Konsolidimi i funksioneve të reja të Pushtetit Vendor

Nga Sorina Koti, botuar Ballkanweb, 19 korrik 2018

Konsolidimi i funksioneve shtesë, që iu kaluan bashkive për shkak të zbatimit të Reformës Administrative Territoriale dhe decentralizimit financiar, shihet si një proces që do forcojë më tej menaxhimin dhe qeverisjen lokale.

Procesi i decentralizimit edhe pse ka vite që është hartuar, zbatimi i saj është penguar disa herë. Me fillimin e zbatimit të RAT supozohej që të mbyllej plotësisht edhe ky proces për pushtetin vendor. Si rezultat i decentralizimit dhe i rritjes së përgjegjësive për bashkitë, pritej që bashkitë të ishin më efektive në shpërndarjen e shërbimeve publike, duke përmirësuar jetën e qytetarëve, si dhe duke krijuar një klimë të mirë për biznesin, i cili supozohej të ishte aktori kryesor për nxitjen e investimeve dhe rritjen ekonomike rajonale. Por, a ka ndodhur realisht decentralizimi dhe konsolidimi i funksioneve të reja?

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, bashkitë e reja duhet të konsolidonin fillimisht pasqyrat financiare të ish-komunave me bashkinë e re të madhe. Ky ishte një proces i ngadaltë dhe problematik. Ende ka probleme me inventarizimin dhe identifikimin e të gjitha aseteve dhe detyrimeve të njësive të mëparshme. Për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë dhe identifikimit fizik të aseteve, ky proces u transferua tek bashkitë e reja, ku kostoja e përfundimit të tij parashikohet të jetë e lartë. Detyrë në vazhdimësi e bashkive do të jetë identifikimi i vazhdueshëm i të gjitha aseteve dhe regjistrimi i plotë i tyre.

RAT u dha bashkive zyrtarisht edhe funksione të reja shtesë për menaxhimin e shërbimeve arsimore parauniversitare, qendrave shëndetësore, mbrojtje dhe menaxhimin pyjor, zhvillimin urban dhe social. Në pamje të parë, bashkive iu rritën kompetencat dhe pushteti qeverisës, sikundër u rritën edhe përgjegjësitë për shërbime karshi qytetarëve. Decentralizimi financiar dhe shtimi i kompetencave të bashkive u mirëprit dhe personalisht mbështes forcimin e këtyre funksioneve në një nivel të ri lokal. Por, besoj se problemi qëndron tek pamjaftueshmëria e burimeve financiare lokale, mungesa e burimeve njerëzore si dhe abuzimi politik që mund t’u bëhet punonjësve të administratës. Kështu që, kjo do kërkonte një vëmendje më të madhe nga pushteti qendror me kontrolle, trajnime dhe monitorime të zbatimit të funksioneve të reja, deri në pikën kur bashkitë të jenë të afta t’i menaxhojnë vetë, si nga ana financiare, edhe njerëzore. Sot, 3 vjet pas zbatimit të RAT, nuk kemi ende konsolidim të funksioneve shtesë dhe as vëmendje nga pushteti qendror. Zbatimi i reformës po i lihet fatit…

Këtë problem e tregon transferta e kushtëzuar me anë të luhatjeve të fondeve të ministrive përkatëse përkundrejt shërbimeve të ofruara nga pushteti vendor. Mungesat në aktet nënligjore dhe në zbatueshmërinë reale të reformës kanë futur në ngërç bashkitë, pasi transferimi i funksioneve të reja nuk është shoqëruar me rritjen e fondeve përkatëse. Tabela më poshtë tregon transfertën e kushtëzuar për vitet e fundit.

Tabela 1. Transferta e kushtëzuar ndër vite

Burimi: financatvendore.al

Nga sa më sipër, konstatojmë se transferta e kushtëzuar nuk ka qenë në nivelet e kërkuara nga bashkitë. Shifrat tregojnë se qeveria ka disbursuar më pak fonde gjatë tremujorit të parë të 2018-tës në krahasim me një vit më parë. Nga grafiku shohim se në vitet 2013-2014, kjo transfertë ka qenë më e lartë (atëherë kur bashkitë nuk kishin funksione të reja shtesë) sesa këtë vit, kur supozohej se bashkitë do forconin dhe konsolidonin funksionet e tyre. Administrata e bashkive ende ka paqartësi sesi do kryhet shpërndarja dhe përdorimi i transfertës së kushtëzuar.

Shërbimet e reja që po ofrohen nga bashkia kërkojnë më shumë fonde si dhe mbështetje financiare nga ana e qeverisë. Qeveria duhet të përfundojë procesin e decentralizimit të plotë financiar dhe të alokojë nëpërmjet ministrive të gjitha fondet e nevojshme për ato shërbime që do kryejnë bashkitë (dikur nën varësi të ministrive), në mënyrë që bashkitë të kenë fondet e mjaftueshme për të siguruar shërbime cilësore dhe të prekshme nga të gjithë qytetarët.

Ky proces duket ende i largët jo vetëm për shkak të një buxheti të brishtë qeveritar, por edhe për arsye të një rritjeje në vazhdim të borxhit publik. Konsolidimi i funksioneve të reja bashkiake do jetë një proces i dhimbshëm për qytetarët dhe për vetë bashkitë, të cilat do e mbyllin mandatin e parë të aplikimit të RAT pa efiçencën dhe rezultatet e parashikuara.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi