Institucionet, si pashallëqe politike

Nga Arben Vata, botuar në Mapo Online, 29 korrik 2014

Ndërsa mijëra njerëz në të gjithë vendin presin që dita -ditës të marrin njoftime për vendet e premtuara të punës për në sektorë të ndryshëm të administratës shtetërore, sigurisht kundrejt pagesës së dhënë për drejtuesit e këtyre institucioneve në nivele të ndryshme, mediat publikuan këtë fundjavë një udhëzim të policisë nëpërmjet të cilit u kërkohet strukturave të saj që të hetojnë të gjitha rastet e mundshme të vetëvrasjeve për shkak të largimeve nga puna, qoftë në sektorin publik apo atë privat. Nuk dihet në fakt arsyeja që ka çuar policinë në këtë veprim, por fakt është se me fillimin e shtatorit pritet të nisë një valë e re spastrimesh në administratën shtetërore.

Pavarësisht qëllimit të kësaj ndërmarrjeje të pazakontë të policisë, ajo që ka ndodhur vitin e fundit në administratën publike është e pashembullt në llojin e vet. Ndaj dhe reagimet kanë qenë të paprecedente dhe një numër punonjësish që kanë kontribuar në vite në sektorë të ndryshëm, kanë vendosur t’i japin fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë  për shkak të pamundësisë së sigurimit të të ardhurave për familjet e tyre. Krahas hetimit të shkaqeve të vrasjes për viktimat e kaluara si rezultat i pushimeve nga puna, qeveria do të bënte mirë që të ngrinte një strukturë të posaçme që të hetonte çdo rast të largimit të punonjësve nga puna, si dhe vetë iniciativat e drejtuesve të institucioneve që në shumë raste janë të pajustifikuara; as në ligj dhe as në rregulloret e brendshme të funksionimit të institucioneve publike apo private.

Gjithsesi edhe hetimi i policisë, por edhe një kontrolli i brendshëm ndaj drejtuesve të institucioneve për vendimet e tyre të pakuptimta, përveçse do të shmangte viktima të tjera nga radhët e të punësuarve, ndoshta do të shpëtonte edhe viktima të tjera por këtë herë nga radhët e drejtuesve publikë apo privatë. Për shembull kush mund t’i sigurojë këta drejtues që një i larguar nga puna padrejtësisht që ka 10 vite pune apo më shumë në një profesion, të mos hakmerret ndaj tyre më përpara se të drejtojë armën ndaj vetes?! Nga një person që ndërmerr një akt të tillë mund të pritet edhe një veprim kriminal ndaj personit që sipas tij kërkon t’i bëjë keq e ta dëmtojë ekonomikisht. Në kushtet e anormalitetit kjo është ndoshta një gjë “normale” dhe policia, struktura të tjera të shtetit dhe për më tepër drejtues të ndryshëm që me një të rënë të lapsit shkatërrojnë familjet, me siguri që duhet ta kenë në konsideratë këtë.

Një person që largohet nga puna, qoftë nga sektori publik apo ai privat, e ka shumë të qartë se ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar të drejtën është një mision i pamundur. Duke marrë parasysh me të drejtë edhe akuzat e politikës për një pjesë të drejtësisë, individualisht është e pamundur të fitosh ndaj shtetit apo edhe privatit, për arsyet që dihen prej të gjithëve. Por edhe nëse dikush fiton, vendi yt i punës është zënë pasi jo vetëm privati, por edhe drejtuesit e institucioneve i konsiderojnë vendet ku ata shërbejnë si pashallëqe. Ndaj dhe shumë persona që flaken në rrugë në mënyrë të padrejtë, gjejnë zgjidhje në akte ekstreme, që nuk është çudi që papritur të kenë për objekt ndoshta edhe personat që sipas tyre janë shkaktarët e largimeve nga puna.

Sigurisht ky nuk është një orientim për ata që janë larguar apo pritet të largohen nga puna. Ky është një apel për drejtuesit e administratës që të mos kryejnë spastrime politike. Është një apel për ta që të bllokojnë praktikat e blerjes së vendit të punës kundrejt largimit të një personi tjetër gjoja me justifikimin e ristrukturimit apo edhe mospërputhjes së vendit të punës me shkollimin dhe shumë manovra të tjera që punonjësit e administratës i dinë fort mirë. Është një apel për ministrat dhe kryeministrin që të japin shembull që nuk do ta mbushin administratën me militantë politikë apo njerëz të besuar me të cilët mund të bësh pisllëqe në kurriz të interesit publik. Punësim nuk do të thotë të heqësh administratën e kaluar dhe të punësosh një administratë të re tënden. Nëse shteti është i të gjithëve, ky është dëmi më i madh që i bëhet shtetasve dhe shembulli më i keq që u jepet për t’u ndjekur.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan