dhënë rekomandime për statusin ndërkombëtar e për kufijtë e Shqipërisë pas Lufte e që tashmë janë të njohura.

Por ajo çfarë është me interes të nënvizohet e të bëhet qartësisht i njohur është qëndrimi i këtyre qeverive ndaj forcave politike dhe ushtarake në Shqipëri në fazën përfundimtare të Luftës. Nga sa është parashtruar deri këtu, fuqitë Aleate të Kombeve të Bashkuara ndoqën në Shqipëri atë politikë që ndoqën edhe në vëndet e tjera që ndodheshin në kushte e rrethana të përafërta. Ato mbështetën ato forca që në mënyrë efektive e të dukshme luftonin e dëmtonin ushtritë e Boshtit fashist. Në Shqipëri misionet aleate e shihnin konkretisht në terren se cilat forca luftonin realisht pushtuesit fashistë, cilat forca bënin sikur luftonin e shmangeshin nga lufta dhe cilat forca bashkëpunonin hapur e fshehurazi me pushtuesit gjermanë.

Që në dhjetor 1943 gjenerali Dejvis pasi kishte konsumuar një takim me udhëheqjen e Ballit Kombëtar dhe kishte marrë edhe një premtim me shkrim të tyre për të kryer veprime luftarake kundër gjermanëve u bind se e kishin mashtruar. Ai i dërgoi një raport Londrës me rekomandime mes të cilave sugjeronte që të “denoncohej Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe me emër, gjithashtu Balli Kombëtar dhe Zogistët. Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët…Unë mendoj se qëndrimi i Aleatëve duhet të bëhet menjëherë publik, duke treguar se kuislingët, tradhëtarët dhe ata që nuk u qëndrojnë gjermanëve do të kenë trajtimin e merituar ndëshkues nga Aleatët në kohën e duhur… Unë rekomandoj një deklaratë në mbështetje të Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.

Në Londër e morrëm vonë këtë rekomandim e pas zënies rob të gjeneralit Dejvis nga forcat e Ballit të cilët ua dorëzuan gjermanëve, ai u la në heshtje. Përkohësisht u vendos që atyre tu jepej një shans tjetër për të luftuar kundër gjermanëve. Në pranverë Bill Maklin e Dejvid Smajli, oficerët e parë britanikë të ndërlidhjes në Shqipëri, u rikthyen në vënd e qëndruan pranë Abas Kupit për ta nxitur atë në luftime.

Përpjekjet britanike por edhe amerikane për të nxitur forcat nacionaliste për të luftuar kundër gjermanëve dështuan. Në të kundërtën, gjithnjë e më tepër ato vazhduan të bashkëpunojnë me pushtuesit për të goditur rivalët e tyre për pushtet, Frontin Nacionalçlirimtar. Oficerët amerikanë në Shqipëri informonin në gusht –shtator 1944 qëndrën e tyre në Bari se Balli Kombëtar “tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është kaq shumë i lidhur ngushtë me qeverinë kuislinge sa që është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis tyre”. Ndërsa, vazhdonte më tej ky raportim, partia zogiste e Abas Kupit, “është kompromentuar seriozisht nga mosdashja e saj për të luftuar gjermanët dhe nga marrëdhëniet e saj me qeverinë kuislinge”.

Qeveria britanike erdhi pak më vonesë në përfundimet që kishte arritur qeveria amerikane. Arsyeja ishte se oficerët britanikë të ndërlidhjes që vepronin pranë shtabeve të Ballit Kombëtar e të Legalitetit si Xhulian Emeri, Bill Maklin, Dejvid Smajli, etj, këmbëngulnin që tu jepej edhe pak kohë këtyre forcave për tu hedhur në aksione kundër gjermanëve. Por nuk ndodhi asgjë e rëndësishme. Në Londër e humbën durimin dhe në 19 shtator pas një diskutimi të zgjeruar të shefave ushtarakë, të Forin Ofisit e të shërbimeve sekrete u arrit në një përfundim që Ideni ia paraqiti Çurçillit në 26 shtator. Në rrethanat e krijuara, i shkruante ai, “nuk ka alternativë tjetër por të pranohet plani i F. N. Çl, për të siguruar pas Lufte kontrollin mbi Shqipërinë dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të patur marrëdhënie të ngushta me të në një mënyrë të tillë që të kundërbalancojmë influencën ruse”.

Britanikët tentuan në shtator e në fillim të tetorit që të zbarkonin me forca të regullta ushtarake në bregdetin shqiptar në emër të organizimit të luftimeve të përbashkëta kundër forcave gjermane në tërheqje. Synimi i tyre ishte që të përgatitnin ardhjen e disa mijra forcave britanike, të cilat do të vendoseshin fillimisht në portet e Sarandës, Vlorës e Durrësit. Pas reagimit të fuqishëm të Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Çl, britanikët u detyruan të tërhiqen.

Pyetja shtrohet: Pse u tërhoqën e nuk bën atë veprim që do ta bënin dy muaj më vonë, në dhjetor 1944 në Greqi? Mendoj se kishte disa arsye: e para, se Britania e Madhe nuk e kishte pëlqimin, qoftë edhe në heshtje të dy Fuqive të tjera aleate, SHBA e BS për të ndërhyrë në Shqipëri siç e kishte për Greqinë. Së dyti, të tri Fuqitë Aleate në dhjetor 1942 kishin bërë deklarata në të cilat njihnin e do të rivendosnin pavarësinë e Shqipërisë. Së treti, në Shqipëri nuk pati një lëvizje të fuqishme nacionaliste dhe antifashiste që të shërbente si casus belli për ndërhyrje si në Greqi. Së katërti, vetë britanikët në tetor 1944 pranonin se “interesat tona në Shqipëri janë shumë të kufizuara”, se “Shqipëria ka një rëndësi të vogël në situatën strategjike aktuale…”.

Rexhinald Hibert (Reginald Hibbert), një nga oficerët britanikë të ndërlidhjes në Shqipëri ka pranuar se Britania nuk e kishte mundësinë që të vendoste se cila do të ishte e ardhmja e Shqipërisë. Pas tetorit qeveria britanike e pranoi pa dëshirë ardhjen në pushtet të F.N.Çl., rrjedhimisht edhe të komunistëve. Të detyruar nga rrethanat, kursi politik britanik në Shqipëri u përcaktua si mbështetje e kushtëzuar për F.N.Çl., me shpresën se përmes ndihmave të mund të merrnin iniciativën, të ndikonin për të ndryshuar qëndrimet e Enver Hoxhës e të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, e për rrjedhojë ta mbanin Shqipërinë larg influencës sovjetike.

Më shumë britanikët e më pak amerikanët dështuan në Shqipëri. Në një farë mënyre krahas faktorëve të tjerë, ata e toleruan vetë vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan