Drejtuesit e shërbimit civil, vlerë administrative

Nga Elsa Toska, botuar në Balkanweb, 1 tetor 2014

Gjatë jetës time profesionale kam takuar dy kategori drejtuesish, efektivë ose joefektivë në gjykimin tim. Disa prej tyre shumë korrektë me ligjin dhe me moralin, disa prej tyre konformistë deri në dhimbje. Disa ekstroversë dhe disa introversë. Disa kurajozë e disa të trembur e të strukur. Disa të shëndoshë dhe gazmorë, disa të dobët e nevrikë. Disa me sharm e ngrohtësi njerëzore e disa aq të ftohtë e të akullt si një peshk i pabërë i harruar prej javësh në frigorifer. 
Çdokush që do merrte përsipër të përcaktonte dhe përkufizonte cilësitë e një drejtuesi, do të kuptonte që do të ishte para një misioni kompleks dhe problematik. Megjithatë, për të paktën një gjë mund të bihet lehtësisht dakord. Drejtuesi dhe drejtimi si proces (leadership-i) në një masë të gjerë është i diktuar nga nevojat e situatës konkrete. Pra, është më frytdhënëse ta konsiderosh leadership-in si një marrëdhënie mes drejtuesit dhe situatës që duhet drejtuar e menaxhuar, se sa si një marrëdhënie në abstrakt që duhet të ketë karakteristika universale në të gjitha kohërat dhe për të gjithë kategorinë e drejtuesve. 
Shumica e drejtuesve efektivë, pavarësisht karakteristikave personale, kanë një tipar të përbashkët: i qasen pozicionit të drejtuesit si mundësi për të mësuar vazhdimisht; si aftësi për të pranuar secilën situatë sipas veçorive konkrete; dhe si shans për të qenë inovatorë dhe të hapur ndaj ideve të reja. Situata të ndryshme kërkojnë stile të ndryshme leadership-i dhe stile të ndryshme leadership-i mund të gjenden te një person i vetëm ose tek një grup personash që plotësojnë njëri– tjetrin duke drejtuar si grup. Një drejtues i një biznesi të suksesshëm nuk do të ishte po kaq i suksesshëm si drejtues në administratë publike dhe e kundërta. Dhe ndërkohë një institucioni publik për faza të ndryshme nëpër të cilat kalon i duhen drejtues me stile apo karakteristika të ndryshme drejtimi. 
Jam e mendimit se ka disa cilësi, që gjithsesi duhet ta karakterizojnë një drejtues që të jetë efektiv dhe i suksesshëm, ndërsa disa cilësi të tjera mund të jenë të debatueshme dhe jo detyrimisht duhet t’i gëzojnë të gjithë drejtuesit. Personalisht, mendoj se nga e gjithë gama e cilësive të një drejtuesi, që vështirë t’i listosh, ndoshta më e rëndësishmja aktualisht për drejtuesit e administratës sonë publike mund të jetë vënia e interesit publik/institucional mbi interesin personal. Kjo, sepse brenda këtij konteksti ku jetojmë dhe në fazën në të cilën po kalojmë si shoqëri, njerëzit kanë nevojë të besojnë në drejtues që nuk kanë axhenda të fshehura personale pas veprimeve dhe aksioneve institucionale. Aftësia për të identifikuar interesin publik/nevojat e qytetarëve dhe gatishmëria për të vënë nevojat e tyre para synimeve personale, duhet të jetë kriter i kërkuar ose i kultivuar te drejtuesit e sotëm të administratës publike. Nga ana tjetër, edhe optimizmi e besimi se periudha për të cilën ai drejton do të jetë e suksesshme dhe do të sjellë rezultate pozitive, për aq sa ndodhet në krye të drejtimit të sektorit, drejtorisë, apo institucionit përkatës, është një tjetër cilësi po aq e pazëvendësueshme dhe e nevojshme. Nuk ka drejtim efektiv pa rezultate pozitive konkrete dhe të matshme brenda kohës dhe fazës në të cilën një funksionar publik drejton. 
Mirëpo, cilët janë këta drejtues dhe cilët do të jenë ata që do të zgjidhen në të ardhmen në poste drejtuese/menaxheriale në administratë publike. Drejtuesit mund të jenë të nivelit ushtarak, politik, civil, partiak, etj., në varësi të ambientit ku ata funksionojnë si të tillë. Për drejtuesit e nivelit civil, të cilët kam pasur parasysh gjatë këtij punimi, duhet t’i referohemi ligjit për statusin e nëpunësit civil. Kam përshtypjen që edhe pse në nivel teorik, ligji e ka parashikuar nevojën për bagazh intelektual dhe profesional të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) si dhe formulën e përthithjes së tyre, akoma nuk ka ndërgjegjësim për rëndësinë e rolit të tyre në administratë, (jo pa qëllim është artikulli i dytë që bëj në këtë drejtim) rëndësi që mund t’ia kalojë dhe titullarit të institucionit si leadership politik, përtej imazhit që ky i fundit mund të përcjellë mediatikisht. Pse e them këtë? Sepse nga pikëpamja administrative, institucionet kanë një impakt dhe influencë të pashoqe nga kjo kategori administratorësh publikë dhe ata që punojnë dhe kanë eksperiencë prej vitesh në administratë publike besoj më japin të drejtë në këtë drejtim. Mbi dhe për këtë kategori nëpunësish të shërbimit civil, edhe pse e ka pasur vëmendjen e ligjit në nivel teorik, duhet të hidhet vëmendje akademike, institucionale dhe politike për të ndërtuar një axhendë të qartë dhe largpamëse selektimi, edukimi, trajnimi dhe formimi të vazhdueshëm, me qëllim final progresin e administratës publike. Duhet filluar nga kjo kategori drejtuesish, ashtu siç na detyron dhe vetë ligji për statusin e nëpunësit civil, që në terma afatgjatë të arrijmë të kemi një administratë publike profesionale, me integritet, apolitike dhe mbi të gjitha të qëndrueshme, tipar i munguar deri më sot. Parë në këtë këndvështrim, identifikimi dhe formimi i drejtuesve të shërbimit civil dhe drejtimi si proces i kanalizuar përmes tyre duhet të konsiderohen vlerë administrative, pasi janë këta që do përmirësojnë funksionalitetin e administratës dhe për rrjedhojë, cilësinë e shërbimeve publike në drejtim të qytetarit. 
* Këshilltare e kryetarit në Gjykatën Kushtetuese si dhe pedagoge e jashtme për lëndët e së Drejtës Administrative në disa universitete publike dhe private. Opinionet e dhëna në këtë artikull shprehin vetëm mendimin personal të autores. 

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan