Reforma në arsim: I lirë për të zgjedhur – por vendimin e marr unë

Nga Selami Xhepa, botuar në Mapo Online, 9 maj 2014

Tani që dokumenti mbi reformën për arsimin e lartë është bërë publik, debati mbi propozimet që ofrohen dhe qasjen që synon të ndjekë qeveria ndaj këtij sektori bëhet interesant. Pa vënë në dyshim profesionalizmin e grupit hartues të strategjisë dhe risitë që përcillen në këtë dokument, mendoj se vetë diversiteti i mendimeve të shprehura tashmë nga mjaft personalitete të fushës dhe analistë të ndryshëm, provon më së miri karakterin kompleks të një reforme të tillë. Por, më tepër se kaq, duket se edhe vetë dokumenti mbart në vetvete shumë kontradikta, prandaj dhe mund të atakohet lehtësisht nga të gjitha grupet e interesit. Dokumenti pretendon se në thelb të saj është adoptuar filozofia e tregut dhe zgjidhjet e tregut sipas modelit anglo-sakson. Dhe në një aspekt, kjo duket qartë: transformimi nga statusi juridik që kanë tani universitetet si ente publike, në organizata jofitimprurëse (OJF). Pyetja e parë shtrohet se çfarë problemi zgjidh thjesht ky ndryshim i statusit juridik? Po të ishim në SHBA ose dhe në Angli, sigurisht që ndikimet do të ishin cilësore. Tradita e filantropizmit, fort e përhapur ndër këto vende, do të mundësonte mjaft biznesmenë të suksesshëm që të bënin donacione të bollshme në mënyrë që universitetet të funksiononin pa u përballur me kufizimet e forta buxhetore që të vendos financimi shtetëror. Meqë sektori privat nuk lejohet të financojë institucionet publike, shndërrimi i këtyre institucioneve në OJF do iu garantonte atyre akses ndaj një burimi financimi, që në eksperiencat e vendeve në fjalë, zënë peshën kryesore të financimeve që ata marrin. Prandaj dhe presidentët dhe CEO e kompanive të mëdha qëndrojnë në bordet ekzekutive të universiteteve. Por, a është realiste që një gjë e tillë të ndodhë në rastin e vendit tonë? Probabiliteti që një gjë e tillë të ndodhë në rastin tonë është një vlerë nën-atomike – ndodhja e saj do të ishte një “Mjelmë e Zezë”, sipas terminologjisë së Nasim Taleb. Besoj se askush nuk pret që kjo të ndodhë, të paktën në të ardhmen e parashikueshme (ndoshta, sa të jemi gjallë ne dhe autorët e strategjisë). E nëse universitetet do të vazhdojnë të mbështeten prapë vetëm te financimi nga buxheti dhe nga tarifat e studentëve, atëherë përse është e nevojshme që të ndryshojë forma juridike e universiteteve publike? Disa zëra kritikë e lidhin këtë me dëshirën për të shtënë nën kontroll universitetet publike nëpërmjet bordeve administrative. Sigurisht që bordet do të zgjidhen nga stafet akademike, por vallë deri tani, a nuk kanë qenë zgjedhjet po nga këto komunitete? Nuk më duket i pamotivuar ky argument kritik. Nëse qëllimi i reformës është dhënia e mundësisë edhe universiteteve private që të kenë akses ndaj financimit nga buxheti shtetit, atëherë atyre mund t’iu kërkohej që të ndryshonin statusin e tyre juridik në OJF dhe të ndryshonin të gjithë sistemin e tyre të menaxhimit dhe drejtimit, sipas të njëjtave parime si dhe universitetet publike. Kushdo që do të dëshironte nga investitorët privatë që kanë investuar deri tani në këtë sektor të hiqte dorë nga investimi i tij, kjo do të ishte një mënyrë për të “blerë” investimin privat që është kryer deri më tani. Dhe nuk do të ishte një ide e keqe të parashikohet një alternativë e tillë. Se, për shembull, çfarë do të ndodhte nëse investitori i universitetit x nesër do të vendosë të mos vazhdojë më këtë biznes? Një alternativë mund të ishte dhe kjo, e shndërrimit në një OJF dhe komuniteti i profesorëve do të ketë një mundësi ta vazhdojë këtë aktivitet në një formë të ndryshuar juridike. Por, edhe në këtë pikë, mendoj se parashikimet nuk janë aspak realiste. Investitorët privatë që kanë hyrë në këtë biznes presin që reforma të prodhojë një “sistem anglo-sakson”, ku shteti i jep çdo studenti një shumë parash, sipas kostimit të shërbimit për student, dhe studenti është i lirë të shkojë të ndjekë shkollën që dëshiron, në publik ose në privat. Ky është sistemi i tollonit të Fridman-it që disa vende e kanë aplikuar me sukses. Por kjo reformë që propozohet nuk parashikon këtë. Përkundrazi, studenti humbet në mënyrë dramatike lirinë themelore të tij – lirinë për të zgjedhur shkollën që dëshiron. Propozimi është që, që në vitin e fundit të shkollës së mesme, nxënësi të plotësojë një formular me tri preferencat e tij për universitetet që dëshiron të shkollohet – publike dhe private. Dhe në fund, është një ent qeveritar i ministrisë që do të shpërndajë studentët sipas degëve dhe universiteteve. Kaq shumë për lirinë e zgjedhjes së studentit! Mendoj se kjo është pikëpyetja më e madhe e reformës. Si do ndahen studentët sipas universiteteve? Skema është shumë e hapur për praktika korruptive – për shembull, kush paguan më shumë mund të marrë dhe numrin e duhur të studentëve. Si mund të kontrollohet transparenca e gjithë këtij procesi? Si garantohet llogaridhënia e enteve shtetërore? Po sikur, larg qoftë, një student të ndryshojë preferencën e vet deri kur të vijë dita të shkojë në universitet? Një nga mangësitë themelore të sistemit tonë arsimor, e ndoshta më shumë atij universitar, është kuadri pedagogjik/akademik. Duhet t’i shohim gjërat me sy real. Nëse universitetet tona nuk arrijnë të bëhen pjesë e programeve kërkimore që financon Bashkimi Europian e madje edhe pjesëmarrjen për prezantime punimesh e kemi kryesisht në konferenca mediokre – pa e absolutizuar, pasi vërtet mund të ketë raste të veçanta suksesi, por ky nuk është rregulli. Fakti që në vendin tonë ne nuk kemi një revistë të vetme shkencore serioze, që të jetë referencë për botën akademike globale. Dhe çfarë thotë strategjia për këtë? Thotë që do ju ndalojë dypunësimin stafeve pedagogjike të sistemit publik. Dhe kjo bëhet në emër të dedikimit të tyre më shumë ndaj kërkimit shkencor. Ne e dimë të gjithë që 80-90% e të ardhurave të një pedagogu janë paga që merr dhe jo të ardhurat nga kërkimi shkencor. Druaj se një masë e tillë, në vend që të japë rezultatin që synon – përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, – thjesht do të dëmtojë disa universitete private që kanë një prurje nga ky kontingjent profesorësh. Mund të rriten kostot për sektorin privat, por pa e ndikuar cilësinë e sistemit universitar shtetëror. Një diskutim që do ia vlente do të ishte: a duhet ruajtur sistemi i Bolonjës? Ka tashmë një kuptim përgjithësisht të qartë se ndryshimi i sistemit tonë sipas Kartës së Bolonjës, e shoqëruar me deformimet serioze të kërkesave të tregut të punës – me kërkesën për të patur diplomë master edhe për një pozicion zyrtari të thjeshtë në çdo zyrë të administratës – i ka humbur kuptimin diplomës së studimeve të nivelit të parë – bachelor. Aq sa kjo zor se konsiderohet nga tregu si diplomë. Ironia duket kur strategjia vendos kushtin që edhe edukatorët e kopshteve të jenë më diploma Master! Për vazhdim të logjikës i bie që, që të bëhesh mësues, duhet të jesh doktor shkencash! Që sistemi të thithë stafin më të mirë akademik/pedagogjik dhe studentët më të mirë – dhe kjo krijon konkurrencën dhe presionin për standarde cilësore reale të sistemit tonë mësimor – universitetet duhet të hapen ndaj talenteve më të mira. Le të hapen poste pune për profesorë e akademikë në poste kyçe – titullar lëndësh të rëndësishme – ku të ftohen edhe stafe ndërkombëtare dhe të financohen pagat e tyre. Le të paguajmë që nxënësit më të mirë të familjeve shqiptare në emigracion të ndjekin falas universitetet tona. Dhe të shkojmë më tej të thithim dhe studentë të huaj elitarë. Në një auditor ku gjenden një kontingjent studentësh elitarë, mësimdhënia fillon të bëhet elitare dhe presioni konkurrencial në sistem fillon të japë efektet që presim për cilësinë. Për të siguruar cilësinë e shkollës, strategjia mjaftohet vetëm të thotë se “do të vendosen indikatorë të matshëm të output-it”. Shumë mirë, por nuk thotë mjaft. Tekstet mësimore janë ushqimi që duhet të marrë studenti. Meqë tekstet janë në gjuhë të huaj – kryesisht anglisht – mësimi i kësaj gjuhe është një “must” për gjithkënd që ndjek një shkollë të lartë. Një pjesë e madhe e literaturës ndihmëse, kërkimi më i fundit akademik dhe evidencat empirike të teorive që studiohen në tekstet standarde akademike, janë në sitet e internetit apo në botimet periodike serioze, në gjuhë të huaj. Strategjia duhet t’i kushtojë një vend edhe adresimit të këtij problemi – si do ta zgjidhim? Nëse vazhdojmë që disa tekste të përkthyera keq dhe në shkelje flagrante të të drejtave të autorit, t’u shiten studentëve – duke e bërë shitjen e teksteve biznesin kryesor të disa “akademikëve” – them se do të shkojmë edhe më keq. Ndoshta ka ardhur koha që një fond kombëtar të përdoret për të përkthyer në gjuhën shqipe tekstet origjinale të autorëve më të mirë, një praktikë që tek-tuk është mbështetur nga ndonjë donator zemërgjerë, por tani duhet të bëhet një praktikë serioze. Ndërkohë, mësimi i gjuhës së huaj dhe kombinimi i vlerësimit të dijeve në çdo lëndë, duke përfshirë dhe njohjen që duhet të marrë një student nga literatura e huaj, duhet të fillojnë gradualisht të prezantohen në sistem. Duke e mbyllur, sinqerisht nuk arrij të dalloj se çfarë është anglo-saksone në këtë qasje që ka dokumenti. Iu kërkohet universiteteve të bëhen OJF dhe financimi nuk iu sigurohet – askund nuk thuhet sa do jetë buxheti, sa do rriten tarifat – por ama është konstatuar drejt se nevojat për një financim “modest” të arsimit të lartë kërkojnë dhjetë herë më shumë fonde. Domethënë, ose buxheti i shtetit për arsimin e lartë do të dhjetëfishohet (të shkojë në 350 milionë euro, kur gjithë buxheti i ministrisë nuk është kaq!), ose tarifat e studentëve do të dhjetëfishohen – gjë që askush nuk e pret. Pika kryesore e dokumentit duhet të ishte një prognozë e qartë, e shtrirë në kohë, e kombinimit të rritjes së financimit shtetëror dhe e riformatimit të tarifave që duhet të paguajnë studentët. Por edhe kjo mungon në dokument. Pasi të bëhen OJF, universitetet do të marrin po kaq varfërisht financim, pedagogët do të paguhen po aq varfërisht dhe ndërkohë, studentët humbasin dhe lirinë për të zgjedhur. Nëse reforma nuk ofron më shumë mundësi zgjedhjeje për studentët, programe dhe institucione studimore më cilësore, paga më të larta për stafet akademike dhe nxitje të vërtetë të konkurrencës në sistem, atëherë çfarë problemesh zgjidhim? Zgjidhjet sigurisht që nuk janë të lehta, por duhen formuluar qartë dhe me guxim. Ndoshta është më mirë të rrisim ndjeshëm financimin për sistemin që kemi, të hapim garën për të sjellë edhe stafe të huaja akademike, fakulteteve t’iu vihen fonde në dispozicion për të sjellë në sistemin e tyre studentë elitarë, të dedikuar për ata që kanë mbaruar studimet e mesme (ose për programet paraardhëse, në varësi të programit që kërkon i interesuari) në një vend të huaj, të shtojmë fondet për librin dhe literaturën, të kufizojmë numrin e studentëve që pranohen në fakultete dhe të përmirësojmë gradualisht infrastrukturën e tyre, duke i rritur kuotat në përputhje me mundësitë reale të sistemit. Universitetet private të monitorohen dhe të kërkohet transparencë e tyre në raport me publikun, në mënyrë që besimi ndaj këtij sektori të rritet në mënyrë të merituar dhe të përligjur. Le të studiojmë më me maturi financimin – të ndërtohen disa skenarë të mundësive që ka qeveria për të rritur buxhetin deri në 5% të GDP-së – siç e kërkojnë normat e pranuara ndërkombëtarisht, të mendohet edhe për një reformë tarifore serioze dhe për skema realiste të subvencionimit të “ekselencës” dhe të të “pamundurve materialisht”. Më vonë mbase i vjen koha edhe hapjes ndaj sektorit privat për financime, por tani siç e dimë, të gjithë ne po financojmë shumë keq edhe shkollat publike. Për momentin, le të mbështesim kërkimin shkencor dhe punën krijuese të të gjitha universiteteve, publike dhe private, pasi që të dyja i shërbejnë një qëllimi. Të monitorojmë më mirë punën e universiteteve duke shkuar ministria dhe agjencitë qeveritare atje, dhe jo monitorime nga zyrat. T’i lëmë studentit më shumë hapësirë të zgjedhë, të ketë lirinë të lëvizë në sistem për të gjetur më të mirën; të ketë mundësinë të ndjekë edhe më shumë se një program – edhe në kohën e diktaturës kjo lejohej, sigurisht me kufizime. Këto liri që i kishte studenti, me këtë strategji hiqen. Kjo qasje që nënvizova shumë shkurt, është evolutive, por rruga drejt suksesit e tillë është – e gjatë, e ngadaltë, e lodhshme e rraskapitëse. Të gjithë e dimë klishenë – nuk ka rrugë të shkurtër drejt suksesit!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi