Një qeverisje mes pasionit dhe llogjikës

Nga Skender Minxhozi, botuar në Shqip, 26 nëntor 2014

Skender-Minxhozi-e1357845728822-289x320Ka ende zhurmë në media e opinionin publik, për përmasat dhe mesazhet e protestës së opozitës më 22 nëntor. Ka gjithashtu akoma shumë komente lidhur me efektet e drejtpërdrejta ose të tërthorta që kjo ngjarje do të prodhojë brenda kampit të shumicës. Përtej toneve triumfaliste të PD-së, të pritshme dhe të kuptueshme, protesta e 22 nëntorit tregoi se ka një masë të madhe shqiptarësh, të cilët ndihen të prekur nga reformat dhe masat shtrënguese të qeverisë aktuale. Natyrshëm, jo e gjitha kjo masë njerëzish, mund të cilësohen hajdutë, shkelës dhe dhunues të ligjit. Ka nga ata që realisht janë frikësuar nga rritja e mundshme e çmimeve, nga shtrenjtimi i jetesës e pasiguria për të nesërmen. Ka shumë të tjerë që, me ato biznese të vogla që po shemben, e që në fakt mund të jenë në shkelje ligjore ose me energji të papaguara, kanë mbajtur me vite familjet e tyre duke bërë një jetesë modeste e në zgrip të varfërisë. Ka pastaj shumë e shumë të tjerë që nuk e dinë ç’është ligji dhe sporteli i pagesës së dritave prej vitesh.

Nga ana tjetër, është e qartë se kjo qeveri ka përballë sot një ish-qeveri, e cila e la këtë vend në një rrumpallë të pashoqe financiare e ligjore. Katastrofa e CEZ-it, borxhet e papaguara bizneseve, ndërtimi i një sistemi ku mungesa e kontrollit, tarafet, korrupsioni e klientelizmi politik ishin përditshmëria e jo përjashtimi – e ka klasifikuar si totalisht të dështuar qeverisjen e asaj pjese të politikës, që sot ngre zërin nëpër sheshe.

Megjithatë e majta u votua për të qeverisur më mirë, e jo për të numëruar pa pushim “një milion votat” e 23 qershorit. Dhe të qeverisësh më mirë, ndoshta do të thotë, ndër të tjera, edhe që të evitosh krijimin e tensioneve të mbivendosura sociale. Nga pikëpamja taktike, Edi Rama nuk ka pasur nevojë të krijojë thuajse nga hiçi kauzat e kundërshtarit. Ai nuk ka pasur as nevojën që të acarohet me shqiptarët e thjeshtë, shumë prej të cilëve e kanë votuar diçka më shumë se një vit më parë. Ai nuk ka pse i jep pikë një kundërshtari dukshëm të dobësuar, pa ide, me lidership të dyzuar dhe në vështirësi reale për të ndërtuar një aksion opozitar bindës. Qoftë edhe nga një aspekt ngushtësisht politik, Kryeministrit i nevojitet që t’i ndërmarrë hapat e vështirë të axhendës së tij qeverisëse, duke u përpjekur njëkohësisht që t’i arrijë objektivat, duke evituar krijimin e një mase kritike pakënaqësie kundër tij dhe mazhorancës që drejton.

Nëse sheh se çfarë po ndodh në këtë fundviti, vëren pa vështirësi se ka një këmbëngulje deri diku pasionante dhe emotive të Edi Ramës, për të imponuar me çdo kusht grushtin e hekurt në disa drejtime njëherësh. Prishje masive ndërtimesh pa leje, mbledhje faturash energjie dhe rishikim i buxhetit të vitit të ardhshëm, duke prekur disa taksa e tarifa, të cilat direkt ose indirekt, do të shtrenjtojnë jetesën e shqiptarëve. E gjitha kjo, nën një fjalor të përditshëm, ku fjalët “hajdutë”, “burg”, “kancer”, “pranga” etj., etj., po krijojnë një psikozë jo të këndshme në trutë e njerëzve që shohin e dëgjojnë lajmet e lexojnë gazetat.

A është e rrugës që të gjitha këto lëvizje të ndërmerren paralelisht e me kaq patos apo do të ishte më mirë që të kishte gradualitet në imponimin e dorës së fortë? Bie fjala, a nuk ishte më mirë që të pritej më parë që aksioni kombëtar për mbledhjen e detyrimeve të energjisë elektrike, t’i paraprinte me distancë hapit të dytë, atij të heqjes së fashës së 300 kilovatëve?! A nuk është më mirë të hiqet nga përdorimi fjalori i skajshëm, në etiketimin e asaj që realisht është negative, e që duhet luftuar e shëruar, pa përmendur një mijë herë të njëjtat gjëra? “Mos përdor topa për të vrarë miza”, thotë diku Konfuci.

Një tjetër problem që një qeveri gjen në rrugën e saj, kur ndërmerr masa drastike që prekin pjesë të mëdha të shoqërisë, është të vepruarit në bazë të ligjit dhe duke shmangur çdo keqinterpretim e subjektivizëm. E thënë ndryshe, një kartë e fuqishme etike e morale, në raport me veprimet që ndërmerren. Kur Edi Rama kërkon me të drejtë të rrafshojë përtokë ndërtime pa leje, që i kanë zënë frymën vendit, kur ai kërkon të vjelë (po me të drejtë) të gjitha faturat e vjetra e të reja të energjisë, të cilat kanë krijuar prej vitesh një klasë të privilegjuarish që nuk e paguajnë këtë mall – atij i duhet të jetë i drejtë e i paanshëm deri në grimcën e fundit të uraganit që ka ngritur me duart e veta.

Sepse kur sheh sesi ndërtimet pa leje në bregdet, për disa janë të paligjshme e shemben, e për disa të tjerë pranë partisë, janë thjesht “të paprekshme”, kur sheh sesi disa drejtues lokalë të majtë kanë mundësinë të hedhin beton mbi gjetjet arkeologjike, ose të shkulin objekte historike në qytetet ku drejtojnë, pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë apo kur vëren sesi shemben dyqane e ndërtime abuzive, por nuk preken projektet për të betonizuar hapësirën poshtë digës së Liqenit Artificial, ose kur ngre taksën e qarkullimit të naftës, por ul akcizën e pijeve energjike – të gjitha këto, sado të izoluara si raste, kthehen më pas në gryka topi për palën tjetër, shtypin ose opinionin publik.

Kryeministri i ka dëgjuar prej javësh krismat në fjalë. Ai e ka të gjithë mundësinë dhe kapacitetin të dallojë se cilat pushkë bien për propagandë e për fanfara mitingjesh, e cilat bien për të paralajmëruar probleme reale që po hasen në rrugën e vendosjes së ligjit, nga qeveria e tij. Cila rrugë është më e kushtueshme për Ramën? Të tregohet vërtet i paanshëm e të mos “shohë njeri në sy”, siç ka premtuar shumë herë apo të durojë presionin e opozitës, mediave e opinionit publik, për hir të “solidaritetit partiak”?!

Protesta e opozitës nuk ka pse të frikësojë askënd. Zgjedhjet janë ende larg, kurse vetë PD-ja ka ende shumë rrugë për të gjetur një ekuilibër dhe një linjë aksioni të qëndrueshëm. Në shesh zbritën vërtet shumë njerëz. Por shumica dërrmuese e tyre nuk kanë hallin e karrierës së Bashës, por frikën e kostos së jetës, në një vend ku e keqja trashëgohet apo transformohet, por nuk zhduket.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi