Administratorët publikë, shëmbëlltyra e administratës publike

Nga Dr. Elsa Toska, botuar në Balkanweb, 18 qershor 2014

Referuar legjislacionit të nëpunësit civil, konstatohet lehtësisht roli i veçantë i zyrtarëve drejtues dhe administrues, si shumë i rëndësishëm për Administratën Publike. Në këtë punim do të ndalem në kategorinë e administratorëve të lartë, natyrën e pozicionit të tyre, rregullat e punësimit, rëndësinë e funksionit që ushtrojnë dhe veçanërisht cilësitë personale që duhet të kenë si shëmbëlltyra e administratës publike.
Titullarët e institucioneve publike, të emëruar, të mandatuar apo të zgjedhur, janë personat që kanë autoritetin për të vendosur, drejtuar dhe përfaqësuar objektivat dhe funksionet e institucionit përkatës të administratës publike. Ndërsa administratorët janë nëpunësit që kanë autoritetin të drejtojnë burimet njerëzore dhe infrastrukturore për të realizuar objektivat institucionale në administratë publike. Të dyja këto kategori të nëpunësve zyrtarë janë pozicione kyçe në administratë, megjithatë është vetëm pjesa e administratorëve e konsideruar si civile dhe teknike e Administratës Publike që i garantohet vazhdimësia në funksionin përkatës, ndryshe nga drejtuesit, që, me mbarimin e mandatit, apo me largimin për shkak rotacioni politik, i mbaron dhe roli drejtues në institucionin përkatës.
Termi “administrator publik” mund të ketë kuptime të ndryshme, në varësi të sistemeve dhe modeleve ligjore të përzgjedhura. Megjithatë, duke iu referuar ligjit të ri për nëpunësin civil identifikohet një trajtim i ndryshëm dhe i posaçëm i një kategorie të “administratorëve publikë” që ndryshe njihet dhe si TND–ja (Trupa e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues). Kjo kategori ka garanci për vazhdimësinë funksionale që nuk e kishte me ligjin e vjetër për statusin e nëpunësit civil. Kjo mbrojtje reflektohet në rregullat ligjore mbi emërimin, vazhdimësinë në karrierë dhe shkarkimin e tyre. Sipas ligjit, Nëpunës Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues do të konsiderohen; (i) sekretar i përgjithshëm; (ii) drejtor departamenti dhe (iii) drejtor drejtorie të përgjithshme, si dhe pozicione të barazvlefshme me to.
Ligji ka përcaktuar një mënyrë të re konkurrimi dhe emërimi të kësaj kategorie menaxhuese të nivelit të lartë në administratë, ashtu si dhe për kategoritë e tjera të nëpunësve. Pjesë e TND–së mund të bëhesh në dy mënyra. Së pari, mund të pranohen personat që kanë përfunduar formimin e thelluar në ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike). Pranimi në programin e formimit të thelluar për TND në ASPA bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, i cili është i hapur për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese. Përjashtimisht ky konkurs mund të hapet edhe për individë të tjerë, vendas ose të huaj, që nuk janë pjesë e shërbimit civil, por që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND. Së dyti, mund të pranohen drejtpërdrejt dhe ata persona që nuk kanë përfunduar formimin e thelluar në ASPA, po nëpërmjet një konkursi kombëtar. Pranimi i drejtpërdrejtë në TND është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese dhe jo për prurje jashtë administratës publike, me disa përjashtime.
Këta administrues publikë vlerësohen nëpërmjet një konkursi kombëtar nga Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND-të, një komision i posaçëm i përcaktuar sipas një formule ligjore që presupozohet që do të garantojë pavarësi, paanësi dhe meritokraci në vlerësimin e TND-ve. Kandidatët e vlerësuar mbi pragun minimal të 70 për qind të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, sipas radhës së renditjes dhe brenda numrit të miratuar të pranimit në TND, sipas planit vjetor, emërohen nga DAP-i si nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND-së. Po ky komision është përgjegjës edhe për lirimin nga detyra të TND-ve, bazuar në një procedim disiplinor për shkelje shumë të rënda të ligjit.
Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, pranimi në kategorinë e nëpunësve civilë të lartë drejtues bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione të lira dhe është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese. Konkurrimi organizohet nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore. Një institucion i pavarur apo një njësi e qeverisjes vendore, me pëlqimin e nëpunësit dhe miratimin e Departamentit të Administratës Publike, mund të zgjedhë drejtpërdrejt një anëtar të TND-së dhe ta emërojë atë në një pozicion të kategorisë së lartë drejtuese në institucionin përkatës. Plotësimi i një vendi të lirë të kategorisë së lartë drejtuese në një institucion të administratës shtetërore mund të bëhet vetëm me një anëtar të TND-së.
TND–të janë përgjegjës për ushtrimin e autoritetit administrativ, publik, në bazë të integritetit, aftësisë dhe profesionalizimit, sepse marrin pjesë në formulimin dhe zbatimin e politikave, monitorimin e zbatimit të rregullave dhe procedurave administrative, si dhe sigurimin e ekzekutimit të tyre.
Max Weber, një nga themeluesit e shkencës së sociologjisë, ka analizuar ushtrimin e pushtetit dhe impaktin e drejtuesve në shoqëri, duke i dhënë rëndësi sjelljes dhe qasjes personale të drejtuesve. Në këtë pikëpamje, edhe për jetën institucionale, sjellja personale e menaxhuesve është e rëndësishme. Prandaj dhe në sintezë të karakteristikave ligjore të kërkuara për një TND duhet të identifikohen dhe qartësohen edhe disa cilësi të sjelljes dhe qasjes së veprimit personal që një TND duhet t’i ketë apo për të cilat duhet aftësuar nga ASPA (përgjegjëse për trajnimin e TND-ve dhe kandidatëve për TND):
Shembull pozitiv për t’u ndjekur. TND duhet të mëshirojë një bashkësi vlerash tek të cilat edhe vartësit duhet të besojnë.
Pritshmëri të larta. TND–të duhet të artikulojnë pritshmëri të mëdha për vartësit e tyre. Kjo lloj sjelljeje rrit motivimin e punonjësve dhe ndikon në përmirësimin e qëllimeve të punonjësve për veten e tyre, si dhe qëllimeve institucionale si rezultat përfundimtar.
Identifikim dhe ekspozim i qëllimeve institucionale. TND-të i japin institucionit një identitet të posaçëm. Ata shkrijnë karakteristikat e personalitetit të tyre brenda strukturës organizative. Në këtë kuptim TND–të duhet të zhvillojnë dhe përmirësojnë aftësitë menaxheriale. Menaxhimi i institucionit përfshin menaxhimin e veprimtarisë administrative, menaxhimin e nëpunësve vartës dhe menaxhimin personal (të vetvetes).
Ndikimi tek qëllimet e punonjësve/vartësve. Punonjësit mund të matin performancën e tyre në raport me standardet institucionale. Prandaj dhe TND–të, duke identifikuar synimet dhe pritshmëritë e tyre, u japin mundësinë punonjësve të modelojnë sjelljen e tyre personale dhe profesionale në raport me qëllimet institucionale.
Lidhja mes TND–ve dhe vartësve është një lidhje shkak-pasojë. Punonjësit janë të prirur të respektojnë ata menaxherë që praktikojnë drejtësinë dhe qëndrueshmërinë në veprimet e tyre dhe që vazhdimisht përmirësojnë aftësitë e tyre profesionale – menaxheriale. Nga ana tjetër, drejtuesit/administratorët e mirë kanë zotësinë dhe bëjnë përpjekjet që të nxjerrin në pah maksimumin e performancës së vartësve të tyre. Një drejtues i zoti ndihmon punonjësit që të bëjnë më të mirën profesionalisht; nga ana tjetër, punonjësit e zotë stimulojnë drejtuesit të performojnë më efektivisht. Kjo lidhje mendoj se duhet të reflektohet dhe instrumentalizohet në politikat e rekrutimit, edukimit, promovimit dhe qarkullimit të TND–ve në administratë publike.
Administratorët e zotë dhe efektivë sjellin një ndryshim të dukshëm në institucionet ku ata menaxhojnë dhe sigurisht edhe në dhënien cilësore të shërbimeve publike sipas rastit. Vetëm administratorët efektivë sjellin efektin kaskadë në administratë publike, sa i përket menaxhimit efektiv dhe me integritet, si një proces i pandalshëm, i shoqëruar me një zinxhir sjelljesh dhe veprimesh nga nëpunësit e tjerë vartës.
Sfida e drejtimit është në fakt një sfidë e humanizmit. Është një ushtrim praktik në proces, i cili që të rezultojë i suksesshëm duhet të bazohet në faktin se drejtim do të thotë më pak urdhra dhe më shumë hapësirë për zhvillim të kapaciteteve të brendshme të njeriut. Por këtij stili drejtimi duhet t’i bashkohet dhe sensi i misionit bashkë me një shkallë të caktuar vizioni. Për cilësitë e drejtuesit dhe stilin e drejtimit mund të na tregojë sadopak dhe kjo histori: Tre gurëthyes po punonin, ndërkohë që aty kaloi një i katërt dhe i pyet: Çfarë po bëni? I pari përgjigjet: po nxjerr bukën e gojës; i dyti përgjigjet: po punoj që të tregoj se unë jam gurëthyesi më i mirë i krahinës; dhe i treti përgjigjet: po nxjerr gurë për të ndërtuar një katedrale. Sigurisht që vetëm gurëthyesi i tretë e konceptonte punën e tij si mision dhe kishte guximin dhe vizionin për të menduar se çfarë mund të arrihej me kontributin e tij dhe se çfarë mund të përfitonte edhe shoqëria në të ardhmen.
TND–ja, ashtu si dhe gurëthyesi i tretë, si një trupë e rëndësishme drejtimi dhe menaxhimi institucional duhet të jetë e orientuar drejt misionit dhe vizionit në realizimin e qëllimeve institucionale. Zhvillimi dhe lulëzimi institucional, i kuptuar ashtu si duhet nga nivelet e larta të drejtimit dhe administrimit publik, është një proces në vazhdimësi dhe çështje e krijimit, ekspozimit dhe mbajtjes së vlerave dhe një identiteti të dallueshëm institucional në makinerinë komplekse dhe burokratike të Administratës Publike.
* Këshilltare e Kryetarit në Gjykatën Kushtetuese si dhe pedagoge e jashtme për lëndët e së Drejtës Administrative në disa universitete publike dhe private. Opinionet e dhëna në këtë artikull shprehin mendimin personal të autores.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan