Më shumë taksa për 95% të shqiptarëve

Nga Ridvan Bode, deputet, 11 nëntor 2014

rbodeProjektbuxheti i sjellë në Kuvend nga qeveria dhe që po debatohet aktualisht në fushën e të ardhurave për mënyrën se si mendon t’i realizojë ato për vitin 2015, karakterizohet nga një rritje progresive e taksave që çon në varfërimin progresiv të qytetarëve dhe thellon rënien e mëtejshme të ekonomisë. Këto janë tipare lehtësisht të lexueshme në këtë buxhet, të cilat do t’i argumentojmë si më poshtë.

Qeveria rriti progresivisht taksat në të gjitha llojet e tyre. Pas rritjes me 50% të taksës mbi korporatat vitin e kaluar, në projektbuxhetin e vitit 2015 rritet edhe tatimi mbi dividentin nga 10-15%, ose me një efekt rritje prej 10 milion dollarësh. Rriten taksat mbi depozitat nga 10 ne 15%, që ka një efekt prej 12 milionë dollarësh. Rritet taksa mbi qeratë nga 10 ne 15% duke synuar që prej kësaj takse, në buxhetin e shtetit të arkëtohen edhe 10 milionë dollarë shtesë. Dhe po ashtu, rritet taksa mbi çdo të ardhur tjetër nga 10 në 15%. Vetëm prej kësaj takse qeveria synon të marrë 28 milionë dollarë. Nëse i shohim, të gjitha taksat si ato mbi të ardhurat, mbi korporatat, mbi biznesin rriten në nivelin 15%. Një masë e tillë e bën vendin tonë vendin me taksat më të larta, duke humbur çdo avantazh konkurrues me vendet e tjera të rajonit, të cilat vijojnë që këtë nivel taksash ta kenë në masën 9-10-11%. Përjashtim këtu bën Serbia e cila këtë nivel taksash e ka në 15%.

Qeveria rrit progresivisht të gjitha taksat si me poshte:

• Mbi korporatat, nga 10 në 15%

• Mbi dividentin, nga 10 ne 15% (+ 10 milionë USD)

• Mbi depozitat, nga 10 ne 15% (+12 milionë USD)

• Mbi qeratë, nga 10 ne 15% (+10 milionë USD)

• Mbi çdo të ardhur tjetër, nga 10 në 15%; (28 milionë USD)

• Taksë e sheshtë me rritje 50% në të gjitha nivelet.

• Rajoni eshte nën nivelin 10%, përveç Serbisë.

Qeveria nuk ndalon vetëm tek këto taksa, pasi në projektbuxhetin e vitit 2015 rriten edhe taksa të tjera mbi konsumatorin dhe biznesin, siç është taksa e qarkullimit të automjeteve, mbi karburantet dhe akciza mbi duhanin.

Taksa e qarkullimit të automjeteve rritet për të dytin vit radhazi duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së me 24 lekë për litër, duke e rritur me 4 herë në 2 vite nivelin e kësaj takse. Për secilën prej 340 mijë familjeve do të jetë një taksë e re për 2015 për të paktën 1.5 milion leke të vjetra në vit. Këto prekin 95% të familjeve që gjoja do të paguanin më pak taksa nën taksën progresive të qeverisë Rama. Dhe nuk janë vetëm familjet, por edhe fermerët që të gjitha shërbimet do t’i kryejnë me një taksë të rritur më shumë. Janë industritë përpunuese po ashtu që kanë humbur avantazhet konkurruese në rajon, të cilave u rritet një kosto shtesë. Eshtë gjithashtu edhe biznesi në tërësi që do të paguajë një çmim më të rritur. Rritja e kostove nga 8.4 lekë që ka qenë duke përfshirë edhe TVSH, ka shkuar plot në 32.4 lekë me rritjen e re të taksave. Dhe e gjitha kjo është vetëm nga taksa e qarkullimit të automjeteve. Efekti që qeveria programon të marrë prej kësaj takse shtesë në 2015 është 6.7 miliardë lekë, ose 67 milion dollarë.

Akciza e duhanit rritet me 24 lekë për paketë duke rritur me 2.3 herë këtë taksë mbi konsumatorët në 2 vjet, dhe kjo është një taksë që do të paguhet nga 95% e familjeve shqiptare, të cilave Rama u premtoi se do të paguajnë edhe më pak taksa me qeverinë e tij. Rritja e akcizës ka shkuar nga 36 leke që ka qenë në vitin e shkuar së bashku me TVSH-në, në 84 lekë për çdo paketë. Efekti në buxhet për 2015 është 4.2 miliardë lekë, ose 42 milion dollarë.

Rritja e taksave edhe mbi duhanin dhe karburantin

• Taksa e qarkullimit të automjeteve rritet për të dytin vit radhazi  duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së me 24 lekë për litër duke e rritur me 4 herë në 2 vite. Për secilën prej 340 mijë familjeve qe kane nej automjet, kjo do të jetë një taksë e re për 2015 që do tu kushtoje të paktën 1.5 milion leke të vjetra në vit. Këto prekin nje pjese tjeter te 95% të familjeve që gjoja do të paguanin më pak taksa. Po fermerët? Po industritë perpunuese? Po biznesi në tërësi? (Rritja 8.4 – 20.4 – 32.4). Efekti ne buxhet eshte 6.7 miliardë lekë.

• Akciza e duhanit rritet edhe me 24 lekë për paketë duke rritur në 2.3 herë këtë taksë mbi konsumatorët në 2 vjet, dhe këto familje janë nga 95% e familjeve përfituese nga taksa progresive?! (rritja 36-60-84 lekë). Efekti 4.2 miliardë lekë.

Por kush e paguan rritjen e taksave?

Nëse shohim me detaje, kemi të bëjmë me një varfërim progresiv, pikërisht të konsumatorit, qytetarit. Përllogaritjet e qeverisë për nivelin e konsumit të këtij viti 2014 thonë se do ketë një rritje për taksat e mësipërme me një efekt prej 16 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Ky do të jetë efekti i taksave që përmenda pak më parë dhe që rriten në 2015. Por nga këto 15 miliardë lekë (150 milionë USD) do të paguhen nga konsumatorët dhe vetëm 1 miliardë lekë (10 milionë USD) do të paguhen nga nga biznesi si rritje e tatimit mbi dividentin. Pra 94% e taksave shtesë do të paguhen nga mbi 90% e qytetarëve dhe vetëm 6% e kësaj rritjeje taksash do të paguhet nga biznesi. Ky është premtimi i qeverisë Rama për uljen e taksave për 95% të qytetarëve. Dhe këtu nuk po llogarisim efektet e rritjes së çmimit të energjisë që rrit faturën me minimumi 7 mijë lekë në muaj për mbi 74% e familjeve të cilat kanë të ardhurat më të ulëta. Në këtë rast, premtimi i qeverisë Rama se më të pasurit do paguajnë edhe më shumë dhe familjet më të ardhura të ulëta do paguajnë edhe me pak, tashmë është tërësisht fals dhe i diskretituar në sytë e opinionit publik.

Kush paguan rritjen e taksave? Qytetarët varfërohen në mënyrë progresive.

• Përllogaritjet e qeverisë për nivelin e konsumit të këtij viti thonë se do ketë një rritje për taksat e mësipërme me një efekt prej 16 miliardë lekë (160 milionë USD).

• Nga këto 15 miliardë lekë (150 milionë USD) do të paguhen nga konsumatorët dhe vetëm 1 miliardë lekë (10 milionë USD) nga biznesi si rritje e tatimit mbi dividentin.

• Pra 94% e taksave shtesë do të paguhen nga mbi 90% e qytetarëve dhe vetëm 6% nga biznesi.

• Dhe këtu nuk po llogarisim efektet e rritjes së çmimit të energjisë që rrit faturën me minimumi 7 mijë lekë në muaj për mbi 74% e familjeve të cilat kanë të ardhurat më të ulëta.

• Premtimi: më të pasurit do paguajnë edhe më shumë dhe familjet më të ardhura të ulëta do paguajnë edhe me pak!!!!!

Por qeveria nuk ndalon vetëm tek rritja e taksave që ka programuar sipas efekteve që unë përmenda pak më lart. Pasi qytetarët konsumatorë nuk do të paguajnë më shumë vetëm nga taksat e reja që vendosen. Qeveria parashikon që me arbitraritet administrativ dhe me shkopinjtë e policit të mund të rrjepë nga qytetarët më shumë se këtë vit edhe: 9 miliardë e 457 milionë lekë (100 milionë USD) nga TVSH, që është taksa e fshehur në çmimin e mallrave e cila paguhet 100% nga konsumatori, qytetarët pra ajo pjesë që përbën 95% të shqiptarëve që konsumojnë. Gjithashtu konsumatorët do të paguajnë 7 miliardë e 184 milionë lekë (72 milionë USD) nga akciza që po ashtu është një taksë që përfshihet në çmimin e mallrave. Dhe kjo e fundit do të paguhet nga qytetarët. Janë 7 miliardë e 115 milionë lekë  shtesa që do të paguajnë qyetarët nga tatimi i të ardhurave personale. Edhe kjo do të paguhet 100% nga konsumatori shqiptar. Janë 8 miliardë e 586 milionë lekë, ose rreth 86 milion dollarë te ardhura shtese që qeveria do të arkëtojë nga rritja e taksave nacionale, ku rritja kryesore është nga taksa e qarkullimit, por edhe e taksave të tjera. Plot 5 miliardë e 241 milionë lekë, ose rreth 52 milion dollarë do të jenë rritje në kontributin e sigurimesh, ose quajtur ndryshe si taksa e punës. Si dhe 3 miliardë e 820 milionë lekë shtesë do të jenë nga tarifat e shërbimeve që qytetarët do të paguajnë në administratën e qeverisë. Ndërkohë, biznesi do të paguajë vetëm 1 miliardë e 643 milionë lekë shtesë për tatimin mbi fitimet në krahasim me vitin 2014. Pra kush i paguan rritjen dhe shtesën e taksave? Sigurisht vetëm qytetarët!

Çfarë do të paguajmë më shumë në 2015?

• Por qytetarët konsumatorë nuk do të paguajnë më shumë vetëm nga taksat e reja. Qeveria parashikon që me arbitraritet administrativ dhe me shkopinjtë e policit të mund të rrjepi nga qytetarët më shumë se këtë vit edhe:

– 9 miliardë e 457 milionë lekë (100 milionë USD) nga TVSH, taksa e fshehur në çmimin e mallrave e cila paguhet 100% nga konsumatori;

– 7 miliardë e 184 milionë lekë (72 milionë USD) nga akciza

– 7 miliardë e 115 milionë lekë nga tatimi i të ardhurave personale

– 8 miliardë e 586 milionë lekë nga taksat nacionale

– 5 miliardë e 241 milionë lekë kontribut sigurimesh, taksa e punës

– Si dhe 3 miliardë e 820 milionë lekë shtesë nga tarifat e shërbimeve që qytetarët do të paguajnë në administratën e qeverisë.

– Biznesi do të paguajë 1 miliardë e 643 milionë lekë shtesë për tatimin mbi fitimet.

Por nëse bëjmë një analizë të mëtejshme rreth 90% e qytetarëve paguajnë 85% të të ardhurave shtesë të vitit 2015. Në shtesën prej 46 miliardë e 520 milionë lekë (465 milionë USD) që do të shtohen për vitin 2015 qytetarët konsumatorë (95 përqindëshi) do të paguajnë më shumë se këtë vit, plot 39 miliardë e 125 milionë lekë ose rreth 85% të shtesës së programuar të të ardhurave të buxhetit të shtetit për 2015. Kjo shumë është sa gjysma e vlerës së prodhimit që qeveria vetë ka programuar për ta lënë në dispozicion të tyre për vitin 2015 si pjesë të konsumit. Dhe kjo do të thotë se qeveria ka programuar vetë varfërimin absolut të të gjitha familjeve shqiptare pa përfshirë në këtë përllogaritje efektin që do të ketë rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Konsumatorët (rreth 90% e qytetarëve) paguajnë 85% të të ardhurave shtesë të vitit 2015

• Pra në shtesën prej 46 miliardë e 520 milionë lekë (465 milionë USD) qytetarët konsumatorë (95 përqindëshi) do të paguajnë më shumë se këtë vit, plot 39 miliardë e 125 milionë lekë ose rreth 85% të shtesës së programuar të të ardhurave të buxhetit të shtetit për 2015.

• Kjo shumë është sa gjysma e vlerës së prodhimit që qeveria vetë ka programuar për ta lënë në dispozicion të tyre për vitin 2015.

• Pra qeveria ka programuar një varfërim absolut të të gjitha familjeve shqiptare pa përfshirë në këtë llogaritje efektet e rritjes së çmimit të energjisë.

Kjo paketë nuk është bazuar vetëm në rritjen e taksave dhe nuk varfëron vetëm shqiptarët, por buxheti i 2015 thellon rënien e ekonomisë shqiptare më tej. Por nuk janë vetëm qytetarët konsumatorë që buxheti ka programuar t’i varfërojë për vitin 2015, edhe ekonomisë projekti i qeverisë i shteron çdo mundësi zhvillimi për ekonominë e vendit. Nga 80 miliardë e 70 milionë lekë që programohet të rritet ekonomia në 2015 (një programim i fryrë jo realist duke parë ecurinë e ekonomisë dhe predispozitat e ekonomisë për vitin që vjen), qeveria do të tërheqë edhe për këtë vit në buxhet në formën e taksave një shtesë 46 miliardë e 520 milionë lekë , ose 465 milion dollarë. Kjo do të thotë se përmes taksave ajo synon të tërheqë rreth 60% të PBB të vitit 2015. Pra është rreth 60% e punës që do të bëjnë qytetarët ddhe biznesi. Pra biznesi dhe qytetarët do të punojnë 7 muaj për qeverinë dhe 5 muaj për vetën e tyre. E gjithë pjesa e PBB 2015 që i lihet në dispozicion biznesit për t’u investuar, rritur punësimin, rritur pagat e shpërblimet e të punësuarve, për të rritur konsumin apo për rritur shpenzimet operacionale, është vetëm 335 milionë dollarë ose rreth 100 dollarë për frymë. Të mendosh se ekonomia zhvillohet dhe i qëndron presionit të krizës globale me një shtesë të PBB-së dhe t’i lësh në dospozicion ekonomisë, biznesi dhe konsumatorit vetëm 100 dollarë për frymë kjo është sa qesharake aq edhe dritëshkurtër për të pretenduar zhvillim dhe rritje ekonomik.

Kush perfiton nga PBB në 2015? Ekonomia thellon rënien.

• Por nuk janë vetëm qytetarët konsumatorë që buxheti ka programuar t’i varfërojë për vitin 2015, edhe ekonomisë projekti i qeverisë i shteron çdo mundësi zhvillimi.

• Nga 80 miliardë e 70 milionë lekë që programohet të rritet ekonomia në 2015 (një programim i fryrë jo realist), qeveria do të tërheqë në buxhet në formën e taksave shtesë 46 miliardë e 520 milionë lekë ose 60% të PBB të vitit 2015.

• Gjithë pjesa e PBB 2015 që i lihet në dispozicion biznesit për t’u investuar, rritur punësimin, rritur pagat e shpërblimet e të punësuarve, për të rritur konsumin apo rritur shpenzimet operacionale, është vetëm 335 milionë USD ose rreth 100 USD për frymë. Qesharake për të pretenduar zhvillim dhe rritje ekonomike.

Por le t’i referoheshim ndër vite se sa është përdorur nga buxheti dhe sa është marrë dhe konsumuar nga vetë konsuamtorët dhe biznesi për të ruajtur një nivel të lartë të investimeve dhe për të mos dëmtuar rritjen ekonomike. Në vitet kur rritja ekonomike ka qenë vetëm 2%, buxheti nuk ka marrë asnjë lek nga prodhimi i brendshëm bruto i krijuar në vitet respektive. Dhe e gjitha kjo është bërë për ta lënë në shërbim të investimeve, rritjes së punësimit dhe të konsumit në ekonominë tonë. Në periudhen 2014-2015, pjesa që arkëtohet në buxhetin e shtetit është 73-60% e PBBsë dhe këtu është arsyeja se përse ekonomia në 2014 vijoi rënien e mëtejshme, rriti papunësinë dhe ka filluar varfërinë dhe mjerimin. Dhe kjo grykësi e pafund e qeverisë ndodh në të njëjtin moment kur kursimet e qytetarëve kanë rënë, kur kredia për biznesin ngelet në të njëjtin nivel me një vit më parë dhe kur dërgesat e emigrantëve janë në rënie. Kjo politikë fiskale asfikson ekonominë dhe shteron çdo mundësi punësimi dhe të rritjes së mirqënies shoqërore.

Projektbuxheti i 2015 ka këto tipare që përmenda: Rrit progresivisht taksat; Varfëron progresivisht qytetarët; Thellon rënien e mëtejshme të ekonomisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi