Miqtë e Shqipërisë dhe miqtë e partisë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 16 shkurt 2014

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht gjendeshin në Tiranë politikanë perëndimorë si Wolfgang Grossruck, zv/president i Asamblesë Parlamentare të OSBE. Në takime dhe media ai deklaronte se ishte mik i partisë në pushtet dhe jepte mbështetje pa kufi për çdo qëndrim politik që lidhej me qeverinë. Për të, opozita shqiptare dhe kritikët e qeverisë ishin përgjegjëse për çdo vonesë, dështim apo skandal publik.
Tani kur rotacioni politik është jetësuar dhe palët politike kanë ndryshuar vend e rol, në Tiranë ishte një tjetër “zv/president”, Gianni Pittella, zv/president i Parlamentit Evropian. Edhe për politikanin italian deklarata e parë ishte se ishte mik i kryeministrit dhe se ishte kumbara i marrëveshjes partiake të të majtëve për të ardhur në pushtet. Siç pritej, ai kritikoi opozitën politike për problemet politike të ditës, – duke shfaqur të njëjtën sjellje si Grossruck në 8 vitet e shkuara.
Fenomeni nuk është vetëm nominal, është thuajse edhe strukturor, përfshin çdo nivel përfaqësues, deri edhe Parlamentin Evropian, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera me rëndësi të madhe politike. P.sh, një tjetër politikan i skenës evropiane, Jozef Daul, drejtues i grupimit të EPP, u investua njëanshmërisht në politikën shqiptare duke kaluar cdo limit kur adresoi fyerje personale ndaj kryetarit të opozitës së majtë në Shqipëri. Në atë kohë dhe sidomos pas rotacionit, në Tiranë ndryshuan rolet dhe në vend të Daul u shfaq Hannes Swoboda, edhe ky politikan i lartë evropian dhe zv/shef i grupimit të partive socialiste/socialdemokrate.
Edhe ai me krenari dëmtoi ndihmesën dhe mbështetjen e madhe ndaj krahut të majtë politik në Shqipëri, si dhe bëri deklarata etiketuese ndaj palës kritike të saj, opozitës. E njëjta skemë “në emër të Evropës” ndodh edhe kur p.sh, jep deklarata për Shqipërinë Pack ose Kukan nga e djathta dhe Schulz apo Boshtinaru nga ana e majta.
Për një vend ku Evropa ishte dhe mbetet projekti më i madh kombëtar, ku beteja për integrim evropian konsiderohet thuajse e njëjtë sa beteja e 100 viteve më parë për pavarësinë e vendit, zhvillime të tilla me “dy standarde” shkaktojnë pështjellim dhe pasoja. Së pari sepse dëmtohet mesazhi që bashkësia evropiane përcjell dhe bashkë me të, edhe imazhi që ajo krijon në perceptimin publik. Së dyti, gjithnjë krijon mundësi për alibi nga politikanët aventurier shqiptarë, dhe kështu, publikut i afrohet një pasqyrë e deformuar e bilancit politik dhe raporteve të tyre me vlerat evropiane.
Së treti, vende si Shqipëria bëjnë pjesë në modelet oligarkike të periferisë, ku në shkëmbim të mbështetjes politike shumë politikanëve “evropiane” u bëhen “dhurata” financiare, në banesa turistike, pagesa financiare, dhënie titujsh nderi, dekorata dhe deri koncesione monopoliste financiare. Konkretisht, nga emrat e përmendur më lart njëri prej tyre ka vilë private në një qytet tonin bregdetar, tjetri një monopol fitimprurës në fushën energjetike në veri). Së katërti, duke iu shërbyer pa kushte palëve tona politike, shumë prej këtyre zëdhënësve “perëndimorë” ndikojnë në rënien e besimit publik tek demokracia, në vonesën e procesit të demokracisë funksionale dhe kështu, në krijimin prej tyre të një imazhi edhe më negativ ndërkombëtar për Shqipërinë, etj.
Për brezat tanë që jetuan periudhën komuniste është e njohur praktika kur miqtë e partisë (PPSH) që mbushnin tribunat e Kongreseve nuk ishin dhe nuk mund të ishin de facto miqtë e Shqipërisë. Në periudhën e tranzicionit, pavarësisht se krahasimi duket cinik, në thelb mbetet e njëjta tezë: ata që duan në çdo kohë dhe me çdo kusht partitë tona politike apo sundimtarët tanë politikë të radhës, nuk janë domosdoshmërish edhe ata që duan de facto Shqipërinë dhe shqiptarët! Sjellja e tyre ndaj vendit ndryshon në varësi nga pozita ku ndodhet partia/lideri vendor që ata njohin e mbështetin, duke krijuar një rreth të mbyllur interesash që lënë pasoja për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.
Ky zhvillim tranzicioni ka krijuar një paradoks: të gjithë duam Evropën, por të gjitha partitë e liderit duken se realisht duan vetëm “Evropën e tyre”, dhe anasjelltas, – pra krahun politik të tyre, ideologjitë e tyre, modelet e tyre, fjalën dhe sjelljen e tyre. Kaq absurde është kjo situatë saqë ka politikanë të djathtë shqiptarë që marrin kurajën të tallen me të majtën evropiane (perëndimore), dhe anasjelltas, ka politikanë të majtë që marrin kurajën të tallen me thënie perëndimore kritike ndaj të djathtës perëndimore!
Në një nahije si kjo e jona, – plot halle e varfëri, plot probleme dhe stres, plot kujtime negative dhe me një perspektivë gri, ku shumica periodikisht ngre një palë oligarkë në piedestal, ku ka më shumë mite e fjalë sesa punë e sens mase, ku modeli frymëzues politik vijon të jetë “aftësia për tu pasuruar, për të mposhtur kundërshtarët politikë dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet”, – importe të tilla evropiane nuk na bëjnë mirë, dhe për më tepër, kryejnë funksionin e ilaçeve të skaduara.
Në fund të fundit, ky vend gjatë shekullit të tij të parë nuk ka vuajtur kurrë për miq të shumtë për partitë në pushtet apo për pushtetarët e radhës, sa ka vuajtur për pak miq të mirë për Shqipërinë. Dhe sot e mot, si përherë, kemi nevojë vetëm për miq të mirë për Shqipërinë, miq që nuk na shohin dhe as na ndajnë sipas flamujve tanë partiak, miq që sjellin e lobojnë për standarde të njëjta demokracie dhe vlera evropiane, miq që kanë kurajë të këshillojnë palët për shumë prej gabimeve të tyre dhe të mbajnë anën e qytetarëve sa herë qeveritë ndodhën në anën tjetër, pra miq që nuk vijnë këtu të bëhen si ne, por që na ndihmojnë ne të shkojmë në Evropën e Bashkuar duke u bërë si ata.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi