Task Forcë për arkëtimet dhe humbjet në shpërndarjen e energjisë elektrike

13 janar 2014

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot një Task Forcë të posaçme për energjinë, duke e konsideruar këtë çështje me  rëndësisë së dorës së parë. Ai ka vlerësuar se kjo njësi do të vendosë strukturat e shtetit të frenojnë humbjet e energjisë, që sipas tij janë në nivele alarmante.

“Është domosdoshmëria për të ripërtërirë përgjegjshmërinë që mbron dhe zhvillon bashkëjetën tonë në këtë vend. Më lejoni t`ju them se 91 për qind e kontratave të abonentëve familjarë dhe 88 për qind e kontratave të biznesit rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në tetor 2012 rezulton 36.60 për qind  e energjisë së blerë, dhe humbja në dhjetor 2012 ka kapur shifrën 55.46 për qind. E pra energjia që do të shkonte për shërbimin dhe ndriçimin e një vendi qartazi ka shkuar në katër anët në xhepat e këtij vendi”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, gjendja në sistemin e energjisë është përkeqësuar në vijim gjatë këtij viti dhe krahasur me një vit më parë humbja dhe vjedhja janë thelluar.

“Ndërkohë që me fillimin e punës nga administratori i ri dhe marrjes së disa masave për të frenuar hemoragjinë e rëndë në sistemin e energjisë ka nisur me një frenim paraprak por kurrsesi përfundimtar i vjedhjes ndërkohë që kjo task forcë ka detyrimin që të vendosë të gjithë strukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë, kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes në një grafik të rënies dhe transformimin e kësaj krize të thellë në një situatë normale”, theksoi ai.

Ndërsa bëri publik borxhin që shteti i ka kompanisë së shpërndarjes së energjisë, Rama theksoi se qeveria do të bëjë shlyerjen e tij duke e nisur kështu ndryshimin nga vetja.

“Kjo situatë është tregues i cilësisë së marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit. Dhe kjo marrëdhënie mund të konsiderohet një fushë tërësisht e minuar përderisa shteti nuk i paguante faturat e energjisë. Nuk ka rëndësi shifra pasi mjafton mesazhi i paligjshmërisë që transmeton një qasje dhe një brutalitet të tillë. Çfarë mund të kërkojë një qeveri nëse nuk respekton asnjë detyrim ligjor në këtë fushë. Borxhi i energjisë elektrike e institucioneve publike është shumë i lartë. Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliard borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliard lekë duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore. Edhe për subvencionet ka borxhe që do të thotë se shteti nuk ka paguar energjinë elektrike e grupeve në nevojë por defakto këta persona rezultojnë pjesë e borxhlinjve të sistemit pasi qeveria nuk ia ka atribuar. 13 miliard lekë që qeveria duhet të kishte paguar për invalidët dhe nuk e ka bërë. Ne mund ta themi se nuk e kemi nisur nga të tjerët, as nga ata të hallkës së fundit edhe nga konsumatorët që janë në gjendje të paguajnë dhe as nga biznesi që është në fajësi të dyfishtë si konsumator që energjinë e vjedh për qëllim fitimi, por e kemi nisur nga vetja duke shlyer të gjitha borxhet që shteti i ka sistemit të shpërndarjes”,- tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Rama përcolli edhe mesazhin se do të marrë fund historia se kush paguan duhet të paguajë më shumë dhe kush nuk paguan mund të vjedhë gjithmonë e më shumë.

“Kjo është vendosshmëria që ne do ta përballojmë këtë detyrë të vështirë. Dhe do ta fillojmë me dy nivele: në nivelin e raporteve të insitucioneve buxhetore me sistemin e shpërndarjen së energjisë dhe të biznesit me kompaninë e shpërndarjes.  Do ta fillojmë aty ku energjia vidhet për qëllime fitimi, dhe me vendosmërinë që jo vetëm prokuroria por edhe gjykata do të jetë në krahun e ligjit. Dhe me shpresën që çdo vjedhës do të marrë ndëshkimin që meriton sipas ligjit”,- përfundoi Rama.

Kryetari i Task Forcës për energjinë, zv/kryeministri Niko Peleshi argumentoi mënyrën se si do të funksionojë kjo Task Force, duke theksuar se ajo duhet të konceptohet si një punë sistematike, që do të vazhdojë si një kulturë e re e instaluar në institucionet tona.
“Për vitin 2013, humbjet në sistemin e energjisë elektrike, kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes. 30% e energjisë në Shqipëri vidhet. Niveli i ulët i arkëtimeve për atë pjesë të energjisë që nuk vidhet është një tjetër element i rëndësishëm i punës që na pret. Kordinimi dhe harmonizimi i punës mes institucioneve të ndryshme, përfshirë CEZ-in. Le të shikojmë mundësinë që qëndron pas kësaj sfide.

Task Forca do të shtrijë aktivitetin saj në çdo qark, ku do të veprojnë njësitë e drejtuara nga prefekti i qarkut. Aktiviteti do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2014. Rezultatet e kësaj task force do të maten me një grafik i cili duhet të jetë në një rënie të vazhdueshme. Raportimi do të jetë mujor dhe do të afishohen edhe përmes grafikeve për publikun. Synojmë rritjen e eficenës në shfrytëzimin e burimeve tona, edhe nëpërmjet zgjidhjeve inteligjente dhe inovacionit”, – u shpreh Peleshi.

 Në mbyllje të mbledhjes u nënshkruan edhe tri memorandume bashkëpunimi mes Zëvendëskryeministrit, në funksionin e tij si Kryetar i Task Forcës, dhe Prokurorit të Përgjithshëm; mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme; mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi