Mbi disa parime për korrigjimin e sistemit universitar

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 8 nentor 2013

Edhe pse kanë kaluar muaj, publiku shqiptar ende nuk ka gëzuar të drejtën e tij për të parë dritën e një paragrafi sistematik korrektiv mbi linjat e vazhdimit të reformës nga ana e ekipit të ri qeverisës. Konstatimet e numëruara gjatë fushatës elektorale mbi plagët e sistemit arsimor nuk janë shoqëruar ende, së paku me një faqe të vetme programative dhe perspektive mbi të ardhmen e sistemit universitar shqiptar dhe po aq pak është sendërtuar ndonjë projekt efektiv mbi sistemin arsimor të marrë në tërësi.

Duke qenë brenda sistemit arsimor shqiptar prej gati tri dekadash, njoh me hollësi sferën shtetërore dhe private të tij, si dhe reformat e realizuara në 8 vitet pararendëse, ndaj po përpiqem të ndërtoj një skemë parimesh që mund të përdoren për të kryer një seri korrigjimesh, të cilat mendoj se janë të domosdoshme për të ndalur tatëpjetën e sistemit.

Teza ime është se sistemi universitar shqiptar ka nevojë të korrigjohet, të vendoset nën një kontroll akademik central, jopolitik, duke ndjekur linjat reformative pararendëse, me veçorinë e bërjes së tyre shumë më efektive; bazamenti ligjor ka nevojë të korrektohet, por jo të përmbyset; instancat këshillimore do të duhet të lejohen të bëhen permanente; ecja përkrah procesit të Bolonjës ka nevojë të rivitalizohet dhe të ecë me tempin fillestar të viteve 2005-2009, skema e re financuese e sistemit, me disa përmirësime, do të duhet të vendoset në jetë, gradualisht, së paku nga viti i ardhshëm akademik; sistemi arsimor dhe universitar do të duhet të pompohet me para të buxhetit më pas, që do të mund të fitohen nga shkurtimet në investimet themelore materiale.

Sistemi universitar shqiptar nuk vuan nga mungesa e bazës ligjore dhe nënligjore, nuk vuan nga mungesa e një strategjie, por nga mospërputhja e pjesës teorike me realitetin universitar dhe parauniversitar shqiptar, nga shkeljet procedurale e vonesa në implementim, vuan nga mosveprimi dhe klientelizmi në zbatim, vuan nga zbutjet e veprimit të ligjit nisur nga paragjykime politike dhe nga këndvështrimet e ngushta elektorale, vuan nga heshtja e detyrueme e imponuar nga njerëz të fuqishëm me pushtet, nga mosfunksionimi ose funksionimi i mbrapshtë i hallkave implementuese ekzekutive, këshilluese dhe vendimmarrëse; vuan nga fshehja e realitetit të trishtë dhe nga dyfaqësia e sjelljes së ekzekutivëve para vuajtjes së madhe të Publikut, kur sheh një të sëmurë rëndë që nuk i jepet ndihma që kërkon për të shpëtuar.

Plagët e sistemit universitar janë në fakt pjesë e sëmundjeve të rënda që po kalon shëndeti shtetëror, demokracia shqiptare, liria në përgjithësi dhe e gjithë shoqëria jonë e çoroditur që s’po arrin të hyjë dot në një stabilitet demokratik, ligjor dhe në rrjedhat normale të një shoqërie të lirë dhe të hapur ndaj progresit dhe konkurrencës së ndershme nën kontrollin e sovranit. Për rrjedhojë, sado masa reformuese, korrektuese dhe stabilizuese që të ndërmerren, ato nuk mund të jenë të qëndrueshme, të vërteta dhe funksionale, në qoftë se sistemi ynë shtetëror nuk do të bëhet vërtet demokratik, shteti i ligjit nuk do të jetë një fakt veprues në këtë vend, në qoftë se në sistemin arsimor nuk investohet me emergjencë dhe përparësi. Ndaj korrigjimet reformuese në arsim është e këshillueshme të vendosen në bllokun e përgjithshëm reformativ të sistemit politik dhe politikave zhvillimore. Arsimi cilësor është një autostradë e parë që i mungon vendit, që në qoftë se vazhdon të mungojë në të ardhmen, krijon kushtet që të shkatërrohet barbarisht çdo autostradë sado mirë e ndërtuar në këtë vend, siç edhe po ndodh në të vërtetë.

Çfarë veprimesh paraprake do të duhet të ndjekë vendimmarrja e ardhshme ekzekutive?

1. Ekzekutivi do të duhet të njohë fillimisht mirë dhe në detaje bazamentin ligjor të brendshëm të arritur sidomos në harkun kohor 2006-2009, aktet nënligjore, projektet reformative, standardet ndërtimore e funksionale të të tria cikleve universitare, projektin e reformës financiare dhe strategjitë aktuale, që janë ndërtuar në periudhën vijuese 2009-2012, si dhe aderimet e Republikës së Shqipërisë në kornizën ndërkombëtare universitare europiane;

2. Vendimmarrjes i duhet një verifikim i vendndodhjes së sistemit universitar shqiptar të vitit 2013, me hapat bashkëkohorë universitarë europianë, brenda kornizës së Bolonjës. Ecja e derivonshme e shoqërisë universitare shqiptare, zyrtarisht së paku, ka qenë në nivele paralele me të ngjashmit e vet. Qeveria e re ka për detyrë të bëjë transparent nivelin e ecjes pararendëse dhe të parashtrojë masat që duhen marrë për ta rivendosur sistemin tonë edhe një herë brenda familjes bolonjeze.

3.    Ekzekutivi mund të studiojë me hollësi burimet njerëzore (të krijohet regjistri nacional i profesoratit shqiptar) të sistemit universitar publik (në pronësi shtetërore dhe private), kapacitetet infrastrukturore, përputhjen e numrit të studentëve me kapacitetet infrastrukturore, gjendjen e bibliotekave, akseset elektronike, sistemin e-learning dhe e-secretary të aplikuar, database-n studentor dhe të monitorojë frekuentimin e shkollave për të kuptuar sa universitete janë reale dhe sa janë fiktive; të verifikojë diagramën kohore të jetës universitare gjatë ditës, javës dhe vitit, kohën e qëndrimit dhe studimit të profesoratit në mësimdhënie, shërbim studentor tutoriatit dhe kërkim shkencor, dokumentacionin universitar dhe nivelin e formatimit të këtij dokumentacioni me standarde të përcaktuara.

4. Vendosja në funksion sërish (rivitalizimi) i hallkave programuese dhe kontrolluese të këshillimit dhe vendimmarrjes universitare në nivel nacional, ose rinovimi i tyre, ose ndërtimi nga e para, duke ruajtur parametrat e cilësisë dhe duke i mbajtur bordet jashtë politikës së ditës. Kjo është një masë urgjente që duhet të ndërmerret me përparësi. Brenda këtij hapi mund të përfshihet ndërtimi i një bordi akademik nacional të depolitizuar, të përbërë nga profesorët më dinjitarë të këtij vendi dhe elita e profesorëve shqiptarë në botë, ndërtuar ky organizëm jo si show politik, por si një njësi realisht funksionale shpresëdhënëse dhe autoritare.

Hapave të parë shqyrtues do të duhet t’u bashkëngjiten veprimet e radhës së dytë, të cilat mund t’i quajmë: Konceptimet e Rikorigjimit:

1. Ulja menjëhershme e numrit të studentëve (marrëveshje e domosdoshme me opozitën), krijimi i numrit të mbyllur të studentëve varësisht nevojave të tregut, mundësive akademike e materiale të institucioneve. Reduktimi në nivele bashkëkohore i ngarkesave të profesorit universitar një masë e domosdoshme dhe e vonuar. Mbyllja e sistemit me kohë të pjesshme, një kërkesë që duhej të ishte bërë me kohë; Shqipëria vend me kuota të hapura? Një çmenduri dhe papërgjegjshmëri populiste e pangjashme për qeveritë normale që e duan të ardhmen e vendit të tyre.

2. Mbyllja e menjëhershme e klientelave akademike, që riciklohen në pozicione duke ndërruar vendet. Kjo duhet të bëhet me një ligj special që u heq mundësinë e ripërsëritjes së rretheve të mbyllura aktuale të universiteteve shtetërore shqiptare, që kanë amortizuar mendimin akademik, kanë krijuar monopole në mobilitetin e profesoratit, kanë krijuar rrethe të mbyllura e të korruptuara dhe kanë fshirë plotësisht hapësirat e ekselencës së brendshme ekzistuese jopartiake dhe sidomos kanë mbyllur rrugët e integrimit dhe mundësitë e punësimit të diplomuarve nga kolegjet perëndimore etj. A ka ardhur momenti për një rimendim të sferave të autonomisë universitare? A mund të ketë një moratorium në zbatimin e autonomisë zgjedhore derisa të kapërcehet emergjenca e krijuar nga tarafet klienteliste? A ka ardhur momenti për një verifikim të nepotizmit në sistemin tonë universitar? A ka ardhur momenti për të ndërruar skemën menaxheriale akademike dhe financiare të universiteteve shqiptare publike drejt modeleve anglo-saksone?

3. Nevoja më e madhe mbetet në fakt korrigjsimi që në këtë muaj të planifikimit buxhetor për arsimin dhe shkencën në projektbuxhetin e vitit 2014. Parashikimet, së paku do të duhet të dyfishohen gjatë vitit të ardhshëm dhe në perspektivë kjo shifër nuk do të duhet të bjerë nën 5% të GDP. Pyetja është se ku do të adresohet fondi i rritur i buxhetit 2014? Ai do të duhet të shkojë për të mbështetur skemën e re të financimit të arsimit të lartë: drejt universiteteve të ekselencës në kushte pariteti, varësisht kontributit cilësor në shoqëri; duhet të shkojnë për rritjen e pagave të profesoratit, që nuk mund të jenë më tutje nën nivelin e pagave të kolegëve të Republikës së Kosovës; duhet të shkojnë për pasurimin e dixhitalizimin e studiuar të bibliotekave universitare, modernizimin e informatizimin e sekretarive universitare dhe të sistemit të kontrollit të dijeve, kontrollueshmërisë së procesit të verifikimit të të nxënit, përmirësimin kurrikular, në procesin e përkthimit dhe botimit të manualeve më të mira universitare bashkëkohore nga shtëpitë botuese universitare në shkollimin e plotë me fondet e shtetit në universitetet e UK, Holandë, Francë, Gjermani, Austri, të nxënësve më të mirë shqiptarë të ekselencës nga shkollat e mesme.

4. Mbyllja e disa prej programeve të studimit dhe fakulteteve fiktive, jashtë standardeve shtetërore të ekzistencës në universitetet publike, në mos mbyllja e ndonjërit prej tyre që praktikisht është inekzistent në pikëpamje të cilësive të diplomave, nivelit të korrupsionit dhe cilësisë së studentëve të rekrutuar nga shkollat e mesme. Është në fuqi një ligj dhe një akt nënligjor që parashikon se kur një fakultet, një departament apo universitet duhet të ekzistojë. Koha e moratoriumit me të cilin u justifikua deri tani mbijetesa e tyre ka marrë fund tanimë njëherë e mirë. Zbatimi i këtij ligji të lënë në heshtje nga viti 2008 për arsye të ndërhyrjeve të klientelave politike mjafton për të bërë një shërbim të parë të lavdërueshëm ndaj cilësisë universitare, një shërbim ndaj vështirësive të rialokimit të fondeve drejt eficiencës dhe një kursim të parasë publike, që shkon dëm drejt mbajtjes në këmbë të instituteve fiktive dhe pa vlerë reale publike etj. Megjithëse ngjan në pamje të parë si një masë drastike, ajo do të lehtësojë barrën financiare të shtetit, do të ndihmojë rishpërndarjen e fondeve të kufizuara drejt universiteteve publike që kanë shpresë për korrigjim dhe hap rrugën për vënien në përdorim të skemës së re financiare, nga e cila do të përfitojnë studentët cilësore dhe ato të shtresave në nevojë, të cilët tashmë do të mund të adresohen edhe në universitet private të listuara dhe rankuara në 4 vendet e para të sistemit sotëm dhe që kanë pranuar kthimin në fondacione. Një masë e tillë nuk mund të lejojë edhe më tutje ekzistencën e universiteteve private fiktive, të cilët duhet të monitorohen çdo ditë nga MASH, në të gjithë titujt e diplomave që kanë lëshuar, për kohën e studimit dhe frekuentimit të studentëve aktualë e të diplomuar dhe plotësimin e standardeve të profesoratit të brendshëm. Mosplotësimi i kushteve të profesoratit, kurseve etj., është kusht minimal i mjaftueshëm që degë apo universitete private që nuk plotësojnë kondicionet e ligjit, të mbyllen menjëherë. Shqipëria dhe publiku i saj nuk ka më nevojë për fasada liberalizmi në arsim, por ka nevojë për arsim cilësorë.

5. Vendosja në pozita pariteti faktik i universiteteve publike rezistuese ndaj reformës dhe universiteteve private cilësore në shërbim të publikut e cilësisë së studimeve. Bëhet fjalë për universitetet private që janë akredituar, janë rankuar në katër pozicionet e para në rankimin e vitit 2011, kanë bërë një kërkesë për akreditim individual nga një agjenci ndërkombëtare akreditimi, ose kanë kaluar në siten e një ekipi ndërkombëtar vlerësimi etj. Shteti nuk duhet të jetë armiku i universiteteve private që respektojnë ligjet e standardet e shtetit, ndaj atyre që janë realisht funksionale, që gëzojnë respektin e publikut, të prindërve dhe nxënësve, që punojnë nën shembullin më të mirë të shkollave perëndimore. Universitetet private që pranojnë shndërrimin e tyre në fondacione jofitimprurëse, në shërbim të misionit universitar dhe kërkimit shkencor, respektojnë lirinë akademike të profesoratit, respektojnë Kodin e Punës dhe statusin e profesorit, i shërbejnë përsosjes së cilësisë, duhet të bëhen më pas përfitues nga skema e re financiare e arsimit. Qeveria duhet të studiojë të gjitha mundësitë dhe të caktojë një datë për ta vendosur skemën e re financiare në funksion.

6. Rivitalizmi i Agjencisë së Akreditimit dhe jo pezullimi i aktivitetit, do të ishte veprimi më i mençur i qeverisë aktuale. Ky institut duhet të jetë syri dhe veshi i publikut, zemra e prindërve dhe nxënësve shqiptarë, garanci për një të ardhme më të mirë në sektor. Këtij instituti do t’i duhet të gjendet mënyra t’i bashkëngjiten bordet akademike të cilësisë dhe garancisë: nga fusha e shkencave albanologjike dhe sociale, shkencave natyrore, politeknike dhe mjekësore

7. Universitetet shqiptare duhet të shndërrohen nga makineri të pavetëdijshme që prodhojnë letra diplomash të paaksesueshme në tregun bashkëkohor të punësimit, në qendra që prodhojnë njerëz të dijes dhe studimit permanent, cilësorë dhe bashkëkohorë; ata duhet të shndërrohen nga qendra joproduktive njëturnshe, ku zhegu i gjen profesorët e studentët në shtëpitë apo konviktet e tyre, në institucione të hapura 24-orëshe gjatë gjithë vitit, nga institucione që riprodhojnë në mënyrë kaotike pa kontroll cilësie leksione të pakontrolluara e të kopjuara, në qendra botuese të mendimit të përparuar bashkëkohor shkencor dhe pedagogjik, me biblioteka moderne, të hapura dhe të informatizuara, me shtëpi botuese universitare që përkthejnë në mënyrë të përshtatshme tekstet më të mira të Oxford, Cambridge, LSE etj. Gjithmonë kujtoj me respekt profesor Anton Fistanin (Austin University aktualisht) etj., laboratori i të cilit pothuajse nuk mbyllej kurrë në Universitetin e Shkodrës; kujtoj mentorin tim Profesor Walter Höflechner të Universitetit të Gracit, për frymëzimin e vullnetit për punë të pandërprerë që ofronte ndaj studentëve e dishepujve të tij; kujtoj me respekt profesor Mary Kaldor në London School of Economics, për thjeshtësinë me të cilën kërkonte komunikimin e vazhdueshëm me studentët universitarë dhe post-universitarë në këtë qendër elitë të dijes së shkencave sociale të botës bashkëkohore. Por unë nuk mund të lë pa përmendur djemtë e rinj revolucionarë të arsimit shqiptar, themeluesit e UET-it dhe vazhduesit e projektit, me të cilët fati më bashkoi në një përvojë të pangjashme për Shqipërinë e varfër dhe të prapambetur. Shqipëria universitare mund të marrë shumë modele, por në qoftë se dëshiron ta shohë të gjallë një ishull të themelimit bashkëkohor universitar, le të vijë ta shohë atë jo larg qendrës së Tiranës, në UET.

8.    Subvencioni i shtetit vetëm në disa degë të studimit për të cilat shoqëria ka nevojë dhe që në pak vite, në qoftë se nuk do të ndërhyhet, shkolla shqiptare do të hyjë në krizë të thellë dhe të pashpresë për të dalë lehtësisht. Është fjala për përgatitjen universitare në programet matematikë, fizikë, kimi dhe financimi me prioritet i kurseve të përshtatshme të ekselencës në albanologji (histori dhe gjuhësi).

9. E gjithë reforma në sistemin universitar nuk do të ketë efektet e nevojshme në qoftë se paralelisht MASH nuk ndërmerr një ndërhyrje të menduar mirë në sistemin parauniversitar. Nuk e mendoj se konkurset do ta zgjidhin krizën e drejtorive arsimore rajonale shqiptare dhe do t’i shndërrojnë ato nga vatra të kotësisë, korrupsionit dhe ndikimit të klientelave politike, në organizma reformativë, studimorë, kontrollues e garantues të cilësisë. Do të ishte mirë që MASH në drejtimin e drejtorive rajonale të vendoste me emërim mësuesit më të mirë të rajoneve, pikërisht ata që kanë pasur rezultatet më të larta në mësimdhënie dhe drejtim, me të paktën një përvojë arsimore 15-vjeçare. Janë pak, por duhet të gjenden. Konkurrimi me dosje është një mënyrë, por vendimmarrja nuk duhet të reduktohet vetëm te konkursi. Kooptimi i më të mirëve që nuk janë përfshirë në konkurrim e në fushata elektorale njëkohësisht, do të ishte një mënyrë efikase. E them këtë sepse të gjithë patëm mundësinë të kuptojmë nga shpalljet e sotme të kandidaturave për drejtor të DAR, që të “guximshëm” për të dërguar dosjet në MASH kanë qenë vetëm kandidatët e mbështetur politikisht në mënyrë hipotetike nga qeveria në pushtet. Kjo rrugë e hapur artificialisht mund të prodhojë një deformim të rëndë të cilësisë, që qeveria e konsideruar e të gjithëve, do të duhet ta shmangë me përparësi. Ajo nuk duhet të kishte pranuar madje asnjë dosje të komisionerëve të saj në zgjedhje, militantëve të saj apo të njerëzve nga strukturat drejtuese të saj politike. Arsimi nuk mban më militantizëm, në qoftë se nuk dëshirojmë sërish të shohim mësuesit e nxënësit në mitingjet politike nesër. Shqipëria ka nevojë për profesionistë drejtues elitare në DAR-et regjionale; ka nevojë së paku për 20 gjimnaze të kategorisë së parë, ka nevojë për një rinovim mbi modelet metodologjike dhe shkencore të shkollës sonë të viteve 1980, të teksteve të shkencave natyrore, ka nevojë për mësues që paguhen mirë dhe jetojnë normalisht, të përkushtuar me vetëdije ndaj nxënësve të tyre. Pa një shkollë të mesme të konsoliduar nuk do të kemi edhe një shkollë të lartë të furnizuar normalisht, me ata që do të duhet të quhen me të vërtetë: Studentë.

*Instituti i Historisë Bashkëkohore, Universiteti Europian i Tiranës

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi