Edhe një herë për sigurimin e Bankës së Shqipërisë

Nga Avni Ponari, botuar në Panorama Online, 18 nëntor 2014

avni-ponariPak ditë më parë botova te “Panorama” shkrimin me titull “Sikur Banka e Shqipërisë të ishte e siguruar, atëherë 7.5 milionë USD do t’i paguante tregu i sigurimeve”. Artikulli pati shumë lexues, disa prej të cilëve shtronin pyetje të ndryshme nisur nga fakti se kjo industri është më e panjohura në vend përsa u përket veçanërisht mundësive dhe kapaciteteve që ka. Nga ana tjetër, kishte edhe nga ata që kishin dyshime se si mund të paguheshin lekët që vidheshin në bankë dhe mendoj se pyetja përmbante edhe një lloj ironie në vetvete. U përpoqa të arsyetoj me të që ta bindja ndërkohë që mendoja me vete se mbase në të njëjtën mënyrë mendojnë shumë persona dhe mbase i gjithë opinioni është dyshues se si ka mundësi që kjo pagesë të bëhet. Pikërisht kjo është puna jonë, kjo është përgjegjësia e tregut të sigurimeve dhe për këtë qëllim licencohet çdo kompani sigurimesh.
Ajo që më bëri të shkruaj dhe një herë është fakti se kjo shumë do të përballohet nga buxheti i shtetit i vitit 2015. Pavarësisht faktit se vendimi është politik dhe si të tillë e miraton Parlamenti, por ajo që do të ritheksoj edhe një herë është: Nëse “cash in safe” i BSH do të kishte qenë i siguruar, nuk do të ishte e nevojshme që 7.5 milionë USD të shkonin për të shlyer këtë humbje, por do t’i shkonin sportit, shkollave, spitaleve, ujësjellësit të një komune. Pra, do të shkonin në çdo cep të Shqipërisë, pasi secili cep ka nevojën e tij. Thënë ndryshe, do të shkonin për risigurimin e 10 000 shqiptarëve për mjekime apo ndërhyrje në spitalet private në Shqipëri apo jashtë saj, sipas nevojave përkatëse.
Fakti është që patëm një humbje dhe një zhurmë të madhe, humbëm një guvernator, për fajin e të cilit nuk gjykoj, humbëm gjithashtu shumë gjëra që kanë të bëjnë me Bankën Qendrore shqiptare si institucion i paprekshëm dhe i pamundur për t’u vjedhur, humbëm paratë dhe po vendosim që kjo humbje të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë.
Është folur shpesh për tregun e sigurimeve dhe rëndësinë e tij në zhvillimin e jetës së një vendi. Duke qenë një nga tri shtyllat e ekonomisë, ky treg ka rëndësinë dhe karakteristikat e veta. Duke qenë në njëfarë mënyre konkurrent i sistemit bankar, tregu i sigurimeve zhvillon ekonominë, rinovon dhe rikthen në gjendjen e mëparshme financiare çdo dëmtin apo ngjarje të ndodhur që është pjesë e sistemit të sigurimeve, forcon pavarësinë dhe personalitetin e individit. Si e tillë, kjo industri është e rëndësishme pasi është industri e rimëkëmbjes dhe e personalitetit të njeriut; është industri e mbrojtjes financiare të pasurisë, e shëndetit dhe jetës së qytetarëve të një vendi.
Le të shohim disa fenomene që fatkeqësisht janë bërë të përditshme në vendin tonë dhe deri diku edhe të pashmangshme. Këto situata i shohim si ngjarje, fenomene për të cilat shprehim keqardhje dhe mërzitje, por mjaftohemi me kaq ndërkohë që do të ishte me vend që të analizojmë disa elemente për të nxjerrë më në pah shqetësimin tonë. Faktet dhe humbjet e përditshme të përmendura më poshtë do të na bëjmë të reflektojmë.
Nëse do të ishte i siguruar për përgjegjësi publike furnizuesi i energjisë elektrike, qytetari nuk do të drejtohej te shteti, por te kompania e sigurimit dhe për më tepër do të kishte të qartë një marrëdhënie kontraktuale midis furnizuesit dhe përdoruesit.
Nëse do të ishte i siguruar mjeku për përgjegjësitë e tij profesionale, qytetari nuk do të drejtohej te shteti, por te kompania e sigurimeve. Nëse do të digjej shtëpia, do dëmtohej nga rrëshqitjet e dheut apo përmbytjet, sërish qytetari nuk do të drejtohej te shteti, por te kompania e sigurimeve. Nëse do të ishin të siguruara të gjitha përgjegjësitë e produkteve, qytetari do të drejtohej te tregu i sigurimeve. Nëse do të kishin sigurim privat shëndetësor, do të drejtoheshin te çdo spital shtetëror dhe privat, dhe nuk do rrinin duke kërkuar lëmoshë nga askush. Nëse do të kishim reformë të pensioneve, siç është në të gjithë botën, qytetarët do të drejtoheshin te pensionet private dhe nuk do rrinin duke u ankuar për pensionin e vogël. Gjithashtu, nëse do të ishte e siguruar anija që u përplas pak ditë më parë në gjirin e Vlorës, kompanitë e sigurimit do të ishin ato që do të paguanin dëmin.
Pra, në të gjithë territorin e vendit, dëmet njerëzore dhe materiale janë aq të mëdha, sa llogariten jo më me mijëra, por me miliona, dëmtohen automjetet, aksidentohen me dhjetëra qytetarë shqiptarë, shemben ura, digjen shtëpi nga sistemi energjetik i vendit, përmbyten me mijëra hektarë tokë, digjen me mijëra hektarë pyje, shkatërrohen nga breshëri me dhjetëra hektarë të mbjella, vidhen pasuri private të çdo lloji, vidhen automjete, dyqane, digjen magazina e pasuri të tjera, aksidentohen punëtorë në miniera apo nëpër ndërmarrje e kantiere, të cilat kapin shifra mjaft të larta. Pa dyshim, në fund të fundit është ekonomia kombëtare e dëmtuar. Por pas kësaj vërshojnë kërkesa drejt qeverisë, bashkisë e komunave për çelje fondesh, për ndihma emergjente, duke e bërë atë njëkohësisht fajtore dhe dëmshpërblyese.
Nga ana tjetër, nëse do të kishim një treg të zhvilluar sigurimesh, nëse do të funksiononin elementet e duhura, tregu nuk do të ishte 18 euro/frymë, por do të ishte 300 euro/frymë, çka do të thotë se do të kishim rreth 300 milionë euro në vit investime, rreth 200 milionë euro dëme të paguara, që do t’i jepeshin ekonomisë nga ky treg.
Atëherë përse tregu shqiptar i sigurimeve është në këto nivele? Përse qytetarët shqiptarë janë fare pak të interesuar për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pasurive të krijuara si shtëpia dhe biznesi i tyre? Mungesa e kulturës së sigurimeve dhe trashëgimisë së saj, mungesa e legjislacionit që bën të mundur zhvillimin e kësaj industrie, kanë bërë që tregu shqiptar i sigurimeve të thithë vetëm 5-10% të kapacitetit të tij dhe të lërë në mëshirë të fatit, jashtë mbulimit në sigurim, gjithë pasurinë kombëtare, qytetarët dhe gjithçka në duart e fatit. Tregu i sigurimeve është një treg që ka fuqi të mëdha dhe kapacitete mbajtëse shumë të mëdha jo thjesht në miliona euro, por në miliarda euro, për shkak të funksionit të tij dhe për shkak të investitorëve strategjikë nga më të mëdhenjtë që janë të pranishëm prej vitesh në Shqipëri, dhe kjo falë operatorëve dhe kompanive të sigurimit. Ndër to, UNIQA Insurance Group është prezent jo vetëm në Shqipëri, por në mbi 20 shtete, dhe me një total asetesh nën menaxhim mbi 27 miliardë eurosh ndër vite.
Një arsye tjetër mund të konsistojë në faktin se edhe asetet e shtetit dhe njerëzit që punojnë në institucione shtetërore janë të ose të pasiguruar ose vetëm 2-3 % e tyre janë të siguruar. Pra gjithçka është në mëshirën e fatit dhe në bekimin e Zotit dhe kujtohemi vetëm atëherë kur diçka na ndodh.
Përmbytjet, tërmetet dhe rreziqe të tjera që janë evidente dhe që po bëhen edhe më të dukshme, janë akoma jashtë vëmendjes së strukturave shtetërore, por edhe të vetë qytetarëve, të cilët duhet të jenë vetë të interesuar që të bëjnë këto sigurime. Në fund të fundit, sigurimet janë pavarësi dhe nuk kanë një kosto të madhe, prandaj shqiptarët njohin vetëm sigurimin e makinës thjesht sepse ua kërkon polici. Mos vallë edhe sigurimet e tjera duhen bërë të kërkueshme nga policia apo në fakt duhet të rritet ndërgjegjja qytetare dhe përgjegjësia shtetërore për mbrojtjen e interesave financiare të konsumatorëve përmes një strategjie ku nuk duhen përjashtuar asetet shtetërore? Kostot e sigurimit dhe risigurimit të këtyre aseteve është mjaft e ulët ose e papërfillshme për buxhetet dhe buxhetin në tërësi.
Nëse bëjmë krahasimin me vendet fqinje, natyrshëm lind pyetja: përse ne jemi në këto nivele? Më konkretisht, tregu i sigurimeve në Malin e Zi dhe Maqedoni është mbi 100 euro për frymë, ndërkohë që në Shqipëri vetëm 18 euro për frymë. Për më tepër, edhe niveli i sigurimeve për frymë në Kosovë është më i lartë, me 50 euro për frymë, pa përmendur këtu vende si Kroacia (700 euro për frymë), Sllovenia (1000 euro për frymë) dhe Austria me mbi 2700 euro për frymë. Me pak fjalë, nëse ky treg do të ishte në nivelin e vendeve fqinje dhe së paku asetet shtetërore do të ishin të siguruara, do kishim një ndryshim të madh dhe një alternativë më shumë në fushën e investimeve. Deri më sot gjithçka ka qenë monopol i bankave, të cilat po menaxhojnë të gjitha investimet dhe kanë bllokuar jo pak sistemin, duke rrëmbyer çdo kolateral, saqë ndonjëherë ngjajnë si “loan shark” në shumë investime dhe kredi të dhëna.
Pyetja që shtrohet këtu, për të cilën presim përgjigje në të ardhmen e afërt, është: a është planifikuar një zë në buxhetin e 2015-s për sigurimin e aseteve shtetërore? Kjo përbën në thelb fillesat e dyshimit për zhvillimin e kësaj industrie në të ardhmen. Pas gjithë këtyre dëmeve, janë shoqëritë e sigurimit ato që kanë si qëllim të rikthejnë në gjendjen e mëparshme financiare subjektet apo individët e dëmtuar. Hartimi i reformave në emër të zhvillimit të kësaj industrie, në kushtet e vendit tonë është i një rëndësie të veçantë, prandaj flitet për një strategji zhvillimi afatshkurtër dhe afatgjatë, në përputhje me mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan