Financimi i shëndetësisë për frymë në vitet 2004-2014

Sipas Open Data Albania

Open Data Albania ka marrë në shqyrtim se sa është shpenzuar nga Buxheti i Shtetit për shëndetësinë për cdo banor të vendit tonë në vitet 2004-2014. Indikatori është llogaritur si raport i financimit të shëndetësisë me popullsinë përkatëse të atij viti, ecuria e të cilit jepet në grafikun në vijim. Financimi total për shëndetësinë nga Buxheti përbëhet nga buxheti i  Ministrisë së Shëndetësisë dhe Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore, të cilat administrohen nga ISKSH.

Në vitin 2004 është shpenzuar mesatarisht 6 597 lekë nga Buxheti i Shtetit për shëndetësinë, për cdo banor të Shqipërisë dhe që prej këtij viti, ky nivel ka ardhur përgjithësisht në rritje. Në trendin e tij ka ndikuar rritja e buxhetit për shëndetësinë, mbledhja në rritje e kontributeve nga sigurimet shëndetësore dhe ulja e popullsisë nga viti në vit. 2010-a dhe 2013-a janë vitet me rritjen më të ulët të shpenzimeve të shëndetësisë për frymë, si pasojë e uljes së  buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Efekti negativ i tkurrjes së fondeve për këtë ministri mbi shepnzimet e shëndetësisë për frymë mundi të eleminohej nga rritja e të ardhurave nga sigurimet shëndetësore dhe ulja e popullsisë.

Vitet 2007, 2009 dhe 2011 spikasin për rritjen e lartë të shpenzimeve të shëndetësisë për frymë, duke shënuar përkatësisht vlerat 8 981 lekë (+16.84%), 11 062 lekë (+13.74%) dhe 12 447 lekë (+12.04%). Pas këtij viti, shpenzimet e shëndetësisë për frymë kanë njohur një rritje modeste, duke ngelur brenda kufirit të 13 000 lekëve. Përjashtim bën parashikimi për vitin 2014, ku pritet një rritje e ndjeshme e këtij indikatori, me 9.14%.  Kështu, niveli i shpenzimeve të shëndetësisë për frymë mendohet të arrijë në 14 109 lekë, 1 182 lekë më shumë se në 2013-n dhe 1 350 lekë më shumë se në 2012-n. Krahasuar me 10 vjet më parë (2004-n), Shqipëria po shpenzon nga buxheti i saj 2.1 herë më shumë për frymë për shëndetësinë.

Sfida për të rritur financimin e shëndetësisë për frymë në 2014-n ngelet për t’u verifikuar, pasi varet nëse buxheti do të realizojë parametrat fiskal të parashikuar dhe nëse mosrealizimi i tyre do të shoqërohet me tkurrje të financimeve të sektorëve prioritarë, duke përfshirë këtu edhe shëndetësinë, sikurse ka ndodhur në vitet e mëparshme gjatë rishikimimt të buxhetit. Risku për realizimin e këtij objektivi në 2014-n është akoma më i lartë po të mbahet parasysh se rritja e shpenzimeve të shëndetësisë për frymë po mbështetet kryesisht në rritjen e të ardhurave nga sigurimet shëndetësore dhe jo nga rritja e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Grafiku në vijim paraqet ecurinë ndër vite të shpenzimeve të shëndetësisë për frymë, buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe popullsisë.

Interes të vecantë paraqet krahasimi i nivelit të shpenzuar për shëndetësinë për frymë nga Shqipëria me vendet e tjera të rajonit. Grafiku në vijim jep një pamje të këtij indikatori, të shprehur sipas Paritet të Fuqisë Blerëse, në dollarë korrent.

Sikurse mund të vihet re, deri në vitin 2012, Shqipëria ka qënë në mënyrë konstante vendi me shpezimet ndjeshmërisht më të ulta të buxhetit qëndror për shëndetësinë për frymë, në gjithë rajonin. Në 2012-n, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka shpenzuar mesatarisht 258$ për frymë, ndërkohë që vendi i dytë pas saj, i mbajtur nga Maqedonia shpenzonte 2-fishin, 535$. Hendeku thellohet akoma më tej nëse krahasohemi me Malin e Zi, i cili shpenzon 2.3 herë më shumë apo 535$ për frymë, Bosnje dhe Hercegovinën (2.56 herë më shumë apo 660$) dhe Serbinë (3 herë më shumë apo 704$).

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi