Reforma e vonuar administrativo – territoriale

Nga Adri Nurellari, botuar në Shqip, 11 mars 2014

Rotacioni politik në Shqipëri u shoqërua me futjen në qendër të vëmendjes së opinionit publik të njërës prej reformave më të rëndësishme të vendit tonë, asaj administrativo-territoriale. Mund të thuhet se një ndër pak avantazhet e krizës ekonomike është që nga zori qeveritë detyrohen të tregohen më nikoqire me fondet e pakta. Në kushtet e borxhit të madh aktual dhe nevojës për shkurtim shpenzimesh ekziston një motivim i mjaftueshëm për ta krasitur këtë sistem të tejfryrë të të punësuarve si përfaqësues vendorë dhe për ta bërë pushtetin vendor më efikas dhe funksional. Jo vetëm që reforma territoriale ka qenë një ndër rekomandimet më të spikatura të ndërkombëtarëve, por në parim për nevojën e një reforme të tillë janë shprehur përfaqësuesit e të gjitha partive kryesore në vite. Kjo do të thotë që kjo reformë e domosdoshme duhet të shtyhet përpara nga të gjitha palët e kurrsesi nuk duhet të instrumentalizohet, duke u bërë pjesë e debatit politik të përditshëm partiak.

Vazhdimi i mëtejshëm me këtë ndarje administrativo-territoriale është i patolerushëm, pasi shërbimet që ofron administrata vendore në pjesën më të madhe të vendit sot lënë shumë për të dëshiruar. Numri i këshilltarëve të njësive tona vendore sot është i afërt me numrin e ushtarëve apo policëve dhe zvogëlimi i numrit të njësive vendore jo vetëm do të kursente buxhetin e shtetit, por edhe do të zvogëlonte mundësinë për të bërë favore politike nëpërmjet rrogave të këshilltarit apo shpenzimeve të tjera administrative. Pra një argument në favor është jo thjesht kursimi por edhe minimizimi i hapësirës apo çarmatosja nga një mundësi për të bërë klientelizëm politik e korrupsion elektoral. Domethënë, shpallja e bashkive dhe mbajtja e një numri të madh komunash është përdorur si një instrument për t’i bërë favore politike anëtarësisë partiake përkatëse në periferi, duke shtuar artificialisht vendet e punës dhe spaletat e titujt për të lajkatosur egot e mbështetësve politikë.

Në situatën e sotme të fragmentuar të territorit tonë me 309 komuna dhe 65 bashki është pothuaj e pamundur që të ndërmerren nisma e projekte infrastrukturore serioze. Për shembull, për të investuar në ndërtimin e një ujësjellësi do të duhej koordinim i shumë njësive njëherësh, pasi kuptohet një projekt i madh do të prekte disa njësi vendore, duke rritur kështu artificialisht kostot e transaksionit. Po ashtu vetë sigurimi i financimit për projekte domethënëse infrastrukturore kërkon përqendrim burimesh e kapacitetesh që mund të bëhen vetëm nëse njësitë vendore janë të mëdha e jo kësilloj ngastrash që kemi ne aktualisht.

Decentralizimi i pushtetit është një ndër parimet thelbësore liberale dhe autonomia financiare është kyçi i decentralizimit, mirëpo në kushtet aktuale kjo autonomi nuk mund të vihet në jetë në shumicën e rasteve. Falë migrimit të brendshëm masiv të dy dekadave të fundit, realiteti ynë demografik ka ndryshuar radikalisht dhe disa komuna të vockla nuk kanë pothuaj asnjë mundësi të mbledhin ndonjë të ardhur nga taksat vendore, madje edhe granti që marrin nga buxheti qendror u shkon i gjithi për paga. Absurdi aktual i abuzimit shkon aq larg sa shpesh drejtuesit e komunave apo këshilltarët jetojnë larg territorit ku janë zgjedhur, fanepsen në komunat e tyre vetëm për të marrë ndonjë rrogë apo votë dhe tërë jetën e kalojnë në qendrat urbane të afërta.

Një tjetër element absurd që paraqet realiteti ynë aktual është ndarja e njësive në natyrë bashki e komunë dhe ndarja e shtetasve të Shqipërisë në dy kategori, qytetarë dhe fshatarë. Për çudi kjo ndarje gati-gati damkosëse dhe nëpërkëmbëse, është e institucionalizuar me kategori të tipit, njësi vendore fshati ndryshe nga njësi vendore qyteti, pension fshati apo pension qyteti. Mbase të vetmin përjashtim në reformë mund ta përbëjë Tirana, meqenëse për specifikën që ka, shpesh shteti ka zgjedhur që kryeqytetin ta trajtojnë veçmas, si njësi administrative më vete, pa përfshirë rrethinat rurale.

Zmadhimi i njësive vendore në përmasa krahinash apo rajonesh do të ngrinte edhe peshën e politikës lokale në veçanti, pasi njësitë vendore të konsoliduara do të kishin më shumë peshë politike, më shumë njerëz në administrim, më shumë fonde të mbledhura apo në menaxhim, duke nxitur edhe interesin publik për politikën vendore, pra edhe pluralizmin dhe demokracinë brenda vendit. Mjafton të shikohet Kosova, për të kuptuar se çfarë peshe merr pushteti vendor nëse njësitë janë më të mëdha. Aq e rëndësishme është komuna në Kosovë, sa politikanë me karrierë të suksesshme në pushtetin qendror, si ish-ministra, nuk hezitojnë të lënë Prishtinën që të shkojnë e të garojnë për kryetarë të komunave periferike të shtetit.

Një tjetër motiv që e bën të domosdoshme reformën është fakti që ka qenë shumë e vështirë që sistemi aktual i pushtetit vendor të koordinojë shërbimet publike apo veprimtari të tjera me institucionet e varura nga pushteti qendror. Shqipëria ka pasur një inerci të shpërndarjes së strukturave shtetërore në bazë të rretheve të dikurshëm, që nuk kanë asnjë përputhje me ndarjen territoriale në komuna e bashki. Kështu arsimi, policia, gjyqësori, prokuroria, sigurimet shoqërore, tatimet e të tjera institucione të varura nga pushteti qendror janë të organizuara në bazë rrethi dhe nuk reflektojnë ndarjen territoriale të pushtetit vendor. Kjo mospërputhje është një absurd më vete, sepse e bën të pamundur rakordimin e punës apo nismave. Prandaj në reformën e ardhshme territoriale duhet pasur medoemos parasysh që të ketë një harmonizim të organizmit mes territorit të pushtetit lokal me atë të degëve lokale të institucioneve shtetërore qendrore. Për ta shmangur këtë problem, një version i volitshëm i ndarjes administrativo-territoriale mund të ishte pikërisht te kthimi tek 36 rrethet e dikurshme, që kanë qenë njësia kryesore administrativo-territoriale.

Në të vërtetë, çështja e krijimit të njësive të mëdha të qeverisjes vendore i shkon përshtat edhe realitetit të Bashkimit Europian, ku aspirojmë të përfshihemi dhe më saktë, shkon në një frekuencë me idenë e Europës së rajoneve. Kjo ide ka të bëjë me faktin që njësitë administrative nënshtetërore, pra të pushtetit lokal, kanë përfituar gradualisht një protagonizëm më të madh politik, ekonomik, social dhe kulturor përkundrejt aktorit tradicional shtet-komb.

Rajonet apo krahinat administrative janë parë madje si aktorë të tretë më vete përkundrejt strukturave shtetërore dhe atyre ndërshtetërore të Brukselit. Në bazë të së ashtuquajturës politikë të kohezionit të Bashkimit Europian, aktivizimi i rajoneve si lojtarë do të ndihmojë në adresimin e pabarazive ekonomike, sociale dhe territoriale që ekzistojnë ndërmjet rajoneve të ndryshme të vendeve anëtare. BE ofron fonde për projekte që do të bëhen nga rajonet pa ndërhyrjen e shtetit, me synimin e përmirësimit të gjendjes së rajoneve të prapambetura. Po ashtu, politika rajonale synon edhe nxitjen e konkurrueshmërisë së rajoneve si dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërrajonal, sidomos kur bëhet fjalë për rajone ndërkufitare. Madje sot rajonet e veçanta kanë përfaqësitë e tyre në Bruksel dhe garojnë për fonde e projekte si aktorë të shkëputur nga shteti përkatës, duke bërë që edhe zëri i periferive të dëgjohet nga institucionet vendimmarrëse europiane. Në kushtet aktuale të fragmentimit të skajshëm, as që mund të bëhet fjalë që pushteti vendor yni të bëhet pjesë e filozofisë së “Europës së rajoneve”.

Me pak fjalë ekziston një numër shumë i madh arsyesh bindëse përse vendi ynë duhet që të ndryshojë radikalisht strukturën administrativo-territoriale të vendit, duke ulur numrin e njësive dhe duke i bërë ato më të mëdha. Vetëm në këtë mënyrë njësitë vendore marrin peshën që u takon dhe bëhen më efikase në ofrimin e shërbimeve publike në administrimin e burimeve, në rakordimin me institucionet e tjera shtetërore si dhe në garimin në realitetin europian të së ardhmes. E vetmja frikë që ekziston me reformën zgjedhore dhe që mund të motivojë sinqerisht hezitimin e opozitës është potenciali për ta instrumentalizuar ndarjen territoriale të njësive administrative me qëllim të përfitimit elektoral, duke bërë keqproporcionim apo gerrymanderringnëpërmjet kufijve të njësive të reja zgjedhore. Mirëpo kjo gjë mund të zgjidhet lehtë nëse njësitë vendore reja të ishin aq të mëdha territorialisht sa edhe të minimizohet çdo lloj leverdie e hapësire për gerrymandering. Në këtë aspekt, për të arritur më lehtë konsensusin për sa u përket kufijve, një version tjetër i vlefshëm për njësi administrative mund të ishin pikërisht 12 zonat zgjedhore, meqenëse për këta kufij ekziston kompromisi i reformës elektorale, duke krijuar kështu njësi vendore të krahasueshme për nga territori e popullsia me rajonet europiane.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi