Sa pak kontribuojnë shqiptarët për buxhetin e shtetit!

Eduard Zaloshnja

Në vitin 2013, u futën në buxhetin e shtetit shqiptar rreth 3.2 miliardë dollarë. Këto të ardhura buxhetore përbënin vetëm 24% të vlerës së krijuar nga ekonomia shqiptare gjatë vitit (të PBB-së vjetore). Sipas CIA World Factbook, në të njëjtin vit, Kosova futi si të ardhura në buxhetin e shtetit 28% të PBB-së, Maqedonia 30.6% të PBB-së, Mali i Zi 37.2% të PBB-së, Serbia 40% të PBB-së dhe Bosnja 40.8% të PBB-së.

Në vitin 2014, pritet që Shqipëria të fusë si të ardhura në buxhetin e shtetit 26% të PBB-së, ndërsa për vitet në vazhdim, parashikohen nivelet 27.5% në 2015-ën, 27.6% në 2016-ën, 27.7% në 2017-ën. Pra edhe për tre vjet, nuk do ta kapim dot nivelin e Kosovës të 2013-ës, i cili ishte niveli më i ulët në rajon…

Të gjitha vendet e ngjashme të rajonit kanë akumuluar borxh publik ndër vite, sepse kanë shpenzuar më shumë se sa kanë patur të ardhura. Por sa të afta janë ato për të shlyer borxhin e akumuluar? Me të ardhurat buxhetore të 2013-ës, Kosova mund ta shlyente borxhin për çerek viti, në qoftë se arkëtimet do t’i përdorte vetëm për shlyerjen e tij; Bosnjës dhe Maqedonisë do t’u duheshin 1.1 vjet; Malit të Zi 1.4 vjet dhe Serbisë 1.5 vjet. Ndërsa Shqipërisë do t’i duheshin plot 2.9 vjet…

Sipas parashikimit afatmesëm të FMN-së, në qoftë se qeveria shqiptare do t’u përmbahet objektivave buxhetore të përcaktuara nga Uashingtoni, me të ardhurat buxhetore të 2017-ës, ne mund ta shlyejmë borxhin publik për 2.4 vjet, në qoftë se të gjitha arkëtimet do t’i përdorim vetëm për shlyerjen e tij. Pra, do të jemi ende shumë larg vendeve të ngjashme të rajonit…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi