Në pritje të “tymit të bardhë” të Brukselit

Nga Pirro Naçi, botuar në Shekulli Online, 17 nëntor 2013

0.06333333333 % – kaq është ndihma e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Kjo është shifra që përfaqëson “politikat e  zgjerimit” dhe të ndihmës evropiane në kontekstin e buxhetit “gjigant” të saj, krahasuar me të për vitin 2013. Nga pothuajse 150 miliardë (150 000 000 000 ) euro, Shqipëria ka mundur të marrë një ndihmë prej  95 milion (95 000 000) euro. Këto ditë Këshilli Evropian miratoi për vitin e ardhshëm 82 milion euro për 19 programe për nevoja të veçanta të vendit, për mbështetjen e reformave në fushat e qeverisjes, drejtësisë, mjedisit, zhvillimit rural etj.. Shifra e mësipërme na kthen 5 vite mbrapa. Kaq ishte ndihma e vitit 2009.  Një shifër mjaft e vogël, jo vetëm për buxhetin evropian, por edhe për ekonominë e vendit tonë, e vendit më të varfër të kontinentit. Një shifër që flet qartë se me sa “seriozitet” dhe “përkushtim” punohet në Bruksel. Dhe kjo politikë, vite me radhë, e pandryshuar, strikte, paçka se eurot derdhen lumë për të “gjetur” mënyra dhe metoda për zgjerimin dhe mirëqenin e çdo evropiani. Miratimi i 13 nëntorit 2013 nga Komisioni Evropian  është shumë larg kërkesave për vendin tonë. Akoma ka kohë për korrigjim, akoma ka kohë për të ndërhyrë. Në Bruksel deri në fund  të dhjetorit do të  “brumosin” shifrat dhe politikat ekonomike. 94 %  e buxhetit evropian vihet në dispozicion për degët kryesore të ekonomisë dhe vetëm 6 % e tij  shkon në administratën e këtij institucioni në një shifër prej 8.5 miliardë eurosh. Për ta përfituar vendi ynë  këtë shifër me politikat e ndjekura deri më tani do të na duhen të paktën 100 vjet. Pra në 2113! Në  mënyrë simbolike, por pse jo edhe reale, kaq “larg” janë politikat ekonomike ndaj vendit tonë. Venë e vinë  deputetë të BE-së, komisionerë, specialistë, ambasadorë, për të na thënë çfarë? Një herë një libër të tërë me detyra, një herë tjetër disa ligje në kuvend, herë tjetër  12, sot edhe pesë të tjera, nesër nuk e dimë se çfarë. E treta  herë në Tiranë e  komisionerit Fyle. Përse ? Për  të na thënë apo për t’i thënë ne se për pak ditë, qoftë edhe për pak muaj do të futemi  me “zor”, duan apo nuk duan. Këtu ka arritur halli. Ne na duhet një politikë tjetër; jo vetëm të na mbikëqyrin, jo vetëm të na tërheqin veshin, apo të na fryjnë me fjalë dhe vetëm fjalë. Ne duam një politikë konkrete ekonomike, përvojën shumëvjeçare të saj të mund ta zbatojmë një kohë sa më të shkurtër. 60 vjet  më parë politikani Joseph Bech nga Luksemburgu vuri gurin e parë për krijimin e komisionit evropian të qymyrit dhe të çelikut. Përpjekjet e tij bënë të mundur thirrjen e konferencës së Messinias në qershor të 1955, e cila hapi rrugën për themelimin e Komisionit Ekonomik Evropian. Rrugëtimi dhe ideja, duke parë se ku kemi arritur janë mjaft domethënës. Por politikani Bech  nuk do të ndjehej krenar për Evropën, në qoftë se ai do të ishte gjallë, për atë çka ndodhur pak ditë më parë në galeritë e Pogradecit dhe të Librazhdit. Për bukën e gojës, nga fukarallëku, nga halli kanë sfiduar rrezikun shtatë vetë dhe pothuajse të gjithë të rinj kanë humbur jetën. Ngjarje këto që kthejnë Evropën e 100 a 200 vjetëve mbrapa, e që nuk na përkasin dhe s’kanë pse të ndodhin. Pak ditë më parë në Tiranë ndodhej komisionerja për Politikat e Detit dhe të Peshkimit. Midhja e Butrintit është një problem shumë i madh dhe me pasoja ekonomike për zonën. Ka vite që sipërmarrësit  vendas kërkojnë diçka jo vetëm nga organet tona qendrore, por aq më shumë edhe nga BE. A do të ketë një veprim dhe ndihmë konkrete në këtë drejtim? Midhja dhe peshkimi  në Sarandë, Vlorë e Durrës kanë probleme të mëdha. Peshkatarët sarandiotë për të furnizuar me naftë anijet e peshkimit udhëtojnë drejt Korfuzit apo Igumenicës! Peshkatari sarandiot apo vlonjat blen mjetet dhe varkat e peshkimit nga peshkatarët evropianë, të cilët i lënë ato pasi i kanë shfrytëzuar prej shumë vitesh dhe futet në programe  dhe grante të BE-së për të marrë teknologjinë e re. A janë këto praktika të drejta? Përse të mos të stimulohet edhe peshkatari shqiptar në këto programe?  Përse bëjnë sikur nuk i shikojnë apo nuk i dëgjojnë këto allishverishe? Çfarë korrupsioni na thonë të luftojmë, kur vetë, me metodat dhe mënyrat që ndjekin, i stimulojnë ato. Fakte të kësaj natyre mund të sjellim edhe nga sektori  i bujqësisë, i turizmit e mjaft të tjera. Madje do të ishte e udhës që këtej e tutje miqtë e Parlamentit Evropian, “dollibashët” tanë t’i presim dhe të bisedojmë atje lart në Malësi, në Theth, në Valbonë, në Dardhë,  në Peshkopi, në Skrapar,e kudo tjetër, për të parë se ai hoteli, ai lokali, ajo veprimtaria familjare, janë ndërtuar pa as edhe një cent nga fondet e BE-së. Ndoshta duke parë nga afër përpjekjet e shqiptarëve për të mbijetuar apo për t’u zhvilluar, nuk  do t’i “bien” fyellit vetëm në një vrimë: krimi dhe korrupsioni, shteti dhe ligji…Fenomene këto që nuk janë vetëm shqiptare, nuk i kemi shpikur ne dhe nuk veprojnë vetëm tek ne. Problemet ekonomike dhe zgjidhja e tyre  janë mbi to, janë të prekshme dhe të dobishme për çdo evropian, por edhe çdo shqiptar. Trajtimi i tyre me realizëm ndaj Shqipërisë do të ndihmonte për të përshpejtuar  “ngërçin” që ekziston. Dhe këtu nuk flasim për ndonjë çudi të madhe. Një presje të ndryshojnë, një zero të zhvendosin, nga 0,063…% në 0,63…%. Ne nuk kemi gjë tjetër se çfarë të bëjmë, vetëm të presim çdo fund viti se çfarë buxheti do të miratojë parlamenti evropian dhe se çfarë  do të akordojnë  për ne. Deri atëherë në pritje të “tymit të bardhë” të Brukselit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi