Koha për forcimin e enteve rregullatore

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 29 tetor 2014

zef-preciPublikimi në masmedian e javës që shkoi i lajmit zyrtar se dy të tretat e ujit të pijshëm nuk paguhet, se faturohet vetëm 80% e tij dhe se kështu vetëm një e katërta e tij rikthehet në formë monetare, sjell në vëmendjen e publikut sa serioze është situata në utilitetet publike si energjia elektrike, uji etj., apo në sektorët e rregulluar ngas shteti si telekomunikacionet, bankat etj. Ndërkaq, thirrja dhe kërcënimi i Kryeministrit Rama për “pesëditëshin e fundit” të vjedhjes së energjisë shfaq anën tjetër të problemit: mënyrën se si funksionon administrata e shtetit shqiptar. Më drejtpërdrejt: askush nuk mund të jetë kundër mbledhjes me çdo kusht të pagesave të energjisë elektrike dhe të gjithë së bashku duhet të mbështesim qeverinë në përpjekjet e saj për funksionimin normal të shtetit, për zbatimin e ligjit. Aktualisht pagesat e pambledhura (humbjet teknike plus vjedhjet) janë diku afërsisht sa gjysma e energjisë që lëshohet në rrjet, ose një sasi e barabartë me gjithë sasinë e energjisë elektrike që importohet (afërsisht 150 milionë euro në vit). Por metoda e task-forcave apo metoda e përdorimit të policisë nuk mendoj se është zgjidhja e duhur dhe as e qëndrueshme apo institucionale… Kështu, ndër problemet pezull apo pyetjet që kërkojnë përgjigje njëkohësisht janë:
1) Përcaktimi i kategorisë shoqërore të personave/familjeve të varfra apo që kanë nevojë për mbështetje apo mbrojtje sa i takon sigurimit të energjisë elektrike në vend. Aktualisht flitet për rreth 180 mijë persona të kësaj kategorie. Dikasteri (ministria) përkatës nevojitet të konfirmojë mekanizmin e sotëm të mbështetjes (jofunksional dhe me plot probleme) ose të ofrojë një mekanizëm tjetër adekuat mbrojtjeje…
2) Kur do të hiqet faturimi “afro-fe” i energjisë elektrike të shpenzuar? Siç dihet ky rregull primitiv ka qenë vendosur në fillim të këtij viti, që në fakt demotivon familjet që paguajnë rregullisht dhe nxit konsumin pa hesap të energjisë elektrike duke “rrafshuar” pagesën, duke e kthyer sistemin në fillim të viteve ‘90…
3) Menaxhimi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Kam bindjen se ky element përmban rezervën më të madhe për të ulur humbjet dhe zvogëluar vjedhjen e energjisë elektrike në vendin tonë. Por nëse kjo kompani nuk arrin të faturojë më shumë se 80% të energjisë që lëshohet në rrjet; nëse është “strehë” për kompensimin e militantëve partiakë (propagandistë fushatash elektorale, roje dhe mbushës të kutive të votimit); nëse nuk ka ende një plan për investimet në rikonstruksionin e linjave, kabinave, transformatorëve: nëse më shumë se 130 mijë abonentë ose më shumë se 10% e gjithë abonentëve të rrjetit të shpërndarjes nuk janë pajisur ende me aparate matëse (sahate të energjisë elektrike): nëse bëhen tenderë me dhjetëra miliona euro për importe energjie të dyshuar për korrupsion dhe abuzim me tregun (sipas shtypit edhe Autoriteti i Konkurrencës është përfshirë në hetimin e abuzimit në këtë treg) etj., si mund të ulen humbjet në rrjet dhe vjedhjet e energjisë? Sipas raportit vjetor të ERE për vitin 2013: “Humbjet e përgjithshme të raportuara nga kompania arrijnë në 45.04%”.
4) Personalisht mendoj se “fasha” e konsumatorëve ku duhet të forcohet pa dyshim goditja e shtetit me të gjitha mjetet (duke përfshire edhe Policinë e Shtetit), është ajo pjesë e biznesit që prej fillimit të tranzicionit apo prej fillimit të veprimtarisë së vet nuk ka paguar fare ose ka paguar fare pak energji elektrike, që nuk justifikon kurrsesi aktivitetin që kryen. Natyrisht, për shkak të implikimeve në rritjen e papunësisë, edhe në këtë “fashë”, sipas mendimit tim, ndërhyrja shtetërore nuk mund të jetë me stilin “Lazarat”, por përmes negocimit dhe lënies afat sipërmarrjeve të tilla për pagesat e mëparshme të pakryera krahas me përfshirjen e menjëhershme, mundësisht brenda 5 ditësh (siç paralajmëroi z. Rama) të kësaj pjese në skemën e pagesës së energjisë.
5) Thuhet se nga heqja e fashës mbrojtëse prej 300 kwh e para të konsumuara nuk do të rritet në tërësi çmimi i energjisë së konsumuar, mbasi natyrshëm kjo do të çonte në një çmim të vetëm për të gjithë energjinë e konsumuar. Unë e kam vështirë ta besoj ketë, sepse kjo ka rrezikun që nëse mbahet çmimi i ulët (d.m.th. i pjesës së fashës mbrojtëse prej 300 kwh), kjo do të çonte në rrënimin e mëtejshëm financiar të kompanisë se shpërndarjes së energjisë elektrike dhe bie në kundërshtim me të gjitha analizat e autoriteteve shtetërore shqiptare, ashtu dhe me rekomandimet e FMN-së. Ndërsa vendosja e një çmimi më të lartë (për të cilin janë të gjitha gjasat të jetë vendosur kështu nga qeveria dhe ERE si ekzekutuese e politikave të saj), nuk mund të mos u kushtojë më shtrenjtë të gjithë përdoruesve të energjisë elektrike, duke filluar me shtresat shoqërore në nevojë/të varfrit. D.m.th. argumentimi se duhet hequr fasha mbrojtëse e konsumit prej 300 kwh se “abuzojnë faturuesit” nuk qëndron. Nga njëra anë kjo është çështje e menaxhimit të kompanisë dhe qeveria ka mandatin dhe të gjithë tagrin ligjor që të përmirësojë në mënyrë rrënjësore këtë menaxhim, ndërsa nga ana tjetër dikush duhet të mendojë seriozisht se përmes kësaj mase do të goditen jo vetëm të varfrit e këtij vendi (që as kanë paguar kurrë dhe as do të paguajnë edhe mbaj kësaj heqjeje), por goditet jo pak edhe shtresa e mesme e shoqërisë, e cila po mban në kurriz një peshë jo të vogël që nga rritja e taksave qysh prej fillimit të këtij viti. Funksionimi i ekonomisë sonë kombëtare për një kohë të gjatë nën kapacitetet e saj prodhuese dhe konsumi ende larg pritshmërisë janë dëshmia më e mirë se sa problematike është çfarëdo rritje e drejtpërdrejtë e taksave apo kostos së jetesës së familjeve shqiptare. Pra ekziston rreziku që nga rritja e çmimit të prodhohen rezultate të kundërta nga ato që thuhen e dëshirohen zyrtarisht: d.m.th. të mos ulen humbjet e vjedhjet si dhe të mos përmirësohet gjendja financiare e rrënuar e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.
6) Duke besuar në vullnetin e shprehur të qeverisë për të ndërmarrë ketë ndërhyrje në treg me synim stabilizimin e pagesës se energjisë elektrike, duke përfshirë edhe thirrjen e Kryeministrit Rama, mendoj se dikush në qeveri duhet të analizojë dhe vlerësojë edhe rrethanat në të cilat po ndërmerret ky hap. Përveç krizës ekonomike që është gjerësisht e pranishme apo faktit se sapo ka filluar edhe stina e dimrit (këto ditë filluan edhe reshjet e dëborës), nuk duhen injoruar edhe zhvillimet në tregjet e lëndëve bazë energjetike. Më saktë, duket sikur kemi të bëjmë me një kombinim të pafavorshëm rrethanash për ndërmarrjen e masave të tilla. Kështu kemi një kombinim të rritjes së pritshme (të paktën “de facto”) të çmimit të energjisë elektrike nga qeveria, që po shoqërohet me rritjen e çmimeve të tregtimit me pakicë të karburanteve (për shkak të rritjes së taksave, edhe pse çmimet në bursat ndërkombëtare, sipas shtypit tonë, janë rreth 30% më të larta se një vit më parë, ndërsa në tregun e brendshëm ishin ulur vetëm 1,6%). Kjo rrethanë dëshmon gjendjen oligopolistike në këtë treg (e njëjta situatë është edhe në tregjet e tjera); inkompetencën e dukshme, pafuqinë vepruese dhe politizimin e enteve rregullatore që garantojnë barazinë e operatorëve ekonomikë “lojën e lirë” dhe konkurrencën në tregje; mungesën e vizionit, të strategjive dhe të investimeve në prodhimin vendas që do të mundësonte diversifikimin e burimeve të energjisë dhe funksionimin më të mirë të utiliteteve publike që veprojnë në këtë fushë.
Vlen të theksohet se aktualisht rreth 2/3 e energjisë elektrike që lëshohet në rrjet (rreth 57.6%, 2013) konsumohet nga familjarët. Kjo do të thotë se, nga njëra anë, çfarëdo rritje sado e vogël e çmimit të energjisë elektrike çon në përkeqësimin e statusit ekonomik të shumicës së familjeve shqiptare (rreth 2/3 e tyre – 72% do të jenë edhe dy muaj të mbrojtura nga “fasha” ekzistuese), ashtu sikurse çfarëdo hapi përpara (siç dëshirojmë e shpresojmë të gjithë) në drejtim të rimëkëmbjes ekonomike të vendit përmes zhvillimit, p.sh. të sektorëve të industrisë së lehtë, agropërpunimit, industrisë minerare etj,. do të shoqërohet me rritje eksponenciale të nevojave për energji elektrike, gjë për të cilën ekonomia jonë kombëtare nuk është e përgatitur, ndërsa qeveria duket shumë e fokusuar në problematikën e përditshme qeverisëse, por ende nuk ka shpalosur ndonjë strategji apo vizion të saj në ketë drejtim.
Meqë jemi te mundësitë potenciale për zbutjen e gjendjes problematike në sektorin energjetik dhe në implikimet që krijohen për këtë shkak, siç u përpoqa t’i analizoj më lart, gjej rastin t’i bëj thirrje Kryeministrit Rama dhe maxhorancës së drejtuar prej tij për t’u fokusuar në problematikën serioze të funksionimit të enteve rregullatore, për çlirimin e tyre nga roli i “gardianëve të monopoleve”, për analiza serioze të burimeve dhe përdorimit të energjisë, për nxitjen e investimeve publike, private apo në partneritetin publik e privat në këtë sektor, për përmirësimin e menaxhimit dhe jo në rritjen çmimit të energjisë, për ndëshkimin ligjor dhe jo fushatës apo policesk të abuzuesve me energjinë elektrike. Po kështu, mendoj se është koha të ecet më shpejt në integrimin e sistemit energjetik fatmirësisht komplementar Shqipëri-Kosovë, por të flitet hapur edhe për nevojën urgjentë të riaktivizimit të minierave të qymyrgurit, duke filluar me ato me përmbajte kalorifike më të lartë si dhe me përdorimin e stimujve fiskalë për prodhimin dhe përdorimin e energjisë mbi atë bazë deri në pezullimin e zbatimit e konventave ndërkombëtare mbi bazën e të cilave Shqipëria kontrollon emetimin e CO2 etj.
E njëjta logjikë mendoj se duhet të sundojë edhe në utilitetet e tjera publike, si p.sh. në sektorin e ujit të pijshëm. Shifrat ilustruese që solla në fillim të këtij shënimi nga deklarimet e ministrit Haxhinasto janë një provë e nevojës së ngutshme për reforma të thella edhe në atë sektor. Shkurt, qeveria duhet të përfshijë entet rregulatore në betejën për ndëshkimin e paligjshmërive dhe formalizimin e sektorit informal të ekonomisë, përndryshe rrezikon të dështojë duke mbetur në lëmin e fushatizmit dhe populizmit ekonomik që na kanë dëmtuar jo pak gjatë çerekshekullit të fundit…

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan