A realizohet punësimi me këtë rritje ekonomike?!

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 18 qershor 2014

Ekonomia shqiptare për vitin 2013, siç ishte paralajmëruar nga institucione të tilla si FMN-ja apo BB-ja, përjetoi një vit të vështirë. Kjo u pasqyrua, në radhë të parë, në rritjen më të ulët ekonomike në Ballkan, ndërkohë që rritja mesatare për vendet e tjera arriti aty vlerën prej 1.7%. Po sipas këtyre institucioneve parashikohet, për Shqipërinë, një rritje ekonomike prej 2.1% në vitin 2014, për të kapur më pas vlerën 3.3% më 2015-n dhe 3.6% më 2016-n. Pavarësisht këtij parashikimi pozitiv, shqetësimi mbetet po aq serioz për ekonominë shqiptare. Pra, a do të përfundojë kjo “rrokullisje” ekonomike për të vazhduar më tej në rrugën normale të ngritjes? Ende nuk është tërësisht e qartë, pavarësisht optimizmit të pompuar me paranë e të tjerëve!…
Një korrigjim në rënie për vitin 2013    
Brenda pak muajsh është korrektuar tri herë radhazi shifra zyrtare e rritjes ekonomike për vitin 2013. Në shtator, me nisjen e punës së qeverisë së re, në bashkëveprim me FMN-në, parashikimi ishte për një rritje afro 1.7% – 1.9% e prodhimit kombëtar. Ky parashikim ndryshoi vetëm pak muaj më vonë dhe ky parashikim zbriti në 1.3%. Por, sinjalet e reja për ndryshimin e vlerësimit erdhën pas publikimit të shifrave të tremujorit të tretë nga INSTAT-i. Aty shihej në terma vjetorë një kontraktim i fortë i ekonomisë me afro 2.5% në atë tremujor. Pra, në rritjen e ulët për vitin 2013 një ndikim tepër negativ pati rënia e fortë që ekonomia pësoi në tremujorin e tretë (ecuria negative e saj me -2.5%); ndërkohë që në pjesën e parë të vitit pati një rritje mesatare prej afro 1.7%. Tremujori i katërt, megjithëse kaloi në norma pozitive, ishte përsëri i ulët, afro 1.10% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012. Kontraktimi në tremujorin e tretë çoi në një rivlerësim tjetër për rritjen ekonomike me afro 0.7%, jo vetëm shumë larg vlerave fillestare të projektuara, por dhe larg pritshmërisë së qeverisë së re prej 1.3%. Në thelb, kjo rritje ekonomike është më e ulëta jo vetëm që nga fillimi i krizës, por dhe gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me përjashtim të dy viteve të para të tij apo vitit 1997 të karakterizuar nga shembja e skemave piramidale financiare (Shihni tabelën pranë).
Në vitin 2013, një rritje ekonomike pozitive, sipas raportit të BB-së, shënoi secili nga 6 vendet e Europës Juglindore. P.sh. në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi kjo rritje ekonomike e kaloi vlerën e 3%. Sipas drejtoreshës së BB-së për rajonin, ajo “u bë e mundur falë kërkesës në rritje për eksportet e rajonit nga shtetet me të ardhura të larta, veçanërisht nga shtetet e BE-së”. Po sipas këtij raporti, parashikohet për rajonin një rritje mesatare ekonomike me 1.9% në vitin 2014 dhe 2.6% në vitin 2015, në sajë të reduktimit të huave të këqija, rritjes së kreditimit, konsolidimit të bilancit fiskal dhe uljes së borxhit publik. Është për t’u theksuar se edhe pse rritja ekonomike në vitin 2013 për Kosovën ishte më e larta në rajon, një rritje e tillë, sipas ekonomistëve të BB-së, ishte e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës, për uljen e shkallës së papunësisë, që mbetet aty tepër e lartë.
Shkalla e papunësisë dhe llogaritja e saj
Shkalla e papunësisë është raporti midis numrit të të papunëve të regjistruar dhe numrit të popullsisë aktive, forcës së punës apo pjesës së popullsisë në moshë pune. Në Shqipëri e tillë konsiderohet mosha nga 16 vjeç deri në daljen në pension, që është në punë apo në kërkim të vazhdueshëm për punë. Në vitet e para të pluralizmit, niveli më i lartë i papunësisë është shënuar në vitin 1993, afro 22.3%; kurse niveli më i ulët është shënuar në vitin 1996 me afro 12.4%, vlerë që nuk u arrit as më vonë. Në vitin 2009 u vu re një rritje e shkallës së papunësisë me 0.6-0.7% krahasuar me një vit më parë. Ky nivel mbeti gati i pandryshueshëm në disa tremujorë radhazi, për arsye të rritjes së dobët ekonomike dhe rritjes së pagave që solli një rritje të kostos së punës për njësi. Kështu, sipas INSTAT, në 3 vite të njëpasnjëshme papunësia u soll rreth vlerës 13.0% nisur nga viti 2009. Në tremujorin e parë të vitit 2012 (Tr1/12), niveli i papunësisë ishte 13.1%; kurse nga tremujori në tremujor ai pësoi këto ndryshime të njëpasnjëshme: 13,4%; 13.9%; 14.0%; 14.4%; 14.4%; 15.8%; 16.9%; 17.0%; deri arritjen në vlerën 18.3% në tremujorin e parë të vitit 2014. Siç shihet, një problem në vete këto vitet e fundit është dhe ai i papunësisë. Madje, tremujori i parë i vitit 2014, ndryshe nga propaganda dhe shiritat e prerë, nuk ka rezultuar pozitiv për punësimin: papunësia ka arritur në këtë tremujor në nivelin 18.3%…
Kjo e dhënë konfirmohet në Anketën e Forcave të Punës, të organizuar nga INSTAT. Sipas saj, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 901 865 persona, kurse të papunë rezultojnë rreth 201 770 persona. Po ashtu, për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë rezulton më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,6% dhe 16,4%. Veçanërisht e lartë është papunësia në radhët e më të rinjve, ndërsa për grupmoshën 15-29 vjeç ajo ka arritur në nivelin 31.3%. Sektorët që punësojnë numrin më të madh të shqiptarëve janë bujqësia dhe shërbimet. Një tjetër tregues mjaft negativ për ekonominë shqiptare është pjesëmarrja e ulët në tregun e punës. Vetëm 58% e individëve në moshë pune dhe të aftë për punë janë aktivë në tregun e punës, pra punojnë ose janë në kërkim të një pune.
Ndryshimi i metodikës nuk e zgjidh problemin
Kjo situatë, të paktën sipas ritmeve të rritjeve, nuk mund të ndryshojë shenjë me ndryshimin e mënyrës së përllogaritjeve statistikore mbi punësimin dhe papunësinë. Një metodikë e re përpunimi mund të afrojë shifra të reja; por ajo mund ta “mbulojë” problemin, por jo prekjen konsumatore të tij. Kështu, mund të ndryshojë klasifikimi për personat që punojnë thjesht për vete, p.sh., në bujqësi fermerët që prodhojnë kryesisht për veten e tyre, por jo për të shitur (të tillë vlerësohen afro 300 mijë të tillë). Ata deri tani janë quajtur si të punësuar, kurse me standardin e ri kjo kategori nuk do të konsiderohet e gjitha e punësuar: ajo pjesë që bën presion në treg, duke kërkuar punë, do të regjistrohet si e papunë. Të tillë pretendohen rreth 40 mijë të tillë, por kjo shifër apo të ngjashmet me të nuk mund të shndërrohet në burim spekulimi politik. Por, të punësuarit në bujqësi janë vetëm një pjesë e problemeve në tregun e punës, sepse krahas tyre janë dhe të punësuarit jo me kohë të plotë, që duan të punojnë më shumë ose me kohë të plotë. Një kategori tjetër është ajo e të dekurajuarve. Sipas llogaritjeve të përafërta, totali i njerëzve që janë të papunë, pjesërisht të punësuar ose të dekurajuar, pretendohet afro 40%. Por, a mund të quhet kjo vlerë prej 40% si vlerë më e saktë për papunësinë?!…Sido që të jetë papunësia reale, pavarësisht metodës, ka prekshmërinë e vet, në funksion jo thjesht të ndryshimeve në metodikën e llogaritjes së nivelit të papunësisë, por, mbi të gjitha, të vetë rritjes mesatare me 0.28% të popullsisë në vitet e fundit [p.sh., 0.29% (2013), 0.28% (2012), 0.27% (2011)]. Me këtë nivel papunësie lidhet dhe mirëqenia e familjeve, standardi i jetesës së tyre, pra dhe kapaciteti konsumator i tyre. Bile, në një mënyrë apo tjetrën, me uljen reale të papunësisë lidhet dhe vetë rritja ekonomike. Pikërisht për këtë lidhje flet ligji empirik i Okun-it, që deri diku nuk të lë të gënjesh apo spekulosh në mënyrë makroskopike!…
Ligji Okun
Okun (Arthur Melvin Okun), pas vrojtimeve të kujdesshme, në vitin 1962 propozoi një ligj (që mban emrin e tij) për lidhjen e nivelit të papunësisë me atë të rritjes ekonomike. Sipas tij, mesatarisht, për çdo ngritje me 1% të nivelit të papunësisë, rritja e PBB-së rezulton afro 2% më e ulët se PBB-ja potenciale e atij vendi. Pavarësisht që ky ligj është empirik dhe deri diku me shtrirje të diskutueshme në kushte krize, ai e ka vlerën e tij orientuese, edhe pse elemente të ndryshme, si p.sh., përmirësimet teknologjike apo produktiviteti, ndikojnë në drejtim të kundërt në binomin: rritje ekonomike – punësim. Praktikisht problemi bëhet akoma më i komplikuar kur ulen orët e punës, bie produktiviteti, punësohen më shumë njerëz se është e nevojshme, bien apo rriten prurjet nga remitancat etj.
Sipas ligjit Okun, një rritje prej 2% në dalje apo në rezultatin ekonomik i përgjigjet një rënie prej 1% në nivelin e papunësisë ciklike, 0.5% rritje në pjesëmarrjen e forcës së punës, 0.5% rritje në orët e punës për punësim dhe 1% në produktivitetin e punës. Thjesht, e thënë ndryshe, një rritje prej 1% në përqindjen e papunësisë ciklike shoqërohet me afro 2% rritje më të ulët (rënie) në PBB-në reale. Matematikisht kjo është studiuar me anë të teknikës së regresit (rritje PBB- nivel papunësie). Megjithatë, në këtë lidhje apo varësi, gjithçka duhet vlerësuar në mënyrë mesatare; nisur dhe nga vendi konkret e koha konkrete. Madje, disa studiues të tjerë, në vend të lidhjes: 2% rënie për 1 rritje, japin raportin: 3% rënie për 1% rritje në nivelin e papunësisë (sipas faktorëve shoqërues të prekur më sipër). Po ashtu shihet se kur këta faktorë shoqërues mbahen të njëjtë, lidhja regresive: rritje GDP – nivel papunësie arrin deri në raportin: 0.7% rritje për 1% ulje në përqindjen e papunësisë. Edhe Ben Bernanke, ish-drejtuesi i Rezervës Federale (në periudhën 1 shkurt 2006 – 3 shkurt 2014), nisur nga analiza e të dhënave disavjeçare, ka arritur dhe ai në përfundimin se: 2% ulje ekonomike në dalje shoqërohet me 1% rritje në nivelin e papunësisë. Dhe, anasjelltas, një rritje ekonomike me 2% shoqërohet afërsisht me ulje papunësie me 1%. Në rastin e Shqipërisë, nisur dhe nga pritshmëria zyrtare për një rritje ekonomike me mbi 2% (nga 0.7% e vitit 2013), përqindja e të papunëve mund të ulet me afro 1%, d.m.th., në kushte normale, gjatë vitit 2014, mund të punësohen vetëm disa mijëra vetë (!). Së fundi, mund të ndodhë që, p.sh., rritja e produktivitetit të shoqërohet me rritje rezultati, por pa ndryshim të nivelit të papunësisë (dukuria e rritjes pa punësim)…
Po në kushte krize?
Në kushte krize, ligji Okun, si një ligj empirik, jo patjetër lidh në mënyrë të plotë, sidomos në rrafshin strukturor, rritjen ekonomike dhe përqindjen e papunësisë, por ama ai e ndjek dinamikën e ndryshimeve të tregut të punës. P.sh., në një rritje ekonomike kohëgjatë, papunësia mund të stabilizohet në një nivel të dhënë dhe, kështu, një rritje ekonomike shtesë jo patjetër do të gjenerojë ulje papunësie. Raste të tilla, në ekonominë liberale kapitaliste, janë të pranishme. Në njëfarë mënyre përmirësimet në tregun e punës, sipas matjeve mbi nivelin e papunësisë, lidhen me rimëkëmbjen ekonomike për të njëjtën periudhë të dhënë (një tremujor, një vit, disa vite); por devijimet ndaj ligjit mund të bëhen sidomos të dukshme në kohë krizash. Në këto raste kërkohet një periudhë më e gjatë për të pasur një efekt mbledhës (kumulativ) në rritjen ekonomike dhe rënien e papunësisë. Pra, dhe në këtë rast, mund të arrihet në lidhjen regresive përkatëse, sipas së cilës rënia në nivelin e papunësisë në një cikël të dhënë mund të shpjegohet me rritjen ekonomike në përqindje të PBB-së. Përsëri, mbetet lidhja rezultat-papunësi, por ajo rezulton shumë më e komplikuar. Por, në rastin e krizës ekonomike shqiptare, sido që të rezultojë raporti konkret rritje-punësim, ai, në asnjë rast, nuk e favorizon as punësimin e premtuar as rritjen ekonomike të ëndërruar!…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi