Mbi premtimet zgjedhore

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 9 korrik 2014

Kujtesë me rastin e 300 ditëve       
Premtime elektorale të një politikani apo grupi politik janë ato që bëhen në një fushatë zgjedhore, sidomos për të bindur votuesin e lëkundur apo neutral, por jo militantin. Në sajë të garës së egër grupore e individuale, por dhe garës së premtim-mashtrimeve, i madh është presioni i ushtruar mbi politikanin, madje dhe atë seriozin, për të dhënë premtime që nuk mund të mbahen kurrë. Zakonisht, premtimet elektorale janë pjesë të rëndësishme të platformës zgjedhore, ku përfshihen edhe idetë kryesore në procesin e ardhshëm qeverisës. Por, ato duhet të jenë realiste, jo “virtuale”. Në planin ekonomik-social, i tillë virtual është, p.sh., premtimi i njëkohshëm (por dhe kontradiktor) për taksa të ulëta, për programe sociale shumë më të gjera e cilësore dhe për buxhet të balancuar(!). Por, a mund të jenë të njëkohshme dhe të suksesshme me një buxhet të balancuar, ulja e taksave, futja e një programi të mirë social dhe angazhimi serioz në fushën e punësimit; veçanërisht në një situatë kritike ekonomike? Nuk duket fare e mundur! Prandaj, dhe ndjehet ngërç kur analizohen premtimet elektorale të një viti më parë! Situata mund të bëhet më problematike në vitet që do të vijnë. Madje, në sajë të shtrirjes së mëtejshme të medias tradicionale e asaj sociale dhe fuqizimit të zërit kritik brenda tyre, do të nxirren në pah, nga njëra anë, premtimet e mëparshme elektorale dhe do të komentohen ato me një skepticizëm në rritje, kurse, nga ana tjetër, grupimi në qeverisje, në çdo ditë pushteti, do të bëj çmos që të harrohen sa më shpejt, pse jo dhe të “zbukurohen” premtimet e dikurshme para-pushtet…
Shkelje premtimesh
Në praktikën shqiptare pluraliste, si dhe në mjaft vende të tjera, është fare e zakonshme mos mbajtja e premtimit elektoral, shkelja apo thyerja e tij. Kjo është arsyeja që votuesit edhe në mjaft shtete demokratike kanë humbur interesin, madje po shfaqin një indiferencë e apati të dukshme, të shfaqur deri në një pjesëmarrje të ulët në zgjedhje (siç ndodhi, p.sh., në zgjedhjet parlamentare europiane). Pakënaqësia popullore, papunësia e çmimet në rritje, paralel me arrogancën e cinizmin në qeverisje, mungesën e efektivitetit e rritjen e paaftësisë në zyrat publike, nga njëra anë, por dhe media tradicionale (sidomos kanalet televizive informuese 24-orësh) e media sociale, nga ana tjetër, e kanë bërë perceptimin qytetar mbi thyerjen e shkeljen e premtimit akoma më të dukshme, deri diskredituese. Sidomos pakënaqësia qytetare shfaqet ndaj pushtetit ekzekutiv dhe majës së tij. P.sh., në Francë (republikë gjysmë-presidenciale me kryeministër përgjithësisht të dobët dhe president përgjithësisht të fortë), sondazhet mbi presidentin Hollande apo, në ShBA (republikë presidenciale me presidentin edhe kryeministër), ato mbi presidentin Obama japin shifra në rënie  Në rastin shqiptar, nisur dhe nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ai që është akuzuar, akuzohet dhe do të akuzohet për shkeljen e premtimeve zgjedhore, partiake e individuale, është, më shpesh, kryeministri. Mbi të godasin silurët e opozitës, por dhe të shtresave të pakënaqura të popullsisë. Ndryshe nga kjo, në ngjarjet e fundvitit 1996 dhe fillim-vitit 1997, me rënien e skemave piramidale, kjo pakënaqësi u orientua dhe u zhvendos, gradualisht, nga zyra e kryeministrit tek ajo e presidentit (në sajë dhe të vetë dispozitave kushtetuese në fuqi të asaj kohe).
Teknologjia dixhitale
Sipas një studimi të vitit 2009, rezultonte se, në mesatare, partitë politike në Europë dhe ShBA, arrinin të mbanin vetëm 67% të premtimeve elektorale, d.m.th., ndër tre premtime dy mbaheshin dhe i treti hidhej në kosh. Kurse në vende të tjera, ky raport ishte shumë më i ulët. Po në rastin shqiptar?!…
Sidoqoftë, shkelja në rritje e premtimeve të fryra apo e mashtrimeve elektorale ka detyruar politikën dhe analizën e saj, për futjen e “teknologjive” të ndryshme për shuarjen e zhurmës së këtyre premtimeve apo në bërjen e tyre më të besueshme. Njëra prej tyre ka “natyrë dixhitale”. Kështu, p.sh., me premtimet lidhen shifra konkrete; atyre u vihen në përkatësi numra. Pikërisht, propagandohet apo bëhet zhurmë se ç’do të bëhet ose ç’po bëhet në ditën e parë, në muajin e parë, në 100 ditshin e parë, në 300 ditshin e parë, në vitin e parë të qeverisjes, etj. Kjo është vënë re qartësisht edhe në qeveritë shqiptare të dhjetëvjeçarit të fundit, përfshirë edhe qeverinë aktuale, që futi në përdorim dhe shifrën 300! Sidoqoftë, duke u ndërgjegjësuar shpejt për pamundësinë e realizimit të shumicës së premtimeve, pra dhe për shkeljen e dukshme të tyre, qeveritarët synojnë ta bëjnë këtë shkelje shpesh që në fillim, përfshirë dhe disa taksa të papritura shtesë apo shkurtim shpenzimesh. Në fund të fundit, shpresa e politikës është që “inati” i elektoratit të arrijë të pakësohet ose të bjerë para fushatës pas disa vjetësh në qeverisje. Nuk mungojnë dhe rastet, kur në fund të një qeverisje 4-vjeçare, tentohen të plotësohen me zhurmë të madhe disa prej këtyre premtimeve, qofshin dhe ato të dorës së dytë.
Në praktikë, ashtu si në vende të tjera, edhe në Shqipëri, premtimet elektorale, më shpesh, janë tepër zhgënjyese. Në thelbin e vet, ato po shndërrohen dita-ditës thjesht në sinjale për qeverisje, por jo në angazhime serioze e fisnike…
Një listë e shkurtër shkeljesh
Po përmendim këtu, për ilustrim, disa shkelje premtimesh elektorale:
– Në fushatën elektorale të vitit 1988, kandidati për president Bush (George H. W. Bush) premtoi gjatë fushatës mos rritje taksash e mos futje taksash të reja; madje, në Konventën Republikane, ai shtoi: “lexoni buzët e mia: jo taksa të reja”, por, kur nisi recesioni, gjatë presidencës së tij, dhe u rrit deficiti, presidenti Bush u detyrua të rriste taksat.
– Në fillim të viteve 1990-të, Berluskoni (Silvio Berlusconi) kur hyri në politikë premtoi se do t’i shiste menjëherë aksionet e tij në Fininvest (sot Mediaset) për të shmangur konfliktin e interesit; por ende sot, edhe pas 3 mandateve kryeministrore, ai mbetet pronari i kësaj kompanie të fuqishme mediatike.
– Në fushatën elektorale të qershorit 1997, pa qenë nevoja, kryetari i PS-së, z. Fatos Nano deklaroi në Vlorë kthimin e çdo qindarke të humbur në skemat piramidale nga qeveria e tij.
– Në fushatën presidenciale të vitit 2000, kandidati për president, G. Bush i riu(George W. Bush), bëri premtime të shumta elektorale. Një ndër to ishte dhe kujdesi shëndetësor. Sipas tij, në periudhën e fushatës, numri i amerikanëve të pasiguruar ishte afro 43 milion, nga të cilët 4 milion ishin shtuar gjatë administratës së fundit; por kjo situatë sipas këtij kandidati presidencial do të përmbysej tërësisht, sidomos në favor të familjeve me të ardhura të ulëta. Në fakt, vetëm në dy vitet e para të presidencës Bush, numri i amerikanëve të pasiguruar u rrit me afro 4 milion të tjerë, madje gjatë kësaj kohe pagesa për sigurimet shëndetësore u rrit me afro 12.5% në vit, e papërballueshme për familjet me të ardhura të pakta.
– Gjatë fushatës elektorale të vitit 2008, kandidati për president Obama (Barack Obama) përsëriti në mënyrë solemne se ai do ta mbyllte menjëherë qendrën në Guantanamo Bay in Kubë e të dyshuarve për terrorizëm, por kjo qendër është ende e hapur edhe sot në vitin 2014.
– Në fushatën e zgjedhjeve 2013, kandidati për kryeministër z. Rama premtoi rilindje kombëtare, edhe pse kërkesa dhe oferta nuk ishin të përputhshme për këtë “rilindje”. Kështu,  në kuadër të gjendjes konkrete ekonomike, sot, oferta  është tepër e kufizuar ndaj nevojave të kërkesës. Ajo i shndërron në premtime të paargumentuara, deri të fryra, hedhjen në eter të propozimeve konkrete për skemën shëndetësore, ilaçet, arsimin etj.
– Po kështu, një kryeministër i quajtur i djathtë (por dhe kandidat për kryeministër në ato zgjedhje të vitit 2013), z. Berisha, pa argumente e shifra, premtoi dhe foli për heqje në buxhet, në disa vjet, të ngarkesës fiskale me afro 21% (rreth 11% për kontributet në sigurime dhe 10% të ardhurat mbi pagë) nga kategoria e të rinjve të sapo punësuar.
– Paradoksi i vërtetë i fushatës zgjedhore të vitit 2013e ishte premtimi për hapjen e 300.000 vendeve të reja të punës, brenda 4 vjetëve të qeverisjes, nga PS-së, apo e 250.000 vendeve të reja nga qeverisja e PD-së(!).
– Por, premtimet e çuditshme ose paradokset elektorale shqiptare nuk mungojnë as në zgjedhjet vendore. Kështu, p.sh., kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, z. Basha, në fushatën e tij, premtoi zvogëlim të numrit të taksave për biznesin  e qytetarët, deri dhe uljen e tyre. Por, në fakt, taksat jo vetëm që nuk u ulën, por ato u rritën, p.sh., taksa e pastrimit për një biznes të vogël u rrit me afro 40% (nga 6,600 lekë në 10,000 lekë). Një problem në vete është dhe ai i transportit urban, përfshirë atë të invalidëve.
Etj., etj.
Sidoqoftë, premtimet e pakuptimta, veçanërisht përmbysja e logjikës numerike dhe asaj ekonomike-financiare, imponon një zgjim, një konceptim të ri në marrëdhëniet zgjedhës – i zgjedhur. Dhe, për këtë, një rol në rritje duhet të marrë sidomos media sociale, që dëshmoi forcën e saj reale në reagimin rinor ndaj shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Megjithatë, duke qenë në prag të pushimeve, po e ilustrojmë nevojën e këtij zgjimi qytetar me historinë e politikanit, që, duke qëndruar një ditë në ferr dhe një ditë  në parajsë, duke harruar premtimet, mashtrimet e hilet e veta në fushatat e tij politike, zgjodhi ferrin (!)…
Ferri dhe parajsa
Një ditë, një nga politikanët kryesorë të një vendi të korruptuar humbi jetën në një aksident.  Kur shpirti i tij u nis për në botën tjetër, atë në hyrje, e priste Shën Pjetri. “Mirë se erdhe në botën tonë”- tha Shën Pjetri- “por përpara se të ju caktohet përfundimisht vendqëndrimi, ju si funksionar i lartë mund të bëni zgjedhjen tuaj. Sipas urdhrit nga lart, ju do të qëndroni ditën e parë në ferr dhe ditën tjetër në parajsë. Pastaj duhet të bëni zgjedhjen tuaj,  të vendosni se ku do të qëndroni përfundimisht”. “S’ka nevojë, unë dua të qëndroj në parajsë”- tha menjëherë zyrtari i lartë. Po Shën Pjetri e ndërpreu: “Më vjen keq po këtu ne kemi rregullat tona, prandaj po ju përcjell deri tek ashensori që do t’iu zbresë poshtë në ferr”…
Pas një zbritje jo të shkurtër, u hap dera  e ashensorit dhe zyrtari i lartë e gjeti veten mu në mes të një fushe golfi. Aty, në njëfarë largësie, ishte një klub në të cilët ai dalloi të gjithë miqtë dhe kolegët politikanë me të cilët kishte bashkëpunuar. Ishin të kënaqur dhe me veshje mbrëmjeje. Sapo e panë nga larg ata vrapuan ta takonin. Ishte një takim i këndshëm, filluan të kujtonin kohët e bukura të shijimit të jetës, marifetet e punës, pasurimin e shpejtë, etj. Pastaj luajtën golf dhe më tej u ulën për të pirë verë dhe shijuar havjar e aragostë. Nuk mungonte aty dhe djalli, që kalonte miqësisht nga një grup në tjetrin, diku duke vallëzuar, diku duke treguar histori gazmore. I sapoardhuri kaloi kështu një ditë tepër të këndshme dhe për të koha kaloi pa e vënë re fare. Por, duhej të largohej, pas përqafimit me miqtë e tij, ai u fut në ashensor. Pasi ashensori u ngjit për një kohë relativisht të gjatë, u hap dera dhe aty po e priste përsëri Shën Pjetri, që ia rikujtoi rregullin: “Tani, keni dhe 24 orë në dispozicion për të vizituar parajsën (Qiellin)”.
Në parajsë,  zyrtari i lartë nuk kishte asnjë të njohur, por me të u bashkuan shpirtra të lumtur që e shoqëronin nga reja në re, duke kënduar e luajtur harpën. Nuk e kaloi keq dhe pas kalimit të kohës së caktuar u kthye tek Shën Pjetri. Ky i fundit i tha: “Tani, pasi qëndruat një ditë në ferr dhe një ditë në parajsë, duhet të vendosni përfundimisht ç’vend do të zgjidhni”. Politikani i lartë, pasi reflektoi vetëm një sekondë, u përgjigj: “Nuk e dija, as e kisha menduar më parë, parajsa ishte e mirë, por në ferr u ndjeva shumë më mirë”.
Shën Pjetri e shoqëroi zyrtarin e lartë deri tek ashensori, që menjëherë nisi zbritjen poshtë, për në ferr. Por, kur ashensori ndaloi, zyrtari u ndodh në një vend të zhveshur, të mbuluar me plehra dhe lloj-lloj mbeturinash. Kur ngriti kokën, pa miqtë e tij të veshur me lecka, që po rrëmonin në pirgun e plehrave, madje disa prej tyre fusnin turinjtë si derra në thasë të zinj që kundërmonin erë të qelbur. Erdhi edhe djalli. Ai i hodhi krahun në qafë. “Nuk po kuptoj”- foli i mekur zyrtari- “këtu, dje, kishte  një fushë golfi dhe një klub, ku u kënaqëm duke kënduar e vallëzuar, ngrënë e pirë; kurse tani shoh vetëm plehra dhe miqtë e mi në një gjendje të tmerrshme”. Djalli e pa në sy, dhe duke qeshur, i tha: “Dje ne ishim thjesht në fushatë, kurse tashmë votimi përfundoi. Ju sapo votuat për ne, në favorin tonë!”…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi