Sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria?

Nga Luan Shahollari, botuar në Dita, 8 prill 2014

Reforma administrative-territoriale nuk mund të arrijë objektivat e caktuar nëse nuk do të dihej sëpari numri real i qyteteve dhe fshatrave dhe të popullsisë së tyre në të gjitha komunat, bashkitë dhe qarqet e vendit. Këto qendra banimi përbëjnë bazën ku ngrihen dhe funksionojnë njësitë e qeverisjes vendore me organet e tyre përfaqësuese dhe ekzekutive.

Sipas nenit 5 të ligjit 8652/2000 për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, qytet, shpallet (me ligj) një qendër banimi e cila ka një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Kurse fshati krijohet në një territor me mbi 200 banorë me vendim të këshillit komunal.

Po sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria sipas këtyre përcaktimeve? Duket si pyetje të cilës  mund t’i jepet një përgjigje të shpejtë. Të shpejtë po, por jo të saktë, pasi në këto dy dekadat e fundit nuk është bërë ndonjë “invetar” nëse ka “firuar” apo është shtuar ndonjë prej tyre.

Qytetet

Sipas censusit 2011, për herë të parë në Shqipëri, popullsia që banon në zonën urbane e ka kaluar numrin e popullsisë në zonën rurale në raportin 53, 5% me 46, 5%, kundrejt 42.2 % dhe 57.8 % më 2001, dhe 35.7% me 64.3% më 1989.  Pra, midis viteve 1989-2011, popullsia banuese në zonën urbane është rritur 17.8% duke u pakësuar me të njëjtën përqindje në zonën rurale.

Zakonisht zona urbane përfshin qytetet mbi territorin e të cilëve ngrihen kryesisht bashkitë, kurse zona rurale përfshin fshatrat, mbi të cilat ngrihen komunat.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria deri në vitin 1990 ka pasur 67 qytete, në vitin 2000, 74 qytete, po kaq edhe vitet e fundit (2009).

Nëse u besojmë këtyre të dhënave del se, edhe pas dy e më shumë dekadave, në rrethin e Tropojës ka 3 qytete , në rrethin e Mirditës 4 qytete, në rrethin e Matit 3 qytete, në rrethin e Bulqizës 2 qytete, në rrethin e Kurbinit 3 qytete etj. Kami në Tropojë, Kurbneshi në Mirditë, sa për të sjellë ndonjë shembull, figurojnë si qytete vetëm për faktin se dikur janë shpallur qytete!

Para vitit 1990, qyteti ka qenë një njësi e ndarjes tokësore-administrative të vendit, me këshillin popullor dhe komitetin ekzekutiv e tij prandaj të dhënat kanë qenë të sakta. Mirëpo pas vitit 1990, ndodhën ndryshime të thella politike, ekonomike, sociale dhe demografike. Kështu, shumë qytete që lindën nga qendrat minerare apo industriale në vitet 1950-1980, si rrjedhojë e mbylljes të minierave, uzinave dhe fabrikave të pasurimit, pas vitit 1990 filluan të boshatisen. Papunësia dhe varfëria ishin dy faktorët kryesorë që nxitën largimin e popullsive të tyre drejtuar qendrave urbane apo rrethinave të qarqeve të Tiranës dhe Durrësit.

Tani, në vend të veçorive dalluese që karakterizojnë një qytet, kanë mbetur grumbull pallatesh apo shtëpish të rrënuara dhe pak njerëz, që rrojnë me ndihmë ekonomike. Statusi “de jure” i tyre është qytet pasi janë shpallur kështu me ligj nga Presidiumi i Kuvendit Popopull (para 1990) kurse në fakt ky status është shuar prej kohësh.

Fshatrat

Po sipas INSTAT, ka pasur 2848 fshatra në vitin 1990, 2962 fshatra në vitin 2000, dhe po kaq edhe tani! Po a mund të besohet që jetë rritur numri i fshatrave pas vitit 1990 deri në vitin 2000 dhe ky numër të ketë mbetur në vend në këto tre pesëvjeçarët e fundit? Në fakt, logjikisht i bie që të ketë ndodhur fenomeni i kundërt: që numri i tyre të ketë rënë për shkak se dallgët e lëvizjeve të popullsisë më shumë kanë prekur zonat rurale.

Gjatë viteve 1989-2011 numri i popullsisë ka rënë në 10 qarqe dhe është shtuar vetëm në 2 prej tyre: në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.

Ritmi më i lartë i çpopullimit ka prekur fshatrat malore me burime jetese të kufizuara  të zonës verilindore (Shkodër, Kukës, Dibër) por edhe të zones jugë-lindore (Korçë, Gjirokastër) e të zonave të tjera. Sipas Censusit (regjistrimit) të popullsisë të vitit 2011, për herë të pare, qarku i Gjirokastrës është renditur i fundit me 72,176 banorë ose 2.6% të popullsisë banuese gjithsej në shkallë vendi, duke ia kaluar edhe qarku i Kukësit me 85,292 banorë ose 3%.

Me qindra fshatra, që dikur kishin qindra apo mijra banorë secili tani nuk kanë as 200 persona për t’u quajtur qendra të tilla banimi. Madje ka edhe “fshatra” ku popullsia e tyre numërohet me gishtat e duarve. Në shumë krahina apo komuna popullsia ka rënë në nivelet e fshatrave të vegjël. Sipas të dhënave të Censusit 2011, 70 komuna kishin mesatarisht secila nga 1,498 banorë, 24 të tjera nga 801 dhe 11 nga 385 banorë.

Kuptohet se sa e gjatë do të ishte lista me fshatrat që u ka mbetur vetëm emri. Prandaj është e nevojshme që të lehtësohet invetari me emërtime të tilla fshatrash.

Ka edhe një dukuri tjetër: shumë fshatra kanë marrë një zhvillim të tillë urbanistik, social-ekonomik dhe demografik që gjithnjë e më tepër po u ngjajnë qyteteve. Kështu psh Golemi i Kavajës apo Ksamili i Sarandës tani janë fshatra apo qytete? Përgjigjen e saktë të kësaj pyetjeje dhe të tjerave në raste të tilla vështirë se mund ta japin institucionet publike përkatëse.

Përfundim

Për një rindarje administrative-territoriale dhe krijimin e njësive të reja të qeverisjes vendore sëpari është e nevojshme të njihet numri i qendrave të banuara sipas kritereve të tanishme  ligjore për shpalljen e qyteteve dhe fshatrave. Pra, duhet bërë një “invetar” i këtyre vendbanimeve në të gjitha komunat, bashkitë e qarqet e vendit.

Por kjo nuk mjafton, pasi kriteret ligjore nuk janë të plota dhe të qarta për të dalluar një zonë urbane nga një rurale apo të ndërmjetëme. Prandaj, për të mbushur boshllëkun ligjor dhe institucional për emërtimin e qendrave të banuara qytet dhe fshat duhet të hartohet një ligj i veçantë me disa kritere bazë demografike, urbanistike, historike dhe social-ekonomike. Për caktimin e këtyre kritereve duhet të përshtatet legjislacioni i vendeve europiane këtë fushë.

Duke parashikuar se, në të ardhmen, nuk do të ketë qytet dhe fshat pa një plan rregullues të miratuar nga Këshilli i Ministrave do të ishte më e drejtë që edhe miratimin e shpalljes së tyre dhe të ndryshimit të statusit të tyre ta bënte i njëjti organ. Në këtë mënyrë kjo do të parandalohej krijimi i qendrave të banuara me shkelje urbanistike dhe pronësore dhe do të kishim fshatra dhe qytete sipas kritereve bashkohore.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi