Pronat, një rekomandim i papërmbushur

Arjola Tola, eksperte në Bankën Botërore, botuar në Shekulli Online, 28 dhjetor 2013

Në mënyrë permanente prej vitesh, në progres raportet e KE-së, çështjet e pronës, mbeten ndër çështjet me pak apo aspak progres; dhe ato pak veprime që janë ndërmarrë, kanë qenë thjesht për të kënaqur rekomandimet e ndërkombëtarëve. Impakti konkret i tyre, tek individët apo grupet, të cilët kanë interesa apo operojnë në fushën e pronave të paluajtshme, është pothuaj zero.

E vetmja”arritje” në 8 vitet e qeverisjes së kaluar, ishte hartimi i një strategjie, e cila  thjesht pranon faktin, se përpjekjet për të zgjidhur këtë çështje tepër të rëndësishme, kanë dështuar dhe rikonfirmon situatën kaotike me pronat.

Është e qartë se ka qenë mungesa e vullnetit politik këto 23 vite, që për përfitime elektorale dhe jo vetëm, e ka mbajtur peng zgjidhjen e kësaj çështjeje duke e bërë atë gjithnjë e më komplekse, si pasojë e ndërthurjes së faktorëve politikë, ekonomikë, teknikë, ligjorë e institucionalë.

Sigurisht një trajtim shterues i çështjes kërkon ekspertizë shumëplanëshe dhe kohë, por  më poshtë po sjell disa nga problemet, kryesisht teknike dhe institucionale dhe cilat mund të jenë qasjet drejt të cilave duhet të orientohen përmirësimet në legjislacion dhe ndryshimet institucionale, në funksion të një zgjidhje efektive dhe afatgjatë.

Sfondi aktual

Janë rreth dhjetë institucionet që operojnë në këtë fushë dhe akoma më shumë ligje dhe akte nënligjore, të cilat rregullojnë çështje të ndryshme lidhur me pronën dhe pronësinë mbi të, që për 23 vjet kanë prodhuar tituj pronësie apo administruar e menaxhuar informacionin mbi pronën.

Rezultati është: tituj të pasigurt pronësie, për shkak të proceseve paralele nga institucione të ndryshme në mungesë të shkëmbimit reciprok të informacionit të saktë e cilësor, paçka se ekzistojnë procedura formale për shkëmbim informacioni. Fragmentarizimi institucional, i shoqëruar shpeshherë edhe me mbivendosje institucionale, ka çuar në përpjekje të veçanta nga institucione të ndryshme dhe konkurrencë për epërsi dhe investime, të cilat kanë qenë të konsiderueshme, por pa rezultat të dukshëm.

Kjo po ashtu bën të vështirë vlerësimin kosto/efektivitet të këtyre investimeve, rrit kostot e procedurave dhe ul normën e përfitimit nga këto financime dhe çka është më e rëndësishme, ajo që kemi sot, janë disa procese të papërfunduara edhe pse të filluara prej vitesh. Si:

-Regjistrimi pronave ende i papërfunduar, filluar prej më shumë se 15 vitesh dhe nuk ka një parashikim objektiv se kur ky proces do të mund të përfundojë. Flitet për rreth 4 milion pasuri të krijuara në vitet e para të privatizimit, numër që gjatë viteve është rritur e nga të cilët, 3 100 000 pasuri janë regjistruar, rreth 400 000 janë në proces prej vitit 2009 dhe diferenca ende në pritje të financimeve.

Po kaq me rëndësi është përditësimi dhe përmirësimi i informacionit për pasuritë e regjistruara (3 100 000 pasuri), një proces ky që në vetvete mbart më shumë problematika edhe se regjistrimi për herë të parë i pasurive. Ka zona ku  regjistrimi fillestar ka përfunduar prej më shumë se 10 vitesh dhe që asokohe përditësimi i transaksioneve apo ndryshimeve, është bërë në mënyrë manuale nga Zyrat e Regjistrimit. Sidomos për ish-zona rurale, të cilat sot janë kthyer në zona urbane, cilësia e dokumentacionit hartografik është në gjendje alarmi dhe nuk ka nevojë të jesh ekspert për të kuptuar se si mund të paraqitet grafikisht një parcelë prej 50 m2, në një hartë manuale të shkallës 1:2500. Megjithëse janë financuar disa projekte për këtë qëllim, rezultatet nuk janë ato të parashikuarat dhe kjo për shumë arsye, por konceptimi i gabuar i projekteve dhe keqmenaxhimi i tyre, janë më thelbësoret. Ndarja e regjistrimit fillestar, në komponentin teknik dhe vlerësimi ligjor të dokumentacionit, do të ishte një alternativë në funksion të shpejtimit të procesit dhe rritjes së cilësisë së produktit në përfundim të tij.

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, është “de juro” një institucion, i cili thjesht regjistron e administron informacion lidhur me titujt e pronësisë dhe transaksionet mbi to, por “de facto” është kthyer në institucionin më të fuqishëm në sektorin e pronës.

Dhe kjo jo prej atributeve që ligji i jep, por për shkak të fuqisë tradicionale, nëpërmjet procedurave dhe dhjetëra udhëzimeve apo qarkoreve të brendshme, që marrin kohë dhe kanë kosto jo të vogla për qytetarët. Reformimi i këtij institucioni është një nga aksionet,  i cili nuk duhet të mbetet thjesht në ndryshimin e stafit, por kërkon një qasje që ndan qartë procesin e shërbimit që zyra ofron dhe çështjet teknike të regjistrimit fillestar, rishikimit të akteve që rregullojnë procesin e regjistrimit fillestar sistematik dhe infrastrukturë e trajnim.

-Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, që edhe pas 20 vitesh nga fillimi i tij,vazhdon të mbetet ende proces. Përveç dosjeve në pritje për t’u trajtuar, që prej vitesh mbeten po 7 mijë, përveç disa shifrave të përafërta për numrin e vendimeve dhe subjekteve të trajtuara (51 mijë vendime dhe 39 mijë subjekte)  nuk ka evidenca të sakta, sa dhe ku është sipërfaqja e njohur, kthyer dhe kompensuar në vendimmarrjet e këtij institucioni në 20 vjet; sa prej këtyre vendimmarrjeve kanë qenë objekt i ndryshimit në proceset gjyqësore, apo sa prej tyre janë ekzekutuar.

Është e pamundur të bëhen parashikime lidhur me përfundimin e këtij procesi, pa përfunduar inventarizimi në shifra dhe në pozicion gjeografik i vendimmarrjes deri më sot, si dhe përfundimi i disa proceseve të tjera paralele, si regjistrimi i pasurive, legalizimi, verifikimi i titujve mbi tokën bujqësore dhe inventarizimi i pronës publike.

Sa më sipër dhe rishikimi i metodologjisë për hartën e vlerës së pronës, janë domosdoshmëri për të llogaritur detyrimin, fizik apo financiar, kundrejt pronarëve pretendues. Shlyerja e këtij detyrimi, duhet të konsiderojë mënyra të tjera alternative të kompensimit të parashikuara në ligj, përveç atij financiar për të cilin, çdokush është i ndërgjegjshëm e kupton që nuk mund të jetë e vetmja zgjidhje.

-Toka bujqësore, e cila prej 22 vitesh është ndarë tek fermerët, por shteti ka qenë i paaftë t’i pajisë ata me dokumente pronësie. Edhe përpjekja për verifikimin e titujve të pronësisë të lëshuar në kundërshtim me ligjin rezultoi e dështuar.

Zgjatja e afatit të këtij ligji në parim është pozitive, por kërkohen ndryshime thelbësore të ligjit të verifikimit të titujve dhe ridimensionim i strukturave që do të aplikojnë këtë ligj, pasi pas 4 vitesh funksionimi, toka e kthyer shtetit është vetëm 16 ha, gjë që provon që struktura aktuale e komisioneve vendore pranë prefekturave, është e dështuar.

-Prona publike pa inventar, e cila është trajtuar si pronë private e pushtetarëve që ndërrohen pas çdo palë zgjedhjesh. Megjithëse procesi ka filluar prej 12 vitesh, ende nuk ka përfunduar, dhe janë prodhuar me qindra vendime për inventarizimi dhe transferim të pronës publike, tek qeverisja vendore apo institucione të tjera publike, por që në të shumtën e rasteve kanë shifra lidhur me sipërfaqet apo numrin e pronave dhe kanë mangësi lidhur informacionin hartografik, i cili edhe në rastet kur nuk mungon, është i pasaktë.

-Ndërtimet masive informale, që me argumentin e interesit publik, u trajtuan me një ligj të posaçëm, i cili në fakt degjeneroi në legalizimin e pallateve apo shtesave pa leje dhe ndërtimeve me karakter biznesi, të lidhura me pushtetin. Ka shumë pak objekte individuale banimi të legalizuara, të cilat ishin në fakt interesi publik pse u hartua ky ligj. Përfundimi i këtij procesi dhe forcimi i kontrollit mbi territor, do tí japin fund informalitetit dhe do të fusin në tregun e pasurive një sasi jo të vogël asetesh.

-Fragmentarizim ekstrem i tokës dhe mungesë të dhënash mbi llojet dhe kategoritë e tokës, gjë që vështirëson zhvillimin e territorit, pengon investimet në bujqësi e turizëm, dhe mbetet për t’u vlerësuar impakti që kjo ka sjellë në mjedis.

-Mungesa e një standardi unik hartografik, përdorimi i bazave të ndryshme hartografike nga institucione të ndryshme, është një problem që kërkon masa urgjente, sepse jo vetëm rrit në mënyrë fiktive problemet e mbivendosjes së pronave por prodhon edhe  konflikte të karakterit  ligjor e administrativ.

Këto janë thjesht disa çështje të karakterit teknik e institucional, të cilat duke u implikuar me çështjet e së drejtës mbi pronën apo të drejtave të tjera reale, bëjnë një pengesë serioze për progresin ekonomik të vendit. Dihet korrelacioni midis pronës (në koncept fizik dhe në atribute) dhe progresit ekonomik në funksion të garantimit të investimeve, zhvillimit të territorit, turizmit e bujqësisë, vendosjes së një sistemi efikas të taksës mbi pronën, mbrojtjes së mjedisit, por edhe edukimin e shoqërisë me normat e shtetit ligjor.

Çfarë dhe si?

Karakteri shumëplanësh i çështjes së pronës, kërkon një qasje shumë të kujdesshme, e cila të trajtojë problemet aktuale, në raport me sfondin historik (pronarët e shpronësuar para viteve ‘90), por edhe kontekstin aktual politik, social dhe ekonomik. Qasja që aplikohet sot në vendet e zhvilluara, e cila rekomandohet fuqishëm edhe për vendet në zhvillim si Shqipëria,  është politika më gjithëpërfshirëse.

Reformat për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe ndryshimet institucionale, duhet të paraprihen prej një analize profesionale nga pikëpamja teknike e funksionimit, strukturës, efektivitetit të institucioneve që operojnë në fushën e të drejtave të pronësisë dhe pronave në përgjithësi. Politikat duhet të jenë të tilla që t’i ofrojnë publikut procedura të thjeshta të fitimit të një titulli të sigurt ligjor për pasuritë e tyre, në kuadër të një sistemi efikas dhe të përgjegjshëm të administrimit dhe menaxhimit të pronës; dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse disponohet informacioni mbi pronën/tokën. Megjithëse situata është e tillë që kërkon veprime emergjente, duhet t’i jepet kohë analizës së saj, për të shmangur vendimmarrje që i trajtojnë çështjet e veçanta, të paintegruara me problemet e pronës dhe të pronësisë në tërësi.

Kjo në funksion të  një zgjidhjeje përfundimtare, e cila parashikon efektet në planin afatgjatë. Sigurisht që ideja e krijimit të një agjencie, e cila do të bashkonte në një, të gjitha institucionet që operojnë në fushën e pronave, është një opsion që duhet konsideruar, por që gjithashtu mbart riskun e krijimit të një superstrukture që mund të jetë e vështirë për t’u menaxhuar. Për të bërë transparencën e asaj çfarë ka ndodhur deri më sot, por edhe për një vendimmarrje të bazuar në realitet dhe jo në letër, çdo ide apo opsion, kërkon paraprakisht: Inventarizim, vlerësim të cilësisë dhe miradministrim të informacionit ekzistues për pronën, i cili gjendet i shpërndarë në dhjetëra institucione e lokale e qendrore. Kjo jo thjesht shifra në letër, por bazuar në atë që fizikisht ekziston në këto institucione. Analizë profesionale, teknike e ligjor, si themel për vendimmarrjen, përsa i përket të drejtave ligjore mbi pronën, përdorimit dhe menaxhimit të tokës.

Forcimin e sistemeve ekzistues të informacionit, koordinimi i të dhënave sektoriale të pronës/tokës dhe forcimi i kapacitetet kombëtare për të mbledhur dhe vlerësuar të dhënat. Krijimi i një sistemi të unifikuar hartografik, për të gjitha institucionet që operojnë me informacionin gjeo-hapësinor. Nga viti 2007 Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës kanë aprovuar direktivën INSPIRE, e cila ndihmon në përcaktimin e standardeve teknike, organizimin, koordinimin dhe publikimin e të dhënave, duke krijuar një burim të informacionit gjeo-hapësinor të përdorshëm në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Trajnim dhe zhvillim i kapaciteteve dhe infrastrukturore, për të mundësuar  kalimin nga metodat tradicionale të punës drejt metodave efikase dhe efiçente që ofron teknologjia  avancuar, pasi institucionet tona janë të papërgatitura për aplikimin e tyre. Menaxhimi me vizion të institucioneve dhe kjo nuk kërkon thjesht ekspertë që njohin procedurat apo procese të caktuara, por njohës të fushës, të cilët kanë vizionin e duhur për të hartuar politika drejt zgjidhjeve të integruara e afatgjata, dhe orientuar institucionet drejt prioriteteve.

Sa më sipër janë në funksion të ndërtimit të një sistemi të integruar të administrimit dhe menaxhimit të informacionit të tokës, të një regjistri elektronik kombëtar, i cili do të ofrojë një shërbim të shpejtë, efektiv e cilësor për publikun dhe gjithashtu do të ofrojë të dhëna: mbi pronësinë, mbi tokën, vlerën e tokës, shfrytëzimin dhe përdorimin e tokës si dhe zhvillimin e drejtë të tokës.

Sigurisht këto çështje teknike dhe të tjera që nuk janë cekur këtu, kërkojnë mbështetje legjislative, ndryshime që duhet të jenë në përshtatje me legjislacionin europian, si dhe përgatitjen e institucioneve tona për t’iu përgjigjur këtyre sfidave që ofron zhvillimi.

Tashmë mbeten 6 muaj që qeveria të demonstrojë jo vetëm vullnetin e saj politik për zgjidhjen e çështjes së pronës, që nuk është thjesht një çështje e pronarëve historikë, por ka marrë përmasa të karakterit kombëtar dhe si e tillë kërkon shumë më tepër se angazhimin e qeverisë. Ajo kërkon një konsensus të gjerë qytetar e politik si dhe përfshirjen në zgjidhje, të grupeve të interesit dhe sidomos të profesionistëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi