Modeli i zhvillimit ekonomik të munguar

Nga Klodian Muço, botuat në Shqip, 11 prill 2014

“I have a dream”, “unë kam një ëndërr”, kështu e niste Martin Luther King çdo fjalim të tij. Një ëndërr të madhe, mundësia për ta realizuar atë. Shpresa për t’i dhënë një sens të ardhmes për ta bërë atë më të bukur, kjo ishte ëndrra e një ndër predikuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, e cila nuk është utopi, por siguria se gjithçka mund të realizohet nëse do të ketë besim.

Do të doja ta nisja këtë artikull me këtë frazë: “Ne kemi një ëndërr”, një ëndërr të madhe për ta konkretizuar, e cila është: “Një model i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm për Shqipërinë”.

Para se të flas për këtë, do të doja të ndalesha te prejardhja e konceptit të zhvillimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Më 1986-n, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sanksionoi për herë të parë të drejtën e zhvillimit, e cila është një e drejtë e detyrueshme që çdo person human dhe të gjithë popujt kanë të drejtë të marrin pjesë dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik, në të cilën çdo e drejtë e të qenët human e të gjitha liritë themelore mund të realizohen plotësisht. Ndërsa në raportin e Brundtland të OKB-së më 1987-n, u dha për herë të parë koncepti i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm: “Një zhvillim që plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftësitë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre. Ndërsa vetë koncepti “zhvillim” ka lindur për herë të parë më 1949-n, me përcaktimin e të kundërtës së tij, pra “moszhvillimi” kur presidenti i SHBA-së, Truman, me rastin e fjalimit të tij inaugurues në Shtëpinë e Bardhë, e ndau botën në dy pjesë, ku papritur, dy miliardë njerëz u konsideruan të pazhvilluar, kjo duke u bazuar në shkallën e tyre të produktivitetit në treg.

Le të rikthehemi në Shqipëri, përgjatë tranzicionit utopik shqiptar të këtyre 20 viteve të fundit, në të cilin Shqipëria ka pasur një zhvillim ekonomik të pakontestueshëm, ku GDP-ja kaloi nga 2.2 miliardë dollarë në 1990-n, në rreth 13 miliardë në 2013-n. Po ashtu, pas një periudhe 11-vjeçare, nga 1999-a deri në 2010-n, me një rritje ekonomike relativisht të kënaqshme, performanca e ekonomisë shqiptare nga 2012-a filloi të tkurret në mënyrë të konsiderueshme. Në publikimin e fundit të INSTAT-it vërehen ritme negative të rritjes reale të GDP-së, ku dominon sektori i ndërtimit me një rënie me dy shifra. Përveç zbehjes së ritmit të rritjes ekonomike, kësaj situate i shtohet edhe rritja e menjëhershme e deficitit dhe borxhit publik, ku ky i fundit ka kapur vlerën rekord prej 70.4%. Në këto kushte, qeveria e re ka një mision të vështirë, ndoshta shumë më të vështirë sesa ishte menduar, e cila është marrja e masave për dalë nga kriza. J.M. Keynes më 1935-n, thoshte se një ndër mënyrat më të mira për të dalë nga kriza është stimulimi i kërkesës agregate me anë të borxhit publik. Kjo do të mjaftonte për të rivitalizuar ekonominë dhe për të prodhuar rritje ekonomike në mënyrë të tillë që të paguajë koston e borxhit. Të njëjtën gjë bëri edhe qeveria shqiptare me lindjen e krizës globale në 2008-n, filloi të stimulonte ekonominë me anë të borxhit publik, duke krijuar kështu një deficit impresionues me një rritje të konsiderueshme të borxhit publik, kjo për faktin që qeveria e kaluar financonte me borxh ndërtimin e rrugëve dhe të infrastrukturës në përgjithësi. Rrugët dhe infrastruktura janë primare për zhvillimin e biznesit, por nuk kanë një kthyeshmëri investimi të menjëhershme, pra ato nuk prodhojnë të ardhura për të financuar më vonë borxhin e marrë. Në 2008-n qeveria e kaluar ndryshoi gjithashtu edhe sistemin fiskal, duke kaluar në taksën e sheshtë 10%, për të stimuluar investimet private, ku ish-kryeministri ynë e pagëzoi ndryshe edhe si çelësin e suksesit të ekonomisë shqiptare, edhe pse, sipas të dhënave të world tax 2013, të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtin presion fiskal, pra rreth 10%. Një politikë shumë e mirë kjo për të ulur informalitetin dhe për të rritur investimet private, sidomos ato të huaja. Qeveritarët tanë, si ata të kaluarit dhe të tashmit, flasin shpesh për investime të huaja, të cilat në Shqipëri, në 2011-n, kapën shifrën rreth 1 miliard euro.

Pjesa më e madhe e ekonomistëve të zhvillimit i konsiderojnë investimet si primare për zhvillimin e një vendi, sidomos ato të huajat. Por nuk duhet harruar që kur flasim për investime të huaja, ato duhet të jenë investime të tipit “greenfield”, ose më saktë duhet të gjenerojnë punësim dhe rritje prodhimi. Ato nuk duhet të jenë si blerja e hidrocentraleve nga Kurum, e cila pagoi 110 milionë euro hidrocentralet që gjeneronin rreth 30 milionë dollarë të ardhura vjetore, pra ky “investim i huaj” nuk gjeneroi as rritje prodhimi të energjisë elektrike, që ne si vend jemi deficitarë, as ulje të çmimit të energjisë e aq më tepër punësim.

Nëse duhet të flasim për një model zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, atëherë duhen reforma ekonomike rrënjësore si: rritje të konkurrueshmërisë në treg, mbështetje të drejtpërdrejtë të biznesit vendas, rritje e dinamikës së tregut të punës etj.

Është e kotë të flasim për agrikulturën si sektori i së ardhmes ekonomike, kur policy maker-at tanë i lënë agrikultorët shqiptarë në mëshirë të fatit; vjet u kalbën patatet në Korçë e në Kukës se dikush u tregua i “zgjuar” dhe i futi me një çmim më të ulët nga jashtë, sivjet po kalben rreth 3500 tonë mollë dhe askush nuk shqetësohet.

Zvicra, një ndër vendet me papunësinë më të ulët në Europë, edhe pse nuk është një vend bujqësor, mbron prodhimin vendas; në çdo supermarket produktet vendase kanë shkrimin “Swiss quality”, pra promovojnë konsumin e produkteve të prodhuara në vend dhe jo ato të importuarat. Sot, komponenti më i rëndësishëm i PBB-së së Shqipërisë është konsumi, kriza financiare e 2007-s ka lindur si krizë financiare dhe është transformuar në një krizë konsumi, për të pasur zhvillim duhet të ketë konsum. Por konsumi nuk vjen nëse në vendin tonë zhvillohen vetëm ato aktivitete që gjenerojnë punësim në shkallë të gjerë, si industria e fasonit apo call center, të cilat paguajnë punëtorët me rreth 60 cent ora, kjo pagë është shumë e ulët për të zbutur varfërinë apo për të rritur kërkesën e brendshme, e si pasojë konsumin. Nuk duhet harruar se çfarë po i ndodh Bullgarisë apo Rumanisë sot, pikërisht pse e kishin bazuar zhvillimin e tyre ekonomik në sektorët lobor intensivë, pasi kishin kosto të ulët të forcës punëtore. Nëse analizojmë delokalizimin e prodhimit nga Italia në Shqipëri, vërejmë kryesisht ndërmarrje që bëjnë konkurrencë kostoje dhe jo konkurrencë cilësie. Kjo do të thotë se nëse nesër shikojnë se kostoja e punës në Eritre apo Bangladesh ulet së tepërmi, me siguri që do e marrin në konsideratë dhe do shkojnë aty ku jo më larg se një javë vdiqën më tepër se 100 veta në një rrobaqepësi, si pasojë e shembjes së çatisë.

Nuk them se duhet përbuzur fasoni, pasi është diçka pozitive, por jo për të bazuar zhvillimin ekonomik të një vendi vetëm në atë sektor.

Kur themi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, fjala është për zhvillimin e industrisë së lehtë për vendet e vogla apo duke krijuar zhvillimin e disekuilibruar, që ekonomisti i zhvillimit A.Hirschman, e kishte aq për zemër, pra duke stimuluar agrikulturën që të zhvillohet edhe më tej, duke krijuar agro-industrinë dhe industrinë ushqimore që s’ka nevojë për investime konsistente dhe për më tepër ne jemi deficitarë. Duke ndihmuar bizneset private dhe të huaja që të kenë sukses në investimet apo duke i stimuluar me anë të sistemit fiskal, uljes së burokracisë, uljes së korrupsionit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë dhe pse jo duke i stimuluar ato ekonomikisht qoftë edhe duke i dhënë në përdorim pronën shtetërore, por me kusht që ajo të mos përdoret për shfrytëzime makabre, siç po ndodh me koncesionet sot në miniera apo në naftë. Ku vetëm për 2013-n kemi eksportuar rreth 1 milion tonë naftë, por, nga ana tjetër, nga 560 000 tonë që ishte konsumi i brendshëm, vetëm 160 000 tonë ishte prodhim vendas, ndërsa pjesa tjetër ishte naftë importi. Kjo ka bërë që edhe te produkti naftë, vlera monetare e balancës tregtare të jetë negative. Nëse kërkojmë zhvillim ekonomik duhet kërkuar nga shoqëritë koncesionare jo shfrytëzim, jo afrikanizim, por investime për të përpunuar prodhimin në vend dhe për të rritur punësimin.

Pra, nëse qeveria jonë e re kërkon vërtet ta nxjerrë ekonominë nga kriza dhe kërkon të ketë sukses në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare duhet të marrë masa për krijimin e një ambienti atraktiv për biznesin, rishikimin e koncesioneve duke pasur si pikësynim punësimin, krijimin e një administrate publike profesionale të depolitizuar dhe të demilitarizuar. Të luftojë informalitetin jo duke ndryshuar sistemin fiskal, duke i shkaktuar një ulje të të ardhurave me tre miliardë lekë, e duke mos arritur t’i bëjë të kuptojnë qytetarët se kjo nuk ishte një rritje e taksave, pasi shkaktoi një efekt psikologjik negativ. Por duke i kërkuar administratës tatimore që të mos detyrojë bizneset vetëm për të blerë kasat fiskale me një çmim të pajustifikueshëm, por t’i detyrojë ata që të presin kuponin tatimor, ku rreth 200 000 kasa fiskale mbahen shpeshherë vetëm për “zbukurim” nga bizneset.

Dhe për të konkluduar nuk duhet harruar që zhvillimi ekonomik nuk vjen duke analizuar veç të dhënat makroekonomike të vendit dhe as ato mikroekonomike, por vjen duke u nisur nga “mezoekonomia”, pra nga një analizë rrënjësore e një niveli ndërmjetës që përfaqëson vendin, ku krijohen lidhjet dhe ndërveprimet ndërmjet një agjenti ekonomik apo individi me një sektor prodhues brenda një sistemi ekonomik. Gjithashtu zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm me anë të integrimit europian, por vjen, së pari, nga zhvillimi i brendshëm dhe duke qenë se Shqipëria është një vend i vogël dhe tregu i saj është i papërfillshëm për të tërhequr investime, mund të mendohet edhe krijimi i një tregu të përbashkët të Ballkanit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi