Fjala e Kryeministrit në prezantimin e Raportit përfundimtar të Reformës

Prezantimi i Raportit përfundimtar të Reformës, 7 korrik 2014

Besoj që është kënaqësi dhe krenari legjitime, që sot jemi në një moment kur përfundon një faze themeltare e procesit të një reforme themeltare për “Shqipërinë e Gjeneratës tjetër” dhe kemi në dorë, një produkt që është realizuar nga një grup njerëzish, pa dallim bindjesh politike, përkatësish apo simpatish partiake.

Madje, unë jam shumë i kënaqur që në anëtarët e Komisionit ka njerëz që kanë votuar kundër nesh, edhe që kanë kërkuar votën për kundërshtarët tanë. Sepse, këtu, në këtë Komision, njerëzit i ka bashkuar interesi i përbashkët i të ardhmes së Arsimit të Lartë në Shqipëri. I ka bashkuar rruga akademike dhe pas asnjë dyshim, edhe një përkushtim, i cili nuk është cilësi e një pale, por është cilësi e të gjithë atyre njerëzve që, pavarësisht se çfarë simpatish apo përkatësish politike mund të kenë, kur vjen puna tek zgjedhja që kanë zgjedhur të bëjnë si profesion apo si veprimtari, janë të gatshëm që të kontribuojnë.

Unë e konsideroj këtë, një moment emancipues për qeverisjen në Shqipëri. Një moment emancipues, që shënon një risi, që me siguri do të ndiqet më pas, edhe në plane të tjera dhe padyshim do të kthehet ne një normalitet demokratik për çdo qeveri, në mënyrë që ajo që kemi thënë vijimësisht dhe madje stërthënë, më shumë për propagandë sesa për vërtetësi, që reformat bëhen bashkë me ata të cilëve dhe i përkasin, bëhet një realitet i përditshmërisë së qeverisjes. Unë e çmoj shumë këtë proces, në radhë të parë, për këtë arsye. Dhe besoj shumë tek produkti këtij procesi, në radhë të parë, për këtë arsye.

Madje besoj se është koha për të nënvizuar edhe një fakt tjetër, që ne, qeveria, morëm në konsideratë, shqetësimin e këtij grupi interesi, të shprehur nëpërmjet zërash të ndryshëm, për të marrë më shumë kohë dhe dhamë më shumë kohë, sepse besojmë që produkti duhet të konsolidohet në radhë të parë si besim për të gjithë ju dhe të gjithë ata që do të punojnë me këtë produkt. Edhe ky është një moment për t’u nënvizuar. Qeveritë në Shqipëri kanë tentuar të vrapojnë përpara se të ecin dhe prandaj kanë rrëzuar shumë, përpara se të rrëzohen. Ndërkohë që ne duam të ecim për të vrapuar. Ndaj ky raport, të cilin unë  e lexova me shumë interes, është si garanci se Arsimi i Lartë në Shqipëri mund të ngrihet në këmbë dhe të ecë.

Ne morëm një rezultat të vërtetë nga Matura Shtetërore, që duhet të na bëjë të gjithëve të mendohemi shumë seriozisht, për çfarë ka kaluar dhe çfarë na pret në të ardhmen, duke mbajtur parasysh që 34 % e pjesëmarrësve nuk e morën dot Maturën Shtetërore, ndërkohë që deri vjet nuk kalonte 5%, numri i atyre që nuk e morën dot Maturën Shtetërore.

Pra, vetëm vendosja e një principi të thjeshtë, apo rivendosja e një principi të thjeshtë, që “maturën nuk ta japin, maturën duhet ta marrësh”, bëri që të kemi 34 % ngelës dhe bëri që, duke kthyer kokën pas, të shohim atë që shumëkush e ka parë, disa e kanë thënë, që çfarë fiktiviteti fatal ka pasur në sistemin tonë arsimor dhe se çfarë mund të presim pastaj, nga një sistem i arsimit të lartë që ka vazhduar me inercinë e një mature me 95 % kalues.

Së dyti, në fakt tjetër që dua ta nënvizoj është se, pavarësisht se shumë zëra, të arsyeshëm politikisht, që ne të mos e fillojmë procesin e vlerësimit të universiteteve, ne e kemi filluar procesin e vlerësimit të universiteteve dhe tanimë, ajo çfarë kemi thënë, është bërë realitet. Ne kemi kontraktuar një ndër agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, që ka filluar punën përgatitore, për të bërë një vlerësim të të gjithë universiteteve, që do të përfundoi në muajin dhjetor.

Besoj se nuk them asgjë të re, por mbase mund të tingëllojë si e tillë, sepse përgjithësisht preferohet të mos thuhet, që duhet të jemi të përgatitur që në dhjetor të kemi rezultat të ngjashëm me atë të Maturës Shtetërore për universitetet, në mos edhe më tronditës. Ne e dimë kush është realiteti, i bashkëjetuar me këtë farsë të madhe të një suksesi imagjinar në sistemin tonë arsimor, duke  hapur në rrugën e Shqipërisë dhe të shoqërisë sonë, një hendek të madh përpara, një hendek mes nesh dhe të ardhmes dhe duke përgatitur me duart tona, një situatë, sot të paparashikueshme, lidhur me çfarë do të jetë dhe kush do të jetë grupi i njerëzve, që nesër do të marrin në dorë shumë fate dhe që do të dalë nga kjo inerci fatale, në një farsë, realisht shumë dramatike, që është luajtur në kurriz të të gjithë prindërve të këtij vendi, por dhe gjithë nxënësve dhe studentëve të këtij vendi. Prindërve, sepse i kanë nxitur të investojnë në rrugë të gabuar, njësoj si në piramidat e dikurshme financiare dhe të nxënësve dhe studentëve, sepse i kanë bërë të besojnë se vërtetë mund të bëhesh inxhinier apo ekonomist, thjesht dhe vetëm se familja jote paguan lekët, që t’i të mos shkosh në universitet, por të marrësh diplomën.

Elementi i tretë që dua të nënvizoj dhe që lidhet me këtë reformë është që kjo reformë i jep fund historisë së “atij të nënës dhe atij të njerkës”. Prej shumë vitesh, në inercinë e komunizmit kemi jetuar një situatë absolutisht të papranueshme, mungese konkurrence dhe merite, ku i ashtuquajturi publik, po publik është fjalë e madhe, unë e quaj thjesht shtetëror, është trajtuar si i nënës dhe i ashtuquajturi jopublik, por, në fakt, privat është trajtuar si i njerkës. Duke bërë që atij të nënës t’i pranohet dembelizmi, t’i pranohet parazitizmi, t’i pranohet hajdutëria dhe t’i jepet mundësia që të jetojë dhe të vërë dhjamë, duke harxhuar paratë e publikut, ndërsa atij të njerkës t’i lejohet të mbijetojë si të dojë, në kurriz të publikut.

Gjëja që unë e konsideroj si momentin më të rëndësishëm nga ku fillon kjo reformë është se i jepet fund qasjes së arsimit si një mall që blihet dhe i jepet fund trajtimit të studentit si klient që duhet të paguajë mallin që kërkon, duke e vendosur arsimin si një e mirë publike, që duhet të garantohet qoftë në dyert e universitetit të financuar nga shteti, qoftë në dyert e universitetit të financuar nga privati dhe madje, të kalohet në një fazë ku të gjithë universitetet të trajtohen njësoj, për çfarë duhet të garantojnë, për të mbajtur derën hapur. Pra, mundësi të barabarta, konkurrencë të hapur dhe meritë. Njësoj për të gjithë. Jo akreditim për privatin dhe pranim pa kushte të shtetërorit, por akreditim njësoj për të gjithë. Në qoftë se një fakultet apo një universitet i shtetit nuk plotëson kushtet, nuk duhet të jetë. Duhet të mbyllë derën dhe përgatitet që kur të hapë derën, të jetë. Kjo në respekt të çdo nxënësi që shkon në dyert e universitetit dhe të çdo prindi që paguan një qindarkë për fëmijën e vet. Ne nuk mundet më, t’i trajtojmë nxënësit dhe prindërit si klientët e Sudes dhe të Vehbi Alimuçës. Ne nuk mundet dot, t’ia punojmë pas shpine, siç i është punuar për vite të tëra gjeneratës tjetër dhe prindërve shqiptarë, që rezultojnë nga të gjitha anketimet dhe studimet, ndër më të përkushtuarit për t’i dhënë arsimin e lartë, fëmijëve të tyre. Sepse kjo është tradhti kombëtare, në kuptimin më të plotë të fjalës. E kësaj tradhtie kombëtare, ne do t’i japim fund, me çdo çmim.

Është shumë më e rëndësishme që të marrë fund kjo tradhti kombëtare, sesa qeveria të garantojë jetëgjatësi, duke blerë kohë, duke ia punuar pas shpine popullit të vet.

Ajo që ka bërë qeveria paraardhëse, unë dua ta them, është që ka blerë kohë, duke krijuar  një iluzion të madh, duke i bërë të gjithë inxhinierë, juristë, ekonomistë, për të mos u përballur me problemin real, që lind nga një reformë e tillë. Problemi real, që lind nga një reformë e tillë, është papunësia e të rinjve mbas Maturës Shtetërore.

Nuk mund të jetë universiteti, një 5 vjeçar, i blerë nga qeveria me paratë e prindërve, për të mos pasur dhimbje koke, përballë të rinjve që duan punë.

Këtu vjen pjesa tjetër e problemit, që nuk duhet ta trajtojë dhe as duhet të shqetësohet për këtë bota akademike, por duhet ta trajtojë dhe duhet të shqetësohet për këtë qeveria, se si ne të hapim korsinë tjetër, që është Arsimi Profesional dhe puna përmes zanatit dhe jo përmes diplomës. Ky nuk është problemi i botës akademike, nuk është as problemi i universitetit. Universitetit nuk mund t’i kërkohet të bëjë atë që ka bërë gjithë këto vite, me zor, me dhunë, poshtërsisht; “Merri t’i, të gjithë, brenda, se unë nuk dua të kem dhimbje koke me ta dhe pastaj të shohim”.

Dhe sot kemi një ushtri të tërë të papunësh që i thonë vetes inxhinierë, që i thonë vetes juristë, i thonë vetes ekonomistë e që iu duket e pabesueshme që të mos marrin një punë si drejtor apo si shef sektori në shtet dhe iu duket e papranueshme, në të shumtën e herës, që të shkojnë dhe të fillojnë punën aty ku e fillojnë ata që kanë një diplomë realisht inxhinieri, ekonomisti apo juristi në SHBA dhe në Evropë, edhe si kamerier.

E, ju duket e paimagjinueshme që, për të kërkuar një vend pune, do të duhet të bësh 10, 20, 30, 50, 100 aplikime. 10, 20, 30, 50, 100 intervista dhe mund të mos ta gjesh dhe duhet të bësh të 101-ën. Jo! E, pastaj, mbushet oborri i PS-së me prindër nga 60 vjeç, që kërkojnë punë për djalin 30 dhe 40 vjeç.

Kjo shoqëri duhet ta kapërcejë këtë fazë, me se s’bën. Sigurisht, kapërcimi i kësaj faze ka dhimbje dhe këto dhimbje duhet t’i marrim përsipër, secili në pjesë të vet. Qeveria ka për detyrë t’i marrë përsipër, se qeveria është krijuar për të pasur dhimbje, për të përballuar dhimbje dhe për të punuar përmes dhimbjeve, deri në momentin kur njerëzit të pranojnë, të vijë qeveria tjetër, por jo të rrimë të pushtetërojmë, duke sakatuar një vend dhe një shoqëri të tërë dhe duke ia kompromentuar të ardhmen, deri në pikën që të gjendemi nesër, pa asnjë mundësi për ta zëvendësuar stafin e sotëm akademik, pa asnjë mundësi për të pasur ekspertizën e nevojshme për shumë nga sfidat që ka vendi.

Vendi, sot ka sfida të mëdha. Vendi, sot konsiderohet me një potencial shumë të madh burimesh natyrore, që mund të kthehen në një mirëqenie shumë të madhe ekonomike. Vendi, sot nuk ka inxhinierë nafte. Vendi, sot nuk ka inxhinierë hidro. Vendi, sot nuk ka teknikë nafte dhe teknikë hidro. Kompanitë që marrin koncesione detyrohen të hapin kurse për të trajnuar njerëzit dhe për t’i mësuar gjërat bazike. Takimi me grupet e inxhinierëve të kësaj natyre të jep idenë e qartë se ku jemi. Ata që janë sot, 70 dhe  80 vjeç janë shumë më të kthjellët, se ata që vijnë me këto diplomat e reja, që nuk dinë çfarë të thonë. Është fakt. Për më tepër, rrjedhja e trurit na ka lënë në kushtet, kur nga Kanadaja vinë këtu, investitorët për të nxjerrë naftë, në Kanada kanë shkuar inxhinierët shqiptarë, për të punuar në sektorin e naftës.

Pra, rritja e autonomisë, patjetër, por jo rritje autonomie me paratë që vijnë pavarësisht performancës, pavarësisht cilësisë, pavarësisht standardeve dhe garancive për detyrën.

Detyra është të përgatisim në këtë sistem arsimor të lartë, një gjeneratë që të jetë në gjendje të shtyjë Shqipërinë, përpara dhe ta kthejë këtë vend, të bekuat nga Zoti, në një vend, të pamallkuar nga robi.

Autonomi? Ka më shumë autonomi në këtë reformë, sesa çka deri më sot. Por është autonomi me kushte dhe kushtet nuk i vë qeveria, as nuk i imponon qeveria. I vë dhe i imponon standardi. Dhe për standardin ngrihen institucione, që përsëri burojnë nga vullneti i botës akademike dhe jo nga vullneti i qeverisë.

Financimi bëhet me një Agjenci Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, që është një institucion i ri për të menaxhuar sistemin e Arsimit të Lartë dhe fondet vendosen në dispozicion me kushte. Kushte që i vendos vetë bota akademike dhe jo që i vendos Ministria e Arsimit.

Po ashtu, kërkimi shkencor. Ne, sot jemi në kushtet, kur duan të na përplasin përtokë gjuhën shqipe. E kuptoni ku kemi ardhur ne?!

Ne jemi në kushtet, kur disa gjysmë injorantë dhe gjysmë të ditur duan ta ndajnë prapë, në dy gjysma, gjuhën shqipe dhe e kanë marrë në dorë debatin akademik dhe nuk ka institucione që të përgjigjen në rrugë institucionale. Katandisur bota akademike në çeta kafenesh, në mes të Europës. Dhe duan të godasin gjuhë shqipe. Se s’ngeli gjë këtu, pa u goditur. I dhanë me qira, gjithë mjediset e lira të universiteteve dhe të institucioneve shkencore, për kafene, për bingo e për çfarë mundën. Disa bënë edhe shtëpia, për veten e vet, në oborrin e shkollave. Drejtorë e shkencëtarë. Si njëri që ndërtoi shpi, për vete dhe për fisin, në fidanishte, duke qenë drejtor i fidanishtes. Dhe tani çfarë u mbeti? Gjuha shqipe. T’i biem edhe gjuhës shqipe. Një nga pasuritë më të mëdha që krijoi robi, këtu në këtë vend, ku, përgjithësisht, robi i vuri kazmën, çdo pasurie që i krijoi Zoti apo natyra, këtij vendi.

Për të mos folur për historinë që, në një rrugë të gjatë 200 metra, që mban një emër dëshmori të Luftës Nacionalçlirimtare, në fillim të rrugës është një shkollë që thotë “Shqipëria u çlirua në 28”, në fund të rrugës, një shkollë tjetër që “Shqipëria u çlirua në 29” dhe kur takohen shokët për të luajtur futboll, disa e dinë në 29 dhe disa në 28, çlirimin e Shqipërisë dhe nuk e kuptojnë se nga ju vjen kjo hata. Për të mos folur për të tjera, të tjera e të tjera.

Gjë që kërkon një reformë radikale të teksteve. Nuk mundet më, që të mbahen peng fëmijët e këtij vendi, për t’u dhënë para pseudo-profesorëve që bëjnë tekste në këtë vend dhe për t’u dhënë para shtëpive botuese, të lidhura me nuk e di se kë e për çfarë arsye, për të vazhduar të shtypin e të stërshtypin shtatë palë tekste për një histori; E shtatë palë tekste për një gjuhë; E shtatë palë tekste për një gjeografi. E me radhë e me radhë e me radhë. Ai, alterteksti i famshëm. Fund alterteksteve! Fund teksteve që prodhohen për qëllime fitimi, pa asnjë filtër, pa asnjë institucion shkencor që i certifikon dhe pa asnjë përgjegjshmëri historike dhe morale në raport me një brez të tërë, që është degjeneruar komplet, nga kjo zulmë e pashoqe, e mbledhur bashkë, injorantësh në pushtet dhe injorantësh që kanë uzurpuar pushtetin në shkencë. Ky është fakt.

Kur flasim për konkurrencë, flasim për shkencë. Shqipëria ka njerëz jo pak, edhe në fushën e shkencës, që janë në gjendje të thonë fjalën e tyre. E thonë në revista shkencore jashtë vendit, nderohen jashtë vendit dhe nuk guxojnë të dalin këtu, të nxjerrin kokën diku, se i masakrojnë. Njësoj siç masakrojnë pronarin e ligjshëm, ata që ia kanë marrë tokën me dhunë, kanë bërë edhe shpinë me dhunë dhe nuk e lejojnë as të afrohet që të kujtojë gjyshin, duke parë pemën që ka mbjellë gjyshi, para 100 vjetësh. Në qoftë se e kanë lënë pemën pa sharruar, kuptohet.

Po ashtu, edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm, që lidhet me Departamentin si njësi bazë e vendimmarrjes. Unë kam dëgjuar me shumë vëmendje, reagimet për këtë reformë dhe kam dëgjuar se një nga reagimet ka qenë se na duhet më shumë autonomi. Dhe përgjithësisht, reagimet vijnë nga ata që janë mësuar me “mamin shtet”, që pinë qumësht në sisën e shtetit, pavarësisht sesa dhe çfarë bëjnë, po thjesht qajnë. Dhe që të ndalojnë të qarën, shteti u thotë aman, çfarë do?

Autonomi po. Departamenti merr më shumë autonomi dhe padyshim, vendimmarrja kalon përmes Departamentit si njësi bazë.

Studentët. Patjetër rritet përfaqësimi i studentëve në mbarëvajtjen e gjithë institucioneve të Arsimit të Lartë. Madje, propozohet që Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Standardeve, çdo tre vjet të organizojë vrojtimin studentor për çdo institucion. Por deri këtu. Studentët duhet të studiojnë.

Senati duhet të marrë kompetenca të forta e të qarta, sëbashku me një bord administrativ, i cili duhet të marrë përgjegjësi, për të garantuar gjithë politikat që vendosen qoftë në nivel kombëtar, qoftë në nivelin e senatit. Dhe Bordi duhet të marrë edhe një përgjegjësi ligjore, jo morale, në rast se dështon financiarisht, institucioni. Se anëtar Bordi për të ndarë lekët e tjetërkujt, gjithë duan të bëhen. Prandaj dhe ne kemi numrin më të madh të bordeve në Europë. Kemi më shumë borde sesa ndërmarrje që prodhojnë, se të gjithë duan të bëhen anëtarë bordesh, të marrin lekë nga shteti dhe të ndajnë lekët e shtetit.

Bordi në universitete duhet të marrë patjetër, kompetencën që të vendosë për financimin, nuk mund ta vendosë Ministria, por ama të marrë dhe përgjegjësinë. Senati padyshim duhet të jetë instanca e miratimit e të gjitha çështjeve strategjike, që kanë të bëjnë me ecurinë akademike të institucionit. Dhe, sigurisht, na duhet ta themi se kemi numrin më të madh të Doktorëve të Shkencave për metër katror, në botë. Këtë duhet ta themi. Kemi më shumë Doktorë Shkencash se të papunë në Shqipëri. Duhet të vendosim një kufi.

Promovimi akademik duhet të hyjë në një rrugë normale. E, tek promovimi akademik, kompetenca e plotë duhet t’i kalojë institucioneve arsimore. Nuk mund të jetë një instancë tjetër, diku jashtë, që vendos për promovimin akademik. Institucionet arsimore vetë vendosin për promovimin akademik, por kriteret të jetë të mirëpërcaktuara. Ne nuk mund të kemi Doktorë Shkencash që nuk dinë gjuhë të huaja. Por ne kemi shumë. Nuk e kemi më luksin, të kemi Doktorë Shkencash që nuk dinë gjuhë të huaja. Por kemi. Kemi Doktorë Shkencash që kanë vetëm një meritë, përkatësinë krahinore, të përbashkët, me atë që jep titujt. Kjo nuk është meritë. Çdo krahinë ka merita të mëdha, por kjo nuk është meritë. Ne nuk mund të kemi më, Doktor Shkencash që nuk merret me shkencë.

Kështu që mendoj që sot duhet të jemi shumë të inkurajuar nga ky Raport, si proces, si përmbajtje dhe si potencial për të shkundur sistemin. Për të shkundur sistemin dhe për të thënë mjaft, fillon një kohë e re!

Dhe, kur them fillon një kohë e re, do të thotë një kohë për meritën në bazë të konkurrencës, pavarësisht moshës, pavarësisht përkatësive partiake, politike dhe ideologjike.

Unë me Dhori Kulen jam kundërshtar politik, por, që ditën e parë, jo vetëm kam qenë absolutisht i kënaqur që ai është i përfshirë në këtë proces, por vazhdimisht kemi komunikuar për këtë proces. Do të ishte marrëzi dhe një tjetër thikë mbas shpine ndaj Profesoratit dhe ndaj studentëve dhe ndaj të nesërmes së sistemit arsimor, nëse kundërshtia jonë politike, do të kthehej në një arsye për të hedhur në erë reformën e arsimit apo, nëse reforma e arsimit, do të bëhej kundër njërit, apo për llogari të dikujt tjetër, që duhet të zërë vendin e atij tjetrit.

Këto nuk janë pjesë e kësaj reforme dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë reformë. Të tjerat, koha do të na mësojë. Sigurisht dhe do të na japë mundësi të përmirësojmë rrugës, çka ndoshta mund të jetë e parashikuar me qëllimin më të mirë, por rruga mund të tregojë që duhet modifikuar.

Por ajo që është e rëndësishme, në një pikë tjetër, është se ne marrim përsipër, në këtë reformë, që konkurrencën të mos e kushtëzojmë nga varfëria. Jo vetëm fëmijët e atyre që kanë para të mund të bëjnë shkollë, universitet, por edhe fëmijët e atyre që s’kanë, të mund të bëjnë të njëjtën rrugë, kur kanë talentin e duhur.

Edhe bursa për studentët e shkëlqyer, patjetër. Do të japim bursa për studentët e shkëlqyer. Por do të japim bursa, edhe për studentët e varfër, jo domosdoshmërish të shkëlqyer.

Po ashtu, do japim edhe bursa për studentët që pranojnë të hyjnë në programe parësore, që lidhen me interesin kombëtar. Sot, ngaqë dëgjojnë, ç’nuk dëgjojnë, duke parë se ç’ndodh në sistemin e drejtësisë, normal që shumë fëmijëve ju duket se që të pasurohesh, duhet të jesh jurist. E nuk kanë faj. Një diplomë juridiku, një mik nga krahina, një vend në gjyqësor dhe jeta jote u kry.

Po profesorët e anglishtes, mësuesit e anglishtes ku do t’i gjejmë; Po profesorët e mësuesit e matematikës ku do t’i gjejmë; Po profesorët e mësuesit e atyre shkencave që nuk janë fitimprurëse ku do t’i gjemë.

Gjatë fushatës elektorale dhe ky është fakt lehtësisht i verifikueshëm, më ka ndodhur diçka shumë e papritur. Në vendet më të vështira dhe jo në një vend, në disa vende dhe në vende që nuk kanë lidhje fare me njëri-tjetrin, ku njerëzit nuk janë marrë vesh, përpara, me njëri-tjetrin, se çfarë do më thoshin mua, në zonat më të izoluara, me varfërinë më të madhe, me papunësinë më të madhe, me problemet më të mëdha, rruga, përmbytja, e dini kush është kërkesa e parë e prindërve? Mësuesi i anglishtes. Asgjë nuk duam ne, se nuk jemi më, budallenj, sa të besojmë çdo politikan që vjen e thotë këtu do ju bëj rrugën, aty do ju ngre urën, këtu do ju bëj shkollën ku do merrni master, atje do keni një pishinë dhe domatet këtu do mbijnë vetë. Duam vetëm mësuesin e anglishtes.

E thjeshtë, pse-ja. Mësuesi i anglishtes është njeriu që vjen në fshat dhe i vë krahë për të fluruar, fëmijës, që të iki nga ai vend dhe me anglishten të shkojë diku e të bëjë diçka që nuk mund t’ia garantojë dot, vendi dhe prindi.

E ku do ta gjëmë mësuesin e anglishtes? Një mësues anglishteje, në një nga këto vende, e kishin pushuar nga puna, se nuk kishte formimin e duhur politik dhe në vend të saj kishin vënë në organikën përkatëse, me rrogën e mësuesit të anglishtes, një njeri që i binte fizarmonikës në dasma dhe priste me fizarmonikë, udhëheqësit, kur shkoni aty. Që të kemi mësues anglishteje, na duhet që njerëzit që studiojnë anglisht të jenë të garantuar që nesër nuk do jenë të papunë. Që të kemi mësues matematike, na duhet që njerëzit që studiojnë matematikë të jetë të garantuar që nesër nuk do jenë të papunë. Dhe duhen trajtuar ndryshe që në fillim. E kështu me radhë.

Për ta mbyllur të nderuar miq dhe armiq, ajo që mbetet për t’u thënë është se në këtë punë nuk ka miq dhe armiq. Në këtë punë ka vetëm përkushtim, për t’i dhënë mundësi gjeneratës tjetër, që kur të kujtohet, të mos na mallkojë sa të ketë jetën. Se tani, për momentin, i njohim mirë ata të gjeneratës tjetër, i kemi nëpër shtëpi. Midis një diplome që e marrin tek kafja aty pranë dhe një pune intensive për të marrë diplomën, zgjedhin kafen. Por nesër do kujtohen dhe kur të kujtohen, nuk duhet të na mallkojnë. Dhe kjo reformë na garanton nga mallkimi i tyre.

Për këtë arsye, unë falënderoj nga zemra Arjanin, të cilit i them: Mirë se erdhe në Shqipëri! Sepse mori edhe gjithë goditjet përkatëse. Disa goditje të natyrshme, sepse në një proces reforme preken interesa, preken rehatira, por preken edhe mënyra të caktuara të të parit të botës. Kjo është normale. Por edhe disa goditje të pamerituara. Por, po të mos kishte marrë goditje, unë do të kisha dyshuar tek cilësia e reformës. Dhe, po të mos kishte marrë ato të pamerituarat, unë prapë do të dyshoja tek cilësia e reformës.

Sigurisht, edhe pjesën tjetër të Komisionit. Të gjithë njerëz të njohur, të respektuar në fushën e tyre. Një Komision, me njerëz që dhanë një mësim shumë të mirë, për hir të së vërtetës. Dhanë një mësim shumë të mirë, për të gjithë ata që duan të marrin mësime. Se, unë mendoj se njeriu duhet të dojë të marrë mësime deri në fund. Dhanë një mësim të mirë, duke treguar se shqiptarët mund të bëhen bashkë, për një qëllim të përbashkët, pa qenë nevoja as të martohen me njëri-tjetrin, as te jenë krushq të njëri-tjetrit, as të jenë nga e njëjta krahinë dhe as të tundin të njëjtin flamur partie dhe as të besojnë në të njëjtin Zot, të lexojnë të njëjtat libra dhe të recitojnë fjalimet e të njëjtit udhëheqës. Dhe ky është një mësim, për të cilin unë dua realisht t’ju shpreh mirënjohje, se është një mësim qytetarie, që po nuk e dha bota akademike, kush do ta japë tjetër! Dhe fakti që bota akademike, këtë mësim e jep për herë të parë, pas kaq shumë vitesh, është sa për të ardhur keq që nuk ka mundur ta japë përpara, aq edhe për të ardhur mirë që ka ardhur momenti që, mesa duket, nuk mban më. As për ju. Shumë mbajtët. Nuk mban më dhe duhet bërë.

Një falenderim i posaçëm, armikut tim të dashur, Dhori Kule, me të cilin kemi ndarë shumë momente debatesh në Këshillin Bashkiak si kundërshtar, por të cilit, sot i detyrohem shprehjen e mirënjohjes së madhe, për të njëjtin mësim që dha gjithë Komisioni.

Dhe sigurisht, faleminderit të gjithëve ju. Kur Arjani tha ëmbëlsira lihet në fund, mendova që kishte për Linditën, por e kishte për vete dhe për kolegët. E, në fakt, shenjë e mirë që, me gjithë atë helm që ke ngrënë, je ëmbëlsuar.

Por unë, sinqerisht, falënderoj shumë Ministren. Sepse, ngaqë ndoshta është Ministrja e parë në historinë e demokracisë apo tranzicionit, apo quajeni si të doni, – se unë realisht akoma nuk ia kam gjetur emrin, – që nuk vjen me barrën e gradave dhe me peshën e madhe të një autoriteti si një Profesor i madh, që i di të gjitha, është bërë Ministrja e të gjithëve dhe ka krijuar atë klimë dhe atë hapësirë ku gjithkush, çdo Profesor, çdo Doktor Shkencash, çdo njeri me master apo edhe çdo njeri pa titull ndjehet mirë dhe ndjehet i respektuar dhe me mundësinë për të thënë mendimin e vet.

Dhe ja ku u vërtetua, – por është vërtetuar edhe në sektorë të tjerë, – ajo që unë thosha në fillim. Kur më thoshin, kush është vlera kryesore e ministrave të tu, unë i thosha është mungesa e eksperiencës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi