Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për administratën gjyqësore

Siaps Shqiptarja.com, 22 mars 2014

Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për administratën gjyqësore të miratuar në parlament me shumicë të thjeshtë votash gjatë periudhës së qeverisjes Berisha. Bëhet fjalë për ligjin  nr.109 datë 01.04.2013 “Për administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, ligj i cili asokohe është kundërshtuar nga Partia Socialiste pasi mungonte konsensusi dhe ligji cilësohej si jo kushtetues.

Ligji është shpallur si antikushtetues me votat e 9 anëtarëve të gjykatës kushtetuese, ndërsa deri në miratimin e një ligji të ri administrate gjyqësore sipas vendimit të kushtetueses do të funksionojë me ligjin e vjetër.Ka qenë Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë që ka kërkuar shpalljen si antikushtetues të ligjit për administratën gjyqësore, pasi sipas tyre ligji i miratuar kalonte menaxhimin e buxhetit të gjykatave si të drejtë ekskluzive të Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu në pretendimet e ngritura Unioni i gjyqtarëve shprehet se ndërhyrja legjislative është bërë në kundërshtim me parashikimet e neneve 6 dhe 81, paragrafi 2, shkronja “a”, të Kushtetutës, të cilat përcaktojnë se organizimi dhe funksionimi i institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta bëhet nëpërmjet ligjeve të tyre organike, ligje të cilat duhet të miratohen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ligji  nr.109 datë 01.04.2013 “Për administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” miratuar me shumicë të thjeshtë votash, ka hyrë në fuqi më 17 prill të vitit të shkuar. Ligji përcaktonte një sërë pikash deri në emërimin apo shkarkimin e stafit të administratave gjyqësore.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë argumentuar se ligji për administratën gjyqësore, bie ndesh me nenet 131, shkronja “a”, 134, paragrafi 1, shkronja “f”, të Kushtetutës si dhe në nenet 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi