Stimul monetar, fiskal dhe reforma strukturore–aplikohen dot njëkohësisht?

Nga Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 11 tetor 2014

adrian-civici-300x248Në teorinë ekonomike, “politika e tri goditjeve të menjëhershme apo tri shigjetave” konsiderohet si një risi, si një rrugë e re që “devijon” nga paradigmat standarde që përdorin zakonisht ekonomistët kur është fjala për masat dhe politikat ekonomike, qofshin këto emergjente në kohë krizash apo edhe politika normale zhvillimi. Kështu p.sh., rëndom në tekstet e ekonomisë nënvizohet se politikat monetare nuk shkojnë në të njëjtin sens me ato fiskale, se vendi i lënë bosh nga mungesa e stimulit fiskal plotësohet nga stimuli monetar, se politikat fiskale relaksuese dhe inflacioni i lartë luftohen me politika monetare shtrënguese etj. Por, edhe në teorinë ekonomike novacionet nuk mungojnë. Teori dhe praktika të reja eksperimentohen për të zgjidhur situata të vështira ekonomike e financiare. I tillë është debati mbi “guximin japonez” për të tentuar një rrugë apo formulë të re lufte kundër deflacionit dhe rritjes mediokre ekonomike tashmë mbi 15-vjeçare. Dhe kjo quhet “Abenomics”, teori dhe praktikë apo politikë ekonomiko-financiare që ka ngjallur debate e analiza të shumta në mjediset ekonomike e financiare në vende të ndryshme të botës. A mund të pranohet kjo si një formulë e re ekonomike për vendet që vuajnë nga deflacioni, inflacioni i ulët i instaluar për një kohë të gjatë, që kanë rritje ekonomike të ulët etj.? A mund t’u rekomandohet ajo vendeve në zhvillim a atyre të varfra?

Që prej krizës së vitit 1997, ekonomia dhe financat e Japonisë u gjendën në një situatë preokupuese: rritje ekonomike e ulët në nivelet 0-1%, deflacion dhe inflacion negativ, borxh i jashtëm në përmasa të jashtëzakonshme ose një rekord botëror duke arritur në 240% të PBB, ekonomi në stanjacion, eksporte të lëkundura dhe gjithnjë e më pak kompetitive të shoqëruara me një bilanc tregtar problematik,  vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të përballuar aktorët e rinj ekonomikë rajonalë si Kina dhe Koreja e Jugut etj. Mbas krizës financiare globale të vitit 2008, këto mund të ishin dhe janë shumë mirë dhe simptomat e shumicës së vendeve të zhvilluara apo në zhvillim të botës. Në dhjetor të vitit 2012, Kryeministri i sapozgjedhur japonez, Shinzo Abe, duke iu referuar politikave neoliberale të Presidentit amerikan të viteve 1980, Ronald Reagan dhe platformës së tij “reaganomics”, shpalli ambicien për një politikë të re “të ringjalljes ekonomike japoneze”, e cila u quajt “Abenomics” dhe u perceptua gjithashtu edhe si “politika e shansit të fundit”.

Por, megjithëse këto dy lloj politikash janë pothuajse të kundërta përsa i përket qëllimeve dhe mjeteve që përdorin, ato afrohen në një pikë: nevojën për të braktisur politikat e vjetra ekzistuese dhe vendosmërinë për të luftuar kundër një problemi të identifikuar qartë. Abenomics-i u perceptua si imazhi i “tri shigjetave”, secila prej të cilave me destinacion “goditjen” e një objektivi specifik: politikë monetare lehtësuese duke shtuar masën monetare në qarkullim, politikë fiskale aktive dhe rilançim i investimeve publike dhe reforma strukturore që synonin rritjen e eksporteve, privatizime të rëndësishme dhe derregullimin e tregut të punës. Qëllimi: “dalja nga situata deflacioniste dhe rikthimi i rritjes ekonomike”. Shqetësimet, instrumentet dhe objektivat e saj përputheshin me shqetësimet e gjithë vendeve të zhvilluara të botës, me preokupimet e mjaft institucioneve ndërkombëtare e financiare si FMN, BB, OECD, BE, BQE, FED etj. A ishte “politika e tri shigjetave” një recetë që duhej rekomanduar dhe përdorur masivisht, apo ishte një “specifikë japoneze” me rezultate të paqarta? Analizat dhe debatet për eficencën e saj po marrin formë dhe po përpiqen të dalin në disa konkluzione konkrete.

“Shigjeta e parë” konsistonte në zbatimin e një politike monetare ekspansioniste duke hedhur një masë shumë të madhe likuiditeti në ekonomi me synim krijimin e inflacionit, rritjen e konsumit, zhvlerësimin e monedhës kombëtare yen-it, stimulimin e eksporteve dhe rritjen e produktivitetit ekonomik. Në praktikë, kjo nënkuptonte që Banka Qendrore e Japonisë, përveç fiksimit të një objektivi prej 2% për inflacionin, duhej të blinte masivisht bono thesari të qeverisë japoneze duke financuar kështu direkt kompanitë dhe korporatat e vendit, por kundrejt rrezikut të qartë të humbjes së pavarësisë së saj kundrejt pushtetit politik. Dhe bëhej fjalë për të dyfishuar masën monetare në qarkullim. Synimi ishte i dyfishtë: të stimulonte eksportet dhe të shtonte koston e importeve. Duke rritur koston e importeve, kërkohej të “importohej inflacioni nga jashtë”, duke shpresuar që ky inflacion do ndikonte në rritjen e çmimeve dhe pagave në vend. Rritja ekonomike dhe inflacioni do të ulnin automatikisht peshën e borxhit.

“Shigjeta e dytë” korrespondonte me një politikë buxhetore mjaft aktive e stimuluese. Shteti dhe qeveria, me objektivin e mbështetjes së aktivitetit ekonomik, lançuan e financuan projekte të mëdha publike në një vlerë që i kalonte të 110 miliardë USD në sferën e infrastrukturës, transporteve, aeroporteve etj. Me këtë masë synohej të stimulohej prodhimi kombëtar, punësimi dhe konsumi. E kombinuar me një politikë monetare tejet ekspansioniste, kjo shigjetë duhej të godiste direkt inflacionin duke e rritur atë, të stimulonte aktivitetin e korporatave nacionale, si dhe të stabilizonte deficitet e tyre financiare.

“Shigjeta e tretë” kishte të bënte me reformat strukturore dhe synonte me përparësi zhvillimin e politikave derregulluese dhe mbështetjen e atyre investimeve që dinamizonin prodhimin. Në paketën e masave të paraqitur dallonin reformat strukturore që synonin hapjen akoma më të madhe ndaj tregtisë ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë, rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës, stimulimin e investimeve të huaja duke iu krijuar atyre kushte sa më atraktive e lehtësuese, rritjen e aftësisë konkurruese të disa prej sektorëve çelës të ekonomisë japoneze si robotika, bioteknologjitë, bujqësia dhe industria agroushqimore, energjia etj. Masat e “shigjetës së tretë” duhej të ishin thelbësore në mbështetje të atyre të dy shigjetave të para.

Analiza për rezultatet dhe vlerat e “Abenomics-it” mund të bëhet në tri plane të ndryshme. Në radhë të parë, në rezultatet që kjo reformë prodhoi në këta 15-16 muaj të aplikimit të saj në Japoni; në radhë të dytë, në diskutimet dhe konkluzionet me karakter teorik e metodologjik që ajo prodhoi, dhe së treti, në mundësinë dhe hapësirat që një reformë apo koncept i tillë të mund të zbatohet edhe nga vende të tjera që kanë pak a shumë të njëjtat shqetësime e objektiva. Si vlerësohet në Japoni rezultati i kësaj reforme? Politika voluntariste e Shinzo Abe prodhoi një zhvlerësim të fortë të monedhës kombëtare yen-it (26% në raport me euron dhe 20% në raport me dollarin amerikan). Me një yen të dobët, kompanitë dhe korporatat japoneze eksportuese patën përfitime, pasi volumi i eksporteve u rrit me 9.3% gjatë vitit 2013, por ndërkohë yen-i i dobët pati një efekt negativ tek importet, të cilat gjatë po kësaj periudhe u shtuan me 15%, duke e rënduar shumë sidomos faturën energjetike të vendit. Tarifat e energjisë u rritën shumë duke prodhuar zinxhir një rritje çmimesh të produkteve të konsumit të gjerë si ushqime, veshje etj.

Sipas një sondazhi të realizuar nga agjencia Kyodo, pavarësisht nga disa rezultate pozitive dhe shpresëdhënëse, 73% e japonezëve vlerësojnë se reforma “Abenomics” nuk ka ndikuar pozitivisht në situatën e tyre personale. Fuqia e tyre blerëse nuk ka ndryshuar. Duke patur parasysh se konsumi i brendshëm paraqet 50% të PBB-së së Japonisë, kuptohet qartë se kur fuqia blerëse bie, e gjithë ekonomia vuan dhe nuk siguron rritjen e saj të dëshiruar. Ndërkohë, rritja ekonomike dhe inflacioni që duhej të stimuloheshin maksimalisht nga paketa ‘Abenomics’, në fakt gjatë vitit 2013 u rritën vetëm në masën 1.3-1.4%. Dyshimet për eficencën e Abenomics-it qëndrojnë tek rezultatet e shpresuara nga ‘shigjeta e parë’, sepse procesi i zhvleftësimit të monedhës duhet të plotësojë disa kushte të rëndësishme: së pari, Banka Qendrore duhet të ketë kontroll të plotë mbi këtë operacion, dhe jo të jetë nën presionin e vendimeve politike apo e kushtëzuar nga sjellja e tregjeve financiare; së dyti, duhet që kërkesa e jashtme botërore të jetë shumë e fortë për të absorbuar shpejt dhe në masë të madhe eksportet “më të lira” japoneze.

Por, konteksti i krizës globale dhe tentativat proteksioniste që evidentohen në mjaft vende të botës e vështirësojnë kontekstin e favorshëm të dëshiruar nga Abenomics-i; së treti, Banka Qendrore që aplikon politikën monetare relaksuese, duhet të jetë sovrane dhe e vetme në zhvlerësimin e monedhës së saj, për të eliminuar konkurrencën apo goditjet nga monedha të tjera. Në rastin e Japonisë, edhe pse ajo u bë vendi që zhvleftësoi më shumë monedhën e saj, edhe vendet e tjera bënë të njëjtën gjë, duke hyrë në një “luftë monedhash” të egër, të filluar nga SHBA dhe vende të tjera aziatike. Nga një këndvështrim më teorik, të tria shigjetat e Abenomics-it duket se i përgjigjen një situate ekonomike e financiare specifike në të cilën gjendet vendi, por duke ruajtur interpretimin e fenomeneve ekonomike sipas frymës së analizës neoklasike, duket se shanset për sukses nuk janë të barabarta me shpresat dhe objektivat fillestare të kësaj pakete reformash. Bankat Qendrore të shumë prej vendeve të mëdha e të zhvilluara si SHBA, Gjermani, Kinë, Angli, Kanada, Australi, Kore e Jugut, Brazil, Indi, Rusi etj., janë të shqetësuara dhe ndjekin me kujdes efektet penalizuese që kjo politikë japoneze po shkakton, në mënyrë që të evitojnë një rivlerësim të dukshëm të monedhave të tyre në raport me yen-in japonez, në kontekstin e një ashpërsimi të luftës së monedhave, pasojat e së cilës do të ishin mjaft të rënda për ekonominë dhe financat botërore.

A mund të kopjohet apo të konsiderohet e vlefshme për vendet e tjera paketa e masave “Abenomics”?  Nisur nga elemente të veçanta të saj, sidomos gjendja ekonomiko-financiare që e detyroi Japoninë të merrte këto masa, si rritja e ulët ekonomike, borxh sovran i lartë, tensione deflacioniste, papunësi e lartë etj., mund të thuhet se ajo ngjan jo pak me shumë vende europiane të tilla si Spanja, Italia, Franca, Britania e Madhe, Portugalia, Greqia, Irlanda, Qipro etj., por dhe me vende të tjera të botës gjithashtu. Liderët europianë në shumë raste e kanë përmendur “eksperiencën japoneze”, që nëpërmjet “relaksimit buxhetor e monetar” synon një sukses aq të dëshiruar dhe në Europë, dhe për më tepër në një mënyrë të kundërt me “ortodoksinë monetare e buxhetore të mbrojtur me fanatizëm nga Gjermania”. Abenomcs-i është përshëndetur “modestisht” nga tregjet financiare, ndërkohë që FMN është skeptike për rezultatet e tij, pasi Abenomics-i rrezikon të provokojë një rritje brutale të përqindjeve të interesit, duke e bërë problematike financimin e borxheve publike dhe rrezikuar falimentime bankare të rrezikshme.

Leksioni që mund të nxirret nga masat me karakter ekstrem të Abenomics-it, është shqetësimi që duhet të kenë vendet e zhvilluara për efektet e krizave dhe pasojat e keqmenaxhimit të tyre. Mbas efekteve shkatërruese të flluskës spekulative financiare të viteve 1980, kohë kur kapitalizimi i bursës së Tokios ishte dukshëm shumë më i madh se Wall Street-i, apo kur Mitsubishi blinte “pa iu dridhur qerpiku” qendrën Rockfeller, Japonisë iu deshën 24 vjet që të bëhej gati për një paketë reformash radikale, efekti i të cilave nuk është megjithatë i sigurt. Ekspertët e ekonomisë dhe financave evidentojnë efektet pozitive që po jep politika e Shinzo Abe-s, por vlerësojnë se do duhet akoma kohë për të bërë analiza të qëndrueshme dhe nxjerrë konkluzione të besueshme për eficencën e “Abenomics-it”, sidomos kur bëhet fjalë për ta servirur atë si një recetë shpëtimtare për vende të tjera që kalojnë situata të vështira ekonomiko-financiare.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi