Pse nuk mund të flitet akoma për konsolidim demokratik?

Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 30 nëntor 2013

toningjurajShekulli 19 mund të konsiderohet si fillimi i demokracisë, kur kjo e fundit nisi të bëhej trend global. Natyrisht shkaqet e procesit të demokratizimit variojnë në kohë e hapësirë, duke mos qenë një proces linear, por duke shënuar ulje-ngritjet e veta, diku një proces i kontestuar, diku tjetër i pranuar, në disa vende i kompletuar, në disa të tjera i stërgjatur.  Po ashtu, ky proces, në shumë vende, është shoqëruar me konflikte të ndryshme sociale, ndikime të jashtme, si dhe me përpjekje për shtetndërtim, ose shkaqe të tjera të përbashkëta. Edhe pse përvojat kanë qenë të ndryshme, shumë prej shkaqeve kanë qenë të përbashkëta për shumë vende, prandaj S. Huntington-i përdori metaforën e “valës” për demokratizimin e vendeve të ndryshme.

Teoritë e demokratizimit merren kryesisht me shkakun dhe identifikimin e faktorëve kryesorë që çojnë në lindjen e demokracive. Por, procesi i demokratizimit përgjatë historisë shpjegohet me ngjarje të ndryshme. Për R. Dahl, për shembull, ai fillon më 1776, me Revolucionin Amerikan, ku triumfoi ideja e përfaqësimit, që çoi pastaj drejt revolucionit amerikan dhe krijimit të SHBA-së. Huntington-i barazon demokracinë me individualizmin. Kur populli u përfshi në procese politike, demokratizimi filloi në Britani, në disa pjesë të Evropës Perëndimore, në SHBA dhe disa koloni të banuara nga britanikë, si në Kanada, Australi, Zelandë e Re. Pak më vonë ballafaqohemi me një avancim të shpejtë të kapitalizmit dhe lindjen e demokracive liberale në shumë vende, SHBA, Francë, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Belgjikë, Zvicër etj…

Por, demokratizimi bashkëkohor u lëkund me dështimin e demokracive në vitet ’60-, që çuan në një pesimizëm të përgjithshëm, edhe pse ideja e demokracisë rilindi me zhvillimet në Evropën Jugore më 1970, në Spanjë, Greqi, Portugali e Amerikën Latine. Rënia e Murit të Berlinit më 1989, dezintegrimi i ish-BS-së, ndryshimet demokratike në Afrikën e Jugut me fundin e apartheid-it, si dhe shumë lëvizje të tjera prodemokratike, i rihapën rrugë trendit global të demokratizimit.

Për të kuptuar më mirë procesin e demokratizimit, përfshirë dhe Shqipërinë, duhet kuptuar dinamika sociale dhe politike specifike e çdo vendi, si dhe një vëmendje më e madhe ndaj politikës së brendshme, kulturës dhe strukturës së sistemit demokratik. Me fjalë të tjera, duhet parë tranzicioni drejt demokratizimit dhe konsolidimit demokratik si dinamikë politike e konsolidimit të vetë demokracisë.

Çfarë do të thotë që demokracia është e konsoliduar? Së pari, demokracia lipset të jetë një proces që riprodhohet vazhdimisht dhe vetëpërforcues, pa ndikimin e vazhdueshëm, pas një faze të caktuar, të institucioneve të BE-së; së dyti, demokracia është e qëndrueshme, që nuk mund të kërcënohet nga rënia e saj, siç ka ndodhur në të kaluarën në disa vende; së treti, ajo është dinamike dhe jo statike, duke persistuar dhe përshtatur gjithmonë ndryshimeve deri në atë masë, sa të mos rrezikojë stabilitetin e sistemit social e politik. Nëse kultura dhe struktura e sistemit politik përputhen, sipasAlmond dhe Verba, atëherë ky sistem është persistent. Struktura e sistemit demokratik përfshin modele rolesh dhe procedurash demokratike. Rolet në këtë rast kanë të bëjnë me trupën legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, kurse kompleti i roleve, që janë shumë të rëndësishme për sistemin social e politik, kanë të bëjnë me institucionet demokratike.  Që rregullat të përcaktohen qartë dhe rolet të funksionojnë sa më mirë, kjo, sipas T. Parsons, rregullohet me kushtetutë. Modelet e rolit dhe vlerat demokratike përcaktojnë natyrën e regjimit demokratik. Përveç kësaj, sipas Easton, kjo përcakton edhe kulturën politike. Ka qenë T. Parsons që dallonte, më qartë ndoshta se të tjerët, nivelin strukturor dhe nivelin kulturor ose të vlerave për të matur nivelin e institucionalizmit të demokracisë në një vend të caktuar. Sipas tij, niveli i parë i institucionalizimit të demokracisë në shoqëritë moderne është implementimi i saj në kushtetutë, kurse niveli i dytë ka të bëjë me konsensusin e anëtarëve të sistemit social mbi strukturën dhe vlerat. Brenda kësaj kornize, demokracia shqiptare është e institucionalizuar në proporcion me thellësinë e përkushtimit ndaj vlerave demokratike të të drejtave individuale ose njerëzore, të së mirës së përbashkët, drejtësisë, barazisë së shanseve, diversitetit, të vërtetës dhe patriotizmit kushtetues, si dhe të shkallës së legjitimitetit të strukturave të saj.

Demokracia shqiptare nuk është akoma e konsoliduar, sepse brenda regjimit politik, demokracia vijon të jetë një sistem i ndërlikuar institucionesh, rregullash, inkurajimesh dhe dekurajimesh, që do të thotë se, në termat e J. Linz dhe A. Stepan, ajo ende nuk është bërë “e vetmja rregull loje”. Konsolidimi demokratik përfshin ato përmasa që kanë të bëjnë me sjelljen, qëndrimin dhe kushtetutën e një vendi.  Më konkretisht, demokracia shqiptare ka probleme, së pari, me sjelljen politike, me demokracinë si “i vetmi rregull loje”. Grupet politike gjatë tranzicionit janë përpjekur të përmbysin regjimin demokratik, ose të nxisin dhunë të brendshme, siç kanë qenë ngjarjet e vitit 1997, të 1998-ës, si dhe ato të 21 janarit 2011. Sherret politike, jo një konflikt i natyrshëm politik, kanë karakterizuar sjelljen politike të elitës politike shqiptare; së dyti, ajo ka probleme me qëndrimin demokratik, që do të thotë se edhe në kohë krizash të rënda ekonomike e politike, siç ishte për shembull, viti 1997 apo kriza aktuale, shumica dërrmuese e njerëzve janë skeptikë për institucionet demokratike, në vend që të jenë të gatshëm të nxisin, pa panik, çdo lloj ndryshimi politik brenda parametrave të procedurave demokratike; së treti, demokracia shqiptare ka probleme me kushtetutën, e cila ndihmon në zgjidhjen e çdo lloj konflikti politik, por brenda normave të caktuara, me qëllim që shkeljet kushtetuese të mos kushtojnë shtrenjtë për sistemin politik. Në vend të saj, fatkeqësisht, ngaqë procesi kushtetues nuk ishte gjithëpërfshirës, ajo ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme disa herë, brenda një kohe relativisht të shkurtër për një dokument të tillë. Në fakt, edhe Philippe C. Schmitter & Terry Lynn Karlkanë shprehur qartë pesimizmin e tyre për konsolidimin e demokracisë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke e përcaktuar të gjithë procesin si “të gjatë, konfliktual dhe jopërfundimtar”.

Edhe pse demokratizimi është një proces kompleks dhe afatgjatë, shumë dinamik dhe i hapur, konsolidimi demokratik do të shënonte, në fakt, mbylljen e këtij procesi, ku konkurrenca politike do të ishte e natyrshme, kurse ndryshimet domethënëse institucionale të zbatohen në mënyrë korrekte. Në rastin e Shqipërisë, perspektiva e hyrjes në BE dhe krijimi në vend i një mjedisi europian, në kuptimin e kapjes së “trenit të shpejtë të europianizimit”, k

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi