Reforma territoriale – Me apo pa qarqe?!

Nga Skender Minxhozi, botuar në Java, 17 mars 2014

Pozita duket se e ka seriozisht me reformën territoriale. Bledi Çuçi dhe Bashkim Fino, përkatësisht ministri përgjegjës për reformën territoriale dhe kreu i komisionit parlamentar për reformën në fjalë, kanë nisur një tur nëpër Shqipëri, për të bashkëbiseduar me autoritetet lokale rreth mënyrës, formatit dhe skemave të riorganizimit që do të përdoren për reformën e ardhshme territoriale.

Me apo pa qarqe? Kjo është një ndër dilemat kryesore, tani që reforma territoriale po nis të marrë formën e saj konkrete. Niveli i dytë i qeverisjes, ai i qarkut, duket se është, ashtu siç pritej, një hallkë delikate, në zinxhirin e ndryshimeve të thella që priten në kuadrin e reformës. Në një tryezë të organizuar së fundi nga ministri Çuçi, me Programin e Zhvillimit Rajonal (RDP) dhe Institutin e Zhvillimit të Habitatit Co-Plan, është diskutuar rreth kompetencave, numrit dhe formatimit të qarqeve, si dhe për pozicionin e drejtuesve të qarqeve. Ministri Çuçi thotë për Java se maxhoranca po formëson një ide të qartë rreth nivelit të dytë të qeverisjes dhe se tashmë analiza për këtë rolin dhe pozitën e qarqeve, në kuadrin e reformës, është bërë e plotë.

Po cilat janë variantet që pritet të debatohen në ditët e ardhshme për qarqet? Cili do të jetë fati i tyre, kur Shqipëria të mos ketë më 380 njësi të qeverisjes vendore, por disa fish më pak? Mund të thuhet se variantet mbi të cilat po reflektohet janë tre: një variant që konsiston në zhdukjen e qarqeve, një tjetër që parasheh forcimin e kompetencave të tyre për shërbime sociale etj, si dhe zgjedhjen e kreut të qarkut me votim popullor apo emërim nga qeveria, si dhe një variant i tretë që parasheh tkurrjen e numrit të qarqeve, nga 12 të tillë, në vetëm 4 ose 6.

Duhet thënë se secili prej këtyre varianteve mbështetet në një negociatë politike mes forcave kryesore parlamentare. Si i tillë, ky proces është produkt dhe pasojë e një vullneti të caktuar politik. Ministri Çuçi shprehet se ai vetë personalisht, do të preferonte që niveli i dytë i qeverisjes të suprimohej totalisht. “Jemi një vend i vogël ballkanik dhe nëse shohim eksperiencën e vendeve të tjera rreth nesh, si Sllovenia, do të vërejmë se qasja ndaj qarqeve, apo rajoneve, quajeni si të doni, ka qenë drejt tkurrjes së tyre. Pra një organizim i qeverisjes lokale, pa nivele ndërmjetëse”. Çuçi thotë se kjo është një ndër variantet në tryezë dhe se gjithçka mbetet e hapur për konsultim dhe vendimmarrje në javët e ardhshme.  “Jemi të kushtëzuar nga konsensusi i opozitës, pasi nëse do aplikohej kjo skemë, do të duhej modifikimi i Kushtetutës”, shprehet ministri Çuçi.

Një variant tjetër, është ai forcimit të kompetencave të qarkut, në drejtim të shërbimeve sociale, si arsimi, shëndetësia etj. Në këtë optikë hyn edhe forcimi i rolit dhe kompetencave të kreut të qarkut, duke e zgjedhur atë me votim popullor. Kreu i komisionit parlamentar Fino deklaroi pak ditë më parë se kreu i qarkut duhej zgjedhur nga vota popullore. Kurse ministri Çuçi mbetet më i hapur në këtë drejtim. Ai nuk përjashton asnjërën nga rrugët, votimin apo emërimin e tij nga kryeministri. Gjithsesi, nëse do të kemi një votim popullor për kreun e qarkun, duhet ndryshuar sërish Kushtetuta. E këtu del edhe një herë në pah problemi i numrave në parlament.

Ka dhe një variant të tretë për riorganizimin e nivelit të dytë të qeverisjes vendore, që është ai pakësimi apo tkurrjes së numrit të qarqeve. Është varianti i cili anashkalon nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Është gjithashtu varianti ku parashihet që numr i qarqeve të shkojë nga 12 që është sot, në 4 apo maksimumi 6. Ekspertët e ndryshëm ndahen tek këto shifra, por ne esencë ata bien dakort se pakësimi i numrit të bashkive, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në pakësimin edhe të qarqeve.

Ministri Çuçi thotë se paravërësisht variantit që do të fitojë, skema e re e organizimit të nivelit të dytë të qeverisjes do të jetë minimaliste. Këtë e dikton, sipas tij, ulja drastike e numrit të njësive vendore, si dhe filozofia e përgjithshme mbi të cilën është ndërtuar reforma territoriale-administrative që po ndërmerret.


Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi