Reformë historike e riorganizimit administrativ të Shqipërisë

Fjala e Edi Ramës në Kuvend për Reformën Territoriale, 31 korrik 2014

Sot, miratojmë një reformë historike për Republikën tonë, Reformën Administrativo-Territoriale.

Fjala historike është përdorur dhe shpërdorur rëndom nga kjo foltore, sidomos nga paraardhësi im, dhe përgjithësisht nga gojëtarët e jetës sonë politike në gjithë këto vite. Po unë besoj se kjo është fjala e duhur për të caktuar peshën e ndikimit që kjo reformë do të ketë në rrjedhën e historisë së zhvillimit të Shqipërisë, si të tërë dhe të çdo komuniteti si njësi e rilindur ekonomike dhe sociale.

Kjo është një reformë themelore e projektit tonë të Rilindjes. Kjo është një reformë e imponuar nga 1 milion shqiptarë e shqiptare, që në 23 qershor na dhanë mundësinë e madhe që me konsensusin kushtetues të garantojmë atë transformim, të shumëpritur dhe të munguar për vite të tëra, që pa as më të voglin dyshim lidhet drejtpërdrejt edhe me këtë reformë.

Kjo reformë e demokratizon më tej, qeverisjen vendore; Çliron energji të reja dhe të mëdha transformuese për ekonominë vendore; Krijon kushtin e munguar për dy dekada, të zhvillimit të integruar urban dhe social; Godet në mënyrë kapilare korrupsionin elektoral, tribalizmin e politikës vendore, papërgjegjshmërinë sistemike në administrimin e burimeve natyrore dhe financiare anembanë territorit të Shqipërisë. Kjo reformë çliron qytetarin si përgjegjësi e vullnet individual; Krijon hapësira, deri dje të pamundura, në frymën dhe në veprimin e bashkëjetesës së bashkësisë qytetare; Goditet pabarazinë organike mes qytetarësh të nivelit të parë dhe të dytë, që ka krijuar sistemi i falimentuar i organizimit të derisotëm territorial dhe kuron rrënjësisht diskriminim, tërësor, të shumë komuniteteve të vogla apo të largëta. Kjo reformë garanton kalimin nga një Shqipëri arkaike, shërbimesh të falimentuara për qytetarin dhe komunitetet, në një Shqipëri që sot fillon të organizohet për t’u bërë më tej, hap pas hapi, atdheu modern i shqiptarëve.

Reforma Administrativo-Territoriale nuk është fundi, por është fillimi i fundit të arkaizmit organizativ dhe të anarkisë financiare dhe urbane, në të gjithë territorin e Republikës sonë.

Sot, ne jemi përballë gjithë punës së kthyer në një produkt, që është një reformë rrënjësore me një shkurtim drastik të numrit të njësive vendore, pikërisht, sepse jemi përballë sfidës së një transformimi që të garantojë miradministrimin e gjithë territorit dhe burimeve natyrore dhe financiare në territor.

Ndërkohë që jemi përballë edhe një refuzimi, përgjithësisht spontan, për shkaqe që nuk kanë lidhje fare as me projektin, as me progresin. Të gjithë ata që refuzojnë duhet t’i bëjnë vetes një pyetje: “Si do bëhet Shqipëria më e pastër dhe kur Shqipëria do mund të ketë mundësinë që të mbledhë dhe përpunojë plehrat?”

Jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po se po, që as nuk i mbledhim dhe as nuk i përpunojmë plehrat, në pjesën më të madhe të territorit të vendit. Por, jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po se po, që, pavarësisht se kemi pasuri të paçmuara, të dytët më të pasurit në Europë, pas Norvegjisë, për burime ujore, sot vuajmë në të gjithë territorin, mungesën e furnizimit normal me ujë, mungesën e vaditjes normale të tokave dhe mbi të gjitha, trashëgojmë një borxh marramendës për shkak të një administrimi mafioz të gjithë sistemit të ujësjellësve në Shqipëri. Një administrim mafioz, i krijuar mbi baza tërësisht klienteliste, por që rrënjët i ka tek ky organizim arkaik, që bën plotësisht të pamundur ndërveprimin mes komuniteteve dhe mes institucioneve, në funksion të komuniteteve.

Ne jemi vendi që dolëm nga komunizmi me një sasi toke buke, që ishte  për shkak të regjimit, e krijuar dhe e mirëmbajtur në çdo centimetër të mundshëm dhe që, megjithatë, konsiderohej një vend që nuk kishte sasinë e mjaftueshme të tokës së bukës. Dhe sot, thuajse pas çerek shekulli, ne jemi përpara një humbjeje marramendëse të tokës së bukës dhe një degradimi marramendës të saj, edhe aty ku toka nuk ka humbur. E rrënjët e kësaj të keqeje qëndrojnë tek organizimi i mbrapshtë territorial, administrativ dhe institucional.

Ashtu sikundër, këtu, qëndrojnë edhe rrënjët e krimit mjedisor në Shqipëri, që është një krim shumëplanësh. Nuk kam parasysh vetëm shkatërrimet barbare të pyjeve apo të lumenjve apo të plazheve, por kam parasysh edhe një katastrofë urbane që ka krijuar një popull të lënë rrugëve, brenda popullit që jeton në Republikën e Shqipërisë. Një popull të lënë pa shërbime, nëpër fusha, nëpër kodra, nëpër zgëqe, në anë të rrugëve dhe një pjesë tjetër populli që jeton brenda qyteteve. Edhe kjo, rrënjën e ka tek organizimi i mbrapshtë i gjithë sistemit tonë shtetëror, në nivelin e administrimit të territorit.

Kam dëgjuar shpesh të thuhet se kjo reformë largon shërbimet ndaj qytetarit. E kundërta është e vërtetë. Kjo reformë rrit cilësinë e shërbimeve për qytetarin. E, në ndërkohë duhet të bëhet e qartë për të gjithë, që ne vërtet shkurtojmë 6 herë numrin e njësive vendore, por asnjë zyrë komunale që sot jep shërbimet e përditshme për komunitetin nuk do të mbyllet. Përkundrazi, modernizimi i shërbimeve pranë çdo komuniteti, përmes zyrave aktuale të komunave të sotme, është pjesë  e fazës së dytë të kësaj reforme.

Nga ana tjetër, ne sot i japim vetes një mundësi të jashtëzakonshme, përmes këtij organizimi, që ta shikojmë ndryshe arsimin dhe shërbimin në arsim, të shumë e shumë komuniteteve që sot janë të përjashtuara nga sistemi ynë arsimor, janë të braktisura dhe vazhdojnë të çojnë fëmijët nëpër shkolla ku mungojnë kushtet më elementare. Ky organizim i ri na jep mundësinë që të shkojmë drejt atij procesi, të pamundur me organizimin e vjetër, të përqendrimit dhe të krijimit të atyre qendrave komunitare që shtrihen përtej kufijve aktualë të njësive aktuale vendore. Duke transformuar edhe shërbimin e transportit dhe duke krijuar kushtet që çdo fëmijë të mund të shkojë në shkollë dhe shteti nga kursimet e mëdha nga shkurtimi i gjithë këtij sistemi parazitësh të mund të financojë shumë më tepër në infrastrukturën shkollore, posaçërisht për shkollimin parauniversitar dhe posaçërisht, për ata fëmijë që sot janë kthyer në një ushtri analfabetësh për shkak edhe të këtij organizimi territorial. E njëjta gjë vlen për shëndetësinë. E njëjta gjë vlen për instrumentet e mbështetjes sociale. E njëjta gjë vlen për kulturën. E njëjta gjë vlen për sigurinë.

Sot jemi të vetëdijshëm se harta e sigurisë në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk është e plotë dhe se janë numër i madh komunitetesh që, kush e di sa vite, kanë pa parë polic me sy. Ndërkohë që riorganizimi, na jep mundësinë të racionalizojmë në mënyrë krejt tjetër, burimet tona njerëzore dhe të gjithë sistemin e shërbimeve në këtë vend.

Nga ana tjetër, dëshiroj që të theksoj domosdoshmërisht faktin se, pavarësisht atyre që janë bërë zëdhënës të kundërshtisë dhe që arrijnë të instrumentalizojnë me mjetet e presionit të pushtetit aktual në shumë njësi vendore, njerëz të painformuar dhe të dëshpëruar, që dalin dhe protestojnë duke kërkuar atë çka është tërësisht kundër interesit të tyre, pra, që të mbeten në njësi shumë të vogla, e vërteta është se populli shqiptar e mbështet masivisht këtë reformë.

Këtë e tregon edhe procesi i pavarur i monitorimit që kanë garantuar mbështetësit ndërkombëtarë të reformës, partnerët tanë, që përmes një sërë agjencish që përmendi ministri kanë financuar dhe asistuar me ekspertizë gjithë ecurinë e kësaj reforme.

Nga monitorimi i pavarur, një lloj referendumi artificial, me anketimin e 16 mijë njerëzve në gjithë territorin e Shqipërisë, rezulton se janë afro 70%, ata që e mbështesin Reformën Administrativo-Territoriale. Ajo që është ende interesante, në pjesën e mbetur, të pakënaqurit ndahen në ata që e refuzojnë plotësisht dhe në ata që nuk e mbështesin, sepse dëshirojnë njësi më të mëdha administrative.

Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, edhe kur janë krejt të pashkolluar, kanë mjaftueshmërisht ndjeshmëri dhe intuitë për të kuptuar se njësia e mëdha është shumë më e favorshme sesa njësia e vogël. Ata që kanë zbritur nga zonat e varfra drejt Tiranës dhe drejt qyteteve të mëdha nuk kanë ardhur për të krijuar enklava dhe për të rikrijuar fshatin e tyre pranë zonave urbane, por kanë ardhur për t’u integruar në zonat urbane dhe për të përfituar nga të gjitha dimensionet që një zonë e madhe urbane garanton për çdo individ. Pa llogaritur faktin që përmes kësaj reforme, politikisht çlirohet qytetari zgjedhës në gjithë Republikën e Shqipërisë, sepse vota e tij për shërbimet vendore nuk kondicionohet më nga lidhje të shkurtra të tribusë së fshatit pranë, apo të gjithfarë lidhjeve të tjera që ushtrojnë presion mbi votuesin, duke bërë që në të shumtën e herës ne të kemi drejtues njësish të vogla vendore që janë të paaftë, për të thënë fjalën më të butë.

Nga ana tjetër, më vjen shumë keq që dëgjoj që ndarja e re lidhet me interesa të vogla, apo që ndarja e re tenton të anojë peshoren nga interesa deputetësh të shumicës qeverisëse, sepse kjo është thjesht e pavërtetë. Ashtu sikundër është qesharake që të kujtosh se e argumenton këtë fakt, duke folur pse Tirana është kaq e madhe dhe pse Memaliaj është kaq i vogël.

Këto nuk janë argumente. Nuk kanë asnjë lidhje me kriteret shkencore dhe ekonomike, që kanë qenë në bazën e kësaj reforme. Pohimi i të vërtetës e do që të falenderohen të gjithë deputetët e deputetet e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë reformës, pavarësisht momenteve krejtësisht legjitime të kriticizmit për një aspekt apo për një aspekt tjetër, për një zonë apo për një zonë tjetër, debate këto që do të ishte krejt ireale që të mos i kishim fare.

Sigurisht që, nuk mund t’i shmangem edhe debatit që u hap lidhur me minoritetin. Dhe si unë si i dashuri im Vangjel Dule kemi respekt shumë për Paskal Milon. Jam shumë i bindur se Paskla Milo ka më shumë respekt për Eqerem Çabejin sesa për vetveten, kur vjen puna për disa çështje delikate që lidhen me historinë.

E dua t’i jap fund këtu një debati që zgjatet prej 20 e kusur vitesh, pa llogaritur vitet përpara çlirimit, lidhur me Himarën. Për mua dhe për ne, Himara është njësoj si Tropoja, si Shkodra, si Dibra, si Kavaja dhe si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan bazuar mbi kriteret e zonës funksionale. Nuk ka asnjë specifikë tjetër. Fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër, përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq. Por, meqë ka pasur shumë barsoleta në ditët e fundit dhe meqë është bërë shumë folklor, po rikthehem tek Eqerem Çabej, i cili në vitin 1936 punonte si inspektor në Ministrinë e Arsimit. Në atë kohë, Himara pati disa telashe, të cilat historia thotë se nxiteshin çuditërisht, nga një farë Bollano, Bollano, në atë kohë. Dhe i kërkon Ministrisë së Arsimit një shumëfishim të shkollave greke. Ministri dërgon shkencëtarin e madh, inspektorin e arsimit për të vëzhguar gjendjen. Në kthim Eqerem Çabej harton një promemorie, ashtu siç mund ta hartonte Eqerem Çabej, integriteti intelektual i të cilit s’është vënë kurrë në diskutim botërisht, ku po shkëpus një copë: “Himara në paanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare, ku sundojnë dhe sot, cilësitë e racës shqiptare ma fort se në disa krahina të tjera të shtetit tonë. Për origjinën shqiptare të tre katundeve të Himarës në fjalë, Himarë, Dhërmi e Palasë, flasin qartazi zakonet krejt shqiptare dhe labe të tyre. Për këtë origjinë flasin emnat e familjeve dhe të vendeve, toponomanistika, sidomos flasin kangët e vajtimet e tyne, të cilat janë shqip, zakonet ndër lindje, martesa e vdekje, si dhe ndër festat e ndryshme. Të tri këto katunde e dinë vetë, fare mirë, shqiptarizmin e tyre dhe e kanë deklaruar me çdo rast këtë vërtetë. Ata e dinë se janë një fis nga lebërit e Vlonës dhe të Kurveleshit, me të cilët bajnë dhe sot krushqi, me gjithë ndryshimin e fesë. Banorët e Palasës kallëzojnë edhe sot, se rrjedhin prej Dukatit të Vlonës, banorët e lagjes Gjinocë të Dhërmiut krenohen dhe thonë se rrjedhin prej Kruje, se kanë qenë ushtarë të Skënderbeut. Të tre katundet e dinë edhe sot, se kanë farë e fisin e vet në Labëri, në Progonat, në Nivicë të Kurveleshit dhe në katundet Velçë, Tragjas dhe të tjera të Vlonës.”

Ky është Eqerem Cabej në vitin 1936, por për ta larguar ende më tutje në histori dhe për t’i dhënë fund folklorit dhe barsoletave të javëve të fundit, dua t’ju sjell një fakt tjetër, të kryepleqve të vjetër, shumë të vjetër, të Himarës, të cilët janë drejtuar 3 herë Papës së Romës për ndihmë. Letra e parë është e vitit 1577 dhe e fundit e vitit 1720. Himarjotët nënshkruajnë në një hartë gjithëpërfshirëse të Labërisë, të fshatrave nën Vjosë, madje përfshirë Progonatin dhe disa katunde të Përmetit. Letrat origjinale janë në arkivin e Vatikanit, por pasi dolën në dritë në vitin 1941 kanë mbetur në dritë dhe mund t’i referoheni dhe burimeve të  botuara në shqip, pak vite më parë. Kështu që, çështja e Himarës nuk është çështje. Përveçse, nëse përdoret siç është përdorur, – nënkupto keqpërdorur, – për vite të tëra. Është ora për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull duke nënvizuar edhe një herë tjetër që Himara është 1 nga 58 bashkitë e reja, të ngritura mbi kriterin e zonës funksionale, që do të thotë mbi kriterin që garanton rritjen e mirëqenies dhe garanton integrimin urban, ekonomik dhe social të të gjithë komunitetit.

Ndërsa, nga ana tjetër, unë dua të rikthehem tek shprehja e krenarisë e ministrit Çuçi, i cili kur mori fjalën tha se ndjehem krenar sot, që ishte shtetas shqiptar, pikërisht për këtë reformë dhe nuk do të ndjehej krenar pikërisht po të ishte shtetas grek apo francez, pikërisht se kjo reformë sanksionon në letër diçka që është përtej Konventës për të Drejtat e Minoriteteve, që shtetet në fjalë akoma nuk e kanë nënshkruar. E çfarë sanksionon? Sanksionon 3 bashki të reja të ngritura jashtë kritereve të përgjithshme të reformës, jashtë kritereve të zonës funksionale. E, unë jam krenar që më takon të jem Kryeministër i Shqipërisë në këtë moment kur votohet kjo reformë, pikërisht, sepse kjo Shqipëria jonë; nga njëra anë i jep vetes të drejtën që të mos përulet me nënshtrim përpara askujt dhe nga ana tjetër, nuk mungon të përulet me respekt përpara fqinjëve dhe përpara motrave e vëllezërve minoritarë, duke dhënë një shembull të bukur për Greqinë motër dhe për të gjithë fqinjët e tjerë, e duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend që kërkon të shkojë përpara me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Dropulli, Livadhjaja apo Finiqi, -nuk e di sesi do të mbetet emri në fund,- si dhe Pusteci janë 3 bashki të reja, të krijuara në respekt të plotë të hapësirës ku minoritetet kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Nëse dikush do të na jepte një shembull të ngjashëm në të gjithë Europën demokratike në 20 vitet e fundit, pas çdo reforme administrative-territoriale, sigurisht që ne nuk do të ndjeheshim vetëm në këtë akt fqinjësie të mirë dhe dashurie të vjetër e të re, për fqinjët tanë.

Së fundi, dy fjalë për opozitën, e cila sot vazhdon të mungojë, por të cilës unë dëshiroj t’i them, në emër të të gjithëve, se nëse kjo reformë historike diskutohet sot, në ditën e fundit të sesionit të I-rë të Legjislaturës, kjo nuk është se u vonuam ne, por sepse pritëm ata. Kjo nuk është sepse ne vepruam me forcën e verbër të kartonit, por sepse ne hezituam ta ngrinim kartonin deri në çastin e fundit. Kjo nuk është sepse ne nuk deshëm të dëgjojmë, por sepse opozita nuk desh të na flasë. E, unë nuk e di se çfarë mund të bëjmë më shumë apo mund të bënim më shumë ndaj një opozite që nuk do të flasë kur i thua “po të dëgjoj”; ndaj një opozite që nuk do të të flasë kur i shkruan “Të lutem, dua të të dëgjoj!”. Ndaj një opozite që si asnjëherë, kur përfaqësuesit kryesorë të Komisionit, Bashkim Fino dhe Petrit Vasili, shkojnë atje ku opozita diskuton, jashtë Parlamentit dhe përsëri, asgjë.

Kam një përshtypje se mendojnë që bojkoti funksionon dhe mendojnë që historia mund të përsëritet, duke iu referuar asaj që ne u detyruam të bëjmë, të imponuar nga rrethana dramatike. Por thonë që kur historia përsëritet, përsëritet si komedi. E, kjo është një përsëritje komike e historisë, sepse opozita nuk ka kauzë. Ka mbetur akoma tek shkulja e veshit. Ndërkohë që këtu, ne po përpiqemi bashkërisht dhe do të donim ta kishim edhe opozitën, për të shkulur një sistem kanceroz administrimi të burimeve financiare dhe natyrore të vendit tonë. Një kancer, që e ka gërryer Shqipërinë si një e keqe e vazhdueshme, në të gjithë territorin. Një kancer që ka vepruar duke shtrirë të gjithë metastazat e veta jashtë kufijve të Tiranës. Ndërkohë që këtu, në qendër të Tiranës, në Parlament në Tiranë, janë bërë të gjitha debatet, janë bërë të gjitha luftërat, janë bërë të gjitha konfliktet, janë bërë të gjitha ballafaqimet, ndërkohë që Shqipëria ka rrëshqitur nga të katër anët jashtë kontrollit e administruar në mënyrën më të papërgjegjshme dhe më të organizuar. E, sot, kemi një vend plot plehra që dekompozohen rrugëve, që digjen pranë zonave të banuara, që çojnë toksinat në mushkëritë e njerëzve dhe të fëmijëve të tyre e që janë një turp kombëtar. Ashtu, sikundër, me radhë të gjitha plagët e tjera që ka hapur ky kancer që ka lënë jashtë rrugëve të zhvillimit një gjeneratë të tërë fëmijësh që jetojnë në gjirin e atij popullit tjetër, popullit të lënë rrugëve, në anë të autostradave, nëpër fusha e nëpër gërxhe, në kërkim të një jete më të mirë, por pa shtet. Për të cilin, i vetmi shtet ka qenë kryetari vandal i komunës. Për të cilin, e vetmja shpresë ka qenë zyra e hajdutëve të pronave dhe të pasurive nëpër komuna. Për të cilin, e vetmja shpresë ka qenë një komunë që nuk ka qenë në gjendje të gjenerojë asnjë të ardhur dhe që ka jetuar vetëm me subvencione, duke hyrë në borxhe, jo komuna, por duke futur në borxhe të gjithë sistemet, sistemin elektroenergjitik, sistemin e furnizimit me ujë dhe të ujitjes, e me radhë çdo sistem tjetër shërbimi.

Ne këtë Shqipëri sot e arkivojmë në letër dhe hapim një kapitull të ri për ta ndërtuar Shqipërinë tjetër në realitet, duke u dhënë njerëzve mundësinë që të jenë të lirë, që të shpëtojnë nga dhuna e bajraktarëve të vegjël të njësive të vogla dhe nga presionet e tmerrshme për t’iu imponuar në mënyrën sesi të votojnë dhe që të kenë një pikë referimi qytetin. Ne po i japim shqiptarëve qytetin. Çdo shqiptari. Jo, një copë popull jeton në qytet dhe quhet qytetar, një copë popull tjetër jeton asgjëkund dhe kur i quan qytetarë i duket sikur tallesh. Ne po i japim qytetin çdo fëmije. Po i japim qendrën e qytetit çdo fëmije, pavarësisht se lind brenda qytetit aktual, apo se lind në një nga fshatrat e komunës së sotme. E, ne po i japim mundësinë komuniteteve të organizohen dhe qeverisjes vendore të planifikojë një zhvillim ndryshe, një zhvillim të integruar, një zhvillim ku urbanizimi të jetë në hullinë e vetë dhe natyra të jetë e mbrojtur nga dallgët e urbanizimit që, siç e tregon historia jonë e 20-vjetëve, nuk sjellin vetëm mirë, por sjellin edhe të këqija që shpeshherë janë edhe të pariparueshme. Ne me këtë reformë nuk po bëjmë kozmetikë, por bëjmë kimio-terapi. Një kimioterapi intensive për ta mundur kancerin që e ka marrë peng Shqipërinë dhe që e ka gërryer dhe rrënuar në të gjithë territorin e vet.

Sa e suksesshme do të jetë ajo që reforma do të sjellë në realitet, kjo përsëri do të varet nga ne. Do të varet nga zinxhiri i reformave të tjera. Do të varet nga vendosmëria me të cilën ne do të rindërtojmë gjithë sistemin e institucioneve. E, padyshim, do të varet nga vullneti me të cilin ne, – po i referohem fjalës së Namik Koplikut, – nuk do të lejomë që dyshimet e sotme të bëhen pengesë për të nesërmen.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan