Sfida për të njohur vetveten

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 28 dhjetor 2013

Sa herë flitet për Shqipërinë politike, ekonomike dhe institucionale të viteve 20-30 cdo studiues është i detyruar të ndalet në botimet “Shqipëria më 1927”, “Shqipëria e ilustruar” apo “Shqipëria më 1937”. Teki Selenica , ish zyrtar i lartë i shtetit shqiptar në vitet 20-30 ka meritën zyrtare dhe personale se krijoi një praktikë të re botimesh, duke i bërë ato edhe sot atraktive, burime referimi dhe një pasuri të çmuar për kujtesën shtetërore. I ngarkuar nga eprorët e tij, por edhe i pasionuar nga nevoja për të dokumentuar fakte dhe të dhëna mbi vendin e tij, Selenica me botimet e tij, ndjekur më pas edhe nga Dh.Berati dhe një grup kërkimor studiuesish, ishin të aftë të krijonin profilin e detajuar të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, historinë e detajuar të progresit shtetëror dhe ekonomik, social dhe kulturor, arsimor dhe shëndetësor, juridik dhe administrativ. Aleksander Meksi me të drejtë i cilëson ata “një minierë e vërtetë të dhënash të kohës…të pazëvendësueshme, të sakta e autentike për Historinë e Shqipërisë, sidomos pas gjysmë shekulli “harrese” të detyruar”.

Ka një aspekt tjetër të vlerësimit maksimal të këtyre botimeve që merr sot rëndësi të dyfishtë. Në shekullin XXI, në kohën e Shqipërisë në NATO dhe aspirant potencial për në BE, në kohën e internetit, teknologjisë dhe disa dhjetëra universiteteve, Shqipëria e sotme vuan shumë nga mungesa e një bilanci historik, shtetëror dhe administrativ. Mjafton një detaj, censusi i banorëve dhe pronave i realizuar nga INSTAT për të kuptuar diferencën e madhe midis Shqipërisë reale dhe asaj zyrtare. Ky institucion prodhon çdo vit dhjetëra statistika që lidhen me shqiptarët që banojnë në vend, pra duke përjashtuar emigrantët ose pjesën e migrimit të brendshëm, pra duke përjashtuar diçka më pak sesa gjysmën reale të popullsisë. Për pasojë, të dhënat e tij sado korrekte të jetë për numrin e banorëve të testuar, mbeten të brishta dhe të pareferueshme në raport me gjendjen reale të shtetit dhe popullsisë shqiptare. E njëjta mangësi reflektohet edhe në institucionet e tjera të statistikës dhe administrimit publik, të cilat testimet dhe të dhënat i tyre i bazojnë kryesisht në të dhënat e INSTAT, pra tek të dhënat e pranuara si jo të plota. Kjo është një nga arsyet që shpeshherë zyrtarët japin të dhëna që publiku nuk i beson, media i sheh me kritikë, raportet ndërkombëtare i injorojnë dhe në planin afatgjatë, nuk kanë vlerë shkencore dhe as historike.

Problemi tjetër lidhet me diferencën midis Shqipërisë së duan politikanët dhe Shqipërisë reale. E para është në kontrast të thellë në varësi nëse leximi bëhet nga ata që janë në pushtet ose nga ata që janë në opozitë. Mjafton të shohim të dhënat për treguesit ekonomikë dhe janë diametralikisht të kundërt. Po kaq të kundërta janë edhe të dhënat për nivelin e arsimit, kujdesin shëndetësor, rrjetin infrastrukturorë, shpenzimet publike, investimet, projektet e zhvillimit, nivelin e mirëqenies, nivelin e korrupsionit, borxhet e brendshme dhe të jashtme, etj, pra gjithçka që lidhet me inventarin serioz të një shteti. Përtej tyre ekziston një Shqipëri tjetër, ajo reale, e krijuar në perceptimin e qytetarëve, medias apo institucioneve ndërkombëtare. Secila palë jep, zbulon dhe parashtron të dhëna të tjera nga politika e ditës, nga qeveria apo opozita, shumë herë më të balancuara dhe më kritike, më të thelluara dhe më të besueshme. Rasti i fundit i raportit të rishikuar të FMN, raportet e DASH, të KE, të OSBE, të BE, etj, janë shumë më të ndryshme nga raportet tona politike në qeveri, në parlament ose në institucionet qendrore e lokale. Raportet më serioze, madje edhe deklaratat politike, pranojnë se ende nuk kemi një inventar të territorit kombëtar, të tokës dhe investimeve, të gjendjes së bregdetit dhe legalizimeve, të burimeve natyrore dhe potencialit nëntokësor, pra nuk kemi një pasqyrë minimale mbi të cilën të ngriheshin platforma për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Të ndodhur në një mjedis ku informacioni ka vlerë relative, për arsyet e mësipërme, e gjithë axhenda politike, institucionale dhe ekonomike e vendit ecën pa një drejtim të qartë, në varësi nga rastësitë dhe interes afatshkurtra të ditës. Për shembull, ne kemi Bankë Qendrore, kemi Kontroll të Lartë të Shtetit, kemi Audit të Brendshëm, por për të inventarizuar borxhet e qeverisë ndaj biznesit apo aktualitetin ekonomik qeveria e re kontaktoi një kompani të huaj ose u kërkoi bizneseve të deklaronin detyrimet e mbetura online. Të dyja japin produkte relative. E para sepse bazohet në të dhënat zyrtare dhe në informacionet zyrtare të verifikimit, e dyta sesa deklarimi online krijon probleme qoftë për bizneset, për partnerët e tyre, për klientelën dhe për raportet e tyre me qeveritë. Duke dobësuar institucionet e brendshme dhe duke kërkuar zgjidhje nga jashtë inventari i shtetit mbetet peng i kontratave, synimit të palëve dhe zgjidhjeve oportune, shpesh pa referime me efekte afatgjata.

Në praktikat perëndimore, por edhe në praktikat pozitive të viteve 20-30 në Shqipëri çdo fundviti kryhen dy akte zyrtare: politika në nivelet e larta paraqet sfidat përpara kombit, pra gjendjen e kombit, problematikat dhe sfidat për vitin e ardhshëm; e dyta institucionet specifike paraqesin bilancin shtetëror social, ekonomik, kulturor, arsimor, etj për vitin e mbyllur dhe perspektivat afatshkurtra dhe afatgjata për të ardhmen. Në SHBA gjendjen e kombit e paraqet Presidenti, në Gjermani kreu I shtetit në bashkëpunim me kancelaren, në Shqipërinë e viteve 20-30 raporti bëhej nga kreu i shtetit dhe parlamenti. Çdo vend ka specifikën e vet. Sot në Shqipëri nuk e bën askush, as presidenti, as qeveria, as parlamenti. Çdo fundviti shohim pritje koktej dhe fjalime orëgjata mbi sukseset historike nga njëra palë dhe dështimet historike nga pala tjetër, por në fund asgjë e thënë nuk ka vlerë historike, nuk ka vlerë referimi dhe nuk i afrohet të vërtetës reale mbi gjendjen reale të shtetit dhe problematikave të tij komplekse. E njëjta edhe për të dhënat e institucioneve. Në SHBA botimi vjetor i statistikave të plota arrin në 4-5 vëllime mbi 4000 mijë faqe, në Gjermani sa gjysma e SHBA, në Itali një e treta, në Kroaci rreth 1 mijë faqe, kurse tek ne nuk ka ende një botim përmbledhës, një inventar përfshirës dhe një publikim serioz referues. Secili jep të dhënat që i interesojnë, secili mjaftohet me 1-2 faqe kompjuterike dhe kështu secili paraqet Shqipërinë sipas interesit, mendjes dhe të dhënave të tij.

A mund të ndryshohet kjo praktikë? Po, duhet vetëm vullnet dhe një projekt konkret profesional. Duhet transparencë dhe përgjegjësi përpara kushtetutës, vendit dhe publikut. Duhet që politika të heqë dorë nga praktika e imponimit të historisë, të dhënave, fakteve dhe punës së institucioneve të tjera, atyre që ekzistojnë pavarësisht partive dhe sundimtarit të rastit. Koha për ta parë veten në pasqyrë, të njohim vetveten, pa retushim, pa fotoshop, pa makijazh vlen për politikën, vlen për institucionet, vlen për shtetin, siç veproi në të shumtën e punës së tij Selenica rreth një shekull më parë!

Në fund të fundit, shtet perëndimor nuk na bëjnë një votë holandeze dhe as një pasaportë, as një kostum modern, as kërcënimi i Napolonit në festën kombëtare, as sms në faqen e kryeministrisë, aq bërja e opozitës në Facebook, as pritjet koktej me gazetarë e vartës, as spektaklet e suksesit me vartësit që paguhen për të duartrokitur, as ballot luksoze në vendin më të varfër, as fjalimet pafund pa lënë gjurmë konkrete, as seancat parlamentare me fjalor rrugësh, ashtu edhe as bilancet paralele midis qeverisë e opozitës, midis pushtetit qendror e atij lokal, midis institucioneve politike e atyre kushtetuese, midis drejtuesve partiakë dhe shoqërisë civile. Perëndimorë, shtet serioz dhe demokraci funksionale na bëjnë gjërat e tjera, respekti ndaj ligjit, respekti ndaj kushtetutës, përgjegjësia për të qenë transparent, aftësia për të pranuar gabimet dhe reflektuar, vizioni për të shikuar tej politikës së ditës dhe zgjedhjeve të radhës, kurajë për t’i parë qytetarët jo si votues, por si pushteti absolut në vend…pra gjithçka që ende nuk e kemi, nuk e ndjejmë, nuk e shohim dhe do të na duhet kohë dhe energji ta arrijmë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan