Për gjykimin administrativ dyshkallësh

Nga Vasil Bendo, botuar në Shqiptarja.com, 29 nëntor 2013

Nëntori i këtij viti përbën një nga ngjarjet më të mëdha të reformës së gjykimit administrativ shqiptar: filloi funksionimi i gjykatave administrative të shkallës së parë dhe i gjykatës administrative të apelit, aq shumë të mirëpritura nga publiku dhe biznesi vendas. Ligji 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i miratuar në Kuvend në maj të vitit të kaluar me konsensus politik, pa dyshim, është një nga arritjet më të mëdha të procesit ligjhartues në vend, por edhe një nga objektivat reformative më të rëndësishme administrative në Shqipëri.
Ligji përmban dispozita procedurale që plotësojnë organizimin dhe gjykimin dy e tri shkallësh të konflikteve administrative, si edhe garantojnë mundësine maksimale të gjykimit objektiv të ankimit administrativ të shtetasve dhe subjekteve të ndryshme kundër akteve dhe veprimeve të administratës publike. Gjithashtu përmban edhe dispozita materiale, që përmiresojnë dukshëm dispozitat në fuqi të Kodit të Procedurave Administrative të vitit 1999 dhe që kerkojnë rishikimin e tij.
Megjithë kosideratat e larta juridike, ligji mbart disa probleme të drejtësisë administrative, që mund të përmirësohen nëpërmjet ndryshimeve të domosdoshme, veçanësisht në dy boshte kryesore. Së pari, gjykimit administrativ dyshkallësh; së dyti, dhomëtranxhës së këshillimit pafundësisht paraprerëse (kjo e dyta do të duhej të trajtohej në një artikull tjetër).
Në bashkëbisedimin konsultativ me ekspertë ligjorë dhe avokatë vendas, organizuar në mars 2012 nga deputetë të grupit parlamentar socialist të Kuvendit të kaluar, me qëllim hartimin e kundërprojektit apo draftit përfundimtar të ligjit për gjykatat administrative, kam theksuar me forcë disa këshillime apo rekomandime ligjhartuese për çështje themelore të drejtësisë administrative. Kam bindjen që nëse do të ishin merrë në konsideratë, ato jo vetëm do të përmirësonin gjykimin administrativ të sapofilluar në vend, por edhe do të ulnin në minimum mundësitë e korrupsionit të ardhshëm në këto gjykata të reja. Në këto rradhë do të ndalem vetëm tek njëri prej tyre dhe që është më kryesori.
Qysh gjatë periudhës dy – tri vjeçare të hartimit të draftligjit të qeverisjes demokratike në kuadrin e Gjykatës së Lartë, por dhe gjatë hartimit të projektit përfundimtar të opozitës socialiste në kushte private, kam propozuar dhe vazhdoj të ripropozoj edhe tani pas miratimit të ligjit, se sistemi gjyqësor administrativ mund dhe duhet të jetë dyshkallësh. Minimalisht mund të jetë trishkallësh, por vetëm per çështje të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë me konfliktet, të cilat rrjedhin nga aktet nënligjore normative.
Ligji në fuqi parashikon një sistem miks kompetencash të gjykimit administrativ. Sipas këtij ligji, shumica e konflikteve administrative do të gjykohet në tri shkallë, në gjykatat administrative të shkalles së parë, në gjykatën e apelit administrativ dhe në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Një pakicë e tyre, ato që janë më të rëndësishmet dhe që kanë të bëjnë me konfliktet, të cilat lidhen me aktet nënligjore normative të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore do të gjykohen në dy shkallë, në apelin administrativ dhe Kolegjin Administrativ.
Në fakt duhej të kishte ndodhur e kundërta, shumica e konflikteve me dy shkallë dhe pakica me tri shkallë gjykimi. Sidoqoftë, rëndësi merr fakti që ligjvënesi ka pranuar sistemin dy dhe tri shkallësh, më tej çdo gjë është e rregullueshme juridikisht. Por, me organizimin e deritanishëm të sistemit dhe të kompetencave mendoj se, nuk arrihet qëllimi apo objektivi kryesor i ngritjes së gjykatave administrative, që është shqyrtimi i mosmarrëveshjeve të një natyre të tillë në afat kohor sa më të shkurtër, ose ulja e kohëzgjatjes totale të shqyrtimit të tyre gjyqësor në dy apo tri shkallët e gjykimit administrativ.
Në kushtet e mbingarkesës së Gjykatës së Lartë për gjykimin e çështjeve civile dhe penale, e vonesave dy vjet e më shumë në shqyrtimin e tyre dhe e mungesës së kolegjit administrativ të profilizuar, ligji parashikon ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë kundër të gjitha vendimeve të shpallura nga gjykata administrative e apelit. Duke pasur parasysh që në apel lejohet ankimi kundër të gjitha vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë, lehtësisht kuptohet që në Gjykatën e Lartë do të përqëndrohen për gjykimin final të gjitha konfliktet administrative, pa bërë asnjë kufizim dhe vlerësim ligjor të tyre, duke ditur se janë të shumtë në numër, lloje dhe vlerë. Kjo do të dëmtojë dhe vonojë padrejtësisht së tepërmi gjykimin administrativ.
Ashtu si për çështjet civile dhe penale, edhe për gjykimin në shkallë të tretë të mosmarrëveshjeve administrative duhet të kufizohen kompetencat e Gjykatës së Lartë, ashtu siç parashikohet në Kushtetutë. Për të arritur në këtë përfundim, i referohem edhe komenteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet rekomandimeve të vlefshme për paraprojektligjin kanë keshilluar: “Fushëveprimi i Gjykatës së Lartë në çështjet administrative duhet të kufizohet qartësisht (krahasuar me situatën aktuale) vetëm në çështje specifike të shkeljes së ligjit dhe për të lejuar unifikimin e praktikës gjyqësore, sikurse kërkohet nga Kushtetuta. Kjo është e këshillueshme për dy arësye kryesore: Gjykata e Lartë duhet të rigjejë rolin e saj të shkallës së veçantë të juridiksionit, dhe një shtrirje e gjerë e Gjykatës së Lartë do ta zgjaste së tepërmi procesin administrativ, duke penguar kështu efektshmërinë e shqyrtimit gjyqësor”.
Për të shkurtuar afatzgjatjen e përgjithëshme të procesit dhe për të rritur efektshmërinë e gjykimit administrativ në kohë, kompetencat lëndore dhe funksionale të gjykatave administrative e të Kolegjit Administrativ  mund të ndryshohen si më poshtë:
1. Të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë vetëm vendimet e gjykatës administrative të apelit, kur kjo e fundit shqyrton në shkallë të parë mosmarrëveshjet administrative sipas kompetencave që lidhen me aktet nënligjore normative. Kjo kompetencë të mbetet e pandryshuar ashtu siç është në ligj, për faktin se këto akte parashikojnë urdhërime për grupe individësh ose organizimesh dhe e shtrijnë efektin juridik në territore të njësive të qeverisjes vendore, apo fusha të caktuara të veprimtarisë që mbulohen nga ministritë e linjës.
2. Vendimet e gjykatës administrative të apelit që shqyrton ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë, e cila gjykon shumicen e konflikteve administrative, duhet të jenë të formës së prerë dhe përfundimtare, ndaj të cilave nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë. Kështu, gjykata administrative e apelit krahas së qënit unike kthehet edhe në një minigjykatë supreme administrative.
Në këtë mënyrë thjeshtohet dhe shkurtohet gjykimi administrativ.
Kjo skemë e kompetencave mendoj që do të japë rezultate pozitive, së paku në pesë drejtime kryesore:  Ulet ndjeshëm mbingarkesa e Gjykatës së Lartë në gjykimin e konflikteve administrative; Gjykatës së Lartë i jepen më tepër mundësi funksionale dhe kohore për të bërë unifikimin e praktikës gjyqësore për konfliktet administrative; rritet autoriteti dhe pergjegjshmëria e gjykatës administrative të apelit; përshpejtohet procesi i përfundimit të gjykimit administrativ në një afat kohor sa më të shkurtër; së fundi, por më kryesori, rritet ndjeshëm efektiviteti i gjykimit administrativ në shërbim të publikut shqiptar.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan