Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Cameron për Statusin e Shqipërisë

Nga Top Channel, 20 dhjetor 2013

Zgjerimi i BE-së ka qenë në fokus të fjalimit të parë pas rizgjedhjes të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila shprehu rezerva lidhur me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit mes Unionit dhe Shqipërisë. 
“Shqipëria ende nuk mund të shpresojë për bisedimet e anëtarësimit. Fillimisht duhet të vendosen ligje të mëtejshme për reformat”, tha Merkel.
Nga Berlini, shefja e kristian/demokratëve gjermanë bëri me dije se samiti i BE-së të enjten dhe të premten do ta shqyrtojë këtë çështje.
Merkel theksoi gjithashtu se Gjermania dhe BE-ja do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë për të marrë zyrtarisht statusin e vendit kandidat dhe të vendit për të luftuar krimin e organizuar.
Nga ana tjetër Merkel, ashtu si edhe Komisioni i BE-së më parë, vlerësoi përparimet e dukshme të Serbisë në procesin e afrimit me standardet e BE-së. “Eshtë e rëndësishme që në janar të mund të zhvillohet një konferencë e parë me Serbinë për bisedimet e antarësimit”, tha Merkel.
Ajo shtoi se, me një hap të tillë do të vlerësohen reformat në ish-republikën jugosllave, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën, por procesi i anëtarësimit në vetvete do të kërkojë vite.

Kryeministri britanik, David Cameron arsyetoi qëndrimin hezitues ndaj kandidaturës së Shqipërisë në konferencën nacionale për shtyp, në përfundim të samitit 2-ditor europian. Pasi përmendi takimin me kryeministrin Rama, Cameron shpjegoi se BE duhet të nxjerrë mësimet nga zgjerimi i fundit, duke forcuar rregullat për periudhat tranzitore të anëtarësimit.
“Për Shqipërinë ne nuk po e mbështesim statusin kandidat tani. Siç e mbani mend, ka disa hapa për t’u ndjekur përpara se të bëhesh anëtar.
E kam takuar kryeministrin shqiptar dhe ai bëri shumë përpjekje për reformat në vendin etij. Por mendoj se hapa të  mëtejshëm duhen ndjekur përpara se statusi kandidat të jetë i përshtatshëm Këto hapa duhet t’i përdorim me çiltërsi për të inkurajuar vendin për masat ndaj korrupsionit, masat ndaj krimit të organizuar, për praktikat e duhura ligjore, për sundimin e ligjit. 

Pra, siç e thashë, kjo është mundësia që procesi i anëtarësimit në BE të bëhet një politikë mjaft e mirë dhe ne duhet të sigurohemi se kjo do të ndodhë në rastin e Shqipërisë.
Ne jemi pro zgjerimit, por kur shohim nga e ardhmja, unë nuk dua që të përsëriten lëvizjet e mëdha të njerëzve siç i kemi parë. Ne duhet të mësojmë nga historia.
Zgjerimi ka qënë një sukses, kontrolli tranzitor ishte i suksesshëm, por jo kur përdorej nga vendet dhe unë debatoj që të vemi një hap më tej për kontroll më të fortë tranzitor”, ka deklaruar Cameron. Periudha tranzitore zbatohet përgjatë 7 viteve që pasojnë anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Europian. Në të parashikohet aksesi i krahut të punës në mënyrë të përshkallëzuar, sipas specializimeve,  në tregun europian.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi