Sfidat e taksave të reja

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqip, 5 dhjetor 2013

Ka një pritshmëri të madhe, gati të ethshme mes bizneseve, por edhe qytetarëve, për politikën e taksave që do të zbatohet vitin e ardhshëm. Qeveria e ka bërë të qartë se disa premtime të fushatës zgjedhore të 23 qershorit do t’i realizojë që në vitin e parë të plotë financiar. Pra vitin 2014. Do të vendosë taksimin e drejtë (kështu e quan ajo), pra pagesën e detyrimit të shtetit te të ardhurat personale, në përpjesëtim të drejtë me atë që fiton taksapaguesi. Ata që marrin pagë mujore (në shtet ose në privat) mbi një milion e gjysmë lekë të vjetra, do të paguajnë në shtet 25 për qind, pra një të katërtën e rrogës. Ose ndryshe, kush merr më shumë, të paguajë më shumë. Janë rreth 20 mijë vetë që kanë një rrogë më të madhe se ky prag dhe konsumi do të vuajë, pse ata janë edhe konsumatorët më të mëdhenj në klasën e mesme të vendit. Rreth 380 mijë punonjësit e tjerë që marrin një pagë deri 900 mijë lekë të vjetra dhe që përbëjnë 80 për qind të rrogëtarëve në Shqipëri, do të taksohen, pra do të paguajnë më pak, sipas ligjit të ri. Kjo, pse për 300 mijë lekët e vjetra të para në muaj, nuk paguajnë taksë, kurse nga 301 mijë lekë deri në 900 mijë, taksohen me 15 për qind. Bizneset e vogla, me xhiro deri 5 milionë lekë të vjetra në muaj, lirohen disi nga tatimi mbi fitimin, pse në vend të taksës së sheshtë 10 për qind, taksohen 7.5 për qind, ndërsa rëndohen bizneset më të konsoliduara, pra me xhiro mujore mbi 5 milionë lekë, të cilave tatimi mbi fitimin ju bëhet 15 për qind.

Duke e nisur taksën progresive me vetëm dy shkallë te biznesi, qeveria përpiqet ta bëjë sa më të pranueshme në ekonomi këtë reformë, për të ulur evazionin tatimor dhe lojën me dy bilance. Megjithatë, rritja e tatimit me 50 për qind do të ketë ndikim frenues në llogaritë e investuesve të huaj, të cilët zakonisht, sapo vënë këmbë në tokën shqiptare, luajnë me letra të pastra dhe vetëm me një bilanc. Qeveria duhet të përpiqet ta kompensojë këtë frenim me një politikë sa më pro-biznesit në marrëdhëniet me shoqatat e bizneseve të huaja në Shqipëri. Duhet shkurtuar fort koha e marrjes së lejeve të ndërtimit, pse në këtë fushë zëmë vendin e parafundit në botë, në klasifikimin e Bankës Botërore. Në një periudhë kaq të vështirë sa kjo që do të kalojmë edhe vitin e ardhshëm, me vuajtjen e gjatë të pasojave të krizës në vendet e Eurozonës, më e mira do të kishte qenë që te ne të mos kishte fare ngritje taksash dhe qeveria të përpiqej të mos e rëndonte borxhin publik, duke rritur arkëtimet në buxhet me përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor, me uljen e informalitetit dhe shmangien në minimum të evazionit fiskal. Por është një qeveri që duhet të mbajë premtimet e partisë kryesore në marrëveshjen zgjedhore të 1 prillit 2013 dhe në këto premtime futet vendosja e taksës progresive (edhe pse në kohën më të papërshtatshme për ekonominë e vendit). Këtë disfavor, qeveria duhet të përpiqet maksimalisht ta kthejë në të mirë të vet, duke marrë maksimumin nga arkëtimet në dogana dhe tatime. Muaji tetor 2013 ka qenë shumë pozitiv në fitimin e rreth 23 milionë eurove më shumë nga tatimet dhe doganat, në krahasim me planin dhe ka gjasa që edhe muaji nëntor të ketë rezultate të ngjashme. Mirëpo, kjo duhet të vazhdojë edhe për 13 muajt në vijim, deri në dhjetor 2014. Ndryshe mosrritja ekonomike, madje edhe rënia, recesioni janë te pragu i derës. Qeveria duhet të jetë në gjendje të mbledhë mjaftueshëm para për vitin 2014, për të mundësuar vazhdimin e investimeve publike të filluara dhe nisjen(përse jo) të disa të tjerave. Ekonomia duhet kapur për dore dhe duhet shtyrë përpara dhe këtë mund ta bëjë vetëm vepruesi më i madh i saj, qeveria, në një kohë kur kreditimi bankar për ekonominë ka muaj që ka nisur gjumin e dimrit.

Tri janë sfidat më të forta përpara qeverisë në ekonomi. E para, të arrijë të marrë rreth 200 milionë euro më shumë sesa arkëtimet e këtij viti, vetëm me përmirësimin e administrimit të taksave dhe tatimeve. Për këtë, energjia e kontrolleve dhe e kërkesës së llogarisë duhet të jetë si në këta dy muaj, tetor-nëntor 2013. E dyta, të arkëtojë një pjesë të borxhit tatimor, i cili është kolosal, rreth 560 milionë euro. Sikur vetëm 40 për qind të tij të arrijë ta rikuperojë gjatë vitit 2014, qeveria ka bërë një hap të madh në sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme buxhetore për të mos rënduar fort deficitin e shtetit. E treta, duhet të formalizojë tregun e punës dhe të vendosë në të bardhë të gjithë ata punonjës që sot punojnë në të zezë. Vetëm te ne është akoma paradoksi madhor që kontribuuesit e sektorit privat në skemën e sigurimeve shoqërore janë të barabartë me ata në sektorin publik, kur dihet që ekonomia është e privatizuar në katër të pestat e saj. Pra, normalisht duhet të kishim kontribuues privatë të paktën trefishin e atyre në shtet. Qeveria do të kuptohet se ka kthyer frymën e shtetit ligjor te ne deri në dhjetor 2014, në rast se në atë kohë numri i kontribuuesve në privat do të jetë të paktën 50 për qind më shumë sesa në shtet.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi