Për një dokument të Sigurisë Kombëtare, në shërbim të interesave të shtetit shqiptar

Nga Agim Nesho, botuar në Mapo Online, 23 gusht 2014

Para disa ditësh u miratua dokumenti i Strategjisë Kombëtare të vendit tonë. Ky dokument vinte pas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të vitit 2004. E veçanta e tij është se mbështetet në formë në dokumentet e sigurisë kombëtare të vendeve perëndimore, pasqyron një gamë të gjerë problemesh që lidhen me sigurinë e vendit dhe qytetarit, fokusohet në elementet e domosdoshmërisë strategjike, faktorët e riskut, fushat e zhvillimeve politike-sociale dhe ekonomike të vendit, të cilat kanë një impakt direkt në sigurinë e tij. E përgatitur nga eksperienca më e mirë e vendeve të zhvilluara, si dhe duke reflektuar ndryshimet në zhvillimet ndërkombëtare, ky dokument përbën një arritje, e cila duhet vlerësuar për përkushtimin e grupit të punës në përgatitjen e tij, në futjen e disa koncepteve të reja, në vlerësimin e detyrave strategjike që janë të nevojshme për vendin dhe qytetarët e tij.

Pavarësisht diskutimeve me institucionet dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile, në dokumentin e Strategjisë Kombëtare, vihen re disa mangësi dhe mosarritje, të cilat do të mund të anashkaloheshin në qoftë se procesi i përgatitjes së tij do të respektonte një konsensus më të gjerë, të ishte më bashkëpërfshirës, më pak i politizuar nga dëshira e mazhorancës për ta ‘shitur’ si një arritje të saj sesa një detyrë ligjore e përgjegjësi e një administrate të radhës.

Frymës ideologjike dhe platformës së rilindjes që sot mund ta gjesh të reflektuar kudo deri në web-sitet e ministrive të shprehura “Shqipëria e gjeneratës së re”, nuk i shpëton as dokumenti i Strategjisë Kombëtare ku shprehet se “Brezi ynë mban përgjegjësi historike për krijimin e një mjedisi…”. Përgjegjësia për realizimin e strategjive të tilla e tejkalon përkushtimin e një brezi dhe i takon gjithë shoqërisë.

Duke parë me vëmendje projektin e Sigurisë Kombëtare mund të bëjmë disa komente.

  1. Politika e jashtme dhe diplomacia

Në dokument, politika e jashtme e Shqipërisë dhe diplomacia janë përmbledhur në qëndrimet dhe parimet e një shteti demokratik duke pranuar objektivin kryesor – atë të integrimit Euro-Atlantik. Në dokumentet e sigurisë kombëtare të vendeve perëndimore shprehen në detaje qëndrimet, objektivat dhe qëllimet që kanë politikat e jashtme të këtyre vendeve ndaj organizatave dhe shteteve të caktuara. Në dokumentin e paraqitur, nuk shprehet asgjë për objektivat dhe qëllimet e politikës së jashtme dhe si do të realizohen këto objektiva për partnerët tanë strategjikë si Italia, Turqia e Greqia; për partnerët në nivel europian si Gjermania apo për më tepër për vendet e rajonit të Ballkanit, ku politika shqiptare duhet të ketë ambiciet për të luajtur një rol të dorës së parë. Nevoja për një vizion të qartë rreth politikës së jashtme të vendit, vjen si rezultat i faktit që dokumenti i Sigurisë Kombëtare është i përcaktuar në kohë dhe zbatohet nga një administratë e caktuar. (Administrata e ardhshme mund të ketë strategji tjetër për të cilën do të votohet.)

Së dyti, për të shmangur voluntarizmin, amatorizmin dhe mos-eksperiencën. Veprimet e politikës së jashtme gjatë këtij viti sidomos me Greqinë dhe Turqinë, shtojnë nevojën për një strategji të përcaktuar qartë dhe një vizion në marrëdhëniet me këto vende. Këtë vit jemi ‘gdhirë’ me ëndrrën që do të mbështetemi nga një partneritet strategjik me Turqinë, që do të na ndihmojnë këshilltarët turq në institucionet kryesore të vendit; kemi vazhduar më vonë me takimin historik të “vëllezërve të Ballkanit” dhe “Sofrën e Prizrenit” dhe tashmë kemi përfunduar të ngazëllyer në krahët e Gjermanisë, që ofron një përkrahje për “fenomenin” shqiptar. (Lutemi zotit që pritshmëria shqiptare të mos i ngjasojë  një fenomeni Hungarez pasi do të ishte shumë zhgënjyese për Gjermaninë.)

Me Greqinë kemi filluar duke i dhënë “leksion” ministrit Venizellos që ta shikojë realitetin në sy, kemi vazhduar me dashuri të pakushtëzuar gjatë Presidencës greke të BE-së dhe tani po blejmë kohë në pritje të vendimit të prokurorisë ndaj kërkesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për veprimet kriminale të grupit të punës së MPJ në negocimet për kufirin detar.

Si do të përfundojë kjo marrëdhënie dashuri-urrejtje dhe a do të jemi të aftë të dallojmë patriotizmin për përdorim elektoral me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit për një politikë të jashtme aktive në interes të Shqipërisë? – Kjo është pritshmëria nga një politikë të jashtme e pa definuar dhe pa strategji të qartë. Ngjarja me flagrante janë “ kërcënimet” dhe nota zyrtare nga ana e shtetit maqedonas për deklaratën e Kryeministrit shqiptar për ndodhitë e muajit të kaluar, ngjarje që pak herë ndodh në marrëdhëniet midis vendeve demokratike pas Luftës së Ftohtë. Për këto dhe shumë arsye të tjera, për transparencë ndaj opinionit publik, politika e jashtme duhet të paraqesë një vizion të qartë dhe një strategji të mirëpërcaktuar.

Në dokumentin e Strategjisë Kombëtare, mendojmë se duhet të kishte një raport më të drejtë midis problemeve të rëndësishme globale si terrorizmi ndërkombëtar, krimi kibernetik, ndryshimet klimaterike etj., dhe elementëve të domosdoshëm strategjikë lidhur me zhvillimet e brendshme të vendit. Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, individët shqiptarë të bashkuar me luftën fundamentaliste në Siri dhe Irak dhe rreziku i kthimit në Ballkan të kësaj fryme, përbën një nga prioritetet e sigurisë kombëtare të vendit që duhet parë me përparësi.

  1. Rritja e rolit të shqiptarëve në rajon

Dokumenti i Sigurisë Kombëtare ka një mungesë vizioni në drejtim të rritjes së rolit të shqiptarëve në shekullin e 21. Ky shekull duhet dhe do të jetë shekulli i shqiptarëve për të rritur rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rajon si dhe për të zgjidhur çështjen e tyre kombëtare në respektim të kushteve të kohës, dhe angazhimit të Shqipërisë në familjen e madhe Euro-Atlantike. Në dokument shprehet angazhimi i Shqipërisë ndaj faktorit shqiptar në rajon duke “Ndjekur dhe përkujdesur me përparësi në shërbim të përmbushjes së të drejtave të shqiptarëve në rajon dhe mbështetjes së kontributit të tyre konstruktiv në konsolidimin e shoqërive multi-etnike në shtetet ku jetojnë.”

Strategjia parashikon vëmendje dhe përkujdes për shqiptarët që jetojnë në rajon dhe asgjë me tepër. Për çfarë kategorie flasim, për minoritetet shqiptare në Serbi, Malin e Zi apo edhe për qytetarët e shtetit të Kosovës? Sot janë dy shtete shqiptare të cilat me këtë logjikë mund të kujdesen për njëri-tjetrin, dhe duke abstraguar në rolin primar që secili prej tyre i njeh vetvetes në planin e aspiratave kombëtare,nuk dihet qarte kahu i drejtimit te kësaj përkujdesjeje. Në çfarë raporti do të qëndrojë politika shqiptare ndaj elementit shtet-formues shqiptar në një shtet demokratik në rajon si Maqedonia? Një dokument i kësaj rëndësie duhet të shprehet qartë dhe me vizion për çështjen dhe faktorin shqiptar.

Kjo paqartësi vijon me dyzimin ku seksioni për identitetin shqiptar bashkohet me kohezionin shoqëror, ku elementet e identiteteve të çdo kombi si gjuha, kultura bashkohen me legalizimet e pronave dhe dëmshpërblimet morale dhe materiale të të dënuarve politikë. Elementet e identitetit shqiptar përbëjnë vlerat e dallueshme të kombit tonë dhe kjo duhet të ishte kryefjala e vetë dokumentit të Strategjisë Kombëtare. Dokumenti i përgatitur tregon për populizëm e patriotizëm të mbetur në dëshirë si dhe për mungesë vizioni e strategjie për çështjen kombëtare.

3. Nevoja për një ekuilibër në përgjegjësinë për zbatimin e dokumentit të Strategjisë Kombëtare

Kontrolli, transparenca dhe balanca e pushteteve (check and balance) janë elemente bazë në një demokraci liberale. Është një nevojë e domosdoshme në demokracitë me institucione të pa-konsoliduara dhe shfaqje të autoritarizmit, që balanca e pushteteve të jetë sa më funksionale. Kushtetuta jonë është përpjekur ta mbrojë një marrëdhënie të tillë. Richard Haas, ish drejtori i planifikimit dhe strategjive në Departamentin e Shtetit, lidhur me defektet e demokracive të sotme, shprehet se“Kultura politike lokale ngatërron demokracinë me mazhoritetin, e cila përdor zgjedhjet për të konsoliduar pushtetin dhe jo për ta ndarë atë.” Në këtë drejtim, Institucioni i Presidentit të Republikës, si simbol i unitetit kombëtar dhe nisur nga atributet që i jep ligji themelor i shtetit, është dhe mbetet kontrolluesi, garantuesi i procesit të realizimit të objektivave, si dhe drejtuesi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Përpjekja për të kontrolluar sigurinë kombëtare në struktura dhe forma të tjera janë tendenca për rritje të pushtetit dhe ngritjen e strukturave paralele brenda shtetit. Pushteti i votës jo domosdoshmërisht shkon në të njëjtin drejtim me qëndrimin moral për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe Kushtetutën e vendit.

 

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan