Tërmete politike priten në BE

Sipas Wall Street Journal, 1 tetor 2014

downloadDiçka e jashtëzakonshme po ndodh në politikën europiane. Rebelimi populist që pa partitë ekstreme të siguronin pothuajse 25% të vendeve në Parlamentin Europian në zgjedhjet e majit, duket se po përshpejtohet, dhe nuk po shkon drejt shuarjes, siç kishte parashikuar shumëkush.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ku klasa politike ende nuk e ka marrë veten prej referendumit skocez – ku 45% e skocezëve votuan pro pavarësisë – Partia Konservatore në pushtet sapo është goditur nga dezertimi i një parlamentari të dytë, tek partia e shpallur kundër BE-së, UKIP. Në Suedi, Demokratët e Suedisë, një parti e të djathtës ekstreme mori 13% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji dhe tani është ajo që vendos për ekuilibrin e pushtetit në parlament. Në Gjermani, partia anti-Euro, Alternativa për Gjermaninë është tashmë një forcë elektorale, duke fituar 12.2% dhe 10.6% të votave në zgjedhjet e zhvilluara në Brandenburg dhe Thuringia.
Një sondazh i kohëve të fundit nxirrte se Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit National, një forcë e të djathtës ekstreme në Francë, do ta mundte presidentin Hollande në një garë kokë më kokë. Në Greqi, partia radikale e majtë, Syriza aktualisht udhëheq në sondazhe dhe po kërkon me forcë zgjedhje të parakohshme. Në Spanjë, një sondazh i kohëve të fundit tregonte se 20% e votuesve mbështesin Podemosin, një parti e majtë e krijuar në fillim të këtij viti.
Në të gjithë Europën, partitë kryesore të majta e të djathta po shohin bazën e tyre të fragmentohet, duke i detyruar ato të konkurrojnë për një hapësirë në qendër e cila edhe ajo sa po vjen e më shumë po zvogëlohet. Ajo që bën shumëkënd konfuz, është natyra e rebelimit që ndryshon nga një vend në tjetrin, dhe të cilës i mungon baza ideologjike koherente që ka qenë e identifikueshme në episodet e mëparshëm revolucionarë të Europës, apo tek lëvizja Tea Party në SHBA.
Në disa vende, sidomos në Europën Veriore, kërcënimi ka ardhur prej partive të të djathtës ekstreme. Në të tjerë, si Greqia dhe Spanja, sfida më e madhe vjen prej të majtës radikale. Disa grupe populiste, si Fronti National në Francë dhe Lëvizja Pesë Yjet në Itali janë më të vështira të klasifikohen, pasi kombinojnë elementë të politikës tradicionale të majtë e të djathtë.
Por ka një gjë të përbashkët në këtë fenomen paneuropian: të gjitha këto lëvizje kanë të përbashkët një mohim të elitave të Europës, gjë që është nxitur edhe prej krizës financiare.
Një pjesë e problemit është se partitë kryesore dhe politikëbërësit e Europës kanë patur prirjen të kërkojnë zgjidhje teknike për dështimet sistemikë që kriza i nxori zbuluar, sipas Jonathan White i London School of Economics, në një ese për “Journal of Political Ideologies”.
Politikëbërësit e qendrës së djathtë e vënë theksin në nevojën për të adresuar problemet strukturorë që ata i shohin si fajtorë për sëmundjen ekonomike të Europës: taksat e tepruara dhe shpenzimet publike, burokracitë joeficiente, si dhe tregjet e ngurta të punës dhe produkteve.
Politikëbërësit e qendrës së majtë, që përfshijnë pjesën më të madhe të establishmentit ekonomik keinesian vënë theksin në nevojën për t’u marrë me ata që i shohin si shkaqet që burojnë prej “anës së kërkesës”: pagat e pamjaftueshme, pasiguria në punë, investime të dobëta publike, rritje e pabarazisë dhe derregullim i tepruar.
Por këtyre reagimeve teknokratikë të elitave u mungon dimensioni moral dhe ndjenja e drejtësisë, mbi të cilat mbështeten rebelimet e votuesve.
Disa parti populiste ndihen rehat me kapitalizmin e tregut të lirë, por ia vënë fajin për krizën dështimeve etikë të individëve dhe grupeve, qofshin këta bankierë, njerëz që përftojnë padrejtësisht prej shtetit social apo imigrantë të paligjshëm.
Të tjera parti populiste mendojnë se vetë sistemi ekonomik është moralisht i korruptuar dhe kërkojnë një rishpërndarje më radikale të pasurisë dhe pushtetit.
Partitë kryesore të Europës janë lodhur shumë për t’iu përgjigjur revoltës popullore, sepse votuesit i shohin ata – dhe institucione të tjerë të elitës – si pjesë e problemit, produkte të sistemeve politikë dhe ekonomikë të prishur, të zhytur në nepotizëm dhe korrupsion.
Të gjendur përballë këtyre kërkesave për reformim apo revolucion, disa politikanë janë përpjekur që të përshtatin politikat e tyre për të zbutur populistët.
Për shembull, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron e ka ashpërsuar retorikën e tij për imigrimin, BE dhe shtetin social – deri tani me shumë pak shenja të dukshme përfitimesh politikë.
Të tjerë, përfshirë Angela Merkelin e Gjermanisë si dhe partitë kryesore të Suedisë, kanë refuzuar t’u bëjnë lëshime ekstremistëve. Shumë vende qeverisen tani prej koalicioneve të mëdhenj, të parehatshëm, të partive të majta e të djathta që dikur kanë qenë kundërshtare, duke përfshirë edhe Greqinë dhe Finlandën. Në Parlamentin Europian, partitë kryesore planifikuan së bashku që të bllokonin partitë populiste, që këto të mos merrnin pozicionet e komisioneve kryesorë, të cilët u takonin.
Sigurisht, Europa është përballur edhe më parë me lëvizje kundër establishmentit. Ndoshta edhe kjo do të shuhet, teksa ekonomia do të rimëkëmbet – ndonëse ky moment mund të jetë i largët, po të shohim që këtë vit rritja ekonomike ka ngecur, ndërkohë që edhe parashikimet më optimistë thonë se papunësia do të bjerë dhe pagat do të rriten, por shumë ngadalë. Por risqet ekonomikë që burojnë prej revoltës populiste po rriten.
Së pari, Europa mund të përballet me një periudhë të zgjatur me qeveri kombëtare të dobëta dhe të paqëndrueshme, thotë Mats Persson, drejtor i think tank-ut Open Europe. Kjo do ua bëjë më të vështirë realizimin e reformave të rëndësishme që mund të rrisin performancën ekonomike.
Së dyti, revolta populiste rrezikon ta reduktojë hapësirën politike për reformat paneuropiane. Agjencia e klasifikimit Standart & Poor’s, javën që kaloi paralajmëroi se suksese të mëtejshëm elektoralë për “Alternativa për Gjermaninë” mund të kenë pasoja në renditjen e kredidhënies për eurozonën, pasi mund ta bëjnë më të vështirë për Gjermaninë që t’u ofrojë mbështetje vendeve më të dobët të eurozonës.
Po kështu, suksesi i partive anti-imigrantëve në Europën Veriore po nxit kërkesat për frenim të së drejtës së lëvizjes së lirë në BE. Rritja e populizmit mund të sjellë rritje të fragmentimit në Europë, pikërisht atëherë kur logjika ekonomike dikton nevojën për më shumë integrim. Më keq akoma, mënjanimi i partive populiste nga strukturat demokratike rrezikon të forcojë ndjenjën se po u bëhet padrejtësi.
Ndërkohë, rreziku i një tërmeti politik po rritet. Europës iu kursyen pasojat e një votimi skocez pro pavarësisë. Por Katalonja po ecën përpara me planet për një referendum për pavarësinë në nëntor, duke sfiduar edhe qeverinë spanjolle. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Portugali, Irlandë dhe Spanjë, e ndoshta edhe në Greqi, zgjedhjet po vijnë rrotull.
Më tej, një vendim nga Mbretëria e Bashkuar për t’u larguar nga BE, në një referendum të planifikuar në vitin 2017 mund të kishte pasoja të mëdha për të gjithë Europën.
Në të vërtetë, situata në Europë të kujton gjithnjë e më shumë shprehjen e famshme të filozofit italian, Antonio Gramshi në vitet 1930: “Masat e mëdha janë shkëputur prej ideologjive të tyre tradicionale… Kriza konsiston pikërisht në faktin që e vjetra po vdes dhe e reja ende nuk mund të lindë. Dhe në këtë periudhë të ndërmjetme shfaqet një shumëllojshmëri simptomash të frikshme”.
Nëse periudha e ndërmjetme aktuale e Europës do të përfundojë në reformim apo revolucion, kjo nuk është e qartë. Por nëse elitat e Europës nuk do të munden të ofrojnë rritje ekonomike dhe vende pune, përpara do të kemi një kohë trazirash të mëdha.

*Përshtatur në shqip nga www. bota.al

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan