Si duhet konceptuar reforma në bujqësi

Nga Faik Islami, botuar në Shekulli Online, 2 maj 2014

Mbi bazën se si duhet konceptuar reforma në drejtësi, dhe se me fjalën reformë në praktikë kemi përjetuar një zhvendosje emrash dhe emërimesh, gjithkujt i lind pyetja: Konkretisht, çfarë do të presupozonte një nismë e tillë në sferën e bujqësisë?A nuk po bën pakë Ministria e Bujqësisë, ministri  dhe krerë të forcës politike, që e drejtojnë bujqësinë, vetë kryeministri, me ecejake të shumta te prodhues apo fermerë? Sigurisht nuk mund të mohohen  t këto lëvizje. Por, që të gjitha këto nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me reformën, nuk janë kurrsesi pjesë e saj. Të bërit “një çikë më mirë”,  të të bërit shumë keq, nuk është rilindje.

Reforma duhet të jetë një paketë e plotë ligjore, me shikim  të largët zhvillimor të bujqësisë. Duhet të jetë  e barabartë me një Kushtetutë të Tokës dhe Ujërave, ku në të duhet jenë të përfshira  tokat në përgjithësi, toka arë në veçanti, destinacionet: për arë, frutikulturë, blegtori,  pyjet e  kullotat, si edhe e gjithë gama e administrimit të produktiviteteve.

Ajo medoemos do të duhet të paraprihet nga një studim i hollësishëm i gjendjeve reale, i dëmeve mbi tokën dhe në gjithçka që është kryer në këta vjet. Sot shpenzojmë gati 2 miliardë euro për importet ushqimore, të cilat, realisht mund t’i kemi nën këmbët tona, fshehur në tokën që e kemi shkelur .Reforma  duhet të sanksionojë me ligj  përgjegjësitë e përkatëse për mbrojtjen e tokave prej vërshimit të ujërave, përmbytjeve, një dukuri periodike, shkatërruese për tokën dhe njerëzit, ardhur kryekëput prej qeverisjeve të papërgjegjshme, ligjeve të mangëta dhe prej atyre që nuk janë zbatuar.

Duhet të përcaktohen mirë dhe qartë detyrat, që nga  pronarët e ngastrave për mirëmbajtjen e kanaleve të tyre deri te ata që do të mirëmbajnë sekondarët ,terciarët, hidrovoret, thellimet e përvitshme, me afate të përcaktuara. Reforma duhet të ketë në epiqendër të saj rajonizimin orientues të bujqësisë, sipas ekosistemeve përkatëse.

Ndoshta në tri zona të mëdha ose mundet edhe më shumë, si psh, zonat e bujqësisë së fortë, zonat mesatare dhe të dobëta. Kjo duhet të shërbejë si bazë planifikimet e investimeve të përvitshme të qeverisjeve të ardhshme, por edhe për orientimin e sipërmarrjes, për raportet e tyre me tregun e brendshëm dhe atë rajonal. Duhet të përcaktohen detyra për të gjithë qeverisjet vendore dhe qendrore lidhur me studimin shumë të nevojshëm të lirimit të tokës prej ndërtime shkatërruese, të cilat janë një pengesë e madhe për të ardhmen e një bujqësie intensive  Prona është private, por shteti, si përfaqësues i komuniteteve,  nuk lejon me ligj individin të veprojë sikurse është vepruar në mënyrë shkatërruese mbi tokën bujqësore. Dhe prej reformës ndër vite, duhet të kalohet gradualisht drejt “qytezave bujqësore” të urbanizuara , duke i liruar (me shkatërrim e pastrim), sipërfaqet e tokës bujqësore, të pushtuara në mënyrën më kriminale prej ndërtimeve të pastudiuara.

Pjesë kryesore e reformës duhet të jetë përcaktimi ligjor i rolit të sipërmarrjes dhe të vet sipërmarrësit  në bujqësi. Vetë definicioni anglo-sakson i sipërmarrjes në bujqësi na thotë se sipërmarrës është ai individ, i cili merr përsipër të kultivojë një sipërfaqe toke, marrë prej pronarëve nëpërmjet tri formave: me qira, kooperim ose me blerje, dhe që merr përsipër një risk jo të vogël. Pse e risk? Sepse gjithkush e di që bujqësia është një uzinë pa çati.

Pa nxitur këtë formë, duke filluar që nga detyrimi  i gjithkujt pronari ngastre që ta mbjellë tokën bujqësore se ndryshe me ligj atij i hiqet, duke kaluar ashtu gradualisht te sipërmarrja, pa një status të veçantë të sipërmarrësit, kurrë nuk do kemi reformë frytdhënëse dhe bujqësinë që presim. Reforma duhet të synojë ngritjen e modeleve të bujqësisë efektive, sipas zonave zhvillimore. Bujqësia kudo ka ecur sipas modeleve. Bujqësisë tonë i mungon modeli. Ky tip bujqësie është tipi më i neveritur, edhe pse për ta zbutur, e pagëzuan me emrin “bujqësia e mbijetesës”.

Modelet ngrihen vetëm me mbështetjen e shtetit dhe të drejtuara prej tij. Deri më tani, nuk po ndodh asnjëra prej këtyre.  Përkundrazi! Po vihet  re këto ditë një  stuhi “shpresëdhënëse”, sipas së cilës,  individët që mbjellin dhe prodhojnë, do të stimulohen për prodhime të hedhura në treg, nga një fond prej diku 15 deri në 20 milionë euro. Këto lloje stimulimesh  kanë qenë të dukshme në këto vite, por edhe këto, si plot të tjera, do të mbahen mend vetëm në ditën që ato para do të jepen.

Fill të nesërmen kanë për t’u harruar fare. Sepse  asnjëra prej këtyre dukurive nuk është pjesë e reformës së shumë pritur në bujqësi. Madje,  kjo e fundit, donacioni na çon te “bujqësia e sadakasë,” për individët prodhues! Nuk kanë vuajtur fermerët  nga mungesa e stimujve. Ata vuajnë prej gjendjes së sistemit të bujqësisë. Vuajnë prej tokës, si mjeti themelor i prodhimit, e cila ndodhet në gjendje të mjeruar. Është toka në vuajtje dhe jo individët që e mbjellin.

Ai fond mund të përdoret për ngritjen e tri apo katër modeleve të bujqësisë me sipërmarrje, psh në Lushnje, Fier, Vlorë, Shkodër apo Korçë. Këto mund të ishin dallëndyshet e para të një bujqësie efektive. Sa më shpejt të ndërrohet kursi dhe sa më shpejt të kalohet në shinat e reformës, aq më mirë do të jetë për vendin. Në të kundërt, qeveria e sotme mund të katandiset si ajo e djeshmja.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi