Na duhet administratë publike, jo administratë mitingashësh

Nga Teuta Nunaj, botuar në Shekulli Online, 24 shkurt 2014

Në administratën publike shqiptare kemi katër kategori punonjësish: nëpunësi civil, funksionarët politikë, nëpunës me status të posaçëm dhe punonjës të administratës publike. Funksioni i tyre,de jure është i rregulluar dhe përcaktuar me ligj, por de facto veprohet ndryshe, që do të thotë se është politika që drejton dhe jo ligji. Edhe ligji i shumëpërfolur i “Statusit të nëpunësit civil”, pas një stanjacioni dy vjeçar, i miratuar me vrap nga parlamenti në ikje, në maj 2013, vazhdon të endet dyerve të institucioneve shqiptare, me apo pa akte nënligjore, si dhe me vendime ende të pabotuara në Fletoren Zyrtare.

Gjë e cila, vetëm ka rritur amullinë mbi funksionin e administratës publike. Administrata publike, nga një institucion parimisht elitar që duhet të jetë për vendin, pasi është i vetmi institucion në tërësinë e tij, që është zbatuesi i drejtpërdrejtë i politikave të qeverisë shqiptare, është kthyer në një institucion peng i politikës, e cila e përdor për interesin e vet dhe keqpërdor funksionin e saj, për të përfituar në mënyrë pragmatiste, të mira në një periudhë afatshkurtër. Për rëndësinë e reformës së administratës publike, është shprehur edhe Komisioni i Bashkimit Evropian, i cili e përcaktoi si kriterin e gjashtë në dymbëdhjetë kriteret që vendi të integrohet.

Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga kjo kërkesë dhe statusi është refuzuar katër herë, sërish Bashkimi Evropian, vë theksin në Progres Raportin e vitit 2013 për reformimin e administratës publike, si një prioritet kyç. Por çfarë ndodh rëndom? Politika jonë e “dashur”, sa herë është në pushtet dhe kudo ku e ushtron drejtpërsëdrejti atë, nuk bën gjë tjetër, veçse e kthen punonjësin e administratës publike në turmë, duke denatyruar vlerat e tij. Pra, jo vetëm e ka politizuar deri në palcë, e ka deprofesionalizuar dhe e ka kthyer në institucionin “elitar” të paaftësisë, nepotizimit dhe korrupsionit, po e përdor edhe si lëndë të parë për mitingje. Mund të thotë dikush: “Po kjo nuk është ndonjë gjë e re; kjo ka vite gjë bëhet nga të dyja forcat politike”. Sigurisht, është një fenomen, i cili lindi dhe u zhvillua në tranzicion, por sipas ligjeve ekonomike, ai duhet të fillojë fazën e rënies, se lulëzimi i tij duhet të mbyllet. Mjaft më! Duhet të ndalojë një herë e përgjithmonë nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor dhe profesional të punonjësve të administratës publike.

Në këtë mënyrë, politika nuk ka bërë gjë tjetër, veçse e ka bastarduar funksionin, potencialin dhe misionin e administratës publike, duke mos e trajtuar atë me respekt, dinjitet dhe profesionalizëm. Administrata publike prej vitesh është kthyer në parcelën shtojcë të politikës, e cila e punon dhe e përdor atë sipas nevojave ushqimore të saj.Gjë e cila është një denigrim dhe zbehje vlerash të mirëfillta të institucionit dhe punonjësve të tij. Ndaj, thirrja më e natyrshme, që i drejtohet politikës është: Lejojini punonjësit publikë të ushtrojnë funksionet dhe të zbatojnë detyrat institucionale dhe mos i depersonalizoni duke i kthyer në kavie ushqimi për mitingje! Mjaft luajtët me fatin, dinjitetin, personalitetin dhe vlerat e tyre. Kjo mënyrë trajtimi duhet të ndalë një herë e përgjithmonë, ndryshe Shqipëria do të vazhdojë akoma që të endet dyerve të Evropës për t’u integruar!

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan