TIA: Institucionet janë të pafuqishme në luftën kundër korrupsionit

Publikuar në Mapo, 8 shtator 2016

raporti

Transparency International Albania publikoi sot raportin ‘Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit -Shqipëria 2016’.

Në raport vërehet me shqetësim sesi institucionet kyçe në luftën kundër korrupsionit janë të pafuqishme ta bëjnë për shkak të trysnisë dhe ndërhyrjes nga partitë politike. Këta të fundit raporti i konsideron si institucionet që rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit.

“Shqipëria nuk i plotëson kërkesat e Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit dhe nëse nuk ndërmerr reforma kyçe, kjo mund mund të pengojë integrimin në BE,” tha Cornelia Abel, koordinatore e Transparency International për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor.

Në raport thuhet se shqiptarët janë të zhgënjyer me sistemin politik të vendit, por sërish janë shumë apatikë.

Po ashtu në raport theksohet diçka për raportin sekret të OSBE, ku flitet për korrupsionin në nivelet më të larta. Bëhet fjalë për raportin ku thuhet se kryeministri Edi Rama ka një pasuri prej 200 milionë eurosh. TIA thekson se OSBE ka saktësuar se nuk është raporti i tyre, por se dokumenti është i vërtetë.

Më poshtë disa gjetje të raportit:

-Bashkë me militantizmin, shqiptarët shfaqin edhe zhgënjim me sistemin politik të vendit. Për disa vite tashmë partitë politike vazhdojnë të jenë të fundit në listë si aktorët më pak të besuar nga shoqëria, duke shfaqur kështu probleme serioze përfaqësimi.

-Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë nuk i shohin përfaqësuesit e tyre në Kuvend si anëtarë të respektuar të komunitetit. Për ta, politikanët janë persona që shohin interesin e vet, ndaj e kuptojnë angazhimin politik si partiak. Opinioni publik për përfaqësuesit e zgjedhësve në Kuvend pasqyron debatet e kohëve të fundit për infiltrimin dhe promovimin në poste publike të personave të dyshuar për vepra penale, ose të personave të dënuar penalisht.

-Edhe pse për qytetarët mosndëshkueshmëria tek elita është e përhapur, ata shfaqin fare pak gatishmëri për ta denoncuar korrupsionin në vendet e tyre të punës. Kjo ndoshta ka të bëjë me besimin e ulët që ata kanë qoftë tek prokuroria, apo tek gjyqësori për shkak të korrupsionit, nepotizmit dhe politizimit.

-Apatia qytetare është në nivele të larta dhe shumë pak qytetarë angazhohen në organizata shoqërore, në punë në komunitet, apo përfshihen në punë vullnetare. Megjithatë, anketat e ndryshme kanë treguar se për shqiptarët praktikat korruptive janë të kundërshtueshme dhe që gjithsesi ata vazhdojnë t’i shohin ndershmërinë dhe përgjegjshmërinë si cilësi primare për poste publike.

-Ligji rrallëherë garanton pavarësinë ligjore që duhet të kenë institucionet për të kontrolluar pushtetin politik. Në një masë dërrmuese, në një vend ku Ekzekutivi zakonisht kontrollon mazhorancën në Kuvend, krerët e institucioneve të pavarura – kushtetuese ose institucione të krijuara nga ligji – emërohen me shumicë të thjeshtë parlamentare ose në bazë të disa kritereve gjenerike.

-Shqipëria ka pothuajse zero historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh për korrupsionin politik të nivelit të lartë. Megjithatë, opinioni i gjerë, aludime dhe skandale të ndryshme krijojnë një panoramë të errët për korrupsionin në nivelet më të larta të politikës.

-Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit në këtë moment.

-Sipas rezultateve të anketës, institucionet që perceptoheshin si më të ndikuarat nga korrupsioni ishin Gjyqësori (81 përqind), shërbimet mjekësore dhe shëndetësore (80 për qind), partitë politike (72 për qind) dhe arsimi (70 për qind).

-Një sondazh i fundit nga IDRA tregoi se shqiptarët mendojnë se korrupsioni (85 për qind) dhe mosndëshkueshmëria (75 për qind) janë sfidat më kryesore të vendit. Dhe pavarësisht këtyre shifrave kaq të larta, vetëm 10 për qind e të anketuarve u shprehën se ata kishin marrë masa për ta luftuar korrupsionin, duke qenë pjesëmarrës në tubime, në takime me zyrtarë të zgjedhur/publikë, apo duke nënshkruar ndonjë peticion të caktuar.

-Një vlerësim i vitit 2015 për krimin e organizuar në Shqipëri e vendos nivelin e lartë të korrupsionit në polici dhe institucionet e zbatimit të ligjit si një nga arsyet kryesore që e lejon krimin të lulëzojë.

-Pas taksave të larta, korrupsioni shihet si pengesa e dytë më e madhe për të bërë biznes në vend, duke vështirësuar edhe rritjen e sektorit privat dhe investimeve. Shkalla e prevalencës së ryshfeteve për ato biznese që kanë pasur kontakt me zyrtarë publikë është 15.7 për qind, ndërsa bizneset shprehen se paguajnë mesatarisht 4.6 ryshfete në vit.

-Korrupsioni politik është i dukshëm në rastet e financimit të partive, keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë zgjedhore ose në rastet e blerjes së votës të raportuar në media. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në 2015 ngriti shqetësime për burimet e dyshimta të financimit të partive dhe për mungesën e deklarimit të financimit të fushatës.

Teksti i plotë i Raportit:

Download (PDF, 5.03MB)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi