“Transformimi i Madh – nga Plani tek Tregu” i Prof.dr. Adrian Civicit 

Transformimi i Madh- nga Plani tek Tregu” i Prof.dr. Adrian Civicit  bashkon dy ish-kryeministrat e tranzicionit, Ylli Bufi e Aleksandër Meksi

Transformimi i madhVitet ’90-91 ishin vitet që përcaktuan një herë e mirë fatin e Shqipërisë, nga një sistem diktatorial komunist, ai do të futej -dhe pse pak me vonesë – në rrugën e vendeve të tjera për të përqafuar pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Por, ndërsa kalimi nga sistemi njëpartiak në një sistem pluralist ishte i shpejtë, ekonomia do të donte një rrugë më të gjatë, në të cilën jemi akoma, sipas Prof.dr. Adrian Civicit. Tranzicioni i vendeve ish-komuniste mund të quhet i përfunduar me hyrjen e tyre në BE, argumenton Civici, i cili promovoi dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës librin “Transformimi i Madh-nga Plani tek Tregu”, botim i UET-Press. Ky botimi i UET hap debatin mbi përfundimin e tranzicionit në një moment kur vendi ka marrë statusin e vendit kandidat në BE dhe kjo fjalë pak përdoret në rrethet politike dhe ekonomike.

Profesor Civici mbron tezën se tranzicioni mund të quhet i përfunduar me hyrjen në Bashkimin Europian, duke e parë rrugën e integrimit në BE të lidhur ngushtë me transformimin e ekonomisë, ndërsa thekson se në rrugën e kalimit nga ekonomia socialiste në atë të tregut Shqipëria është një rast i veçantë. Për kalimin e tranzicionit nga sistemi komunist në atë demokratik, nga ekonomia socialiste në atë të tregut të lirë, janë të paktën dy rrugë që janë ndjekur nga vendet ish-komuniste, 1. Terapia e shoc-ut dhe 2. rruga gradualiste. Shqipëria përbën një rast të veçantë, pasi sipas Prof.dr. Adrian Civicit, ajo ndoqi rrugën që njihet si “stop and go” (ec e ndalo). “Në krahasim me dy rrugët kryesore; terapi shoc-u apo gradualizëm, Shqipëria evidentohet si një rast i veçantë i një rruge të tretë, “stop and go”, pra “ec e ndalo” me një trajektore që kalon nga një krizë në tjetrën në raportin e kalimit të tranzicionit. Kjo përbën një specifike që justifikon ato që kanë ndodhur dhe ato që kemi arritur deri tani”, – tha Civici ndër të tjera.

Ndërkaq, për fundin e tranzicionit pas 24 vitesh që ne jemi në këtë rrugë, profesor Civici mendon se fundi i tij është i lidhur ngushtësisht me anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Edhe pse ekonomistët nuk bien 100 për qind dakord mbi treguesit dhe kriteret që përcaktojnë fundin e një tranzicioni, ka pothuajse unanimitet të plotë në konkluzionin se anëtarësimi në BE është treguesi më i mirë për aplikimin e një ekonomie tregu reale dhe eficente të këtyre vendeve”, shkruan ai ndër të tjera në librin që pritet të hapë debat dhe të zgjojë shumë njerëz nga harresa mbi atë çfarë ka ndodhur, dhe çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare në harkun kohor prej një shekulli, që nga ekonomia socialiste tek ekonomia e tregut.

Për të kuptuar ku ndodhej Shqipëria dhe gjithë vendet ish-komuniste në vitet ‘90-‘91, studiuesi Civici perifrazoi një deklaratë të Michel Candesy, ish-shefi i FMN-së në atë kohë, i cili në një takim me kryeministrat dhe ministrat e këtyre vendeve tha: “Është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet me dy-tri kërcime sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjisorë të një vepre që quhet tranzicion”. Në këtë këndvështrim, sipas Civicit të gjithë kemi qenë në njëfarë mënyre dikush aktor, dikush regjisor, i kësaj vepre që quhet tranzicion, por siç thekson Civici: “më shumë se tranzicion, koha provoi se është transformim dhe një transformim i madh”.

Pa pasur asnjë “manual tranzicioni”, secili nga vendet e kaluan në mënyrë të tyre, në rrugën e tyre, dhe përafruar me kulturën dhe traditën e tyre këtë periudhë tranzicioni.

Libri i Adrian Civicit ndahet në tri pjesë. “ Në pjesën e parë jam përpjekur t’i përgjigjem pyetjes se ç’ishte ky sistem socialist dhe pse dështoi, pasi studentët e mi dhe brezat që vijnë, kur u flet për socializmin si sistem nuk e dinë për çfarë bëhet fjalë, ndërsa në pjesën e dytë për tranzicionin e parë nga 4 grupe vendesh, një grup vendesh të Evropës juglindore, të Evropës Qendrore, të vendeve nën ombrellën e ish -Bashkimit Sovjetik dhe grup-vendesh të Evropës Veriore, duke filluar nga Polonia e vendet baltike”, sqaroi autori.

Sipas tij, secili prej grupit të vendeve ka një trajektore shumë të veçantë në raport me grupin tjetër.  “Pikërisht pjesa e dytë e librit tenton që të shpjegojë se çfarë ishin këto trajektore që, megjithëse të gjithë donin të njëjtën gjë, ecën në rrugë të ndryshme për të arritur ndoshta dhe në pika të ndryshme”.

Ndërsa ajo që profesor Civici e quan edhe më të rëndësishme është pjesa e tretë, çfarë na rezervon periudha post-tranzicion. “Ne akoma na mbahet gjuha kur themi se po ndërtojmë kapitalizmin, e kemi më komode të themi ekonomi tregu, por ekonomia e tregut është një model i kapitalizmit dhe gjithë këto vende po ndërtojnë një model kapitalizmi, edhe këtu secili në një mënyrë të veçantë që lidhet me kulturat, traditat, me format që ish-vendet socialiste i ndërtuan marrëdhëniet me FMN, me BB, me BE apo gjithë aktorët ndërkombëtarë”.

Dhe së fundmi, profesor Civici rreket t’i japë përgjigje tendencës së disa vendeve që janë në tranzicion apo në post-tranzicion (disa madje dhe anëtare të BE-së) drejt Etatizmit, apo drejt një pushteti të centralizuar. “Shpjegimi që jepet se këto vende akoma nuk kanë traditën e krijimit të institucioneve të qëndrueshme dhe zgjidhjen e gjërave në mënyrë institucionale dhe sa herë dështojnë në një zgjidhje institucionale të qëndrueshme, i kthehen dëshirës që gjithçka ta zgjidhë shteti me forcën e pushtetit të tij për të kaluar situata të vështira. Sfida më e madhe e këtij kapitalizmi që duam të ndërtojmë janë qartësia dhe eficenca  e këtyre institucioneve për t’iu afruar logjikës së vendeve me një traditë dy apo treshekullore tipike kapitaliste”, – thekson ai.

Dy ish-kryeministra të periudhës së parë e ndoshta më të vështirë të këtij tranzicioni ishin të pranishëm dhe e vlerësuan këtë libër, jo vetëm të domosdoshëm nga vlerat studimore, por dhe si një skaner të duhur për ekonominë shqiptare. Ylli Bufi, i cili drejtoi ndoshta 6-mujorin më të vështirë, më të errët të tranzicionit shqiptar, qershor-dhjetor 1991, pranoi se ishte dakord me termin “transformim” në vend të termit “tranzicion” të përdorur nga profesor Civici në libër për të përshkruar kalimin nga një sistem në tjetrin. Ndërsa ish-kryeministri Aleksandër Meksi në vitet 1992-1997, e cilësoi një përmbysje të madhe atë që ndodhi në ’90-ën, një përmbysje që kërkonte kohë për të kaluar nga një sistem në tjetrin, nga një ekonomi socialiste e planifikuar dhe e qendërzuar, në ekonominë e tregut të lirë.

Ish-kryeministri Ylli Bufi: “Fundi i tranzicionit, jo çështje në axhendën e politikës”

Ish-kryeministri i Qeverisë 6-mujore të Stabilitetit, pas rënies së komunizmit, Ylli Bufi ishte i pranishëm në promovimin e librit të Prof.dr. Adrian Civicit, ku preku shkurt periudhën që ai e jetoi si një drejtues shteti. “ Sapo dëgjova titullin nëpërmjet medias më pëlqeu shumë dhe s’mund të mos më shkonte mendja 20 e ca vjet më parë, atëherë kur të thoshe ekonomi tregu apo plan nuk ishte kaq e thjeshtë, ishte fjala për të kaluar nga njëra anë e bregut në tjetrën, dhe atëherë përdornim shpesh atë shprehjen se ishim të gjithë në të njëjtën barkë dhe nuk dinim nëse do të kalonim dot nga një breg në bregun tjetër. Por, natyrisht ky kalim u bë, dhe më vjen mirë që për këtë kalim profesor Civici ka zgjedhur fjalën transformim, kam përshtypjen se fjala tranzicion nuk e mbante dot këtë kapërcim të madh, këtë përmbysje të madhe të sistemit politik, natyrisht të sistemit ekonomik dhe strukturave të tjera që lidhen me këtë ndryshim të madh”, – tha Bufi në fjalën e tij.

Sipas tij, “sot fjalët plan apo treg duken të ftohta dhe me qetësinë e pas 20 viteve ne themi kur do të deklarojmë fundin e këtij tranzicioni. E rëndësishme është që nuk është çështje në rendin e ditës së politikës për të thënë nëse është ky fundi apo jo i tranzicionit”, – shtoi ai.

Ndërsa nuk mund të anashkalonte pa e lidhur këtë libër me eksperiencën e tij si drejtues i një qeverie në kohë të vështira. “Të diskutosh për modelet dhe për ndryshimin e modelit dhe të diskutosh apo të veprosh për të diskutuar sistemin është tjetër gjë, shumë më e madhe dhe më e rëndësishme dhe sigurisht kjo mban vulën e kohës kur ndodhi”, – tha Bufi. Sipas tij, “sot është shumë më komode, më e bukur, më akademike të diskutosh, dhe tjetër gjë është të mbash rremat për të bërë këtë kapërcim të madh”.

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi: “Nga mjerimi ekonomik, te dhimbja e tranzicionit”

Ish-kryeministri tjetër i tranzicionit, Aleksandër Meksi është dhe autor i parathënies së librit të Adrian Civicit, ku e cilëson këtë libër një analizë të mirëfilltë të ekonomisë së vendit, shkaqeve dhe pasojave të asaj çfarë ndodhi, që nga vendosja e ekonomisë socialiste e deri tek tranzicioni i vështirë.  Ndër të tjera zoti Meksi thotë se “në Shqipëri, deri më sot ka një retorikë për tranzicionin, por mungojnë studimet dhe botimet e mirëfillta në plan përgjithësues botëror ashtu siç dhe lipsej për vendin tonë. Në këtë aspekt, nisma e profesor Civicit është një hap shumë interesant dhe me vlerë aktuale; na jep një libër mjaft të dobishëm për të kuptuar nën një optikë krahasuese edhe “specifikat e rastit shqiptar”.

Sipas Meksit, “autori paraqet në këtë studim analizën e sistemit socialist dhe krizën e tij, si dhe ballafaqimin me rrugën për ndërtimin e një modeli të ri socio-politiko ekonomik sipas shembujve të vendeve të demokracive perëndimore me kapitalizëm dhe me ekonomi tregu të zhvilluar. Jo të gjithë e kanë jetuar që nga fillimi periudhën e tranzicionit, ashtu siç janë të shumtë edhe ata që nuk e kanë jetuar komunizmin dhe diktaturën, mjerimin ekonomik, shoqëror e njerëzor që e shoqëronte e që për këtë arsye nuk arrijnë të pranojnë e të kuptojnë pashmangësinë e zgjidhjeve radikale, vështirësitë, mosarritjet dhe gabimet e tranzicionit në vendin tonë. Parashtrimi i rrjedhshëm e i qartë si dhe niveli i trajtesës tregojnë më së miri dhe bindshëm se kjo përmbysje ngjalli shpresa e debate, por dhe zhgënjim e pakënaqësi me tensione sociale, në varësi të pritshmërisë dhe njohjes së rrugës që do shkelej dhe kurajës që nevojitej për ta përmbyllur me sukses atë. Kalimi nga një gjendje në një tjetër kërkon një periudhë kalimtare në të cilën shpesh mbeten elemente, shfaqje të gjendjes së mëparshme krahas të resë që krijohet. Për këtë, shkëputja nga e kaluara diktatoriale e gjakësore kërkonte një thyerje e largim të menjëhershëm dhe me kurajë, sepse çdo zvarritje ose qëndrim nostalgjik ndaj saj do të zgjaste tranzicionin dhe dhimbjen e sakrificat që e shoqërojnë, krahas mbetjes prapa nga vendet e tjera për shkak të ritmeve të ulëta të zhvillimit”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi