(ANTI)PATRIOTIC ACT

Nga Arjan VASJARI, botuar në Mapo Online, 21 janar 2014

Lutja e vetme pas deklaratës së ministrit Tahiri në Top Story se “për rendin jemi duke menduar një nismë të arjan vasjaringjashme me patriotic act të presidentit Bush”, është që të jetë një ide e pakonsultuar. Kryeministri, si një frekuentues i hershëm i nocionit liri, me gjasë nuk di gjë për këtë. Le të shpresojmë se kështu është. Ndaj, me këtë shpresë, versioni tahirian ipatriotic act duhet të na shqetësojë për aq sa përfaqëson. Por duhet të na shqetësojë, sidoqoftë. Sepse në politikë, kalimi nga ideja personale në idenë publike, jo rrallë bëhet përmes një ideje të çartur.

Po! Ideja për të ndërtuar një paralele apo për të ndjerë nevojën që çështjet e rendit në Shqipëri të zgjidhen përmes një modeli liberticid, është një ide kokë e këmbë e marrë. Në thelb, pavarësisht kontekstit dhe justifikimit, patriotic act i presidentit Bush, përpos anëve pozitive të padiskutueshme, ishte edhe një formulë liberticide. Ka me mijëra analiza dhe fakte që e provojnë këtë. Kështu që nuk ka asgjë që e përligj, asgjë që e motivon, asgjë që i jep sens riaplikimit të asaj formule në Shqipëri. Shqipëria sot, ka një krim autokton si çdo vend tjetër. Por, pavarësisht një fluksi kriminogjen të pazakontë në rritje, Shqipëria ngelet një vend, në tërësinë e tij, përgjithësisht i sigurt. Së paku, shumë herë më i sigurt se në të shkuarën. Shumë më i sigurt se më 1997 kur socialistët e morën Shqipërinë në dorëzim me një milion armë nëpër duar. Shumë më e sigurt se 2005 kur demokratët e morën në dorëzim me dyqind e ca banda. Por, as më 1997 dhe as më 2005 nuk i shkoi mendja dikujt që problemet e mprehta të rendit publik të zgjidheshin me masa superspeciale. Dhe kishin shumë arsye që mund ta bënin sepse qoftë kuadri ligjor, qoftë kualifikimi i policisë ishin skandaloze. Sot, Kodi penal dhe ai i Procedurës janë tërësisht të mjaftueshëm për të përballuar çdo situatë kriminale. Policia është e mirëtrajnuar dhe e aftë për të përmbushur gjithë misionin e saj. Atëherë, përse për problemet e rendit publik na u dashka një instrument ad hoc i cili, në të gjitha nivelet e perceptimit ngelet një kërcënues lirish civile? Përse duhet që psika e shoqërisë të ushqehet me filozofinë totalitare të përparësisë së sigurisë mbi lirinë? Dhe tek e fundit, kujt do t’i shërbente kypatriotic act në salcë shqiptare?

Askujt! Shoqërisë mbi të gjitha. Frika racionale ndaj krimit do të zëvendësohej me panikun prej fuqisë së tij. Logjika është e thjeshtë: një masë ekstreme nevojitet për një situatë ekstreme, pra për një realitet kriminal ekstrem. Asnjë shoqëri nuk do të ndihej e qetë kur sheh masa të jashtëzakonshme kundër një fenomeni i cili, në të gjitha rastet, brenda oshilacioneve, është brenda kufijve të së zakonshmes.

Por ideja e formulave “speciale” ndaj krimit mund të ishte me pasoja të paparashikueshme edhe për ekonominë. Nëse Shqipëria ka patur përgjatë këtyre viteve një bilanc në rritje të investimeve të huaja, kjo ka ardhur më së pari për shkak të besimit se në këtë vend krimi nuk është fenomen. Të pretendosh që ta trajtosh atë me frymën represive që patriotic act e Presidentit Bush trajton terrorizmin, do të thotë, as më shumë dhe as më pak se, t’i ndryshosh anatominë atij. Pra, të pranosh se krimi është një fenomen kapilar, i strukturuar, agresiv dhe me përmasa të frikshme. A mundet që një investitor t’i hedhë paratë në një vend të tillë?

Ngelemi me shpresën se kryeministri nuk e ka idenë e idesë së ministrit të Brendshëm për të aplikuar një lloj patriot act surrogato kundër krimit. Për ministrin është e kuptueshme që një act i tillë është i nevojshëm për të përligjur pamundësinë e tij që ta mposhtë në mënyrë normale krimin. Por, për kryeministrin kjo nuk duhet të jetë e kuptueshme. Për arsye që merren me mend, zoti kryeministër ka nevojë të tregojë se i mjaftojnë instrumentet normale për të luftuar krimin. Ka nevojë që këtë përpjekje legaliteti ta ndajë me një shoqëri të relaksuar dhe të qetë. Ka nevojë që t’u tregojë të huajve se vendi që ai ka marrë përsipër të qeverisë nuk kërcënohet nga krimi dhe ofron siguri për investimet e tyre. Asgjë nga këto nuk ofron ideja e ministrit Tahiri për një patriotic act kundër krimit. Prandaj ajo ide është më shumë njëanti-patriotic act!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi