Diskutimet për Paketën Fiskale 2015

Në Komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave, 10 nëntor 2014

kom_ekonomi_17.6.14Paketa Fiskale që ka paraqitur qeveria për vitin e ardhshëm parashikon që të marrë nga xhepat e shqiptarëve, qofshin këta individë apo biznese, 160 milionë dollarë më shumë sesa në vitin 2014. Dhe kjo falë rritjes së vetëm tri taksave, atë të qarkullimit, akcizës së cigares dhe tatim-fitimi, duke përjashtuar pagat.

Duke iu përgjigjur deputetëve të komisionit të Ekonomisë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka theksuar se në total në paketën fiskale bëhen 14 ndërhyrje, nga të cilat, 11 prej tyre sjellin zbutje të barrës tatimpaguese të qytetarëve e bizneseve dhe 3 të tjera e rrisin atë. “Paketa fiskale ka 14 masa në tërësinë e tyre, ku tri masa realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa janë për lehtësim të biznesit dhe të qytetarit, konsumatorit, individit në Shqipëri”, – tha Cani. Por tri taksat që rriten krijojnë një barrë fiskale për qytetarët prej160 milionë lekësh, që është më e madhe se gjithë shumatorja e taksave që do ulen.

Më konkretisht taksa e qarkullimit rritet me 10 lekë për litër, akciza e cigareve me 20 lekë për paketë, ndërsa çdo e ardhur personale veç pagave do taksohet në 15 për qind, nga 10 për qind që është aktualisht. Këtu përfshihet taksimi i fitimit nga shitja e shtëpive apo pronave të tjera, ai i të ardhurave nga pronësia intelektuale, lojërat e fatit dhe interesat e depozitave. Për zërin e fundit ministri tha se barra bie vetëm mbi një grup të vogël njerëzish. “4.3 për qind e depozituesve kanë 60 për qind të depozitave, ose një tjetër e dhënë përsëri është që 1.9 për qind e depozituesve kanë 40.1 të vlerës të depozitave, pra janë këta që do ta marrin barrën kryesore”, – theksoi Cani. Në ulje rishikohet renta e kromit që përpunohet në vend, taksa e doganës për naftën e rafinerive, taksat e karburantit për peshkimin dhe ato që vendosen mbi sigurimet e detyrueshme.

Ndërsa propozimi i qeverisë për të hequr akcizën e pijeve energjike duket se nuk do të mbështetet nga deputetët në komisionin e Ekonomisë, të cilët janë rreshtuar kundër saj. Gjithashtu disa deputew tw mazhorancws i shfaqën rezerva ministrit të Financave gjatë prezantimit të Paketës Fiskale. Kështu, ish-ministri i Financave në qeveritë socialiste, Anastas Angjeli, duke kritikuar rritjen e taksës mbi depozitat, ngriti pyetjen: “Sa të bindur jeni që rritja e taksës mbi depozita, duhet t’i bëjë ata që të tërheqin lekët për të investuar, apo t’i tërheqin për t’i futur në shtëpi apo për t’i çuar jashtë? Ka një studim të argumentuar për këtë?” Tatimi mbi të ardhurat personale ndryshon normën e taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.

Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huat, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Ministri tha se barra bie vetëm mbi një grup të vogël njerëzish. “4.3% e depozituesve kanë 60% të depozitave, ose një tjetër e dhënë është që 1.9% e depozituesve kanë 40.1 të vlerës të depozitave, pra janë këta që do ta marrin barrën kryesore”, shpjegoi ministri Cani. “Duke qenë se kjo është pjesë e biznesit potencial, kërkojmë të dalë nga sistemi i depozitave dhe të investojë në ekonomi, duke prodhuar vende pune”, theksoi ai. Cani i siguroi se kjo masë do të ndikojë pozitivisht në ekonomi pasi nxit investimet dhe rrit likuiditetin në treg, por disa prej deputetëve u shprehën se kjo rritje e TAP-it do të çojë në nxjerrjen e parave nga bankat. Pas rezervave të shprehura nga deputetët e PS-së, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, tha se kjo masë vjen e paralajmëruar që një vit më parë, kur u ndryshua modeli i taksimit mbi të ardhurat.

Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që rritet me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën. Efektet në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja për vitin 2015. Sipas ministrit të Financave, kjo rritje nuk do të ndikojë në çmimin fundor. Ministri tha se tregu vendas i karburanteve është i ngurtë dhe nuk reflekton uljen drastike të çmimit në bursa. “Nga 1.100 dollarë që ishte në periudhën janar-shkurt 2013 jemi te 777 dollarë. Një ulje drastike e çmimeve të karburantit në botë. Ndërkohë, vetëm 1 lekë është ulja gjatë kësaj kohe te ne, që tregon se tregu në vend nuk ka reaguar fare dhe nuk është fleksibël”, deklaroi Cani. Por deputetët e kanë kundërshtuar. “Ajo që mua më shqetëson është situata shumë e përqendruar e tregut të shitjes me pakicë të karburanteve, ky është shqetësimi im, si dhe mosreflektimi total i atij çmimi të bursës në tregun e brendshëm. Ky fakt është akoma edhe më shqetësues. Akoma më shqetësim është niveli i tatimfitimit që paguajnë këto kompani të karburanteve, që kanë këtë nivel të lartë përqendrimi në këtë treg”, u shpreh Braçe. Ndërsa deputeti Anastas Angjeli i kërkoi qeverisë të ndërhyjë për të shkatërruar këtë situatë monopol. Zv.ministri i Financave, Mete, në përgjigje të shqetësimit të ngritur, tha se duhet që Autoriteti i Konkurrencës të vihet më shumë në lëvizje për të kontrolluar këtë treg. Ministri i Financave, duke u përgjigjur, zbuloi se, qeveria ka nisur një kontroll të posaçëm mbi tregun e karburanteve, jo vetëm për çmimet, por edhe ligjshmërinë me taksat dhe cilësinë e produkteve. “Qeveria nuk e ka lënë në harresë, ajo është marrë me këtë çështje. Është një grup i veçantë, ku bën pjesë edhe zv.ministri i Financave, që do të dalë me konkluzionet e veta për këtë çështje”, tha Cani. Më tej, për këtë çështje foli edhe zv.ministri i Financave, Ervin Mete, i cili shpjegoi se janë vendosur në një hartë dixhitale të gjitha pikat e shitjes dhe monitorohen online, si dhe është realizuar heqja totale e pompave automatike. Gjithashtu, ka një kontroll periodik të cilësisë së karburanteve, duke pranuar se ka rezultuar me problematika për sa i përket përzierjes së tyre.

Diskutimi me biznesin

Komuniteti i biznesit kundërshtoi paketën fiskale të paraqitur nga qeveria për t’u zbatuar gjatë vitit 2015. Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, theksoi në fjalën e tij para deputetëve dje se rritja e taksave, e planifikuar nga qeveria për vitin 2015 do të largojë investitorët e huaj, për të cilët vendi ka kaq nevojë. Sipas tij, kjo paketë fiskale nuk i shërben as rritjes ekonomike dhe as një ekonomie të qëndrueshme. “Ministria e Financave duhet të hartojë një strategji për sistemin e taksave”, – deklaroi Jaka. Ndërkohë, zv/presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ‘AmCham’, Genti Daci, tha se rritja e taksave nga ana e qeverisë përbën një prirje për evazion. Ai kërkoi rritjen e masave nga ana e qeverisë për uljen e evazionit fiskal, dhe më pas sipas tij, qeveria mund të rishikojë sistemin e taksave. “Rritja e taksës së dividentit dhe tatim-fitimit në burim është taksë që prek direkt investitorët e huaj”, – tha Daci. Presidenti i Biznes Albania-s, Luan Bregasi parashtroi disa kërkesa të biznesit, ndër të cilat uljen e disa taksave qendrore dhe lokale, përmirësimin e disa ligjeve që rrisin kostot e biznesit në mënyrë abuzive, si dhe uljen e TVSH-së për sektorin e turizmit. Megjithatë, ai vlerësoi pozitivisht paketën e paraqitur nga qeveria përsa i përket ndryshimeve në procedurat tatimore, masa këto që kanë të bëjnë me kalimin e komisionit të apelit në varësi të Ministrisë së Financave, shkurtim të afatit të apelit nga 90-60 ditë, apo vendosjen e afatit 60 ditë për garancitë bankare, si dhe kontrolli i subjekteve të rimbursimit të TVSH-së mbi bazën e analizës së riskut. Ndërkohë, shoqatat e industrisë së turizmit i kërkuan qeverisë uljen e TVSH-së për këtë sektor nga 20 në 10 %. Sipas Zak Topuzit, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, ulja e TVSH-së është një direktivë e Bashkimit Europian që prej vitit 2016, duke qenë se ajo është konsideruar industria kryesore që nxit ekonominë dhe punësimin. Gjergji Gjika, përfaqësues i biznesit fason, theksoi se qeveria duhet të përshpejtojë rimbursimin e TVSH-së, pasi deri tani janë rimbursuar vetëm 50 % e shumës.

Ne mungese te pjesmarrjes se opozites ne mbledhjet e Komisionit parlamentar te Ekonomise, ketu do te gjeni nje analize te detajuar te publikuar nga Ridvan Bode.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi