Progresiv

Nga Armand Mosho, botuar në Shqip, 11 dhjetor 2013

Para rreth një viti, në mesin e muajit nëntor 2012, fill pas rizgjedhjes së Presidentit Obama, në gazetën Shqip dërgova për botim një shkrim analizë mbi faktorët që çuan në votën e rizgjedhjes, e pata titulluar “Triumfi Fiskal”. Duke ia atribuuar më së shumti rizgjedhjen projektit financiar të Presidentit Obama. Nuk pata shprehur në atë shkrim atëherë, ndonjë paralelizëm me debatin që mbahej i ndezur edhe në Shqipëri midis pozitës dhe opozitës së atëhershme për tatimin progresiv të të ardhurave, por midis miqsh ndaja mendimin se siç “fiscal cliff” triumfoi në Amerikë, ashtu dhe tatimi progresiv i të ardhurave do të triumfonte në Shqipëri.

Ja ku kemi mbërritur në këtë pikë fiks pas një viti, ku tatimi progresiv mbi të ardhurat pritet të aplikohet prej qeverisë shqiptare me fillimin e vitit 2014, e kjo çështje ka ndezur një debat, jo vetëm midis ekspertëve të financave, por edhe midis atyre individëve që nuk i përkasin fushës së financave, por që preken drejtpërdrejt prej tatimit progresiv të të ardhurave.

Duke e gjykuar në një këndvështrim tejet të ngushtë rrjetet sociale po vlojnë nga revolta e individëve që do t’u duhet të paguajnë më shumë. Në këtë pikë më duhet të shpreh hapur se jam një përkrahës i tatimit progresiv mbi të ardhurat, edhe pse të ardhurat e mia personale në dukje të parë, reduktohen.

E them në dukje të parë, dhe do të isha ndier mirë ta kisha dëgjuar prej iniciuesve të idesë së tatimit progresiv argumentimin, shtjellimin në impaktin social që sjell ky tatim i të ardhurave personale. T’i jepet arsyetimi publikut, pse ky tatim më i lartë i të ardhurave sjell vlera të shtuara për vendin? Në aspektin financiar, por mbi të gjitha në aspektin social.

E unë mendoj se pikërisht është ky moment ku nevojitet të jemi më të hapur në gjykimin tonë, të tejkalojmë kalkulimet e financave të vogla familjare. Na duhet të kuptojmë që: situata të jashtëzakonshme, kërkojnë vendimmarrje të vështira dhe shembujt nuk na kanë munguar gjatë këtyre viteve të fundit. Janë shembuj që na kanë mbërritur prej shtetesh shumë më të suksesshme ekonomikisht se vendi ynë. Vende të cilat kanë ndërmarrë shkurtime drastike, kur zbuluan batakun në të cilin kishin rënë. Është fakt i njohur tanimë për ekspertët e financës se vitet që kemi lënë pas kanë qenë më të vështirat, për sa i përket stabilitetit makroekonomik të vendeve më të zhvilluara, e nga ku, Shqipëria e rrethuar prej këtij “virusi” pak gjasa kishte të dilte e paprekur. Është për këtë arsye që, në këtë situatë të rëndë të stabilitetit makroekonomik na nevojitet një mirëkuptim, bashkim i forcave për ta tejkaluar, dhe pse jo, disa do të duhet të sakrifikohen më shumë se disa të tjerë. Kjo edhe vetëm për faktin se, si mendjet më të ndritura të shoqërisë shpërblehen me përfitime financiare më të larta, për atë çfarë këta individë i ofrojnë shoqërisë sonë.

E është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë që është edhe lokomotiva e zhvillimit ekonomik të vendit, nëpërmjet iniciativës që zotëron dhe vendimmarrjeve që bën. Është kjo elitë e shoqërisë, që duhet t’i qëndrojë mbi krye tanimë luftës së nisur ndaj korrupsionit prej qeverisë aktuale, nisur edhe vetëm nga fakti se, tanimë do t’i duhet te jetë kontribuuese më e madhe në të hyrat e financave shqiptare.

Argumentet që unë shtroj pro tatimit progresiv të të ardhurave marrin vlerë atëherë dhe vetëm atëherë, kur i mbesim besnik supozimit se vendi do të vijojë të ecë kah reformave shtetformuese dhe luftës së pakompromis me korrupsionin.

Pra, kusht i parë i domosdoshëm për eficencën e tatimit progresiv të të ardhurave, mbetet lufta kundër korrupsionit. Thënë ndryshe, çdo para e arkëtuar të shkojë për interes e të prekë publikun e gjerë. Duke siguruar në këtë mënyrë shëndoshjen ekonomike të shoqërisë në bazë të gjerë.

Çdo para e mbledhur e miradministruar me eficencën maksimale, e adresuar drejtpërdrejt te qytetari shqiptar, automatikisht do të çojë në një rishpërndarje të të ardhurave, në favor të shtresave më të varfra, gjë për të cilën të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm, e të kemi mirëkuptimin e përbashkët se na nevojitet.

Na nevojitet një ndërgjegjësim masiv i sipërmarrjes private, për të mos ecur kah fshehjes apo uljes së pagave reale të punëmarrësve. Është sektori privat ai që përballon mbi 80% të punëzënies në Shqipëri, e për rrjedhojë dhe të ardhurat më të mëdha prej tatimit progresiv të të ardhurave gjenerohen prej tij.

Kur shkruaj ndërgjegjësim dua t’u bëj të kuptojnë bizneseve që këto para të arkëtuara, do të shndërrohen në pagesa për individët më në nevojë të shoqërisë, atyre që trajtohen me përkrahje sociale, dhe unë jam krejt pozitiv për rritjen e masës së pagesës sociale, si një e mirë që çon në reduktimin e ngjarjeve kriminale në vend.

E kush nuk do të ishte ai individ, qoftë shumë i pasur apo pak më pak i pasur që nuk do të dëshironte një ambient me më pak kriminalitet në vendin ku ka zgjedhur të krijojë familje, të rrisë fëmijët e të çojë përpara bizneset e tij?!

Fakt i pakundërshtueshëm është që fituesi politik i zgjedhjeve në Shqipërinë e pas 23 qershorit, është tatimi i të ardhurave të milionerëve. Qartësisht vota popullore shkoi për projektin e taksimit progresiv të të ardhurave edhe pse ky projekt nuk u paraqit atëherë i plotë dhe i detajuar.

Gjithsesi, rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit tregon dukshëm se mandati qeverisës i fituar prej mazhorancës aktuale është një mandat për të krijuar mundësi më të mira jetese për shtresat e varfra të shoqërisë sonë.

E mua më mbetet vetëm të shpresoj e besoj, se çdo para e mbledhur prej tatimit progresiv të të ardhurave do të miradministrohet e do të shkojë për përmirësimin e gjendjes ekonomike të shtresave të varfra të shoqërisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi