Makroekonomia e re e kapitalit të shekullit XXI

Nga Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 8 nëntor 2014

aciviciPërse kapitalizmi po shfaqet çdo ditë e më tepër si një makineri apo sistem që prodhon vazhdimisht pabarazi shumë të mëdha në shpërndarjen e pasurisë?

Ka tashmë një vit që libri “Kapitali në shek. XXI” me rreth 1000 faqe i ekonomistit francez Thomas Piketty është pa dyshim best seller ndërkombëtar në fushën e ekonomisë dhe financave. Përtej shifrave impresionuese të numrit të kopjeve të shitura, përtej faktit se nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një “ekonomist tipik francez” të përkthehej menjëherë dhe të vlerësohej aq shumë në SHBA dhe nga qarqet akademike e mediatike anglo-saksone, ky libër ka hapur një debat të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Mbulimi mediatik i tij ishte shumë përtej asaj që mund të mendohej për një vepër të shkencave sociale e ekonomike. Si rrallë ndonjëherë, autori “francez” iu prezantua publikut amerikan nga një nobelist, si dhe u prit me entuziazëm në Shtëpinë e Bardhë dhe Ministrinë amerikane të Ekonomisë. Vetëm Universiteti i Harvardit shiti dhe shpërndau më shumë se 100 mijë ekzemplarë të librit. E gjithë kjo dukej se përputhej me emrin e kolanës në të cilën Shtëpia botuese Seuil kishte nxjerrë librin që quhej “Libra për një botë të re”.

Thelbi i tezës kryesore dhe analizave të shumta statistikore të tij është “prova se kapitalizmi, nga natyra e tij, është një makinë apo sistem që fabrikon vazhdimisht pabarazi gjigante në pasurinë e individëve”. Shumë studiues e cilësojnë edhe si “kritika e kapitalit të shek. XXI në kërkim të bazave makroekonomike të pabarazive”, apo si “një traktat të ekonomisë politike të shek. XXI”. Paul Krugman, “Nobel” në ekonomi, vlerëson se “ky libër ndryshon tërësisht mënyrën tonë të reflektimit mbi shoqërinë dhe mënyrën se si duhet bërë ekonomia”. Revista e media nga më prestigjiozet e cilësojnë si “studimin më ambicioz të ndërmarrë ndonjëherë mbi pabarazitë ekonomike”, “një studim monumental dhe një libër shokues me subjekt kapitalin”, “një libër që hap një debat thelbësor mbi çështjen e pabarazive dhe shpërndarjen e pasurive, që duhet të dëgjohet në nivelet më të larta të institucioneve ekonomike e politike ndërkombëtare” etj.

Çështja e diferencave të mëdha në shkallën e përfitimit dhe pasurimit që ekziston aktualisht në botë, është një nga temat më të nxehta të debateve aktuale politike, ekonomike e sociale. Por, pyetja që shtrohet është komplekse: a e njohim ne sa duhet dhe në thellësinë e nevojshme evolucionin afatgjatë dhe dinamikën e një apo dy shekujve të fundit të këtij fenomeni? A kishte të drejtë Karl Marksi në analizën e tij që në shek. XIX kur thoshte se “akumulimi i kapitalit të çon në mënyrë të paevitueshme në përqendrimin e pasurisë në gjithnjë e më pak duar”? A duhet vlerësuar më shumë mendimi i ekonomistit Simon Kuznets, “Nobel” në ekonomi në vitin 1971, kur besonte se “janë forcat ekuilibruese të rritjes ekonomike, të konkurrencës së lirë dhe progresit teknik që, në një fazë të avancuar të zhvillimit ekonomik e social, do të çojnë spontanisht në një reduktim të pabarazive dhe stabilizim të diferencave në lidhje me pasurinë”.

Në librin e tij, Piketty e trajton me shumë kujdes dhe në mënyrë sa më komplekse subjektin e tij të preferuar “shpërndarjen e pabarabartë të pasurive”. Që në faqet e para kuptohet qartë se fokusi kryesor i librit do të jetë evolucioni i shpërndarjes së pasurive në periudha afatgjata që e kalojnë një shekull dhe raportet ndërmjet akumulimit të kapitalit privat dhe përqendrimit të tij në gjithnjë e më pak duar. Në këtë dekadë të dytë të shek. XXI mund të tentohet të analizohet dhe sintetizohet eksperienca e shekujve të kaluar, në mënyrë që të kuptojmë “çelësat” për të ardhmen. Piketty është i bindur se njohja fondamentale e evolucionit të një fenomeni është më e rëndësishme se shpjegimet subjektive që mund t’i bëhen atij, pasi “historia e përcakton vetë rrugën e saj”. Përveç referencave ekonomike e financiare, autori përpiqet t’i ndihmojë lexuesit edhe nëpërmjet referencave të shumta letrare e filozofike për të lexuar ose rilexuar nën një optikë të re “romanet e mëdha që kanë trajtuar shoqëritë borgjeze angleze dhe franceze të shekujve XIX dhe XX.

Piketty tenton t’u përgjigjet shumë pyetjeve e pikëpyetjeve të mësipërme duke u bazuar në analizën e të dhënave historike krahasuese të periudhave shumë më të gjata sesa ato ku ishin mbështetur studime analoge të kësaj fushe më parë. Duke studiuar statistikat e tre shekujve të fundit në më tepër se 20 vende të botës, autori ofron një kuadër perspektiv të paeksploruar ndonjëherë në këto përmasa, duke evidentuar trende dhe kuadër teorik e metodologjik domethënës për të kuptuar dhe zbërthyer mekanizmin e shpërndarjes së pabarabartë të pasurisë.

Sipas konkluzioneve të tij, “sapo norma e rritjes apo rendimenti i kapitalit e kalon dukshëm atë të rritjes ekonomike nga prodhimi dhe të ardhurat, dukuri që ishte prezente deri në fund të shek. XIX, por që u bë normë në fund të shek. XX dhe sidomos në dekadën e parë të shek. XXI, atëherë kapitalizmi prodhon mekanikisht pabarazi të mëdha në shpërndarjen e pasurive, prodhon arbitraritet dhe krijon pengesa për vlerat e meritokracisë mbi të cilat mbështeten shoqëritë demokratike”. “Ekzistojnë mundësi e mjete që kjo tendencë të minimizohet dhe kthehet në sens të kundërt, por kjo nuk mund të bëhet duke u strehuar në pozicione nacionaliste dhe totalitare”. Duket se jemi kthyer përsëri në kohën e fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, ardhur kur në shoqëritë e zhvilluara perëndimore “ishte plutokracia, aksionariati dhe trashëgimtarët ata që mbizotëronin mbi sipërmarrësit dhe menaxherët”.

Për Piketty, shpërndarja e të ardhurave po shkon gjithnjë e më tepër nga punonjësit dhe menaxherët drejt zotëruesve të kapitalit dhe “trashëgimtarëve”, se ndërsa rritja ekonomike është amorfe dhe shpesh në shifra të ulëta, kapitali po tregohet mjaft performant në fitimet e tij duke amplifikuar kështu diferencat dhe pabarazitë në gjirin e shoqërisë. Ndërkohë që në shekullin XX bota e zhvilluar kaloi nga një shoqëri e rentierëve në një shoqëri të menaxherëve dhe punonjësve, në këto 2–3 dekadat e fundit bota po i rikthehet përsëri situatës së “super menaxherëve” dhe “trashëgimtarëve të kapitalit” që po nxjerrin fitime marramendëse nga përdorimi i kapitaleve të tyre.

Një situatë e tillë pabarazish, bota e ka njohur si “shoqërinë e trashëgimtarëve të shek. XIX, të përshkruar veçanërisht nga Balzak në veprën e tij kolosale “Komedia njerëzore”, një “shoqëri rentierësh armiq të demokracisë”, që mund ta çojë botën në një situatë tejet të komplikuar jo më larg se vitet 2030! Shoqëria nuk po diferencohet më me përqindje por me herë, bile me qindra e mijëra herë. Europa në mënyrë relativisht më të përmbajtur, por në SHBA dhe në një pjesë të vendeve me ekonomi emergjente si Kina, Rusia, Brazili etj., pabarazitë janë të jashtëzakonshme.

Në botën akademike dhe atë të kërkimit shkencor, Piketty, me pohimin në libër se “historia e shpërndarjes së pasurive është një histori thellësisht politike e sociale dhe nuk mund të reduktohet apo përmblidhet vetëm si grup mekanizmash të pastër ekonomikë”, vendoset në grupin e atyre ekonomistëve që përpiqen të dalin apo të mos jenë tërësisht të kufizuar nga “kafazi neoliberal” që e konsideron ekonominë një shkencë sasiore ekzakte të ngjashme me shkencat e natyrës. Për të, “ekonomia e ka vendin dhe duhet konceptuar si një shkencë apo disiplinë sociale në krah të historisë, sociologjisë, antropologjisë, psikologjisë dhe shkencave politike”. “Kërkuesit dhe akademikët në sferën ekonomike duhet të jenë të angazhuar në jetën sociale dhe atë politike dhe veçanërisht në debatin publik….ideja sipas së cilës, etika e një kërkuesi shkencor nuk e lejon atë që të barazohet me një qytetar debatues publik është një iluzion i gabuar. Prej shumë e shumë dekadash ekonomistët kanë kërkuar që ta ndërtojnë autoritetin e tyre duke u mbrojtur mbas koracës së metodologjisë shkencore të vështirë për t’u kuptuar nga të gjithë, por në realitet, këto metoda kanë rezultuar vetëm një përdorim i ekzagjeruar i modeleve matematike, që në shumicën e rasteve nuk janë veçse një justifikim për të mbrojtur konkluzionet e tyre shpesh larg realitetit”.

Në thelbin e tij, ky libër voluminoz ka disa teza apo konkluzione bazë, që në mënyrë të përmbledhur mund të shprehen si më poshtë :

1) në vitet 1890 – 1920, të gjitha vendet perëndimore reflektonin një pabarazi sociale mjaft të madhe. 1% e personave më të pasur përfitonin 18-25% të totalit të të ardhurave, dmth një të ardhur që ishte më e madhe se 20-fishi i një të ardhure normale mesatare. Në të kundërt, në vitet 1960-‘80, rritja e fortë ekonomike në kuadrin e së famshmes “periudhë 30 vjeçare e ndritur”, si pasojë e disa politikave të forta sociale që garantonin pagën minimale, 1% e më të pasurve deklaronte se zotëronte vetëm 4-9% të të ardhurave gjithsej në vendet e zhvilluara, kryesisht ato europiane. Ndërsa aktualisht, në SHBA, të pasurit e privilegjuar zotërojnë mbi 60% të të ardhurave totale, ndërkohë që 60% e amerikanëve të tjerë zotërojnë më pak se 30% të saj. Piketty ua atribuon “suksesin” e këtij fitimi kolosal bonuseve të shumta që ata marrin, lojës në bursë dhe manovrimeve në financën e lartë. Në Europë, progresioni i pabarazive është më i ulët por gjithsesi real: në Angli, 1% e të pasurve zotërojnë 15% të të ardhurave, në Suedi, vend tradicionalisht egalitar, 1% e më të pasurve kanë arritur të zotërojnë mbi 8% të të ardhurave, etj.

2) Pabarazia në pasuri është shumë më e ndjeshme se pabarazia në të ardhura. Në Francë p.sh., 1% e më të pasurve fitojnë 4 herë më shumë se paga mesatare, por 1% e pronarëve të kapitalit zotërojnë një të ardhur 205 herë më të madhe se mesatarja. Ky përqendrim pronësie kapitali në Europë nuk është parë që nga fundi i shek. XIX, ndërkohë që në gjysmën e shek. XX në Europë u krijua një “klasë e mesme pronarësh kapitali” që e zbuti mjaft diferencën ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Aktualisht, kjo klasë po shkon drejt zhdukjes. E njëjta gjë po vihet re dhe në Britaninë e Madhe dhe SHBA.

3) teza qendrore e librit rrotullohet rreth një “ligji fondamental të kapitalizmit”, sipas të cilit, të ardhurat nga kapitali dhe pasuria e trashëguar rriten shumë më shpejt sesa të ardhurat nga puna dhe pagat. Aq më tepër që zotëruesit e kapitalit kanë mundësi të kursejnë më tepër dhe të rrisin akoma më shumë kapitalet e tyre, ndërkohë që “të punësuarit” e kanë gjithnjë e më të vogël këtë mundësi. Rendimenti i kapitalit po e mund në të gjitha frontet rendimentin e punës dhe Piketty mendon se kjo tendencë do thellohet akoma më tej në kushtet e ndikimit të rritjes së dobët demografike në vendet e zhvilluara dhe efekteve të globalizimit. Renta që vjen nga kapitali do të bëhet shumë e fuqishme në vitet dhe dekadat në vazhdim, duke e kaluar në plan të dytë gati të përbuzur të ardhurën që vjen nga puna. Tendenca bazë do të jetë: sa më i madh kapitali, aq më të mëdha do të bëhen proporcionalisht fitimet që sigurohen prej tij, duke shkatërruar dhe proletarizuar klasën e kapitalistëve të mesëm dhe varfëruar akoma më shumë rrogëtarët e të gjitha niveleve. Milionerët dhe miliarderët do bëhen më të pakët në numër, por shumë më milionerë miliarderë se deri më sot.

4) fitorja e “trashëguesve” apo “trashëgimtarëve” mbi punonjësit do të jetë shumë e dukshme dhe mjaft e gjerë. Një individ i zakonshëm duhet të punojë shumë vite që të ketë mundësi të kursejë dhe të krijojë pasurinë dhe kapitalin e tij, duke qenë kështu shumë në disavantazh në raport me atë që e trashëgon kapitalin dhe pronën. Në këtë këndvështrim, sipas Piketty, “është e kaluara ajo që po gëlltit të ardhmen”, dhe në kushtet kur rendimenti i kapitalit është më i lartë se rritja ekonomike, është normale që trashëgimia, dmth prona e akumuluar në të kaluarën, të dominojë në shpërndarjen e të ardhurave dhe fitimeve në krahasim me punën. Pronarët e kapitalit janë në trend shumë më të shpejtë pasurimi se kontribuesit e punës. Ky fenomen mund të shkaktojë një disekuilibër të fortë ndërmjet gjeneratave dhe shtresave sociale e profesionale, ndërmjet menaxherëve dhe pronarëve, gjë që mund të turbullojë rëndë gjithë shoqërinë.

5) Mbas krizës së “depresionit të madh” të viteve 1929-‘33, apo edhe në kohën e sotme, shumë shtete kanë aplikuar taksën progresive me synimin dhe objektivin që të marrin sa më shumë nga të ardhurat e më të pasurve, sidomos atyre që gjykohet se fitojnë shumë. Në mjaft raste sistemi progresiv ka shkuar edhe drejt një “konfiskimi fiskal”. Piketty nënvizon se SHBA dhe Britania e Madhe, mbas eksperiencës liberale të Margaret Thatcher-it dhe Ronald Reagan-it, u atashuan më vonë se kolegët e tyre europianë me këtë sistem taksash progresive që ndëshkonin të pasurit, ndëshkim që bëhej më i rëndë sa më i pasur apo fitimprurës konsiderohej personi apo korporata. Taksat progresive për kategoritë e larta të fitimeve arritën deri në 70-90% të fitimit, çka është hapur një konfiskim fiskal i mirëfilltë.

Por ndërkohë që fitimet dhe të ardhurat nga puna apo aktiviteti ekonomik e financiar taksoheshin në këtë mënyrë, fitimet nga pasuria dhe kapitali zor se e kalojnë nivelin 30%, dhe për pasojë krijojnë gjithë kushtet që rendimenti dhe fitimi nga kapitali dhe prona të jetë më i madh se rendimenti apo fitimet nga puna dhe rritja ekonomike. Në këtë këndvështrim, në librin e tij, Piketty propozon si zgjidhje “rritjen e presionit fiskal mbi kapitalin dhe trashëgiminë apo pronën” dhe vendosjen e një takse specifike “solidariteti”, e cila do tentojë të barazojë vlerën e tregut të aktiveve financiare (depozita bankare, aksione, obligacione, kredive etj.) me vlerën e aktivitetit prodhues apo shërbimeve. Ai e quan këtë lloj takse speciale mbi pasurinë si një “utopi të vlefshme” që do të rrisë transparencën financiare, si dhe krijimin në shumë vende të botës të asaj që mund të quhet një “kadastër financiare”.

Por, megjithë suksesin spektakolar, libri “Kapitali në shek. XXI” ka pasur dhe një seri kritikash e pozicionesh të kundërta. Kritikat, nga ana e Financial Times fillojnë me faktin se “seritë kohore të marra në studim nga Piketty nuk janë të sakta, çka ka çuar në konkluzione e interpretime jo të sakta nga autori, sidomos në mbivlerësimin e të ardhurave dhe pabarazive që shkaktohen nga prona dhe trashëgimia. Një kategori tjetër kritikash kanë të bëjnë me interpretimin e njërit nga ligjet fondamentale të kapitalizmit që ka të bëjë me raportin ndërmjet kapitalit dhe të ardhurave kundrejt raportit ndërmjet kursimeve dhe përqindjes së rritjes ekonomike. Kritikët nënvizojnë se në këtë rast, autori mbështetet në një hipotezë ekstreme dhe pak realiste në lidhje me “sjelljen e agjentëve ekonomikë në raport me kursimet”. Mendime të ndryshme ka patur edhe në lidhje me interpretimin nga ana e Piketty të origjinës së pabarazive, duke nënvizuar se propozimi i tij për vendosjen e një takse suplementare mbi kapitalin dhe trashëgiminë nuk e zgjidh problemin e pabarazive, ndërkohë që bën një padrejtësi mbi pronarët e kapitalit duke i taksuar rëndë ata.

Kritika të tjera kanë të bëjnë me koherencën teorike të autorit, duke e akuzuar atë se “nuk është thelluar sa duhet në ndërtimin e hipotezave dhe arsyetimeve të tij”, se “Piketty ka rendur më shumë mbas shifrave sesa mbas moralit, etikës dhe arsyes së pastër, pasi Shteti i lirive dhe së drejtës duhet ta mbrojë pasurinë e pronën private dhe jo ta godasë atë…se Shteti nuk ka të drejtë të caktojë linjën apo vijën që dallon të pasurit nga njerëzit e zakonshëm, pasi kjo është shumë relative. Të merresh me pabarazitë dhe krijimin e pasurisë pa shpjeguar rolin që ajo luan në zhvillimin e kapitalizmit dhe krijimin e të mirave materiale dhe mirëqenies në përgjithësi është e gabuar, pasi në këtë mënyrë shmanget roli i fitimit në nxitjen e inovacioneve dhe teknologjive të reja, shmangen përfitimet nga meritat, talenti ose puna e gjatë. Në vend që të kërkojë barazi në të ardhura dhe fitime, Piketty duhet të kërkojë barazi në mundësi dhe oportunitete për të gjithë. Në shumë vende që Piketty merr si shembull, p.sh., Kina, ka patur vërtet rritje të pabarazive, por efekti më i madh është ulja e konsiderueshme e varfërisë, prandaj fenomenet duhen parë në kompleks dhe jo në mënyrë të njëanshme. Kritikët e kësaj kategorie konkludojnë në propozimin se “në vend që të mendosh për të ulur fitimet e mëdha, mendo më mirë për të rritur të ardhurat e vogla”.

Në fund të fundit, libri “Kapitali në shek. XXI” i Thomas Piketty, nuk duhet të mungojë në asnjë bibliotekë dhe duhet lexuar me kujdes e vëmendje për të kuptuar më mirë botën dhe realitetin ku jetojmë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan