Demokraci dialoguese

Nga Arben Meçe, botuar në Balkanweb, 8 prill 2014

Këshilltari i Tony Blair-it, Anthony Giddens (Baroni Giddens), përdori termin “demokraci dialoguese”, në rastet kur grupet e qytetarëve të ndihmës reciproke, të braktisura nga forcat politike, të shqetësuar, të shpërfillur dhe të zemëruar, detyrojnë debatin publik. Ky nocion është një përparësi e politikes demokratike në aktualitetin e sotëm, sepse ajo rigjenerohet nga baza, nga dëshira elementare e njerëzve për të jetuar kështu dhe jo ndryshe, nga qëndresa kundër pretendimeve për të jetuar ashtu si ata nuk dëshirojnë të jetojnë. A nuk do të ishte i përshtatshëm ky nocion i njohur në kushtet kur debatet politike për takimin e liderëve kryesorë politikë për zhvillimin e reformave të rëndësishme që preokupojnë të gjithë po bëhen çdo ditë të pashpresë!? Në fund të çdo kërkese secili paraqet pretendimet e tij dhe kështu me radhë kalojnë ditë të tëra dhe mungesa e dialogut politik bëhet pengesë jo vetëm për zhvillimin e reformave të ngutshme, por edhe për paraqitjen e vendit tonë në sytë e ndërkombëtarëve si vendi i vetëm në rajon me mungesën e stabilitetit politik të nevojshëm. Angazhimi i sotëm politik është përqendruar më shumë në gjetjen e armikut se sa në gjetjen e konsensusit dhe të kompromiseve të nevojshme për çuarjen përpara të reformës, megjithëse qeveria është nën konsulencën britanike. Pak kohë më parë, si pasojë e mungesës së konsensusit politik për reformën për gjykatat administrative, reformën në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese u bëmë shkak për mosmarrjen e statusit së BE-së, e tashmë ndodhemi në të njëjtën situatë me reformat e tjera, sikurse ajo në fushën e drejtësisë, administrativo-territoriale etj. Ajo që pritet, the only way, për zgjidhjen e ngërçit, është takimi i krerëve politikë dhe vetë jeta merr frymë! Por edhe takimi i shumëpritur nuk mund të shmangë fatalitetin, sepse edhe nëse ata mund të takohen, diskutimi mund të humbasë, sepse nuk do të merret ndonjë vendim. Të mos flasim për realitetin ku ndodhemi, ku askush nuk shpreson që diskutimi edhe nëqoftëse do të ndodhë të përfundojë me konsensus. Edhe vetë autoritetet politike më të larta të Perëndimit janë mërzitur aq shumë nga ky ngërç saqë kërkojnë me këmbëngulje konsensus, duke mos marrë në konsideratë faktin e rëndësishëm, që vetë kjo fjalë është mënjanuar nga fjalori politik, sepse me të drejtë politologjia e mirënjohur Hannah Arend, thekson se, “marrëveshja e opinioneve” nuk sjell tjetër gjë veç terrorin dhe shtypjen. Pra, në rastin tonë të dyja palët mund të ulen të ndajnë opinione të njëjta për reformën administrative-territoriale psh. dhe të prodhojnë një marrëveshje në kundërshtim me interesat e publikut, por në harmoni me interesat e ngushta partiake. Jo më kot kjo fjalë e shumëpërdorur është zëvendësuar me fjalën consent, (pëlqim) me të cilën kuptohen opinione të kundërta, të cilat në një moment pragmatik të caktuar, ku nuk ka më kohë, bashkohen dhe përdoren për të arritur në një vendim, por që më pas, vazhdojnë të mbeten opinione të kundërta.

Duke marrë në konsideratë situatën në të cilën ndodhemi të dy kahet e politikës shqiptare, si opozita dhe maxhoranca nuk kanë pse druhen nga paaftësia e tyre për të qenë instrumente të formimit korrekt të vullnetit politik. Për mungesë të vullnetit politik u bojkotua statusi i vendit kandidat vitin që shkoi e bashkë me të shumë reforma të shumëpritura në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht atë të funksionimit të gjykatës administrative, e cila na hoqi nga duart dhe fondin e dhuruar me shumë bujari nga autoritet e SHBA-ve. Të ndodhur në këto kushte, ato nuk kanë pse druhen nga plebishiti e referendumet. Plebishiti mund të kthehet madje në një instrument të rëndësishëm, me anë të të cilit sovrani ka të drejtën që në rast nevoje të shprehet e të vendosë kundër parlamentit dhe qeverisë, pa përfillur institucionet dhe partitë. Plebishiti është një instrument i rëndësishëm i demokracisë; një instrument i domosdoshëm, me të cilin qytetarët ndjehen më të sigurtë në vetvete se sa më parë. Ai që kërkon ta pajisë politikën me të drejtat dhe detyrat e saj nuk ka pse t’i trembet plebishitit. Sepse kur plebishiti mbetet mundësi përherë e pranishme, ai nxit forcat politike, qeveritë dhe parlamentet. Kur shtetasit kanë të drejtë të shprehen vetë se si duan të jetojnë e si jo, se çfarë dëshirojnë të kenë dhe çfarë jo, politika mund të ripërtërihet nga rrënjët. Plebishiti mund të vërtetojë se politika ka kuptim, se ajo eshte e nevojshme dhe e mundshme. Natyrisht nuk janë të pakta rastet historike kur njerëz të mashtruar nga demagogë të regjur ose kur pasioni politik rrezikon të triumfojë mbi sensin e vlerësimit, në këtë rast ky argument flet shumë kundër plebishiteve dhe referendumeve. Konkretisht ne shqiptarët jemi trembur shumë nga dështimi i referendumit për Kushtetutën e vitit 1994 dhe ai për formën e regjimit. Por në një kohë kur njerëzit qëndrojnë larg angazhimit politik apo heqin dorë prej tij, pasi nuk kanë besim se do të arrijnë, do të ndryshojnë diçka, plebishiti mund të inkurajoje demokracinë dhe t’i shërbejë rivendosjes së politikës. Me të drejtë Anthony Giddens i referohet nocionit të “demokraci dialoguese” sa herë që krerët e kaheve të politikës nuk gjejnë vullnetin e nevojshëm për marrjen e vendimeve të përbashkëta për të çuar përpara ecurinë e reformës. Sipas këtij nocioni, politika braktis arenën e saj të zakonshme, parlamentin, qeverinë dhe gjen strehë në “subpolitikë”, në “vetorganizimin e politikës”, në iniciativat qytetare, në grupet qytetare të ndihmës reciproke, në plebishitet dhe referendumet e përbashkëta, të cilat çojnë pashmangshmërisht përpara ecurinë e reformave të dëshiruara.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi