Në rend të ditës: Forcimi i institucioneve rregullatore

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 15 shkurt 2014

Në krye të zhvillimeve ekonomike të vendit gjatë ditëve të fundit ka qenë pa dyshim kaosi (edhe pse jo  edhe spekulimi) në tregun e sigurimeve. Duke marrë shkas nga rritja e paargumentuar e çmimeve në këtë treg dhe nga fakti se “epidemia” e rritjes së çmimit (përndryshe të fitimeve) përfshiu të gjitha kompanitë, si dhe problematikën që shoqëron mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve në përgjithësi, mendoj se është rasti të flitet më qartë se ç’po ndodh edhe në disa tregje të tjera “të rregulluara” në vendin tonë. Kur themi “të rregulluara”, fjala është për ata sektorë të ekonomisë që më parë kanë qenë shtetërore, janë kthyer në publike, është ndërtuar kuadri përkatës ligjor dhe institucional për privatizimin e tyre dhe në fund është kryer privatizimi. Synimi kryesor i këtij procesi ka qenë dhe mbetet futja e konkurrencës së hapur për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, përmirësimi i menaxhimit të sektorëve përkatës, përmirësimi i teknologjisë, injektimi i kapitalit të freskët në buxhet etj. Ndërkaq, sektorët dihen, ndër ta: bankat, kompanitë e sigurimeve, minierat, aeroportet, nxjerrja dhe përpunimi i hidrokarbureve etj., duke përfshirë së fundmi edhe sektorë shërbimesh (si p.sh. kolaudimi i makinave apo ngjyrosja e karburanteve).

Se si është zhvilluar i gjithë procesi i privatizimit të pronës publike, nuk është momenti të ndalemi sepse gjithkush është mjaftueshëm i informuar, të paktën me pasojat e këtij procesi.

Problemi në të cilin dëshiroj të ndalem është funksionimi i enteve rregullatore, të cilat në “hapat” e përmendur me sipër janë krijuar si rezultat i hartimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe institucional përkatës për sektorët e ekonomisë që janë transformuar gjatë dy dekadave të fundit.

Siç dihet, edhe pse emra të ndryshëm si “autoritet publik” i krijuar me ligj të veçantë dhe në vartësi të Kuvendit apo “agjenci qeveritare”, e krijuar njëlloj, por në varësi të Ekzekutivit, institucione të tilla janë përgjegjëse për ushtrimin e funksioneve të veta ligjore në mënyrë autonome, si në drejtim të rregullimit ligjor (shpalljes, monitorimit dhe sigurimit të zbatimit të rregullave, të parashikuara në legjislacionin primar dhe në atë sekondar – lëshimin e “rregullave të lojës”), ashtu edhe në fushën e supervizionit, d.m.th. të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për sektorin përkatës.

Funksionet bazë apo të përbashkëta të institucioneve rregullatore lidhen kryesisht me sigurimin e transparencës së informacionit, të procedurave të marrëdhënieve midis palëve, garantimin e zbatimit të ligjit për sjelljen në treg të operatorëve të ndryshëm, mbrojtjen e konsumatorit etj. E tashti të vijmë te situata jonë konkrete. Pyetja e vetme dhe më e thjeshtë që mund të ngrihet me këtë rast është: Mos vallë abuzimi në një treg të caktuar, “ndëshkimi” i pamerituar i konsumatorit në emër të fitimeve marramendëse (d.m.th. spekulimi në kushtet e keqzbatimit të ligjit) duhet të godasë pafundësisht konsumatorin që të “zgjohen” institucionet përgjegjëse, qeveria, Kuvendi apo edhe vetë agjencitë shtetërore rregullatore të tregjeve? Në një këndvështrim më të drejtpërdrejtë, cilido mund të konstatojë lehtësisht se si është gjendja e sotme e disa tregjeve ligjërisht të “rregulluara”, të tilla si:

– në sektorin bankar. Gjatë 2-3 viteve të fundit, interesat janë vetëm për depozitat dhe kanë mbetur të larta (me ndonjë ulje simbolike), për kreditë, edhe pse Banka Qendrore flet rregullisht për “mekanizma transmetimi” e gjoja stimulim të ekonomisë reale… Rezultati është rritja e marzhit midis këtyre dy lloje interesash, që lehtësisht përkthehet mbartje e barrës së krizës te klientët e bankave e te konsumatorët fundorë së bashku me ta.

a) Në tregun e hidrokarbureve. Të dhënat tregojnë se le të luhatet sa të dojë çmimi në bursat ndërkombëtare, në Shqipëri çmimet njohin vetëm rritje (a nuk u rrit 3.9% (INSTAT) nga dhjetori 2013 në janar 2014, edhe pse qeveria tha se rritja e taksave nuk do të sjellë rritje të çmimeve dhe se karburantet kanë detyrim ligjor të mbajnë gjendje 90 ditë rezervë sigurimi?). Nuk po flas për tregun e gazit, sepse atje po luhet (në skena reale) një nga filmat e Perëndimit të Largët…

b) Në tregun e sigurimeve. Rritja me 45% e çmimit nga të gjitha kompanitë së bashku, duke përfshirë INSIG, më e pakta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një marrëveshje të fshehtë midis tyre me pasojë cenimin e nivelit të jetesës së një numri shumë të madh konsumatorësh. Por nëse shihet me kujdes ky treg, merret vesh se sipas një vlerësimi jozyrtar, rreth gjysma, 20-50% e makinave që qarkullojnë në territorin shqiptar nuk janë të siguruara dhe kompanitë aktuale po “kujdesen” që “ne të tjerët” (d.m.th. pjesa e përdoruesve të makinave që paguajmë rregullisht) të mbajmë edhe peshën e tyre se kështu ruhen… fitimet e kompanive. Madje edhe shtohen kur ato merren vesh për të fiksuar çmimin apo për të ndarë tregun… Nuk po them se cilët janë ata që lëvizin me makinë të pasiguruar, se gjithkush e kupton se cilët janë… A nuk bëri të njëjtën gjë vetëm pak vite më parë edhe CEZ, që në kushtet e pamundësisë së mbledhjes së pagesave për energjinë, me “ndihmën” e entit rregullator përkatës (ERE), nën ndikimin e qeverisë rriti çmimin e energjisë elektrike (kuptohet për ne të tjerët që paguajmë…).

c) Në tregun e medikamenteve mjekësore (akoma nuk kanë dalë shifra…).

d) Në tregun e telekomunikacioneve. A nuk kemi internetin më të kushtueshëm në rajon? A nuk rriti kompania e telefonisë fikse (Albtelekom) qysh nga 1.01.2014 çmimet pa asnjë konsultim publik paraprak dhe argument mbi përmirësimin e shërbimit apo investime të kryera (ku janë ata që në emër “të ndëshkimit të korrupsionit qeveritar” dikur e gjuanin me topa letre higjienike Albtelekomin, atëherë pronë publike…) etj.

Sipas mendimit tim, kjo situatë reflekton trashëgiminë kaotike nga qeveria e mëparshme, ngadalësinë e ndërmarrjes së reformave të premtuara nga kabineti qeveritar; përpjekjet e saj për të kapërcyer “emergjencën e qeverisjes” përmes task-forcave, aksioneve në formën e “visible actions” (p.sh. aksionin policor me lojërat e fatit, gjobat për parkimet etj.), spekulimin e bizneseve të ndryshme përballë apatisë, korrupsionit dhe pasigurisë së administratës publike, veçanërisht të institucioneve rregullatore dhe mbikëqyrëse të tregut, si: Banka Qendrore, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, Enti Rregullator i Ujit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit etj., etj.

Nuk përbën sekret edhe fakti se në kaosin rregullator dhe performancën e keqe të një numri institucionesh rregullatore që mbizotëron në tregjet tona, ka terren për ndonjë masë qeveritare “jopopullore” (të kuptueshme për shkak të qenies në vitin e parë të qeverisjes), por më shumë janë mundësitë për ndonjë “gol” nga agjencitë, autoritetet etj., në bashkëpunim me bizneset (që janë përreth tyre) duke përfshirë edhe ato që listova më lart, punonjësit e drejtuesit e të cilëve më e shumta që bëjnë është të mbarojnë ndonjë punë të tyren…

Nëse elita politike drejtuese e vendit mjaftohet me ndonjë deklaratë a kërcënim mediatik (jo vetëm në fb), konsumatori mbetet në mëshirën e fatit…

Ndoshta është koha që Kuvendi i Shqipërisë, me cilësinë e bartësit të vullnetit të sovranit, të përmbushë detyrën e vet duke rritur transparencën dhe llogaridhënien e enteve rregullatore dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse të tregjeve dhe të mbrojtjes se konsumatorit, disa prej të cilave janë thjesht mbrojtëse të interesave të oligarkisë post-komuniste të Shqipërisë, si dhe një “refugium pecatorum” (strehë mëkatarësh), që as e dinë se ka ndërruar qeveria, e ndonjëri as që e di se ka ndërruar vetëm… sistemi çerek shekulli më parë… E deri atëherë, qytetarëve nuk iu mbetet tjetër veçse të shpresojnë…

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan