Është koha të shpëtojmë nga tranzicioni

Nga Aleksandër Çipa, botuar në Shqip, 25 qershor 2014

Shqipëria bëhet Europë kur ikën përmbajtësisht nga vetja e dëshmuar gjatë këtij tranzicioni. Vendimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm për kalimin e statusit të vendit kandidat për anëtar të BE-së, është padyshim një ndër kapitujt e gjatë të pritmërisë së vendit. Shoqëria shqiptare është e mbarsur me besim, gati të verbër, për arritjen e këtij objektivi. Sondazhet e kryera në kuadër të euroskepticizmit europian e klasifikojnë shoqërinë tonë ndër më Europëdashëset. Në ditën e konfirmimit të vendimit të ministrave të vendeve anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë, rishprehet edhe një herë kaq fuqishëm dëshira qytetare për të mos qenë jashtë bashkësisë së kontinentit tonë.

Mirëpo kaq bindje dhe dëshirë shqiptarësh për përfshirjen në bashkësinë zyrtare të BE-së, nuk përkon me cilësinë dhe standardin që vetë ata përfaqësojnë në raport me secilin vend anëtar i BE-së. Është një diferencë e madhe mes nesh dhe referencës apo modelit që këto vende na ofrojnë. Për arsye të këtij kontrasti, Shqipëria vijon të shihet si model i prapambetjes, kaosit, anarkisë dhe shtetit që kurrë nuk e tejkalon shtatin e foshnjërisë së vet edhe kur daton shtet 102-vjeçar. Kjo foshnjëri, realiteti i dominimit të tij prej “kapardisjes së liderëve abuzantë e të korruptuar”, janë përmbajtja më e pazhbëshme në raportet e brendshme të shtetit të shqiptarëve. Në kësi datash dhe pritshmërish historike, që lidhen me dëshirën masive të shqiptarëve për t’u bërë pjesë integrale e Europës zyrtare, diskutimet dhe analizat e klasës politike eklipsohen. Shpallet vetëm një egoprotagonizëm për merita kokoroçësh dhe askush nuk kryen as një akt apo gjest të mea culpa-s apo të ndjesës. “Çlirimtarë dhe meritorë” vetëshpallen duke kurajuar turmën apo lukuninë e fansave dhe harrojnë se po ata udhëheqës kanë së pari, statusin e pengimtarit të madh e të papërsëdytshëm për këtë objektiv apo aspiratë kombëtare. Këta pengimtarë që lëvdohen e duan hyrjen për së gjalli në histori, injorojnë kohën e gjatë që konsumuan për të arritur marrjen e statusit apo për ta “vjelë” pangopshmërisht Shqipërinë e tranzicionit si pronë e asete për vete, duke e lënë të fundit dhe të rraskapitur ndër të tjerë. Prijësit historikë bënë modelin e ri të përngjashëm jo me diktatorin që pasuan pas rrëzimi, por të autoritarit provincial, i cili si shërbestari të pandreqshme atdherrëzimi, kreu atë me ligjin dhe shtetin ligjor e munguar në vendin që qeverisi bashkë me ortakët kundërshtarë.

Në 24 vjet tranzicion, në këtë shtet e këtë shoqëri, u rrënjos standardi i dyfishtë që mishërohet sipas parimit “ky i partisë”, “ky komunist e ai demokrat”, “ky i imi e ai i atij”, …etj. Ndërkohë që vepra “më madhështore”, ajo e uzurpimit të demokracisë nga lumpeni i pasur dhe grabitqari më grabitqar, vlen të mbetet trashëgimia më e keqe e tranzicionit të sotëm epokal. Në këtë mënyrë, jeta e gjatë e tranzicionit u bazua në rrënjosjen e mentalitetit të “të fortit” dhe shndërrimin e oazeve të krimit për llogari të mëdha pasurimesh të paligjshme.

Atdheut nuk i vlen sistemi i fortë e i rreptë, sikundër politikanëve nuk u duhen institucione që të veprojnë mëvetësisht. Ricikluan akuzat e bujshme duke u bërë akuzues vetë mëkatarët abuzues. E shkëmbyen armën e premtimit “për ligj e drejtësi” me njeri-tjetrin, sikundër e drodhën njëjtësisht sapo ndërruan vendet në qeverisje. Në këtë rrenë të shumëpërdorur, mbajtën dhe përdorën jetëgjatësinë e tranzicionit, duke ia dalë qëllimisht jo vetëm të vononin marrjen e statusit si vend kandidat për anëtar në BE, por edhe të shtonin jetëgjatësinë e tyre si “tutorë politikë” të atdheut.

Koha e të qenët në statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, për shumë arsye nuk mund të jetë e njëjtë me kohën e tranzicionit. Detyrimet që raporti i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, fikson për Shqipërinë, janë ekstrakti i asaj çka nevojitet të ndryshojë në Shqipërinë e tanishme. Kjo nuk është vetëm “diçka”, por përmbajtësisht “shumë më tjetër”. Marrja e statusit nuk është arsye iluzioni për askënd. Qytetarët le ta shohin si një mundësi të shtuar partneriteti me Europën institucionale për të instaluar në këtë vend të vonuar dhe të mbajtur peng prej të vetëve, shtetin ligjor, drejtësinë dhe mbi gjithçka; sistemin e demokracisë.

Marrja e statusit nuk mbyll e nuk përfundon tranzicionin, por shton mundësitë për realizimin e dëshirës qytetare për ikje nga demokratura e udhëheqësve kapardisës e agresivë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi