Komuniteti dhe shkolla

Nga Pëllumb Karameta, botuar në Shqip, 25 nëntor 2013

Media ka informuar ditët e fundit për reformat që synojnë përmirësimin rrënjësor të cilësisë së punës në sektorin e arsimit. Në vijim, lexuesit informohen për paketën e projekteve që po zbaton MAS-i dhe komentohen disa nga zhvillimet e pritshme që synojnë të përmirësojnë thelbësisht raportet mes komuniteteve dhe shkollave.

Elemente të paketës janë 18 projektet e para që do të përfundojnë ose do të përmbyllin fazat kyçe të tyre, brenda 100 ditëve të para të qeverisë së re. Të tillë janë projekti i kthimit të shkollave në qendra komunitare, ai i kartës së performancës së shkollës, projekti i vlerësimit të arritjeve të nxënësve të kl. III dhe V, përmirësimi i paketës kurrikulare të arsimit bazë, projekti për reformimin e njësive arsimore vendore (DAR/ZA), ai i përzgjedhjes/emërimit/shkarkimit të drejtuesve të institucioneve arsimore publike (shkollave dhe kopshteve), projekti për hartimin e rregullores së zbatimit të ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë etj.

Ndërkohë, media u fokusua mbi tri udhëzime të posaçme të ministres së Arsimit dhe Sportit, ku përcaktohen qartë procedurat e emërimit dhe të largimit nga puna të drejtuesve dhe të mësuesve të institucioneve arsimore publike. Me qenë se informacioni i ofruar, kryesisht, qartësonte kriteret dhe proceduarat e përzgjedhjes dhe emërimit të personelit arsimor, gjykoj se publiku duhet informuar dhe për rolin kyç të aktorëve të tjerë në këtë proces.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për arsimin parauniversitar dhe plotësimin e tij me aktet e nevojshme nënligjore, personeli arsimor i shkollave dhe kopshteve, sikundër të gjithë specialistët e njësive arsimore qendrore dhe vendore (DAR & ZA), tani e në vijim, duhet të konkurrojnë për të fituar postin e punës. Konteksti i reformave të mësipërme është sigurimi i një marrëdhënieje funksionale ndërmjet institucioneve arsimore, prindërve dhe komunitetit. Sepse studimet shkencore të tri dekadave të fundit kanë vërtetuar se ortakëria/ partneriteti “shkollë-familje-komunitet” përmirëson programet arsimore dhe klimën në shkollë, ofron shërbime dhe mbështetje për familjet, rrit aftësitë e prindërve dhe rolin ndikues të tyre, krijon dhe forcon lidhje midis prindërve në shkollë dhe në komunitet. Ortakëri të tilla, mbi të gjitha, ndihmojnë mësuesit dhe shkollën në punën e tyre.

Pas plotësimit të kornizës ligjore, së shpejti, do të zhvillohen procedurat për përzgjedhjen e 214 drejtuesve të emëruar pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Këta të fundit, do të ftohen të konkurrojnë krahas të interesuarve të tjerë për postin e drejtorit të institucionit arsimor. Procesi i konkurrimit do të vijojë, ndërkaq, për postet e liruara nga ata drejtues që nuk i kanë shërbyer interesit më të mirë të nxënësve dhe komuniteteve.

Nga ana tjetër, që si prindër të ndikojmë vërtet në jetën e shkollës, le të fillojmë t’i shfrytëzojmë praktikisht mundësitë e reja që na ofron ligji i ri dhe udhëzimet gjegjëse të ministres së Arsimit dhe Sporteve. Po e nis nga ligji që përcakton procedurat për emërimin e drejtuesve. “Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të qeverisjes vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat për emërimin dhe/ose shkarkimin e drejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit” (Neni 55).

Në kontekstin e politikës së re, vlen tej mase, madje, është përcaktuese, pjesëmarrja e prindërve në bordin e shkollës dhe në këshillat e prindërve. Sepse, nga pjesëmarrja dhe nivel i përfaqësimit të tyre varet jo pak cilësia e lidershipit të shkollës dhe e mësuesve që ndihmojnë nxënësit në formimin e tyre. Pjesëmarrja e prindërve dhe e të interesuarve komunitarë në organet përfaqësuese ndikon deri shkarkimin e drejtuesit të shkollës, kur ai nuk arrin t’i plotësojë përgjegjësitë e tij. Ja si e përcakton udhëzimi i ministres së Arsimit dhe Sportit këtë procedurë: “a) bordi i institucionit arsimor, me shumicë të thjeshtë votash të fshehta të anëtarëve të tij, i kërkon titullarit të njësisë arsimore vendore shkarkimin e drejtorit; b) drejtori ka të drejtë të dëgjohet nga bordi i institucionit, para se bordi t’i dërgojë titullarit propozimin për shkarkim të drejtorit; c) titullari i njësisë arsimore vendore shkarkon drejtorin, ose i jep një vit të plotë shkollor provë me detyra të përcaktuara, dhe të matshme. Pas vitit të provës, titullari vlerëson drejtorin dhe, kur konstaton se nuk janë realizuar detyrat e përcaktuara, e shkarkon atë”.

Këto përcaktime shërbejnë forcimin e “pushtetit” të prindërve dhe të komunitetit në vendimmarrjet për përmirësimin e cilësisë në shkollë. Dhe, që ndryshimi të ndodhë, do duhet ta rimendojmë marrëdhënien tonë me shkollën. Nëse deri tani, kemi pranuar mbylljen e shkollës në vetvete, si përgjegjësi e stafit pedagogjik, politika e re krijon kushte që të ndryshojë kjo mënyrë perceptimi. Ne duhet të kuptojmë dhe të ngulmojmë përmes pjesëmarrjes në jetën e shkollës se fusha, të tilla si: përgatitja e kurrikulës sipas modeleve bashkëkohore, vlerësimi real i cilësisë së arritjeve, transparenca dhe llogaridhënia në çdo nivel, shtimi i burimeve të shkollës dhe kontrolli mbi përdorimin e tyre, lidhen edhe me ne si prindër dhe taksapagues. Ne, tashmë, dimë se kërkimet e dekadës së fundit kanë treguar se mendjet e fëmijëve janë të farkëtueshme; se inteligjenca nuk është atribut jetik i trashëguar. Përkundrazi, ajo është burim i shumanshëm, mjaft aspekte të së cilës mund të kultivohen. Sikundër dimë, gjithashtu, shumë shembuj dhe dëshmi të suksesit të drejtimit të shkollave përmes pjesëmarrjes. Kjo mënyrë drejtimi bën që, nxënësit, p.sh., duke luftuar me matematikën përmirësohen në mënyrë befasuese kur, vetëm me 1 orë në javë, për tetë javë radhazi, ulen dhe bisedojnë me mësuesin si të nxënë (madje, pa pagesë). Më tej. Rezultatet e provimeve përmirësohen kur mësuesit fillojnë të mendojnë dhe të flasin për zakonet e nxënies së të rinjve dhe t’ua shtojnë vëzhgimet e tyre informacioneve që përgatitin për prindërit.

Mundësitë e reja ligjore dhe përpjekjet intensive të MAS-it janë lajme të mira për prindërit dhe të rinjtë. Si gurë në themelet e demokracisë në shkolla, ato janë parakushte për drejtues dhe mësues kompetentë që nxënë çdo ditë. Ato ndihmojnë shkollën të orientohet jo vetëm nga lart, por dhe nga vullneti, aspiratat e nevojat komunitare. Kësisoj, prindërit dhe qytetarët shndërrohen në agjentë të ndryshimit, ndërsa shkollat në qendra komunitare, në mjedise miqësore dhe të hapura për nxënësit, prindërit dhe çdo të interesuar tjetër.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi