Ideologjia e Kërkimit shkencor, Realiteti dhe Reforma në Arsimin e Lartë

Nga Odeta Barbullushi, botuar në Mapo Online, 22 maj 2014

 ‘Kërkimi shkencor’ është bërë sot si ‘integrimi europian’: të gjithë e kuptojnë që duhet, por thellë-thellë pak vetë e dinë saktësisht se pse, dhe shumë më pak vetë e vrasin mendjen se ç’lidhje kanë me të. Dhe pothuaj askush nuk ka ndërmend të sakrifikojë status quo-në dhe rendin aktual të gjërave për të. Jo pa të drejtë, tema e kërkimit shkencor po kthehet tashmë në temë kundërproduktive, e gati objekt ironie për ata që e përmendin.  Mendoj që për ta marrë seriozisht kërkimin shkencor, duhet pikësëpari një rivlerësim i statusit të ‘kërkimit shkencor’, me synim që ai të shihet si punë parësore dhe parakusht i mësimdhënies dhe jo thjesht angari për të plotësuar kriteret bazë të aplikimit për tituj shkencorë. Por për këtë ndryshim, kryesisht kulturor, mendoj që duhen riparë parimet bazë të operimit aktual të fushës, si dhe duhen pranuar praktika të reja, që prekin kryesisht financimin dhe menaxhimin e kërkimit shkencor, përgatitjen e vazhdueshme të studiuesve dhe rritjen e standardeve, si dhe lidhjen e kërkimit shkencor me shoqërinë. Disa prej këtyre aspekteve preken në Raportin e Parë të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor të prezantuar muajin e kaluar. Personalisht mendoj që në një dokument me 64 faqe si Raporti për Reformën, 4 faqe kushtuar Kërkimit Shkencor janë shumë pak. Megjithatë, Raporti sugjeron disa praktika pozitive në lidhje me adresimin e problemeve kryesore në fushën e Kërkimit Shkencor, përfshi: forcimin e konkurrueshmërisë mes studiuesve dhe stafit mësimdhënës të Instituteve të Arsimit të Lartë (IAL); përforcimi i ‘departamenteve’ si njësi bazë jo vetëm të mësimdhënies, por dhe të menaxhimit të kërkimit shkencor (përfshi financim, ekspertizë dhe burime njerëzore); futjen e mekanizmave të ‘peer review’, si dhe të vlerësimit periodik të punës shkencore dhe të krijimit të hapësirave për më shume hulumtim paralelisht me mësimdhënien. Së pari, duhet pranuar njëherë e mirë se studiuesit shqiptarë nuk krahasohen dot me studiues të fushave të tyre të universiteteve europiane, e më pak të atyre amerikane dhe aziatike. Dhe po ashtu duhet pranuar se kërkimi shkencor është një fushë prodhimtarie po aq sa është një fushë krijimtarie. Kjo do të thotë se kërkimi duhet të plotësojë disa standarde të pranuara nga i gjithë komuniteti i shkencës në fushat përkatëse dhe jo vetëm nga auditorë lokalë apo rrethi i ngushtë i studiuesit. Frika ndaj termave si ‘produkt’, ‘industri’ dhe ‘performancë’ në fushën e kërkimit shkencor, nuk i zgjidh problemet kryesore që ka sot fusha e kërkimit: të pakonkurrueshmërisë, të mungesës së impaktit brenda shkencës përkatëse apo shoqërisë, të mungesës së standardeve të njësuara perëndimore shkencore, ose thënë shkurt: të palexueshmërisë. Kjo nuk do të thotë aspak që studiues individualë nuk punojnë po aq mirë sa kolegët e tyre europianë apo amerikanë dhe nuk janë po aq të aftë sa ata për të prodhuar dije të konkurrueshme. Problemi është se në shumicën e rasteve u mungon financimi për punë në terren apo në laborator, standardi dhe vlerat që inkurajojnë më të mirët, dhe në fund lexuesi i specializuar në atë fushë, dmth komunikimi me komunitetin shkencor. Në mungesë të lexuesit të specializuar dhe recensës së mirëfilltë, i vetmi forum, arenë shkëmbimi shkencor dhe vlerësuesi shkencor duket sikur ka mbetur media. Për të përmirësuar këtë gjendje, studiuesve e pedagogëve shqiptarë lipset t’u plotësohen dy kushte jetike: mobiliteti dhe përgatitja e vazhdueshme shkencore. Këto të dyja mund t’i zgjidhë a) fondi i posaçëm i departamenteve dhe fakulteteve për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare të stafit, b) për punë në terren, si dhe c) plotësimi real i ‘lejes sabatike’ ose lejes krijuese për stafin. Që pedagogët të arrijnë të përmirësohen në aspektin e kërkimit, nevojitet që ata të shkëputen nga mësimdhënia disa javë apo muaj çdo 4-5 vite, si dhe të marrin vazhdimisht pjesë në konferenca ndërkombëtare, që organizohen nga rrjete akademike specialiste në fushat e tyre e ku të mund të krahasojnë produktin e tyre shkencor me atë çka prodhohet paralelisht në Europë, në Britani, SHBA apo Azi (e jo vetëm në konferenca të rrjeteve bogus anonime rajonale e lokale, ku duhet të paguajnë shuma të majme vetëm që të botojnë në ‘conference proceeedings’). Në Raportin për Reformën, përmendet me shumë të drejtë mundësia e pashfrytëzuar e ‘lejes sabatike’ për stafin universitar. Mirëpo edhe kjo leje, si shumë të drejta të tjera të stafit, ka përfunduar në formalizëm: kjo sepse universitetet tona nuk kanë as fonde dhe as nuk e shohin prioritet të financojnë punën kërkimore të pedagogëve. Këto të dyja, financimi dhe mendësia, shkojnë më së shumti bashkë. A nuk i duket ‘utopike’ shumëkujt, përfshi këtu dhe kolegëve të mi, që universiteti t’i paguajë rregullisht për 3 deri në 6 muaj që ata të lexojnë dhe shkruajnë ‘për hesap të tyre’, apo të shkojnë për ekspedita me muaj të tërë dhe universiteti t’u paguajë shpenzimet e kërkimit? Nëse nuk u duket utopike, atëherë do të isha kurioze të dija se si mendojnë ata se nga dalin këto fonde? Buxheti i shtetit është i kufizuar dhe kërkimi shkencor është aktivitet i kushtueshëm. Kjo më çon te pika tjetër delikate dhe për të cilën ka një lloj gjendjeje ‘mohimi’ nga komuniteti shkencor, financimi dhe menaxhimi i kërkimit: Përmirësimi i standardeve të kërkimit shkencor dhe përgatitja e vazhdueshme e studiuesve e pedagogëve kërkon një rishikim të mekanizmave dhe mendësisë së financimit të kërkimit. Kërkon që së pari, Universiteti, Departamenti dhe Fakulteti ta shohin veten si organizma të gjallë, vetëgjenerues dhe autonomë, në aspektin e vendimmarrjes akademike por dhe të financimit; dhe së dyti, kërkon funksionimin e një lidhjeje më të mirë mes Universitetit dhe shoqërisë. Për sa i përket së parës, është e domosdoshme që kërkuesit shkencorë, studiuesit dhe më gjerësisht, stafi i institucioneve të arsimit të lartë (IAL) ta shohin punën e tyre si gjeneruese të ardhurash. Kjo do të thotë që, përveç të ardhurave që vijnë nga studentët dhe nga financimi shtetëror, çdo hallkë e punës kërkimore mund të gjenerojë të ardhura që shkojnë në përmirësimin e infrastrukturës së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, në grante për studimet doktorale e në financim ekspeditash e aktivitetesh kërkimore. Çdo kryeredaktor/e reviste shkencore dhe çdo përgjegjës/e departamenti, dekan/e apo drejtor/e instituti kërkimor/ndëruniversitar mund ta shohë veten jo vetëm si një ekspert/e të fushës, por edhe si një mini-menaxher/e të punës kërkimore që gjeneron stafi i tij/saj. Përveç të ardhurave të vetëgjenerueshme, shteti ka për detyrë të financojë dhe mbështesë një pjesë të kërkimit shkencor. Kjo pjesë, në Raportin për Reformën zgjidhet me anë të dy mekanizmave: Agjencisë Kombëtare për Kërkim Shkencor (AKKSH) dhe Agjencisë Kombëtare të Financimit (AKF). Ideja e financimit nëpërmjet agjencive është për t’u lavdëruar. Por mendoj se ky financim duhet të jetë sa më i pavarur nga mekanizmat politikë dhe diskrecioni i individëve apo grupeve të caktuara të interesit. Sipas skemës që sugjeron Raporti për Reformën, AKKSH dhe AKF do të jenë direkt nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Do të sugjeroja që për të mbrojtur procesin e alokimit të fondeve për kërkimin shkencor, këto agjenci, ashtu si çdo agjenci tjetër shtetërore, duhet të ndjekin procedurat e ‘peer review’ (recensimit anonim si dhe recensimit të jashtëm) si dhe vlerësimit të projekt-propozimeve nga komitete shkencore të përkohshme sipas fushave të caktuara të ekspertizës. Përveçse të kenë varësi administrative dhe financiare, sipas meje agjenci të tilla duhet të funksionojnë sipas procedurave dhe mekanizmave sa më impersonalë për vlerësimin e ide-projekteve kërkimore, si dhe ekspertizën e departamenteve dhe fakulteteve në fusha të caktuara.

Së fundmi dhe më e rëndësishmja, pyetja kryesore që duhet të shtrohet është: për kë dhe për çfarë duhet kërkimi shkencor? Për momentin, në Shqipëri vihet re një mungesë harmonizimi midis ‘nevojës’ për hulumtim shkencor, dhe ‘ofrimit’ të hulumtimit nga pjesëtarët e stafit universitar. Mendoj një prioritizim i kërkimit shkencor është i nevojshëm. Në këtë drejtim, Raporti i Reformës i referohet ‘rëndësisë strategjike’ të disa fushave dhe programeve, por nuk elaboron se kush dhe si do të vendosen prioritetet e kërkimit shkencor. Vende të zhvilluara perëndimore kanë praktika të ndryshme në lidhje me këtë: Britania, si tipi ideal i liberalizimit dhe pavarësisë së kërkimit shkencor, kombinon prioritizimin e fushave të kërkimit shkencor nga a) Agjencitë Kombëtare për Kërkim dhe Shkencë (si Economic and Social Research Council, ESRC) që financon projekte kërkimore, duke marrë parasysh dhe se sa u përgjigjen këto projekt-ide kërkimore prioriteteve kërkimore kombëtare të vendosura dhe përditësuara periodikisht nga ESRC b) vetë universitetet, dhe më gjerësisht Institucionet e Arsimit të lartë. Bazuar në traditën e tyre si këshilluese dhe ofruese të ekspertizës në politikëbërje, universitetet britanike dhe europiane i kanë ofruar përherë shtetit ide dhe ekspertizë lidhur me atë se çfarë duhet të përbëjë politikën e shtetit në lidhje me një drejtim të zhvillimit, sigurisë, kulturës etj. Këtë e bëjnë duke forcuar ekspertizën e tyre në disa drejtime kërkimore. Në funksion të këtij grupimi prioritetesh pranohen dhe aplikimet dhe kërkesat për studime doktorale, hartohen politikat e revistave shkencore të këtij universiteti dhe rekrutohet dhe stafi i ri. Në këtë sens, nuk është qeveria apo agjencitë qeveritare të cilat ‘zhvillojnë’ dhe imponojnë prioritete të caktuara, por investimi në hulumtim dhe studime në fusha të caktuara është rezultat i ndërveprimit mes universiteteve dhe agjencive. Shteti mund të financojë një numër fushash ekspertize të cilat janë ‘strategji kombëtare’, si studime në fushën e kulturës, të mjedisit, të sigurisë, të energjetikës, shëndetit publik etj. Këtë financim, agjencitë shtetërore e shpërndajnë periodikisht mbi bazën e aplikimeve për projekt-ide të departamenteve dhe fakulteteve që kanë ekspertizën më të madhe (numër stafi), studentë doktoralë dhe botime prestigjioze në këto fusha. Mund të jenë pikësëpari universitetet, departamentet dhe fakultetet që zhvillojnë dhe ofrojnë ekspertizën e tyre shkencore për shtetin dhe nuk duhet të jetë shteti që u imponon universiteteve se çfarë duhet të prodhojnë. Këtë sigurisht që nuk ka si ta bëjë Universiteti në shkallën makro, por mund ta bëjnë kryesisht departamentet dhe fakultetet. Shpresoj të vijë ajo ditë kur  studentët të zgjedhin të ndjekin studimet në x departament (dhe jo domosdoshmërisht universitet) apo fakultet, sepse aty jep mësim x profesor dhe studiues i njohur i fushës. Kjo kërkon futjen dhe pranimin e praktikës së ‘menaxhimit të kërkimit shkencor’ në secilin departament dhe fakultet, menaxhim i cili mundëson lidhjen e kërkimit me mësimdhënien dhe anasjelltas.

*Odeta Barbullushi, PhD është Zv/Rektore për Kërkimin Shkencor dhe Metodologjinë në UET.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi